Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

LETËRSI E EMIGRIMIT APO E IMIGRIMIT?

Pajtim Statovci: L’heure de la vache. Paris: Les Argonautes 2026, 294 S. (origjinali: Lehmä synnyttää yöllä, Helsinki 2024).

Recensuar nga Christian Voss (Humboldt University Berlin)

Autori finlandez Pajtim Statovci, i lindur në vitin 1990 në Kosovën ende pjesë të Jugosllavisë, vjen me romanin e tij më të ri “Ora e lopës” 2024 i cili trajton historinë e migrimit të familjes së tij. Ky është romani i tij i katërt dhe tashmë është përkthyer në disa gjuhë, përfshirë frëngjishten, italishten dhe suedishten.

Në romanin e tij të dytë dhe në atë të tretë –“Crossings” (origjinali: Tiranan sydän, 2016) anglisht: Londër 2019, gjermanisht: “Grenzgänge” Mynih 2021) dhe “Bolla” (origjinali “Bolla” 2019; anglisht: New Jork 202: gjermanisht: 2025) – Pajtim Statovci ka zhvilluar një letërsi queer programatike, e cila është kritikuar si jo plotësisht autentike dhe disi mekanike në ndërtim: për dy adoleshentë që, si “boat people”, në fillim të viteve 1990 synojnë të arratisen nga Shqipëria dhe ndërmarrin një udhëtim përmes Berlinit, Madridit, Nju Jorkut dhe Helsinkit, për tu rikthyer në Tiranë ndërsa te “Bolla“ trajtohet një histori dashurie mes dy burrave, një serbi dhe një shqiptari, me përfundim tragjik në Kosovën e viteve 1990–2000. Me romanin “Ora e lopës” Pajtim Statovci rikthehet te boshti tematik i veprës së tij të parë, “Macja e Jugosllavisë” (origjinali “Kissani Jugoslavia” 2014, anglisht: Londër 2014, gjermanisht: Mynih 2024): duke rimarrë në fokus përvojën e fëmijërisë mes Kosovës dhe Finlandës. Në këtë kuptim, ai mund të konsiderohet një nga përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë queer nga Evropa Juglindore. Konteksti i tij kosovaro-finlandez përshkruan një tronditje kulturore po aq të fortë, që ndërtohet mbi kontrastin midis një origjine rurale myslimane dhe kontekstit nordik, një tension që shfaqet, në forma të ndryshme, edhe në prozën e Gazmend Kapllanit, Ornela Vorpsit dhe Lindita Arapit.

Në “Macja e Jugosllavisë” (2014), Pajtim Statovci përshkruan emigrimin e një familjeje kosovare drejt Finlandës në harkun kohor 1980–2009, ku shfaqen paralele të forta me romanin e ri: është pjesë e skenës homoseksuale të Helsinkit dhe vuan që nga fëmijëria nga skizofrenia, të cilën prindërit, ndër të tjera, përpiqen ta “trajtojnë” përmes një rituali të thirrjes së xhindeve nga imami. Shërimi i Bekimit nis vetëm pasi ai, në Kosovë, hedh një gjarpër helmues në shtëpinë e gjyshit, një veprim që shënon përfundimin e dhunës së përjetuar brenda familjes.

Në romanin “Ora e lopës”, është Kujtimi i vogël ai që rikthen në kujtesë qëndrimin veror te gjyshërit në një fshat pranë Podujevës, në vitin 1996. Figura qendrore e kësaj kujtese mbetet lopa e gjyshit, një element i panjohur për të në kontekstin e Finlandës urbane ku është rritur. Në stilin tipik të shkrimit transnacional’ Pajtim Statovci kalon nga një vend në tjetrin dhe nga një rrafsh kohor në tjetrin, dhe, si në romanet e tij të tjera, e çon përvojën e dhunës drejt një përshkallëzimi gjithnjë e më të fortë: kështu, hakmarrja bëhet motiv qendror dhe një mënyrë veprimi që Kujtimi e ka marrë nga i ati dhe që Statovci këtu e paraqet si një formë të pamëshirshme të maskulinitetit shqiptar.

Kujtimi nuk e përjeton dhunën vetëm nga i ati, por edhe nga gjyshi, i cili e rreh me rrip dhe shfaq një agresivitet të përgjithshëm ndaj nipërve të rritur në emigracion. Si më i vogli nga pesë fëmijët, Kujtimi shfaqet si bartës simptomatik i krizave të marrëdhënieve dhe të identitetit brenda familjes: ai vuan nga skizofrenia. Tre episode tregojnë përshkallëzimin në historinë e integrimit të familjes dhe nxjerrin në pah racizmin ndaj migrantëve në Finlandë: Një prej këtyre episodeve përfshin incidentin në shkollë, pasi i ati i jep Kujtimit një botim të Kuranit për ta marrë në shkollë, çka provokon një shpërthim te mësuesja, e cila pohon se “në këtë libër bëhet thirrje për dhunë ndaj grave”. Si pasojë, Kujtimi përjeton një krizë skizofrenike dhe e gris librin “në emër të Jezusit”. Përballja që pason kulmon kur i ati e pështyn mësuesen në fytyrë me fjalët: “E di që ti i urren fëmijët e mi, ju të gjithë, dhe fenë time (f. 211). Në një episod tjetër, Kujtimi detyrohet nga dy bashkënxënës të pasur që, në shtëpinë e tyre, të performojë lakuriq rolin e një pastrueseje, ndërkohë që djemtë masturbojnë dhe e filmojnë. Kur prindërit kthehen në shtëpi, i ati i djemve e rreh Kujtimin të etiketuar prej tyre si “islamisti” deri në vdekje, derisa në videokamerë sheh se Kujtimi është viktima.  Një episod i tretë ndodh kur Kujtimi, përmes mikut të tij Diar, bie në kontakt me një figurë të botës së krimit, e cila e detyron, në një bankomat, të zbrazë të gjitha llogaritë e tij.

Shkrimi me ngarkesë të theksuar autobiografike i Statovcit vë gishtin mbi plagën raciste të evropianoveriorëve të pasur. Megjithatë, përvojat e dhunës e rikthejnë protagonistin në Kosovë, tashmë si një shkrimtar i afirmuar, ku nis hakmarrja përfundimtare: Kujtimi i rrëfen së ëmës se gjyshi e kishte abuzuar seksualisht gjatë pushimeve verore. Si pasojë, e ëma vret të atin, i cili ndërkohë ndodhet në një gjendje të rëndë varësie. Ky akt ndodh natën, në të ashtuquajturën “ora e lopës”, dhe dokumentohet nga vetë Kujtimi përmes filmimit.

Romani nuk ofron një përgjigje të qartë: a gënjen Kujtimi, apo është ai – edhe një herë – viktimë e dhunës? Shumëçka sugjeron se ai, i lëkundur psikologjikisht, ka instrumentalizuar të ëmën, duke pasur parasysh fantazinë e tij të përsëritur të hakmarrjes “… një ditë do të bëhem i madh dhe i fortë, do t’ia kaloj gjyshit tim, një ditë gjyshi do të jetë më i dobët se unë dhe unë do të jem në gjendje ta rrah atë më fort seç më ka rrahur ai mua, dhe betohem kur të vijë ajo ditë, dhe ajo do të vijë, unë do të godas.” (përkthim i C.V., f. 56).

Si pozicionohet ky roman në debatin mbi kanonizimin e letërsisë transnacionale? Edhe në këtë vepër të katërt, Statovci zgjedh të shkruajë në finlandisht, ndonëse universi përjetimor dhe emocional i personazheve mbetet thelbësisht shqiptar, më konkretisht kosovar. Megjithatë, në “Ora e lopës‘‘ kjo përmasë është më pak e theksuar se në veprat e mëparshme: frika nga humbja e identitetit dhe presioni i asimilimit janë të pranishme, por dimensioni kulturor shqiptar është zbehur ndjeshëm. Në fund, ajo që mbetet është marrëdhënia e ndërtuar me finesë psikologjike e Kujtimit me të atin dhe të ëmën, si dhe gjendja e të qenit “ndërmjet” vendit të origjinës dhe vendit pritës. Pajtim Statovci e rrëfen racizmin në hapësirën e BE-së në mënyrë të prekshme nga këndvështrimi i një nxënësi të shkollës fillore. Nga ana tjetër, Kosova si atdhe mbetet e zbehtë. Veçanërisht kthimi me të ëmën në vitet 2010 nuk jep asnjë pasqyrë mbi gjendjen e shoqërisë kosovare sot. Ne shohim një formë gerontokracie, në të cilën nëna e Kujtimit e shfaq, duke detyruar një vajzë krejt të panjohur në rrugë të bëjë pazaret për të. Po ashtu del në pah xhelozia sociale e kushërinjve, të cilët presin vetëm dhurata dhe cigare. Ndryshe nga “Bolla‘‘, ku dimensioni politik arrin një kulm provokues me zbulimin e partnerit serb si kriminel lufte në fund të romanit, “Ora e lopës” mbetet dukshëm e tërhequr në planin politik dhe nuk ofron një kontribut të qenësishëm për kuptimin e shoqërisë kosovare të pasluftës.

Ky konstatim lë të kuptohet se Pajtim Statovci është tashmë vërtet një autor finlandez. Vlerësimi institucional e konfirmon këtë pozicionim: me “Ora e lopës‘‘ ai është nderuar me “Finlandia Award 2024”, duke kontribuar në vetëdijen finlandeze si shoqëri imigracioni. Megjithatë, brenda rrethit të lexuesve të tij më të afërt, të cilët i njohin të gjitha romanet e tij, vihet re një zhgënjim: autori rikthen, në forma të njohura, figurën e subjektit post-migrant, homoseksual, të lëkundur dhe në një gjendje të ndërmjetme, i ekspozuar ndaj dhunës së shumëfishtë familjare dhe shoqërore. Romani nuk sjell ndonjë risi të dukshme.

© 2026 Christian Voss. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Shqipëroi Tea Lozi.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin