Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KUSH E HODHI LITARIN

nga Nysret Krasniqi

Kur e përfundova leximin e prozës letrare Manual rrëzimi (2025) të autores Jonila Godole, seç m’u duk se e kuptova dhimbjen e autores për vesin specifik shqiptar që nëpërmjet fenomenit të relativizimit individual e kolektiv të mbytet e vërteta, fakti e dokumenti, si rrjedhojë kujtesa e rikujtesa e vrasjeve dhe e dhunës së pushtetit totalitar shqiptar të kontaminohet deri në shkallën e shndërrimit të saj në performancë perpetuale, e cila mëpastaj me shpejtësi gllabërohet nga efemerja, e cila domosdo çon në botën e harresës. Më del se kjo mbetet intenca interne e autores Godole, lufta kundër harresës, e cila e ka shtyrë ta shkruajë romanin postmodern, Manual rrëzimi, i cili e përball të tashmen me të kaluarën si të tashme, në pikëpyetjen themelore se pse qëndron i frikësuar dhe i trazuar (edhe sot) shpirti i individit (jo i të gjithëve) në shoqërinë shqiptare, i cili edhe kur qesh nuk dihet nëse tregon empatinë apo simulimin e saj.

Një sistem më se 50 vjeçar, i cili mjet të ardhjes dhe të mbijetesës pushtetore e ka pasur hidhërimin revolucionar, që, ndër të tjerash, e ka krijuar dhe mirëmbajtur aparatin e harresës me synimin final glorifikimin e vetvetes, nuk besohet se shpërbëhet me rënien e një statuje, qoftë ajo edhe e liderit totalitar Enver Hoxha në mjedis të Tiranës. Aq më e pabesueshme bëhet shpërbërja e kësaj aparature pushtetore kur shtatoren nuk e ka mbjellë një pushtet i huaj, pushtues apo hegjemon kulturor, por e ka mbjellë adhurimi paraprak si formë katharsi, i cili duhet ta ruajë hijen e simbolit të vetëkrijuar.

Si rrjedhojë, në psikenë e autores gjëmojnë shumë zëra, por më të tingëllueshëm janë dy: harresa që thërret për t’u ringjallur kujtesa dhe “kujtesa e kontrolluar” që thërret për ta mbajtur të varrosur harresën! Ngase nuk mund të rikujtohet ajo që nuk jeton në botën e harresës! Në këtë raport të ndërliqshëm, ndodh beteja e harresës me dy tipe të rikujtesës: reales (viktimës) dhe politikes (heroikes). Ndërsa e vërteta, e cila duhet të jetë një dhe së cilës nuk i skadon koha, kaplohet nga ambiguiteti i interpretimeve, të cilat sublimohen në dy maksima: krimet e sistemit komunist dhe ashtu ishte sistemi komunist. Të dyja e shenjojnë të njëjtën gjë, mirëpo e para është absolute, ndërsa e dyta relative. Nuk po i përmend këtu shfryrjet glorifikuese të dogmatikëve, të cilëve evolucioni i kohës nuk ua ka prekur statikën mentale.

Dhe pikërisht, në këtë përplasje, e cila tashmë është historike (kanë kaluar 34 vjet që nga rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës), Jonila Godole e shkruan romanin e pikëpyetjeve etike, morale e politike si një dhimbje personale e si një përpjekje për një kirurgji të jetës shqiptare, e cila, edhe sot, nuk e ka të qartë (apo nuk don ta ketë të qartë) se cili ishte dhunuesi dhe cili i dhunuari. Për pasojë, në shoqërinë shqiptare, e drejta dhe e padrejta jetojnë në një dhomë në të cilën e Vërteta dergjet në shtratin e Prokrustit.

Në fokus inicial, të themi tematik, autorja fokuson simbolin e simbolikën e rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha. Mirëpo, punctum-i shndërrohet në studium, ky i fundit i shtrirë në tri kohë kohë: të ngritjes, rrëzimit dhe të komentimit të zgjatur të ndodhisë, i cili (për interpretimin tim) lidhet ngushtë me formën pyetëse metonimike kush e hodhi litarin (madje do ta propozoja si titull të këtij libri).

Habia, paqartësia, dyshimi, ngulmimi në shumësinë e të vërtetave, autoren e dërgojnë te rishikimi dhe rivlerësimi i materialeve të dy tipeve të kujtesës. Si rrjedhojë, zgjedhja e formës së shkrimit postmodernist përputhet me hulumtimin e pavendosmërisë semantike, të personazheve, të cilët në dëshmitë e tyre për aq sa qartësojnë, po aq errësojnë faktet, të cilat në interpretimet e tyre marrin trajta të fiksionit. Kështu që, Jonila Godole, në botën e saj të rikrijimit artistik, gërsheton format e tekstit (me tekst nënkuptoj edhe imazhet): rrëfimin personal, dokumentin, dosjen, lajmin, letrën, fotografinë, etj., të cilat çuditërisht nuk i qartësojnë asnjëherë fytyrat e biografitë e aktantëve, sikur për ta ruajtur pyetjen enigmatike kush e hodhi litarin (kush ishte i pari) për ta rrëzuar bustin e diktatorit. Dhe kësaj enigme, potencialisht zgjidhjes së saj, i duhet një motivim, një shkrepje apo një shkas.

Dhe siç ndodh shpesh në kulturën shqiptare, kërkimi në rikujtesën historike, qoftë kjo edhe e re, bëhet më i besueshëm kur vjen nga syri i jashtëm, të cilin rasti e lidh me jetën dhe krizat shqiptare. Në teatrin narrativ të Jonila Godoles, hyn Johannes Kessler, gazetar gjerman, të cilin ri-kujtesa personale e nxit të rikthehet në Tiranë. Rasti, dëshmitari e rikujtesa!

Rasti ndodh në panairin e Lajpcigut, në vitin 1989, ku shkreptin dashuria për Martën, e cila e mbikëqyrur nga survejuesit e sistemit, promovon librat ideologjikë shqiptarë. Dashuria, për një moment, e thyen diktaturën, por me t’u kthyer në Tiranë, Marta e përjeton sistemin “pa perde” të diktaturës dhe nga mbrojtësit hipokritë të etikës komuniste detyrohet të zhduket nga jeta sociale e të përfundojë në botën e anonimitetit të dobishëm.

Pengu i kësaj ngjarjeje e shtyn Kesslerin drejt kërkimit. Ku mbeti apo ku humbi Marta në atë vend që po trazohet?! Dashuria e ndërlidhur me kureshtjen gazetareske do ta shtyjnë në udhëtimin e tij drejt Tiranës, ku papandehur Kessler do të shndërrohet në dëshmitar emotiv e fotografik të turmave që kulmojnë me rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Fijet mbesin të këputura, enigma vijon e bashkë me të tranzicioni i përhershëm i shoqërisë shqiptare, ky i fundit fort i ndikuar nga konceptimi i së tashmes për historinë e re, për historinë ante portas (në prag të derës).

Mbas mëse një çerek shekulli, dëshmitari Kessler do të mbërijë në Tiranë me synimin e zgjidhjes së enigmës për Martën e për statujën dhe papandehur do të shndërrohet në interpretues shenjash, dokumentesh, relacionesh etj., të cilat direkt apo indirekt ndërlidhen me momentin historik të rrëzimit të simbolit të komunizmit duke hyrë kështu në botën e rikujtesës, e cila pretendon të stabilizohet në kujtesë faktesh historike. Kessleri do të hetojë, sikur Uilliami i Baskervillit i Umberto Ekos, shfaqjet, fshirjet, mungesat e pranitë dokumentare që ndërlidhen me toposin e mileun e këtyre viteve duke u përpjekur të zgjidh misteret e interpretimit kaotik të fakteve e fiksioneve të jetës shqiptare nën diktaturë e në pseudo-demokraci.

Nëpërmjet kërkimeve personale dhe i ndihmuar me materiale dokumentuese-hetuese nga Nora (e cila nuk duket), Kessler do të nis takimet tipizuese njerëzore, të cilat i reflektojnë konceptet divergjente ideologjike e njëkohësisht mjegullimet për faktin, rrëzimin e statujës së diktatorit!

Saimiri, – simbol i protagonistit euforik, pandeh se ishte i pari që e ka hedhur litarin për rrëzimin e statujës, por del se motivimi i tij për t’iu bashkuar turmës buronte nga hidhërimi i moslejimit të antenës televizive për të parë lojën e Maradonës. Ironia e amalgamit të hipokrizisë me sinqeritetin e naives!

Altin Kodra, – operativ policor, në rrëfimet e tij, ndihet krenar se ka zbatuar urdhërat dhe skemën perfekte që rrëzimi i statujës të duket si reagim qytetar, por të kontrollohet nga njerëzit e tij, si rrjedhojë simboli (monumenti) të bjerë, por që nëpërmjet dhembjes nostalgjike të ruhet e të shtrihet në rrjetin popullor si spektër i kujtimit.

Mark Kudeli, – i burgosur politik, nuk fsheh dozën e çlirimit, por vijimësia jetësore e çon në zhgënjim e pësimin, deri në tëhuajësimin nga pjesëtarët e familjes, të cilët, për të, thonë: Pati fat të keq! – thua se burgimi e jeta e tij e sosun po ndodhte nga forcat eternale deterministe (ashtu ishte e shkruar!).

Martini, – operativ i sistemit survejues, në rrëfimet e tij, ngulmon se duhet njohja e zbulimi i gjurmëve, pamjeve të hapura e të fshehura, përgjimeve e incizimeve obskure, për ta kuptuar shkakun apo të vertetën e rrëzimit të statujës. Simboli i vijimësisë së syrit të fshehtë, demogorgoni që cungon lirinë individuale!

Këtij konfuzioni konceptimesh, për një fakt historik të cilin secili e vuan dhe e mban në mend, pra pasojën e sistemit totalitar me symbol statujën e diktatorit, i shtohet edhe tendenca relativizuese e performimeve artistike ky dhimbja e njeriut trajtohet në spektakle me premisa ahengu, dasme apo sfilate, kinse rikujtuese për tragjicitetin njerëzor. Këtë tip konfuziv e përfaqëson Ela Pani, e cila, në botën e brendshme dhe të jashtme, teatrin e rikujtesës e shfrytëzon për auto-promovime e nën rrogoz për ripozicionime politike e aspak për ta synuar të vërtetën, e cila domosdo i prish ekuilibrat politikë, të cilët kërkojnë kompromiset që fshijnë dallimin ndërmjet të dhunuarit dhe dhunuesit.

Johannes Kessler, me zhgënjim thuajse konstaton se frika dhe mungesa e pozicionimit të qartë shoqëror e intelektual për kujtesën e krimeve totalitare, dukuri që hetohet me fshirjen e konceptit për dokumentim real, por me sforcimet e relativizimit të tipit bunk-art, ka pësuar mutacione që kanë krijuar surrogatin e saj, avatarin e kujtesës, si rrjedhojë plagën e pashërueshme, e cila nuk do të shërohet me kozmetikë, por me imanencë kirurgjie.

E në venerimet e Kesslerit, në fakt vetëm sa sqarohet heshtja, sofizmi e dhimbja e Norës, e cila, në fund bëhet e dukshme, por pikëpyetja vijon: Takoi Kessler Martën apo Norën? Apo Marta e Nora janë i njëjti person që e mahniti Kesslerin që të merret me dhimbjet dhe misteret e botës shqiptare.

Them se, ndër të tjerash, romani Manual rrëzimi (2025) i autores Jonila Godole, sugjeron se vetëm nëpërmjet dashurisë, e cila me çiltërsinë e saj rrëzon të gjitha ideologjemat, mund të diferencohet e drejta nga e padrejta, e vërteta nga rrena (gënjeshtra). Mirëpo, armike e mirësisë dhe e dashurisë është frika, e cila i bën obskure edhe faktet e fenomenet më të qarta. Frika e shkatërron mundësinë e formimit të personalitetit si individ i lirë që e aspiron jetën në shoqëri të lirë. Si rrjedhojë, derisa të mos formohet individi, i cili nderimin për udhëheqësin nuk e krijon me themel në frikën nga dora e çeliktë, statuja e diktatorit, simboli e simbolika e saj, vetëm sa do të shpërndërrohet në trajta ameboide të mbizotërimit të frikës, por nuk do të largohet nga psikeja individuale e kolektive shqiptare. Nëse aparatura ideologjike totalitare kontrollonte të kaluarën dhe të tashmen, Jonila Godole sikur bën thirrje implicite që aparatura ideologjike ameboide e kohës sonë të mos e kontrollojë edhe të ardhmen. Shpresojmë që manuali i rrëzimit të zëvendësohet me manualin e vetëdijesimit që përbashkon individët në gjetjen e politikave të mirësisë së përgjithshme, të përfaqësuara në institucione politike-etike, të cilat autoriteteve u kërkojnë përgjegjësi dhe njerëzve u garantojnë dinjitet e liri. 

(c) 2026 Nysret Krasniqi. Kjo ese ishte përgatitur për promovimin në Prishtinë të romanit të Jonila Godoles Manual rrëzimi (Albas 2025). Botohet me leje.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin