Stonatura

Ka një problem të madh me letërsinë e pabotuar: dhe pikërisht që i ka kaluar koha.

Veprat letrare nuk ekzistojnë në mënyrë të pavarur, por gjithnjë si skaje të marrëdhënieve të shumanshme që kanë me vepra të tjera bashkëkohore, paraprirëse e pasuese; lexuesin; kritikët dhe autorin vetë. Konteksti letrar ku lexohet vepra përcakton kodet që do të përdoren gjatë leximit.

Po sjell disa shembuj për ta ilustruar këtë dukuri. Soneti, bie fjala, është një formë poetike e caktuar, që zakonisht ndjek rregulla të rrepta metrike – sonete kanë shkruar që Petrarca e Shekspiri, deri te Borges. Në letërsinë shqipe, sonete të bukura gjenden te Ndre Mjeda (“Liria”, “Scodra”, “Lissus”). Poetët sot, megjithatë, as nuk shkruajnë sonete, as zakonisht nuk dinë si shkruhet soneti; çka nuk do marrë si mungesë respekti për Petrarca-n, ose Mjedën. Nëse një poet i sotëm do t’i jepte lexuesit një sonet, kjo do të interpretohej, në rastin më të mirë si ironi ose pastish/parodi.

Përsëri një shembull nga poezia: në vitet 1960, që ishin edhe vite të industrializimit në Shqipëri, shumë poetë madje të mirë u këndonin oxhaqeve, barakave prej pupuliti, bulldozerëve, kominosheve, kapanoneve, shtyllave të tensionit, digave, fabrikave të tekstileve, kanaleve kulluese, fisave oksidrike të saldatorëve. Kjo kishte lidhje me gjendjen shpirtërore të vendit në atë kohë, ose me realitetin e transformimeve industriale; por artistikisht i referohej poezisë sovjetike staliniste/post-staliniste të viteve 30-50. Vetë ajo poezi sovjetike e kishte një traditë të vetën të mistifikimit të teknikës dhe të industrisë, e cila s’i kishte humbur lidhjet me modernizmin rus të viteve 20 dhe, tërthorazi, me futurizmin italian të po asaj kohe.

Sot do të tingëllonte pak e çuditshme që një poet të shkruante seriozisht për autostradën, veturën e vet Benz, ose Korridorin Tetë. Kohët kanë ndërruar, edhe raporti i publikut me poezinë ka ndërruar. Sikur të zbulohej, bie fjala, një poezi e pabotuar e Fatos Arapit për Azotikun e Fierit, nuk besoj se do të futej vetvetiu e menjëherë në antologjitë e letrave shqipe.

Dua të theksoj edhe se kjo s’ka të bëjë shumë me politikën. Tharja e kënetës, hekurudha, tuneli, hidrocentrali, kombinati i mishit, e në përgjithësi transformimi teknologjik i mjedisit janë ngjarje dramatike për shoqërinë që i përjeton, prandaj nuk është e thënë që vetëm poetët e realizmit socialist t’u kenë kënduar. Edhe futuristët italianë u këndonin lokomotivave, shpejtësisë, elektricitetit dhe tmerreve të tjera, edhe pse nuk ua kërkonte kush.

Kjo ka të bëjë me kodet artistike, ose shenjat që përdor letërsia për të komunikuar me lexuesin. Kodet, me kalimin e kohës, ndërrojnë. Lexuesit e Ismail Kadaresë, për shembull, nuk u ngazëllyen shumë me botimin e një romani të hershëm të autorit (“Qyteti pa reklama”), sepse ky roman ishte konceptuar sipas kodesh të cilat më pas autori vetë i kishte kapërcyer. I njëjti zhgënjim, me ç’kam dëgjuar, u përjetua edhe me poemën e Pashallarëve të Kuq, pavarësisht nga eksitimi kallp i pak epigonëve.

Botimi i një vepre të shkruar dekada më parë gjithnjë shoqërohet me rrezikun e pamundësisë së lexuesit për t’u sintonizuar me kodet e autorit. Një dramë e shkruar në vitet 1950 mbetet dramë e viteve 1950, dhe sot nuk ka arsye që publiku i gjerë të lexojë drama të viteve 1950, ose të vejë t’i shohë në teatër; përveçse kur janë kryevepra. Mirëpo që të jenë kryevepra sot, këtë duhej ta kishte vendosur publiku që atëherë!

Komedi si “Kopraci” e “Tartufi” të Moliere-it; ose tragjedi si “Antigona” e Racine-it u kanë mbijetuar kohërave dhe ende shfaqen me sukses në teatrot bashkëkohore; por pjesë teatrale të tjera të asaj kohe nuk i ka dëgjuar njeri, as do të donte t’i dëgjonte kush.

Një kompozitor si Salieri njihet prej të gjithëve si ziliqari gungaç që “helmoi” Mozart-in; por përndryshe cila orkestër simfonike sot do të luante pjesë të kompozuara nga Salieri? Të cilat, gjithsesi, nuk janë më të dobëta se të Haydn-it, ose, bie fjala të Boccherini-t?

Çështja është se publiku është mësuar me Mozart-in, me strukturat dhe kodet e muzikës së tij; dhe kjo “ekspertizë” e publikut tanimë përcillet nga brezi në brez, shkolla në shkollë, shija në shije. Salierin nuk e njeh kush veç pak të apasionuarve, as nuk kujtohet kush që t’ia japë publikut të gjerë. Deri edhe në NYC dirigjentët e orkestrave simfonike u thyen më dysh duke luajtur Simfoninë e 5-të të Beethoven-it, ose krejt repertorin kaba të Gustav Mahler-it; sikurse u thyen më trish pianistët me po ato dy koncerte për piano të Grieg-ut dhe të Rachmaninov-it e më katërsh këngëtarët e operave të Puccini-t e balerinët e “Arrëthyesit”; në një kohë që, bie fjala, Simfoninë e 6-të po të Beethoven-it pakkush kujtohet ta luajë …

Ka edhe përjashtime të lumtura: për shembull, entuziazmi i dashamirësve të muzikës baroke me sonatat për klavicembal të Domenico Scarlatti-t, të cilat tani të gjithë duan t’i luajnë e t’i dëgjojnë me piano ose me kitarrë e deri edhe me banxho, edhe pse për shumë kohë pothuajse ishin harruar nga muzikantët, pa le publiku.

Për t’u kthyer te letërsia shqipe: kush do të ulej t’i lexonte sot romane të tilla si “Këneta”, “Afërdita përsëri në fshat”, “Tri ngjyra të kohës”, “Juga e bardhë”, “Ara në mal”, e të tjera kronika të jetës socialiste në Shqipëri, madje edhe sikur ta lëmë mënjanë partishmërinë e autorëve, dhe shtrembërimin e realitetit për hir të nevojave të propagandës? E kam fjalën që, artistikisht, këto vepra i përkasin një periudhe të kapërcyer të letërsisë shqipe; dhe pikërisht një periudhe kur kjo letërsi ende nuk e kishte gjetur vetveten.

Për këtë nuk bëjmë dot me faj metodën e realizmit socialist. Edhe “Komisari Memo” dhe “Dimri i Madh” janë vepra të realizmit socialist, por janë shkruar në një kohë kur letërsia shqipe i kishte konsoliduar kodet e veta, falë edhe pikërisht mjeshtërisë së spikatur të Agollit e të Kadaresë, të cilët kurorëzuan një rrymë shkrimtarësh e veprash realiste, që kish nisur që në vitet 1930. Prandaj edhe mund të lexohen ende. Kadaresë dhe Agollit u kanë mbijetuar kodet në ne, lexuesit e tyre.

Nga vepra e Kasem Trebeshinës, për të cilin flitet shpesh tani së fundi, unë kam lexuar shumë pak. Me atë numër veprash botuar e pabotuar që ka ky autor, besoj se të gjithë shumë pak do t’i kenë lexuar. Megjithatë, me aq sa kam parë, kam frikë se ky autor i përket të njëjtit brez artistik me Fatmir Gjatën, Dhimitër Shuteriqin, Jakov Xoxën, Ali Abdihoxhën, Sotir Andonin, Sterjo Spasen, Petro Markon; shkrimtarë të mirë, por të ngecur në papërsosmëritë e një letërsie e cila ende nuk e kishte gjetur dot veten.

Një krahasim duhet bërë detyrimisht me Martin Camajn prozator. Camaj romanet e veta i botoi, por ia dha në dorë një lexuesi periferik e të papërfillshëm: shqiptarëve kryesisht gegë në diasporë, që shpesh u zhgënjyen me apolitizmin e atij autori elitist. Si prozator, Camaj është i vështirë, hermetik, pothuajse i mërzitshëm. Unë nuk kam ndeshur asnjë që t’ia ketë lexuar romanet – edhe pse jam i bindur se do të ketë. Dua të përjashtoj vetëm romanin e vogël “Dranja”, në të vërtetë një poemë në prozë, të cilën personalisht e mbaj si një nga kyeveprat absolute të letërsisë shqipe. Por edhe “Dranja” mbetet hermetike, dhe nuk ka shpresë të arrijë lexuesin e sotëm shqiptar, të mësuar me kode krejt të tjera: gjuhësore, estetike dhe komunikative.

Për mendimin tim, gjithnjë shumë spekulativ, Trebeshina nuk ka shanse për t’u bërë popullor me lexuesin shqiptar masiv; sepse, njëlloj si Camaj, ka mbetur jashtë cirkuiteve të komunikimit letrar, ndonëse natyrisht jo për fajin e tij. Për më tepër, letërsia shqipe e së nesërmes vështirë të zhvillohet sipas kanoneve që duket se ndjek Trebeshina; sikurse vështirë të zhvillohet edhe në gjurmët e Kadaresë, që sot e dominon në mënyrë absolute pazarin shqiptar të letrave. Por ndryshe nga Kadareja e Agolli, tanimë të rrënjosur në mendje të lexuesve shqip si skaj i komunikimit letrar, Trebeshina dhe Camaj e kanë praktikisht të pamundur t’ia hapin dot vend vetes as sot si autorë për publikun, as nesër si modele për brezat e rinj të shkrimtarëve. Qofsha i gabuar, megjithatë.

[2007]

2 Komente

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: