Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KOKA, PIEDESTALI DHE SFERA E DYSHIMIT – NJË MANUAL RRËZIMI

nga Dhurata Shehri

Në një mëngjes vere të vitit 1992, në sheshin para bashkisë së Göttingen-it në Gjermani, një kamion ndalon pa zhurmë për të zbritur një figurë të pazakontë bronzi. Nuk bëhet fjalë për ndonjë monument heroi që pushton hapësirën, por për trupin e imët dhe të kërrusur të filozofit të aforizmave, Georg Christoph Lichtenberg. Kalimtarët shohin një njeri me gungë që mban në dorë një sferë të vogël, një imazh që duket se i përket tërësisht botës së mendimit dhe iluminizmit evropian. Mirëpo, sekreti i vërtetë i këtij monumenti nuk fshihet te emri i gdhendur në tabelë, por te “mishi” i tij metalik. Ky bronz i cilësisë së parë, që sot formon ballin e lartë të një mendimtari, dikur ka qenë balli i Enver Hoxhës, supet e Stalinit dhe dora e Leninit në Tiranë. Përpara se të mbërrinte në Gjermani, ky material ka qenë pjesë e asaj skenografie të rëndë që dominonte sheshet e Shqipërisë diktatoriale. Materia, duke u zhvendosur nga Tirana në Göttingen, nuk ka kryer thjesht një rrugëtim gjeografik, por një metamorfozë të frikshme të një lënde që refuzon të vdesë. Ajo thjesht u shkri në 950 gradë për t’u rishfaqur nën një petk të ri, duke dëshmuar se në këtë pjesë të botës, e shkuara rrallëherë asgjësohet; ajo më së shumti riciklohet.

Këtu nis dhe përfundon udhëtimi i Jonila Godoles në romanin “Manual rrëzimi”, tek një imazh, një përmendore, një monument, që nuk shënon domosdoshmërisht as fundin e as lindjen e një epoke, por vetëm të një skenografie të re me më shumë dritë e hije e më të përtypshme për kohën e re.

Arkitektura e kujtesës: Nga dëshmia te fiksioni

Tashmë, letërsia shqipe ka njohur kujtesën si një akt monumental qëndrese të At Zef Pllumit. Tek “Rrno vetëm për me tregue”, kujtesa është shndërruar në një detyrim etik, e fjala në një dëshmi të ngulitur në mish, në një përpjekje antiretorike për të ruajtur faktin e zhveshur përballë tmerrit. Por, Jonila Godole zhvendoset në të tjera vise të kujtesës, nuk tregon burgun si përvojë fizike të mbyllur, por  burgun mental e shpirtëror të shpërbërë e deformuar në qindra dokumente, heshtje dhe kompromise në një polifoni domosdoshmërisht jo harmonike.

Në këtë procedim mozaiku i autores takon Milan Kunderën i cili dikur shkroi se lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës. Por në “Manual rrëzimi”, kjo luftë nuk është më aq e qartë, dhe shpesh ndjen mungesën e forcës për të luftuar, sic ndodh me Markun, ish të burgosurin që arrin të shkruaj: “nuk të shkruaj më”.  Në këtë “dorëzim me kushte” Godole na tregon se harresa kolektive,  nuk është thjesht mungesë informacioni, por hipnoza kolektive e kryer nga ata që dinë të riciklojnë. Ky korrelacion me Kunderën bëhet edhe më i ftohtë kur kuptojmë se në “Manual rrëzimi”, nuk kemi thjesht një fshirje personazhesh nga fotografia e historisë, por një proces të llogaritur “retushimi”. Teksa te Kundera, pas ekzekutimit të Clementis-it, në fotografi mbetet vetëm kapeleja e tij mbi kokën e Gottëald-it si një dëshmi e heshtur e një pranie të asgjësuar, te Godole ky retushim është aktiv dhe i gjithanshëm. Altin Kodra, ish-sigurimsi që ka braktisur uniformën e vjetër për t’u shfaqur si arkitekti i një “rënieje të komanduar”, nuk është thjesht një aktor që ndërron veshjen; ai është vetë dora që mban tushin e retushimit. Ai e organizon rënien e bustit si një skenografi, ku regjimi nuk rrëzohet, por thjesht ri-formatohet në një “avatar” të ri, më të përshtatshëm për sytë e botës.

Ndërkohë që Kodra kontrollon skenarin e madh, personazhet e tjerë mbeten të mbërthyer nën peshën e asaj që Kundera e quan “kujtesë selektive”, por që te Godole shfaqet si një traumë e dyzuar. Marta nuk ka ndërruar thjesht kostum; ajo ka tentuar të asgjësojë veten për t’u rilindur si Nora, duke menduar se ndryshimi i emrit mund të fshijë “aktin e ekspertizës” që i mori jetën një poeti. Ky është dështimi i harresës si mbrojtje: ajo mund të ndërrojë emrin, por “materia” e fajit brenda saj mbetet e pandryshueshme. Nga ana tjetër, Martini, mbrojtësi i kujtesës, na propozon një përmbysje të vërtetë të idesë së dokumentit. Për të, ashtu si për ato hapësirat boshe në fotografitë e Kunderës, e vërteta nuk fshihet më te ajo që është shkruar apo arkivuar, por te heshtja. Martini e kupton se dokumentet mund të manipulohen nga Altin Kodrat e radhës, prandaj ai beson se heshtja e të mbijetuarve flet me një zë më të fortë se çdo arkiv i kontrolluar. Në këtë kuptim, “Manual rrëzimi” na tregon se ndërsa pushteti mund të bëjë “fotomontazhin” e një revolucioni, individët janë të dënuar të jetojnë nën hien e asaj kapeleje të mbetur, duke u përpjekur të gjejnë se ku mbaron skenari i diktuar dhe ku fillon dhimbja e tyre e vërtetë.

Kujtesa si produkt dhe ekzotizëm

Një nga pikat më të forta të romanit është ballafaqimi me atë që Dubravka Ugrešić e quan “muzeu i dorëzimit pa kushte”. Ugrešić ka ironizuar shpesh mënyrën se si Perëndimi e konsumon traumën tonë si një lloj ekzotizmi kulturor. Godole e mishëron këtë përmes figurës së Elës, studiueses që paketon dhimbjen shqiptare sipas shijeve të tregut akademik evropian. Është një kritikë e hollë ndaj asaj lehtësie me të cilën ne sot e shesim të shkuarën si spektakël, duke e kthyer diktaturën në një aforizëm bronzi që nuk tremb më askënd, por thjesht shërben si sfond për “arushka prej xhelatine”.

Ndryshe nga Ugrešić që  nuk e sheh më historinë si libër mësimesh, por si një kosh mbeturinash që mbledh “mbetjet” (fotografi të vjetra, suvenire, këngë të harruara) për të rindërtuar ndjesinë e një bote që nuk ekziston më, Godole ka ende shpresë të “japë mësime” historie me këtë manual, qoftë edhe rrëzimi. 

Letërsia si operacion kirurgjikal

Prirja e sotme e letërsisë që trajton këtë topos nuk është më thjesht të vajtojë apo të tregojë “të vërtetën”. Letërsia e Godoles sillet si një operacion kirurgjikal mbi gjuhën dhe mentalitetin tonë. Ajo na tregon se faji nuk është vetëm një strukturë e madhe politike, por është i përbërë nga “kompromiset e vogla” të individëve, qoftë edhe si Marta, përkthyesja që me një firmë vulosi një fatkeqësi.

Ky libër nuk na ofron një shërim të lehtë. Ai na lë me pyetjen: A është kujtesa jonë kolektive një akt shërimi, apo thjesht një tjetër formë e bronzit të ricikluar që i shërben pushtetit të radhës?

“Manual rrëzimi” është pikërisht ky tension: një udhëzues që mëson se, përpara rrëzimit të bustet në shesh, duhet ta ndjejmë thellë si ato buste janë shkrirë dhe kanë hyrë brenda nesh, duke na kërrusur shpinën në emër të një iluminizmi të rremë. Sepse, siç shkruan autorja në ato faqe finale, ndoshta e vetmja gjë që peshon më shumë se një kokë e rënë nga piedestali, është ajo sferë e vogël e dyshimit që na kthen mbrapsht njerëzoren.

Kjo letërsi, duke u pranuar si “estetike” e fton lexuesin t’i japë rol terapeutik, herë si psikanalizë e herë si operacion kirurgjikal. Varet kë do të zgjedhë, nëse ka vendosur të shërohet.

(c) 2026 Dhurata Shehri. Kjo ese ishte përgatitur për promovimin në Prishtinë të romanit të Jonila Godoles Manual rrëzimi (Albas 2025). Botohet me leje.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin