Trishtimi i Kadaresë

Gjatë 15 vjetëve të fundit, praktikisht qëkur u largua për në Francë, Kadareja ka qenë më shumë i pranishëm për shqiptarët si figurë publike, sesa si shkrimtar.

Me ndërhyrjet e veta gjithnjë të shkoqura ka luajtur rol relativisht të madh në zhvillimet politike dhe sociale të shqiptarëve në Ballkan në këtë periudhë.

Kam përshtypjen se i është dëgjuar zëri sepse njerëzit e kanë dashur dhe respektuar shumë për letërsinë që ka krijuar, jo për veprimtarinë publike pas 1990-ës e aq më pak për veprimtarinë publike para 1990-ës.

Dua të them se ai ka fituar një prestigj të madh si shkrimtar dhe, në vazhdën e këtij prestigji, ka dashur të luajë një rol si personalitet i shoqërisë civile; por nuk më duket se ky rol i fundit i duhet atribuar doemos Kadaresë “shkrimtar”.

Për shembull, Kadareja me shumë të drejtë e denoncoi publikisht thirrjen oportuniste për të respektuar Enver Hoxhën, që lëshoi historiani politikan Paskal Milo në Pezë. Por unë nuk e shoh këtë prononcim të tij si prononcim prej “shkrimtari”.

Prandaj Kadareja e ka gabim kur i paraqet sulmet që i bëhen kohët e fundit si sulme që i bëhen “shkrimtarit”. Ai është vërtet shkrimtar, por është edhe figurë publike. Pozicionimet e tij politike dhe kulturore janë shenja të një angazhimi të tij qytetar, jo artistik.

Përsëri me të drejtë, Kadareja qorton Besnik Mustafajin që u deklarua, dikur, se edhe si Ministër i Jashtëm përsëri mbetet shkrimtar. Në të vërtetë, Besniku foli në atë rast si dishepull i bindur i mjeshtrit, i cili ka kohë që figurën (e vet) të shkrimtarit, ose më mirë Shkrimtarit, e ka mbështjellë me një vello pothuajse hyjnore.

Unë besoj se Kadareja shkrimtar është autori i veprave letrare përkatëse. Kadareja që merret me dosjet ose me Konferencën Islamike ose me Paskal Milon në Pezë është qytetar, që angazhohet qytetarisht duke shfrytëzuar prestigjin që ka fituar.

Gjërat nuk duhen ngatërruar, tha.

[2006]

31 Komente

  1. Kadareja flet jo si shkrimtar a qytetar, por si Baba i Kombit. Seferis, në anën tjetër, bënte të njëjtën gjë, por fliste me përkorje, me shumë rafinim dhe mbahen mend deklaratat e tij historike, si ajo kundër diktaturës së kolonelëve, për shembull, e cila u tha shkurt e u lëshua si bombë (nën diktaturë). Janë bërë disa studime të mirëfillta mbi rolin e Seferit për t’iu imponuar kombit si baba, dhe atje kam shquar gjithë Kadarenë.

    Loja është e njëjtë, e huazuar, kur shkrimtari shndërrohet dhe ndihet, përmes estetikës, baba i kombit.

    Por Kadareja nuk mundi të bëjë një lojë të tillë pa rënë poshtë, sepse, jo vetëm që foli pa doganë, por pranoi të bëhet emblemë e mburojë e rrugaçëve; atë që nuk e ka bërë Rexhep Qosja, për shembull, i cili ky nuk ushqeu reagime të tilla publike. Ata që kanë mbrojtur Qosjen, me sa kam lexuar në shtyp, kanë reaguar me etikë dhe jo me frymë fletërrufeje, si rrugaçët që e kanë përdorur Kadarenë për të zhgarravitur emrin e tyre përndryshe të paqenë në muret e kombit prej qerpiçi.

    Kadareja publik, pra, është ai që flet dhe duhet mbajtur vesh. Kujtoni vizitën e Bushit para pak muajsh, kur Kadareja tha se presidenti amerikan është vizitori më i madh i të gjitha kohërave. Pastaj kujtoni Prof. Dr. Berishën i cili e përdori këtë shprehje jo vetëm para Bushit, por vend e pa vend për dy-tre javë, si papagall. Sepse e tha Kadareja.

  2. bizantin,

    sa vjeç ishe zotrote dhe ku rroje kur Seferis deklaroi ato që deklaroi? Dhe pse të nevojitet një krahasim me një rast të ndodhur në një vend fqinj jugor???

  3. Bujq e blektorë të shqipes!

    Së pari, historia shqiptare nuk mund të shkruhet më me dëshmimtarë okularë, përndryshe nuk do t’i gjymtyrohej dot historiografisë si disiplinë, por arkivimit, i cili në realitetin perëndimor është departament i studimeve informatike e jo historike.

    Nuk ka fare rëndësi, pra, nëse unë qeshë katër a pesë vjeç, atëbotë, dhe nuk është e domosdoshme që unë të konsumoj dy minuta të tjera në internet për ta gjetur.

    Së dyti, gjatë përvjetorëve të Seferit në vitet 90 në Greqi, ajo deklaratë radiofonike është transmetuar shumë herë, nëse të interesojnë nuancat e zërit të nobelistit grek. E them kështu se edhe e folura e nobelistëve, apo e kandidatëve në fjalë, ka njëfarë farefisine estetike. Mos i trazo: Nëse Kadareja imiton Seferin, Seferis imitoi të tjerë jo grekë, e kështu me radhë.

    Së treti, krahasimi i Kadaresë me nobelistë të tjerë, e sidomos me një kulturë simotër (të vonuar në modernitet), si ajo neohelenike, është shumë interesant, për të mos thënë përmendës, zgjues, ose, për ju, marramendës.

    Tmerrësisht i këtillë.

    Reagimi juaj kundër atyre që janë “kundër” Kadaresë është i parandodhur, pikërisht në vetë Greqinë e dy nobelistëve që ju urreni, pikërisht ndaj atyre që u pëpoqën të zbërthejnë lojën e nobelistëve grekë, imponinim e tyre në histori si baballarë të kombit (përmes estetikës) dhe, më e madhja, përgjegjësinë e tyre fajtore për mendjembylljen e Greqisë së Re. Sepse u bënë shkaktarë për vonesa më të mëdha.

    “Poeti si Komb”, i Dimitris Dimiroulis, ndërsa është shkruar pa e lexuar Kadarenë tonë, ka dhjetëra faqe ku mund të fshish lehtë emrin e Seferit dhe të rishkruash atë të I. Kadaresë. Vërtet kështu…

    Krahasimet me një poet fqinj, i cili madje u lind shumë më larg Athinës sesa Kadareja, janë të domosdoshme, të imponuara nga mendimtaria e sotme kulturore. Në të kundërt, janë pikërisht bujqit dhe blektorët e shqipes që duhet të përshtaten, të lexojnë dhe të gjejnë mënyra njësoj bindëse për të na bindur t’i dëgjojmë, të paktën, pavarësisht nëse pajtohemi a jo me çaprazet e tyre.

  4. Sa më shumë baballarë të kombit kërkojmë e gjejmë ne shqiptarët, ose i admirojmë e i adhurojmë kur na vetëshpallen, aq më fëmijë e të papjekur mbetemi.

  5. perkundrazi, per sa i perket vetshpalljes. vetem nje baba i vertete veteshpallet i tille, dhe per me teper nje baba qe nuk vetshpallet i tille, nuk eshte baba, femija eshte gjysem jetim, ne mos krejt jetim. dakord per adhurimin dhe per admirimin, bile do shtoja se femija rritet atehere kur babai fillon te tregoje te metat e veta. qe femija te piqet, duhet te piqet babai, pak dhe shume si tek ajo perralla e qerosit qe thote, “kur me lindi babai po kullosja patat”. perndryshe nje baba fodull, arrogant, narcisist, do pjeki edhe femije te tille. ky muhabeti kadare-baba-i-kombit eshte pak i shemtuar, pasi kadareja rralle, shume rralle flet ne vete te pare, dhe edhe atehere kur flet ne vete te pare, nuk eshte kadareja shqiptar qe flet, por kadareja artist, kadareja shkrimtar, sic mund te kete folur kur ka folur per migjenin. ne se kadareja nuk flet si shqiptar ne vete te pare, atehere ai nuk ka si te jete baba i kombit, por i paveteshpallur neqoftese eshte i tille, thjesht nje tjeter arkivist per te perdorur terminologjine e bizantinit, apo thjesht nje tjeter mprehes lapsash, nje tjeter mbret i spanjes, po qe se me kuptoni ku e kam llafin. e po qe keshtu, kombi qenka si ai jetimi qe enderron qe per baba te kete ate burrin qe e respektojne dhe e kane frike te gjithe ne qytet.

  6. Përderisa pyesni nëse e kuptojmë a jo se “ku e ke llafin”, unë po personalisht sinqerisht nuk e kuptova se ku e kishit fjalën.
    A mund të shpjegoheni, ju lutem?

  7. llafi ishte referencial, jo se thashe une ndonje gje qe eshte veshtire per t’u kuptuar. referenca eshte per “ditarin e nje te cmenduri” te gogolit, ku progresi i cmendurise fillon me rutinen e nje njeriu qe mpreh lapsa dhe perfundon me vetshpalljen e tij mbret i spanjes, perfundim ku edhe kamzhiket qe merr kurrizit ne cmendine, i duken si pjese e ceremonise se kurorezimit. ne nje fare menyre kam dashur te them se shkrimtare te stilit apo llojit te gogolit, kafkes, apo kadarese (ky i fundit eshte krahasuar shpesh me te paret per nga stili dhe lloji) nuk eshte mire te jetojne gjate, apo te vazhdojne te shkruajne gjate, pasi rrezikojne te shnderrohen ne ata shkrimtare medioker, apo njerez medioker, qe ne kryeveprat e tyre i kane pasur objekt humori. keshtu dhe puna e kadarese pas komunizmit, te cilit, mos me keqkuptoni, i uroj jete te gjate dhe te lumtur.

  8. p.s. sa per nobelin dhe “marramendjen”, ai nuk eshte vecse nje cmim qe konfirmon nje loje sipas rregullave te akademise ne fjale. kadareja qe t’a fitoje kete loje, i duhet nje narrative qe te kapi realitetin e sotshem shqiptar, i duhet t’a zbertheje ate ashtu sic eshte, dhe jo vetem ashtu sic e shikon ai. realiteti eshte ne fluks, gjithmone ne ndryshim, dhe per cdo gjendje te realitetit, ka nje utopi dhe nje distopi perkatese. kjo eshte nje e vertete apolitike e artikuluar nga bacon, nje nga rregullat e lojes qe kurorezoi fituesin e fundit te nobelit, orhan pamuk. nobeli ne letersi nuk fitohet duke aktruar, duke imituar baballaret e kombeve te tjere, (kaq kollaj kujtoni e hane suedezet sapunin per djath? nuk i dallokan aktoret ata?) por duke qene realisht baba i kombit -ne qofte se doni te flisni me gjuhe shpirterore- apo duke thene te vertetat e kombit -nqs doni te flisni me nje gjuhe tjeter.

  9. Kadareja-Letërsi është tjetër nga Kadareja-Publik, prandaj dhe ky i fundit ka rrëshqitur kaq shumë sa lejon rrugaçërinë ta mbrojë; prapë me rrugaçëri. Dhe ky është Kadareja-Paradoks. Se ndërsa ju keni nevojë për të, ai nuk ka nevojë për ju. Dhe megjithatë, ai ka ushqyer një realitet të tillë në botën shqiptare, atje ku nuk ka asnjë efekt nëse njëri është patër a tjetri dac.

  10. Lulian Kodra shkruan:

    Ky muhabeti Kadare-baba-i-kombit eshte pak i shemtuar, pasi Kadareja rralle, shume rralle flet ne vete te pare, dhe edhe atehere kur flet ne vete te pare, nuk eshte Kadareja shqiptar qe flet, por Kadareja artist, Kadareja shkrimtar, sic mund te kete folur kur ka folur per Migjenin.

    Lulian, ke disa pasaktësi në këto që thua. E para, edhe sikur Kadareja të fliste “rrallë, shumë rrallë në vetë të parë”; edhe sikur Kadareja të mos dëshironte gjë tjetër, përpos që njerëzit ta njihnin e ta çmonin nëpërmjet veprës, prapë janë të tjerët që duan ta ngrenë në piedestalin e “babait të kombit”. Vetëm para pak javësh, kur ende diskutohej për një kandidaturë të denjë presidenciale, Roland Qafoku i gazetës “Tirana Observer” shkroi një kryeartikull për të argumentuar pse Kadareja duhej të zgjidhej në atë post. Si Roland Qafoku ka edhe plot të tjerë, aktivë në mediat e në forumet e ndryshme, të cilët e shohin Kadarenë si alternativë të mizerjes politike që sundon sot Tiranën; dhe të siguroj se ata e kanë fjalën për Kadarenë figurë publike, jo Kadarenë shkrimtar. E dyta, mjafton të lexosh ndërhyrjet e shumta të Kadaresë në debatin për identitetin kombëtar (me R. Qosen), për t’u bindur se atje nuk flet shkrimtari, por ideologu; madje nuk flet as historiani, por përsëri ideologu. Turmat e ithtarëve, ndjekësve e lajkatarëve e kanë shndërruar Kadarenë në celebrity, dhe duan ta përdorin për qëllimet e tyre që nuk po më duken aq të kulluara; po ç’lidhje ka kjo me veprën e Kadaresë shkrimtar, përveçse që mund të jetë frymëzuar prej një leximi relativisht sipërfaqësor të asaj vepre?

    P.S. Lulian, të lutem përdor shkronjat e mëdha kur kontribuon në blog. Atë kohë që fiton ti duke shkruar vetëm me shkronja të vogla, e humbasin të tjerët, kur përpiqen të marrin vesh se çfarë ke shkruar.

  11. Kjo idea e ketyre qe kerkojne baba kombi me sjell ndermend teorine e grekeve per shqiptaret te cilet thone se ‘alvano’ (shqiptare/alvanos) dmth jetim, keshtu ata quanin popujt pa udheheqje asokohe.

    Xha Xha, ndonje ide rreth kesaj teorie te Grekeve?

  12. Xha xha, edhe nje here. Nuk mund te quhet ligjerata e nje ideologu qe nuk eshte njekohesisht edhe historian, nje ligjerate ne vete te pare. Asaj qe ne jemi dhe asaj qe ne duam te jemi, qofte si Shqiptare, qofte si individe, i humbet koherenca nese injorohet historia, ajo qe kemi qene. Nje ligjerate e tille e humbet veten, vete ligjeruesi mund t’a ngaterroje veten me komshiun, t’i duket sikur historia e tjetrit eshte historia e vete dhe mund te perfundoje ne cmendine ne ligjerofte ne nje shoqeri me institucione te forta.

    Ajo qe une kam thene me lart eshte ne funksion te termit “vetshpallje” te perdorur prej teje. Nese ‘jane te tjeret qe duan t’a ngrene ne piedestalin e “babait te kombit”‘, atehere nuk kemi te bejme me vetshpallje, por me mediokritetin e njeriut qe beson se eshte cka te tjeret i thone se eshte.

    Une faktikisht e kam shmangur leximin edhe te Qoses edhe te Kadarese, por nga komentet qe kam pare rreth ketij debati, kam mesuar se, kur t’i futem per t’a lexuar kete debat, duhet t’a lexoj Qosen si plotesim i Kadarese dhe Kadarene si plotesim i Qoses, Orientalen dhe Perendimoren si plotesim te njera tjetres, Ying-Yang, Tik-Tak, Ding-Dong, KuKu, KuKu, KuKu, ne menyre qe te shquaj se cdo te thote te identifikohesh Shqiptar, ku idealja do ishte qe identifikimi Shqiptar te shenonte pikerisht kete te plote mes Lindjes dhe Perendimit.

  13. Referenca e dendur e çmendinës, e çmendurisë, dhe e paragogëve përkatës, pothuaj në çdo mesazh tuajin, nuk duhet marrë si obsesion me një temë të caktuar, sesa si pjesë e Ismail Kadaresë. Sa herë që e kundërshtojnë, e kritikojnë, e rishikojnë atë, Shën Kadareja del nga shenjtëria dhe kërkon që Qosja të mbyllet në çmendinë, me metodat e diktaturës.

    Nëse Kadareja do ta bindë këtë brez për sanitetin e tij, duhet të heqë dorë nga metodat e diktaturës. Për më keq ai kërkoi që ata të huaj që e kritikojnë, t’iu ndalohet hyrja në Shqipëri, siç e tha troç në një intervistë vitin e kaluar.

    Kadareja, në këtë moshë që është, nuk mund të ndahet nga idhulli i tij, nga Enveri, të cilin e ka dashur më shumë se gruan e tij, nëse i besojmë ndershëm veprës së tij. Adhurimi i tij për Enverit shkoi gjer atje sa ta imitojë edhe në jetën familjare: ashtu si Enveri vrau burrin e motrës, edhe Kadareja internoi e torturoi, dhe e vrau ngadalë e përjetshëm, të dashurin e vajzës së tij!

  14. Vetem se ka dicka. Une personalisht, ia fal artistit cmendurine, bile sa me i cmendur, aq me mire. Ia fal madje edhe diktaturen, sa me diktator, aq me mire, sepse sa do diktator te jete, nuk eshte asgje ne krahasim me diktatorin e vertete. Diktatura e ushtruar nga nje artist eshte mode krijimi. Cmenduria po ashtu. Perfundimisht, kjo eshte edhe dobesia e kujtdo perpara nje artisti, sepse kushdo qofte Kadareja joartist, eshte i falur, gjynah, i habitshem ne dhunen qe mund te ushtroje dhe njekohesisht i injorueshem ne obsesimin ndaj vetes, si nje femije i llastuar, i paperfillshem perkunder artit te tij.

    Sa per ate qe Enver Hoxha eshte idhulli i Ismail Kadarese, per mendimin tim, eshte pretendim i ceket. Nese ka ndonje fare idhulltarie mes ketyre, shanset jane qe Ismail Kadareja te kete qene idhull i Enver Hoxhes, dhe jo anasjelltas. Idhulli i nje artisti eshte vetja e tij, apo per te qene me i sakte, idete e tij. Diktatori per artistin eshte ai qe i ka ne dore jeten, por jo idete. E vetmja rrugedalje e artistit per te shpetuar koken e vete njekohesisht pa tradhetuar idete e tij, eshte t’a beje diktatorin te bjere ne dashuri me te, t’a beje qe t’a adhuroje, por pa zene vendin qe diktatorit i perket ne hierarkine e idhujve te popullit. Ne psikologjine e cdo artisti oborri eshte e para pyetja e Makiavelit ndaj Medicit, “Si eshte me mire, te te duan, apo te te kene frike”. Jam kurioz te mesoj nga me te vjetrit, nga ata qe kane jetuar ne ate kohe, se si priteshin librat e Kadarese atehere, me adhurim ndaj nje shkrimtari te madh, apo me frike te imponuar nga sistemi, packa se mund t’a marrim me mend nga vete kritika qe i behet punes se Kadarese pas komunizmit?

    Keto jane politikat, psikologjia dhe filozofia e nje artisti te oborrit. Nuk e dime, asnjeri prej nesh, pa u prononcuar vete Kadareja, pa folur ai i pari ne vete te pare, nese renia ne nivelin e punes se tij bashke me renien e oborrit eshte per shkak te energjive te shumta te harxhuara ne mbijetese, apo per shkak se disa artiste funksionojne me mire ne gjendje diktature dhe disa te tjere funksionojne me mire ne gjendje lirie.

  15. Gjithë kjo është një letrarizim për t’u bërë i besueshëm, por për çfarë? Ku është debati ynë? Cilat janë reagimet, kundërreagimet, dhe pse në letrarizime kundër fakteve? E përsëris, gjithë ky mesazh është jashtë debatit, edhe pse i stolisur me vellot e pasdiktaturës. Sado që të rrekeni ju të letrarizoni historinë, e vërteta nuk mund të zhbëhet, prandaj dhe Ismail Kadareja jeton ditë Ferri.

  16. Më kot kërkova por nuk e gjeta dot shkrimin e Aurel Plasarit mbi këtë temë, mbi ethet e ferrit të Kadaresë. Kur lexon shkrime të atilla, nga Lubonja, Plasari, Vehbiu, të shtëpon një pyetje, se çfarë do të ndodhte nëse bota shqiptare nuk kishte autorë guximtarë. Sepse lojën e Kadaresë e kanë kuptuar shumë, por jo të gjithë guxojnë të flasin, prandaj dhe lundrojnë patriotistët.

  17. lulian ,

    rasti e solli të kem me vete një botim të dikurshëm, ndaj jam në gjendje të të ofroj një shembull për pyetjen:

    Kadare, Ismail

    Ëndrra mashtruese (Tregime e novela)
    Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1991, 364 f.;

    Tirazhi 50.000 kopje. Çmimi 10 lekë.

    Provo të gjesh një kopje diku në ndonjë librari të Shqipërisë.

  18. Po, Xha Xha, siç e thua është: “… Kadareja ka qenë më shumë i pranishëm për shqiptarët si figurë publike, sesa si shkrimtar.” Por, mos ndoshta ngaqë problemet publike i kanë shqetësuar shqiptarët shumë herë më fort se sa krijimtaria artistike e X-it apo Y-it? Rënien e interesit nuk e ka pësuar vetëm ai, por edhe shumë artistë të njohur të dikurshëm. Ndoshta dallimi është që shumë prej tyre nuk arritën/provuan të kenë një zë në jetën publike, duke humbur kështu.

    Në vazhdim thua: “… ai ka fituar një prestigj të madh si shkrimtar dhe, në vazhdën e këtij prestigji, ka dashur të luajë një rol si personalitet i shoqërisë civile…” Ku qëndron sakrilegji këtu? Kur këtë e bën kushdo, sado kokëgdhë dhe/ose i mbaruar moralisht qoftë, pse duhet nxjerrë në pension Kadareja-personalitet i shoqërisë civile? Vërtet nuk kemi nevojë ne për përvoja të tilla civile si e tija?

    Unë personalisht besoj në aksiomën sipas të cilës “Zoti talentin e vërtetë e dhuron gjithnjë me moral po aq shëndoshë” (Tjetër punë se këtë të dytin nuk e shohin të gjithë… tha.)

  19. Bujku pyet se ku qëndron sakrilegji, kur dikush si Kadareja e përdor prestigjin që ka fituar si shkrimtar për t’u aktivizuar edhe si personalitet e pikë referimi e shoqërisë civile.

    Në të vërtetë, edhe unë mendoj se nuk ka asnjë të keqe që një shkrimtar i madh të aktivizohet në jetën publike edhe drejtpëdrejt. Jo vetëm kaq, por edhe gjithnjë kam dëshiruar e shpresuar që Kadareja publik të mbetet forcë qytetëruese për shoqërinë civile në Shqipëri.

    Dallimi që dua të bëj unë është në status: midis shkrimtarit dhe personalitetit publik. Shkrimtari, edhe pse ia jep veprat publikut, konsumohet privatisht; ndërsa personaliteti publik ekziston sa kohë perceptohet dhe riprodhohet publikisht.

    Kur është përfshirë në debatet publike, Kadareja është detyruar të pozicionohet ndonjëherë edhe në skajet, çka është shoqëruar me kundërshtime të ashpra nga skaji tjetër. Këto kundërshtime i kanë ardhur Kadaresë edhe nga ajo pjesë e shoqërisë civile që e adhuron ose të paktën e pëlqen si shkrimtar.

    Problemi im këtu është se, duke iu përgjigjur këtyre sulmeve, Kadareja është barrikaduar prapa persona-s së shkrimtarit, duke u thënë kundërshtarëve të veprimtarisë së tij publike: ju po sulmoni një shkrimtar.

    Pikërisht këtu dhe vetëm këtu e shoh unë sakrilegjin (dhe trishtimin) e Kadaresë njeri.

    Vepra e Kadaresë shkrimtar e dominon sot kulturën shqiptare; edhe pse përvetësimi i kësaj vepre nuk është më dinamik por statik; ose i referohet nostalgjisë për periudhën kur Kadareja përvetësohej dinamikisht; ose vepra e tij përdoret rishtas si armë luftrash ideologjike praktike. Megjithatë, mund të thuhet se identifikimi me Kadarenë shkrimtar mund të konsiderohet tashmë si tipar i identitetit kulturor të shqiptarit të shekullit XXI.

    Përkundrazi, Kadareja figurë publike me opinione të forta, duke u shqiptuar shpesh dhe skajshëm, nuk i bashkon dot shqiptarët; prandaj çdo orvatje për ta paraqitur atë si “baba” të kombit nuk mund veçse të dështojë. Në një kuptim, me veprimtarinë e tij publike Kadareja ka zhbërë shumëçka prej arritjeve të tij si shkrimtar i mirëfilltë – madje edhe atëherë kur, si në rastin e krizave të ndryshme në Kosovë gjatë viteve 1990 – ka luajtur rol thelbësisht pozitiv dhe ndërtimtar.

    Unë gjithnjë ia mirëpres Kadaresë ndërhyrjet në publik, edhe pse ndonjëherë nuk pajtohem me pikëpamjet e tij; por nuk mund t’ia kuptoj pretendimin, sado të kamufluar, për imunitet ndaj kritikave. Zotimi publik të ekspozon ndaj një kritike të ndryshme nga kritika letrare ose sociologjike që përndryshe u bëhet veprave të tua: vetë sfera e debatit publik dominohet nga konflikte të ashpra pikëpamjesh, interesash e traditash.

    Nëse vërtet Kadareja dëshiron të trajtohet sipas statusit të posaçëm të shkrimtarit, atëherë do t’i duhej të mbetej shkrimtar, larg debateve publike për historinë, fenë dhe politikën në Shqipëri. You can’t have your cake and eat it too, thotë një proverb në anglishte.

  20. Atehere edhe nje here, xhaxha, pa ligjerime libreske te moralit si turp.

    “Nëse vërtet Kadareja dëshiron të trajtohet sipas statusit të posaçëm të shkrimtarit, atëherë do t’i duhej të mbetej shkrimtar, larg debateve publike për historinë, fenë dhe politikën në Shqipëri. You can’t have your cake and eat it too, thotë një proverb në anglishte.” Thua ti.

    Shume dakord, dhe une shtoj, eshte vertete po aq e trishtueshme sa perpjekjet e Kadarese, te merresh me te, jashte statusit te tij shkrimtar, qofte ne kuader te medias, qofte ne nje kuader te kritikes se medias. Si do qe t’a kapesh kete ceshtje, drita hidhet mbi ate c’ka Kadareja nuk eshte. Mirepo ajo qe nuk eshte, nuk ka drite. Po pati drite, atehere eshte. Cili eshte reflektimi i Kadarese, kur hidhet drite mbi ate cka po ben? “Une jam shkrimtar” thote, me nje Bayreuthianizem te pashoq, “Si i tille, mos me prek. Jam apo s’jam i denje per te qene baba shpirteror i kombit, ate e vendosni ju”. A eshte tregimtari baba i kombit? E ne qofte se nuk eshte tregimtari, kush eshte? Mire, po si do ia bejme ketij mitizimi qe po ndodh nderkohe, ketij shenjterimi? Duhet thene pikerisht ashtu si thua ti. Shkruaj atehere, leri pordhet, si thote nje fjale inkurajuese shqiptare.

  21. Lulian Kodra e nisi me të butë, e vazhdoi me të hollë dhe e bitisi sertë e trashë, jo se humbi durimin, por se që andej rrjedh dhe substanca e shumë sendeve shqiptare: të gjitha sendet shqiptare riciklohen, tha…

    L. Kodra kërkon në çdo mesazh të tij që të mos preket Kadareja jo shkrimtar, sepse ai është Shkrimtar. Në fakt, këtë e ka kërkuar edhe vetë Kadareja, prandaj dhe Kodra nuk na thotë ndonjë gjë të re. Në të kundërt, kur Kadareja Publik fut hundët atje ku s’i takon, kur rreket të kryejë gjëra që s’i bën dot, ai do të presë përgjigjet e atyre që janë cënuar, të atyre që do të reagojnë pavarësisht nëse Publiku i Vockërr është Shkrimtari i Madh.

    Si mund të heshtnin ortodoksët, për shembull, kur Kadareja tha se ne nuk jemi të mirëfilltë në rajon por kemi dalë ca andej e ca këtej (thotë pikërisht atë që kremtojnë edhe vetë grekët për shqiptarët ortodoksë).

    Nëse ne nuk reagojmë, për të mos cënuar të Pacënuarin, kjo tezë albotrashanike, apo grekoflirtuese, do të merret si e mirëqenë dhe do të çojë ujë në hartëbërjen e Greqisë imagjinare. Sepse do të thonë grekët, “këtë e ka thënë edhe Kadareja”.

    Pikëpyetja është se sa është i ndërgjegjshëm ai për këtë, por kur Kadareja thotë se “ata nuk mund të kuptojnë që atdheu im i vërtetë është letërsia [shqiptare]”, nuk ka më asnjë habi se qysh e pse…

    Si mund të mos reagojnë historianët kur Kadareja autorët e vjetër shqiptarë i lind 200 vjet para vitit të vërtetë të lindjes, dhe pastaj na kërkon të bëjë historinë tonë?

    Si mund të rrimë pa reaguar kur ithtarët e Kadaresë në botën shqiptare reagojnë rëndom si rrugaçë, në gjuhë e në qëndrime?

    Xha Xha, vërtet që gjuhësia e sotme nuk pranon se ka fjalë të ndyra, por pjesëmarrja publike kushtëzon disa gjëra, ashtu siç vazhdojnë ende të imponuara edhe në vetë Perëndimin ku jetojmë. Sepse ndërsa djemtë e Kadaresë kanë komoditetin të mos shkruajnë me emra, sepse ato që thonë i beson një grup i madh bashkëkohësish, me të njëjtat dhunti shprehimore e me të njëjtin potencial leksigor, ne jemi të dënuar të mos fshihemi dot kur shkruajmë, edhe kur dalim me pseudonime.

    Një blog i tillë, kaq prestigjioz, nuk besoj se duhet të njësohet me gjuhën dhe përmbajtjen e ligjëruesve të tillë si L. Kodra. Ai vetë e çoi debatin atje ku kanë mbetur ithtarët e Kadaresë sot, atje ku ata po mbajnë peng edhe kulturën shqiptare. Në fund të fundit, nëse nuk i përmbahen etikës publike, çfarë duhet bërë në debat?

  22. Nuk e kuptoj pse ndjehesh kaq i ofenduar nga gjuha ime. Une e pranoj qe metafora ime mbi Ismail Kadarene jo shkrimtar eshte po aq banale sa c’eshte banal Kadareja jo shkrimtar. Nese kjo ul standartin e blogut une kerkoj ndjese, por sinqerisht, nuk mundem t’a marr me seriozisht se sa nje metafore banale Kadarene jo shkrimtar. Jam i detyruar te qesh, sepse eshte qesharak, per te mos perseritur ate qe eshte i cmendur. Sa per pretendimet e tij historike, nuk kam pse vuaj, sepse jane pretendime qe historiane te mirefillte ia kane hedhur poshte, apo do ia hedhin poshte po te jete e nevojshme.

    Nqs paska veshtiresi ne gjerat e thjeshta qe po them, nuk e paskan fajin germat e vogla ne fillim te fjalise. Nqs faji eshte i imi dhe jo i lexuesit, kerkoj ndjese.

  23. Me vjen keq pe prishjen mendore te races se gjigandit Kadare.
    …Seferis e te tjre nuk jane as sa 1 e 100 e tij.
    Ai nuk e merr cmimin Nobel pikrisht sepse nuk asht grek,apo anglez,gjerman,Italian,Francez e…..Te paret jane te respektuar sepse mbi ta qendron genjeshtra e madhe e origjines se Evpropes ndersa te tjeret sepse vijne nga Kombe t’medhenj.(kjo irriton pamase disa).
    kadare thjesht arsyeton dhe gjykon dhe nuk ka aspak qellim t’behet babai i ketij kombi.Ai thjesht jep mendim ndersa te tjret bien ne sterhollime te panevojshem te cilat teresisht jane jasht thelbit.Dhe mendimet e tija ne te gjitha rastet jane per zbatuar dhe jo per tu analazuar e kundershtuar.
    Per mendimin tim mesazhet e veprave t’Kadarse kane nje vlere (jo monetare) universale shume here me te madhe se cmimi Nobel.Ne dyja pozicionet ndac si shkrimtar,ndac si shqiptar ai ash gjeniu i fundit i ksaj race.Do duhen shekuj qe te vij nje tjter si ai.
    Kush asht qellimi?
    Qellim asht fshirja,nihilizimi karakteristike kjo e races se re shqiptare,pas perpunimit gjenetik te fundit osmano-ortodoks.
    Ketu asht synuar per te.Kjo tashme asht arritur.
    Ne s’kemi histori zyrtare sepse te tjeret nuk kane dashur te kemi dhe jo sepse vertetesisht nuk kemi pasur.
    Medioker jane ata qe jane kunder tij,qe shkruajne kunder tij sepse keshtu mund te marrin emer prej pergjigjes se tij.Keshtu ata mund te ngelen ne Histori sepse kane debatuar me te madhin Kadare ose kane share ,kane njollosur(shqiptare) figuren e tij.
    Ai asht ne maje te malit dhe te tjeret ne rreze te tij.Ne ate maj nuk ngjitet dot kushdo.Shkaku nuk asht pasoje.

  24. Ndersa si shkrimtar.
    Qe te kuptojne Ismail Kadaren,duhet ne radhe te pare te luftosh me nji nisje deshire qe kane lexuesit e sotem modern te lexojne gjera te lehta,aventura,mafie,gangestera,banda hajdutesh profesioniste,lufte nderyjore,lufte tokesore,terroriste te sofistikuar,vampire,psikopate vrases serial e tjera.Vecantine e temes Shkrimtare,skenariste,regjizore e shikojn te anormaliteti njerezore,fantazia e pafrene.Njeri i thjeshte,i zakonshem asht pothuajse harruar.Nje c’shpirterim i plote njerezeor.Nji zhveshje dhe robotizim modern,ku njeriu po shkon gjithmone e me shume drejt makines.Prandaj Ismail Kadareja sa vjen e behet me i veshtire,dhe kuptohet nga nje mase e ngritur njerezish.Nga ata qe e kuptojne ftohsine e madhe qe po e pushton njerezimin.
    Botimet ne anglisht tregojne se ai po rritet ne njohje ne tregun e sotem pothuajse bosh me gjigante si ai.Fiton shume here me shpejt vend dhe emer shkrimtare qe bejne peralla si Harry Potter sesa autori i “Kush e solli Doruntinen”.Fantazia mediokre me fantazine gjeniale.

  25. Shpesh ne biseda te ndryshme me miq te ndryshem joshqiptare me kerkojnne tu permend te pakten njerin nga korifejte e letersise shqiptare per te cilin edhe ata vete kane lexuar apo kane degjuar dicka…Instiktivisht i pari emer qe te vjen ne mendje eshte ISMAIL KADARE. Pse me ndodh kjo xhanem ?! Mos ju ndodh e njejta gje me mua edhe juve? ! Pyes sepse ne rast se ju keni “zgjedhur ” dike tjeter per tu “mburrur” perpara zoterinjeve te huaj deshiroj ta mesoj edhe une …E solla kete shembull pak vulgar por gjithsesi te vertete per te treguar se te gjithe shqiptaret se paku ata qe “perceptojne” dicka me kete bote,kane si pike referimi figuren e Ismail Kadarese …Sinqerisht nuk e di pse ndodh keshtu por mos me thoni se
    nuk eshte e vertete…Me kujtohet ne rinine time te hershme kur vinte diskutimi per poezne ,prozen ,publicistiken , per latersine shqipe ne pergjithesi , auditori yne ishte i ndare ne dysh : ne admiruesit e perkrahesit e flaket te KADARESE, dhe ne kundershtaret e kritikuesit e tij …Ishte kjo nje “ndeshje ” e vazhdueshme qe cuditerisht verej te vazhdoje deri sot …Ne thelb asgje per tu keqkuptuar ,sepse seicili ka preferencat e veta dhe natyrisht nuk eshte e thene qe te jemi te gjithe domosdo admiruesit e Ismail Kadarese…Dikush mund te preferoje Agollin apo Arapin etj.Por te nderuar miq, ne rast se dote kerkonim perfeqesuesin me te denje te letrave shqiptare te gjithe dote zgjidhnim nje zeri Ismail Kadarene dhe ky nuk eshte aspak privilegj qe i bejme por nje rikonfirmim i vepres dhe talentit te tij si shkimtar ,si publicist apo si figure kombetare …Hera-heres kthej pa dashur koken mbrapa per te pare se cfare mbeti ne horizontin letrar shqiptar nga gjithe ajo “zhaurime” zerash, talentesh, pinjollesh te poezise te prozes te artit letrar ne pergjthesi dhe e dini sec” gjej?!Zera te humbur,te zbehta , te shuara ne rrethin vicioz te mediokritetit e te monotonise ashtu sic ishin “peisazhet” shqiptare ne 50-vjetet e fundit …Kjo u pasua me nje fare rizgjimi vitet e fundit por gjithsesi eshte e pamjaftueshme …Pra , ajo qe arrij te dalloj ne ato horizonte eshte vetem feksja e nje drite te ngrohet shpresedhenese ,optimiste ,inkurajuese dhe mbi te gjitha burim krenarie ,dinjiteti e shqiptarizme per te cilen kemi aq shume nevoje …Eshte pra, drita dhe mesazhi ishkelqyer qe rrezaton vepra unikale ,e paperseritshme ,e patjetersueshme e ISMAIL KADARESE!!!
    Une personalisht besoj se dote kalojne shume vite dhe ndofta dekada te tera qe shqiperia te nxjere nje tjeter perfaqesues kaq te denje sa Kadareja…Gjithmone sipas mendimit tim, ai eshte i vetmi qe arriti ne menyre te shkelqyer te “ngreje” ne artin e fjales se shkruar ne menyren me sintetike historine dhe mitet e kombit shqiptar ..Kontributi i tij i pa shembullt si shkrimtar e si publicist eshte
    sa i madh aq edhe i vyer…Eshte per shqiptaret e sotem nje simbol i kombit me te cilin mburremi e krenohemi …Eshte “ambasadori” me i mire i vndit tone ne boten e jashteme…
    Persa u prket prononcimeve publike te Ismail Kadarese mua me duket se jo vetem ka dhene nje ndihme dhe ndikim te jashtezakonshem per ceshtjet kombetare por eshte bere nje “busull” orientuese per qeveritaret tane qe nuk e kane idene e kulturen per tu marre me politike…Une besoj se vete ne shqiptaret kemi shume nevoje per fjalen, keshillen
    dhe artin e Ismail Kadarese,por pa egoizma ,pa ligesra e thashetheme ala shqiptare …Sepse nuk besoj se eshte e moralshme te besh “lobizem” kunder kandidatures se Kadarese per cmimin “NOBEL” vetem e vetem se ke inate personale.. Eshte turp dhe ftkeqesi qe shqiptaret nuk kane arritur akoma te “zhvshen” nga cmira dhe ligesia qe i ka shtyre ti nxjerrin syte njeri- tjetrit nder shekuj …Ndofta ne disa raste Ismaili duke u nusur nga nje pozicion “superior”e ka shfytezuar ate per te perligjur autoritetin etij , por kjo nuk besoj se eshte ndonje gjeme e madhe per tu bere shkak serioz qe te fillojme “persekutimin”e tij.Nuk besoj gjithashtu se synon apo enderron ta klasifikojne ne nje kategori ku me siguri nuk e ka aspak nevoje dhe s”dota ndjente vehten fare mire si “BABA IKOMBIT” .Shpesh here baballaret e kombit jane figura te kompromentuara dhe ne shume raste jo vetem qe nuk te imponojne respekt e nderim por te shkaktojne edhe bezdi e mosperfillje . Mendoj se Kadare meriton dicka me te hijshme ,mete kapshme e te respektueshme…Besoj gjithashtu se si mjeshter i artit te fjales i ka inponuar lexuasit e vepres se tij ta ndjekin hap pas hapi me nje etje te pa shuar per ti perpire ne cast “rrefimet” e tij …”fenomeni Kadare “eshte nje trk hipnotizues qe te “gjesdis” neper “monopate” me diell e hene dite-netesh shqiptare per te gjetur ne to nje nje “copez” nga histora apo nga vetevehtja….Nuk ka dyshim se
    ai me vepren e tij e ka vendosur vehten ne “PANTEONIN”e burrave me te shquar te kombit si “pishtar” ndricues per brezat e rinj ne rrugen e veshtire te se ardhmes…………

    ‘zgjedhur
    ‘ dike

  26. Duhet thënë që në fillim se Ismail Kadare (si individ) përbën një pikë kundragoditëse sa herë që flitet dhe diskutohet për të nga bashkëkombësit e tij. Normale, për talente të tillë të pazakontë. Kadare ka shtruar dhe hedhur themelet e para të romanit serioz shqiptar. Ka projektuar dhe ndërlidhur urat shpirtërore të komunikimit midis Ballkanit, lindjes dhe perëndimit. Romancier me talent të theksuar individual që ka mundur të përmbledhë me origjinalitet dhe profesionalizëm letrar tema dhe subjekte historik, trillin politik, fiksime psikologjike mbarëshoqërore, analiza kombëtare dhe sociale, “zbavitje” policore nëpërmjet romanit klasik, klasicizëm letrar dhe kulturë humane, që prej legjendave dhe baladave, gjer tek mitet greko, faraonike, kineziane, shqiptare, drejt kohëve moderne, etj, me një shtrirje të pazakontë gjeografike dhe kohore njëkohësisht. Them se ngjallet reaksion kur diskutohet për të e jo për veprën e tij sepse shpesh herë nga pamundësia për ta kuptuar ashtu si duhet, e ca nga zilia (e qëllimshme mbase) apo kushedi se ç’formë tjetër që buron nga natyra e mirëfilltë komplekse e njeriut (për mos thënë të komplekseve tona ballkanase dhe kombëtare më të theksuara në veçanti), fillohet dhe mynxyroset krejt diskutimi patetik aq sa nuk ngelet më asgjë për t’u diskutuar, kritikuar apo vlerësuar thjesht Literalisht. Kjo ndodh ngaqë nuk i jepet letërsisë ajo që i takon dhe në më të shumtën e diskutimeve ne gjykojmë autorë dhe jetë krijuesish, dhe nuk e gjykojmë dhe kuptojmë Letërsinë Letërsisht.

    Të gjithë (pothuajse) janë të kapur pas faktit nëse Kadare ka qenë apo jo disident ?! Ndërkohë që vet ai e ka pohuar disa herë se “nuk kam qenë disident, jam thjesht një shkrimtar”! – Pra hesapet janë të qëruara në planin individual. Por problemi i disidencës vazhdon të ngelet “thembra e Akilit” në diskutimet rreth shkrimtarit dhe veprës së tij. Mynxyrosësit, po të vijonim në rrjedhën letrare të diskutimeve, kanë të drejtë ndërsa e denoncojnë “servilizmin e tij letrar” në disa vepra. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe domosdoshmërish na duhet ta dëshmojmë se ka pasur një taktikë të tillë. Por, po nën të njëjtën rrjedhë na duhet të themi se pjesa më e shëndoshë e letërsisë dhe vlerave letrare të tij ka natyrë disidente kundrejt pjesës më të madhe të romaneve shqiptare të periudhës famëkeqe të realizmit socialist. Për këtë fakt Ismail Kadare asnjëherë më vonë, pas viteve ’90 e gjer sot nuk ka nxjerr më një vepër që t’i afrohet sadopak madhështisë së veprave më të mira të tij nga periudha e sipër përmendur. Kjo jo vetëm ngaqë Kadare ishte mëndja më e ndritur e errësirës letrare shqiptare të kësaj periudhe, por, edhe nga që intelektualisht krijoi trasenë midis “letërsisë disidente” kundrejt “letërsisë formale zyrtare”. Etaloni dëshmitar i vërtetësisë: “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (më vonë i njohur si “Pallati i ëndrrave”)

    Po qe se letërsia ekziston si një fenomen i veçantë, atëherë le të përpiqemi të kuptojmë, përshtatemi dhe ndihemi mirë nën atmosferën e natyrës së saj. Kjo e thënë jo prej një rrethi të mbyllur vicioz. As prej të bërit letërsi për letërsi. Aspak. Vet gjeneza e romaneve të shkrimtarit që nga “ditëlindja e tij si romancier” me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (që Martin Camaj do ta përshëndeste prej jashtë trojeve shqiptare të monizmit si “fillimin e një talenti premtues në letërsinë shqipe” dhe lexuesi francez si të parën vepër të mirëseardhjes, të romanit shqiptar në Evropë). “Kështjella” dhe “Koncerti” ku ngjizet historia gati-gati në ekstazë. “Pallati i ëndrrave” një roman sintezë (psikodelik) për nga përmasat dhe mënyra e interpretimit të kalimit nga ëndrra individuale në ëndrrën kolektive të delirizuar nën makthin e krimit shtetëror-politik që të shpie tek “Piramida” dhe “Pasardhësi”. Gjer tek ana klasike letrare mjeshtërore (zbavitëse) policore e ndërthurur me epos dhe balada kombëtare tek “Dosja H” dhe “Kush e solli Doruntinën”. Analiza social-filozofike kombëtare tek “Prilli i thyer”, “Kronik në gurë”, etj.

    Gjithçka që Arti ka nevojë, është pak diell poshtë të cilit të gjalloj humanizmi dhe një ëndërr ku të galopojë si kalë i hasdisur nervi i trokut të Fjalëve që vijnë nga e përpjeta e universit të nënvetëdijes njerëzore, për të kryer kështu analiza më të thella që na përkasin të gjithëve.

    Kadare (shkrimtari dhe jo individi), me gjenialitetin e vet ka mundur më së miri të mbijetojë, duke u klasifikuar (vepra e tij) së fundi nga kritika amerikane si “një shkrimtar që mundet të lexohet me po të njëjtin interes edhe në dyqind-treqind vjetët e ardhshëm”. Ky për mendimin tim është një vlerësim akoma edhe më i madh se sa një Nobel që mundet t’i atribuohet një shkrimtari kur ende është i gjallë.

    Të gjithë e pamë dhe përjetuam se çfarë ndodhi kur shkrimtari u shpall fitues i çmimit prestigjioz britanik ndërkombëtar të librit midis autorëve të gjallë më të mirë të planetit. E kam fjalën për anketën në internet rreth këtij trofeu, ku, pjesa më e madhe e shqiptarëve të anketuar “vollën vrer” kundër fituesit ndërkombëtar, bashkatdhetarit të tyre, atij që me modesti ua shpëlau të “vjellat” në heshtje duke u shprehur: “Unë jam një shkrimtar nga Ballkani, një pjesë e Evropës, e cila për një kohë të gjatë ka qenë një lajm ekskluziv për pandershmëri humane, konflikte armësh, luftërash civile, spastrime etnike e kështu me radhë… Besimi im i madh është se tani e tutje Evropa do të kuptojë, që ky rajon në të cilin ndodhet edhe vendi im Shqipëria, mund të japë edhe lajme të llojit krejt ndryshe nga ato të derimëtanishmet, dhe në të njëjtën kohë të bëhet një burim lajmesh për arritje në fushat e artit, të letërsisë dhe civilizimit”. Ndërsa lidhur me vlerësimin që kjo juri dha për veprën e tij, shkrimtari Ismail Kadare u shpreh se “do të dëshiroja ta pranoja këtë çmim, me të cilin jam nderuar si një konfirmim që konfidenca dhe shpresat e mia nuk janë vendosur gabim”.

    Kadare ngelet në letërsinë shqiptare romancieri themeltar i romanit shqiptar. Pikërisht nëpërmjet tij është kryer urëkalimi drejt romanit modern. Por letërsia shqipe (veçanërisht romani) jeton nën strehën e pazakontë të paranojës. Banorë të së cilës jemi vet ne, dhe si të tillë, të ndarë, kryejmë njëkohësisht të njëjtin gabim. Të parët vazhdojnë t’i bien e stërbien daulles së sharjes dhe fyerjes individuale duke e shqyer lëkurën e vjetër të dërdëllitjes breshërore kundër shkrimtarit. Të dytët duke e tejkaluar ekzaltimin adhurues e përdorin vend e pa vend emrin e tij duke e kthyer kështu pavetëdije-dashakeqe në një çamçakëz-kulturor të tejpërdorur që përtypet dhe ripërtypet, i merret ëmbëlsia dhe pështyhet, i ndihet nevoja për ta ripërtypur përsëri, ..e kështu pafundësisht, pa dashje duke e dëmtuar nocionin.

    Romanit shqiptar i është dhënë merita e duhur letrare vetëm nga kritika kosovare së cilës duhet t’i heqim kapelën plot respekt për këtë detyrë kundrejt letërsisë shqipe jo vetëm për rastin në fjalë (Kadaresë si shkrimtar) por edhe për trajtimin dhe vlerësimin profesional të shumë autorëve të tjerë përfshi “të harruarit” dhe disidentët e sistemit totalitar.

    Shpëtimi është kompleks, por jo i pamundur. Duhet t’i përkushtohemi pak më tepër letërsisë duke e kuptuar dhe gjykuar drejt natyrën e saj. Kështu do të kemi paqe me vetveten në radhë të parë, e më tej me shoqërinë. Kështu do të kuptojmë më mirë romanin shqiptar dhe shpirtin e atyre që ecin rrugës së tij paranojake.

  27. Është nga marifetet e rëndomta të fansave të Kadaresë që të ngatërrojnë si të mundin e ku të mundin.
    Si p.sh. sapothënia E e gjymtuar se Kadare ka shtruar dhe hedhur themelet e para të romanit serioz shqiptar. Por dhe sikur kjo thënie të mos ishte gjytyrume, apo edhe për thënie të tjera kësilloji, “mynxyrosësve” ju lihet në derë. Nëse ata atakojnë thënie të tilla, atyre nuk ju quhet se po atakojnë thënien vetë siç e ka shprehur i zoti i thënies por vetëm e vetëm Kadarenë.

  28. Pavarësisht se është e drejtë të mendojmë që Kadareja shkrimtar dhe Kadareja person publik jane dy gjëra që duhet të shihen si të ndara, vetë Shkrimtari nuk besoj se i ndan. Në nënshtresë të ndërhyrjeve të tij për çështje jashtëletrare, ndihet siguria se gjykimi, arsyetimi ose më saktë vizioni që ai ka për çështje të rëndësishme në rang kombëtar (perspektivat e integrimit, sjelljet e njerëzve të politikës apo të kulturës shqiptare, orientimi ndaj global-politikës apo global-kulturës, qëndrimi ndaj vlerave të krijuara në shekuj apo ato të reja etj.), është shumë i vlefshëm, i pazëvendësueshëm.
    Aq shumë është theksuar nga kritika roli emancipues (demokratizues, modernizues, civilizues dhe ‘rebelues’, madje, sipas A. Pipës, pavarësisht qëllimit, sipas autorit, i dyshimtë) i poezisë dhe prozës së tij për shoqërinë dhe letrat shqipe në disa dekada, para dhe pas ’90-ës, sa tani është e vështirë të mendohet se ndërhyrjet e tij në çështje jashtëletrare nuk kanë të bëjnë me kontributin e tij si shkrimtar (A. Pipa, ‘Subversion drejt konformizmit, fenomeni Kadare’, Phoenix, 1999).
    Janë disa që e kanë kundërshtuar këtë kontribut (e cilësojnë si pro diktaturës), por edhe ata pa argumente të qëndrueshme, dmth. jo brenda fushës së studimit letrar ose mjeteve të kritikës shkencore. Duhet pranuar se Kadare është nga autorët që kujdeset shumë për të mbetur zëri më potent në dialog me lexuesin, në të gjitha rastet (si ‘dialog’ në kuptimin e Bahtit, ‘lexim’ i veprës letrare, ashtu edhe si ‘vizionar’, në rolin e personalitetit publik). Janë disa nga arsyet pse ai ka qenë kaq i sukseshëm në këtë synim (përndryshe nuk kishim pse diskutonim as këtu):
    – Para ’90-ës: mekanizmi i vajtjes së librit të lexuesi ishte i organizuar, i orientuar dhe pak a shumë i siguruar. Kjo sa për vlerat e mirëfillta të veprës, aq edhe për një sërë arsyesh të tjera jashtëletrare, për të cilat nuk është rasti të flasim, por që dihen nga të gjithë. Kadare ishte absolutisht i suksesshëm, po të nisemi nga numri i lexuesve në Shqipëri, pastaj edhe në botë, ndoshta pikërisht sepse lidhja e tij me pushtetin kalonte shpesh nga ekstremi në ekstrem: nga adhurimi e vlerësimi entuziast, në rrezikun e kryqëzimit që shmangej në çastin e fundit dhe që, shì për këtë, i siguronte shumëfish etjen e lexuesit që e përpinte. Ata që e kanë jetuar mund të kujtojnë daljen në treg të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, për të cilin ishte krijuar një radhë e gjatë që nga mesnata para librarive.
    – Pas ’90-ës, mekanizmi i mësipërm nuk funksionoi më dhe të gjithë krijuesit u gjendën para një problemi me të cilin nuk kishte qenë detyra e tyre të merreshin deri atëherë, por që ua kërkonte ligji i ekonomisë së tregut: të siguronin lexuesin, si një nga treguesit e suksesit dhe si domosdoshmëri për më tej. Bashkë me sistemin politik, u duk sikur u thërmua edhe sistemi i vlerave dhe i hierarkia letrare e deriatëhershme. Pikërisht tani për Kadarenë dolën hapur kritikuesit dhe “armiqtë” e vërtetë, jo ata të porositurit. Ata shkonin nga mohimi absolut (barazimi me zero), në damkosjen e autorit dhe veprës së tij si demoniake, oborrtare, vegël e diktaturës etj.
    – Në tërësinë e veprës së tij, temat dhe motivet kryesore sillen rreth raporteve të njeriut me shtetin, në vetvete një temë politike, pa përmendur veprat ndërhyjnë drejtpërdrejt në debatet politike dhe gjeopolitike (‘Dimri i madh’, ‘Koncerti..’ etj.).
    – Ndërkaq, në mënyrën se si e servir fytyrën e asaj që kishte ndodhur në Shqipëri, dukej se Kadareja përdor të njëjtin truk me atë të krijimit të miteve: synon t’ia mbushë mendjen kujtdo se letërsia e tij ishte krijuar në kushtet e rrethit të fundit të ferrit socialist, aq sa këtë e besojnë jo vetëm të huajt, por edhe vetë shqiptarët. Këtë e bën me gjithçka e kudo ku mendon se ndihej nevoja për fjalën dhe imazhin e tij, si personalitet i shquar i Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit XX dhe i letërsisë së saj. Adhuruesit e përhershëm, edhe ata u gjendën keq: ose kishin hequr dorë nga të shkruarit në përgjithësi, ose për të; ose u vunë në një zë me kritikën e huaj, kryesisht franceze, duke parë në çdo vepër të tij vetëm nëntekste disidente e antikomuniste; ose vijuan ta mbronin po me të njëjtat mjete të analizës, që linte tashmë shumë gjëra mangut…
    – Çështjen e ndërlikon botimi i ripunuar i veprës nga vetë Kadareja, ndryshuar jo pak dhe mbi të tjera linja domethëniesh. Në mënyrë të admirueshme, pa u lodhur, ai e rishqyrton, e rikalon nëpër duar tërë veprën e tij, e risistemon tematikisht, e plotëson dhe e ridimensionon skemën e simbolikave, figurave dhe nënteksteve, në përputhje me horizontin e ri të pritjes (në receptimin e letërsisë së tij, që duhet ndihur edhe nga ripozicionimi publik e politik apo dalja prej mjegullës së ‘lojës’ me pushtetin).
    Ribotimet herë bien e herë jo në dorë të lexuesit bashkëkohas shqiptar, për shkaqe që dihen (shumica e lexuesve të hershëm do të njohin veç botimet e para të librave të tij dhe vetëm lexuesit rishtarë ose studiuesit e zellshëm e shohin të arsyeshme të blejnë veprat e ribotuara), por duket se Kadareja ndërkaq nuk mendon për lexuesin e sotëm, që do të ishte gjithsesi konfuz dhe i sipërfaqshëm. Me këtë punë kolosale, të filluar herët dhe të menduar mirë, Kadare synon të fitojë lexuesin e nesërm.

    Perfundimi: Kadare e sheh shkrimtarin si tërësi të qenies së vet, kurse personalitetin publik si pjesë e së tërës). Mundet qe ky shpjegim ka mjaft nga letrarëzimi i figurës së autorit dhe të duket si mbrojtje. Por këtë perceptim ia kemi dhënë ne vetë. Tani që duam ta përmbysim, kam frikë se është shumë vonë…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin