LETËRSIA E SOTME SHQIPE NË RRJET (IV)

(vijim)

Shkrimtari dhe përkthyesi Arben Dedja u rezervon publikimeve të veta letrare një faqe të veçantë në Facebook:

Te faqja, që ka shumë më pak ndjekës se ç’kam miq në profil, e di që ka njerëz që më lexojnë. Frekuenca e gjërave që nxjerr nuk është e lartë: të themi një post çdo 5 ditë-1 javë (ta kujton vetë Fytyrëlibri mungesën). Kryesisht janë poezi. Kurrë të pabotuara. Janë gjithmonë materiale të botuara më parë, le të themi gjëra të harruara (botuar edhe 20 e kusur vjet më parë). Kriteri: njëfarëlloj lidhjeje me aktualitetin (ose, për poetët e përkthyer, ndonjë përvjetor lindjeje/vdekjeje).

Për këtë shkrimtar, më fort të lidhur me librin dhe botimin tradicional se kolegë të tjerë që iu përgjigjën anketës sime, postimi online është gjithnjë i varur nga botimi i mëparshëm; si mënyrë për t’i risjellë krijimet në vëmendje, ose për t’ua ofruar atyre lexuesve që janë digital natives dhe që nuk e kanë zakon ta konsumojnë letërsinë në letër. Por Arben Dedja që nxjerr herë pas here gjërat e veta në një faqe të frekuentuar si klub ekskluziv i ngjan edhe atij farit, që duke vezulluar të thotë “jam këtu”; e ruan një prani, por gjithnjë në funksion të pranisë tjetër, përtej virtualitetit, e cila ka përparësi.

Thani Naqo përmend “elefantin në dhomë” – ose faktin që publikimi online kaq masiv dhe nga autorë të njohur dhe tradicionalisht të mirë-botuar vjen edhe si reagim i detyruar ndaj gjendjes së mjeruar të qarkullimit të librit dhe të editorisë sot në Shqipëri:

Kam dalë në konkluzionin se libri shqip është në grahmat e fundit…Shitet pak, ose aspak dhe kryen funksionin e kartolinkave për: Urime dhe Suksese të Mëtejshme. Meqënëse interneti hap një portë të madhe globale, publikimi në forume e revista internetike dhe sidomos në fb, mendoj se është e vetmja mënyrë për të publikuar krijimet, për ata/ato që nuk më njohin, por dhe për fansat e mi në Facebook.

Këtë unë po lejohem ta interpretoj edhe kështu: ka një ndarje, një shkëputje, një divorc midis librit nga autorë shqip bashkëkohorë dhe leximit përkatës – libra edhe botohen akoma, edhe qarkullojnë njëfarësoj, edhe dhurohen bollshëm me dedikime të ndjera; por nuk lexohen. Për arsye të shumta, disa prej të cilave të mirënjohura, lexuesit ngurrojnë që t’i kushtojnë kohë një autori shqip bashkëkohor: gati-gati duket sikur nuk ia njohin më autoritetin kulturor. Kjo edhe për ata lexues që përndryshe vazhdojnë të konsumojnë rregullisht letërsi të huaj të përkthyer – një qëndrim ky që duket sikur mbështetet, madje përshëndetet nga shtëpitë botuese dhe faqet letrare të gazetave dhe të mediave online, të cilat rregullisht rekomandojnë për lexim tituj të përkthyer. Në këto rrethana, Interneti dhe veçanërisht rrjeti social i ofron autorit shqip mundësinë për ta ofruar krijimtarinë e vet falas, njëlloj si ato kampionet që të japin falas në supermarket. Çfarë do të na sillte sërish te ndryshimi paradigmatik që sjell kultura – dhe antropologjia – e dhuratës.

Edon Qesari, eseist dhe përkthyes, komenton kështu:

Së pari, Facebook-u ende funksionon, për mua, si një zhguall; që do të thotë se unë e shoh si një hapësirë në mes të një ditari personal, nga njëra anë, por dhe joshjes se një i afërm, një mik, një vajzë kureshtare apo dikush që unë e lexoj dhe do të më pëlqente që edhe ai/ajo të më shfletonte ndonjëherë, gjithë këta me një fjalë, do ta hedhë një sy mes faqeve të tij. – Në njëfarë mënyre, shkëmbimi i like-comments duket sikur më ndihmon ndaj njëfarë ndrojtjeje për çdo “salto al buio” që botimi i llojit më konvencional – revista, gazeta, apo vëllime – bart në vetvete. Besoj se kjo lloj arsyeje, ku ka siç e përmenda elemente të ndrojtjes, por edhe të njëfarë vaniteti (paçka se të përmbajtur në një rreth të ngushtë prej rreth 2000 friends-ash) mbeten subjektive. – Çka është objektive, pra që besoj se nuk jam i vetmi që e perceptoj të tillë, është mundësia e Facebook-ut për ndërveprimtari me të singjashëm të supozuar. Jo të gjithë friends-at më lexojnë, dhe akoma më pak lënë gjurmë të këtij leximi. Megjithëkëtë, botimi në një hapësirë virtuale të krijon ndjesinë e të qenit i lexuar shumë më tepër se mediumet e tjerë “ortodoksë”. Që do të thotë se sinjali i të qenit i lexuar, për të cilin vuan në fshehtësi kushdo që shkruan, është shumë më i shpejtë. Si i tillë, të bën të besosh se pëlqehesh dhe, pse jo, je i mirë në këtë punë. Të jetë vetbesim, që mund të të vijë edhe nga botimi në një revistë apo antologji, veçse të vjen më shpejt – e natyrisht me riskun e të qenit më flluskë.

Që në krye, Qesari përmend ditarin, duke e përqasur përvojën e të postuarit online me atë “monologut” që është ditari; letërsia në rrjetet sociale, pra, jo vetëm si dëshirë për komunikim, por edhe si plotësim i një nevoje për t’u shprehur – duke pasur parasysh këtu se komunikimi është i orientuar ndaj Tjetrit, ndërsa shprehshmëria (ekspresiviteti) ndaj vetes. Meqë postimi në Facebook shumë lehtë mund të kthehet në zakon, ose në një mënyrë për të organizuar ditën; por edhe të përmbushë një nevojë shpirtërore kulturore të caktuar, atë të “së folurit” botës, por jo mënyrën siç i flet botës propagandisti ose politikani; më tepër, si një teknikë për të konstituuar veten (subjektin) në mënyrë dinamike, ose duke u matur me jo-subjektin. Më tej, Qesari vëren edhe një virtyt të mëtejshëm, këtë herë të komunikimit letrar në linjë: mundësinë a shansin për të gjetur miq të ngjashëm me ty, me të cilët ndan shije të ngjashme, preokupime kulturore dhe sociale të ngjashme, orientime të ngjashme; ose për të përftuar një “klub” kulturor, si kusht i nevojshëm për lulëzimin e talentit. Përmasa intime e këtij gjakimi shkon krah-për-krah me dëshirën për t’u konfirmuar.

Edhe Eleana Zhako, përkthyese dhe poete, mendon në këto linja:

Nevoja për të ndarë me të tjerët krijimet e tua, për të bashkëvepruar përmes komenteve, likes ose dislikes shumë herë. Disa herë, Facebook-u funksionon dhe si virus ngjitës. Kur je në Facebook dhe je pjesë e një “klubi” të ngushtë a të gjerë njërëzish, që ndajnë interesa të përbashkëta, dëshiron që t’i shtosh këtij “klubi” diçka tënden, duke menduar, se është një gur më tepër në ndërtesën e sajuar nga të gjithë.

Sokol Çunga, studiues dhe përkthyes, sjell arsye më praktike:

Deri dikur nga fillimi i dekadës që po mbyllet (deri më 2012, mos gaboj), ekzistonte revista “Mehr Licht”, me një ritëm konstant botimi periodik dhe që ndiqte një politikë redaksionale që anonte, shpeshherë, nga meritokracia (se kishte edhe byk brenda, sigurisht). Ishte kthyer në një lloj katalizatori të dëshirës për të përkthyer gjëra të vogla (tregime, cikle poezish, intervista), dhe i ruaja fuqitë dhe kohën për aty. Më herët kishin ekzistuar edhe të tjera revista apo suplemente letrare që u mbyllën gjatë periudhës 2005-2010 (do harroj ndonjë, po të përmend tituj. Më shumë keq më erdhi për “Sfidë”, organ i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe Gjuhëve të Huaja, dhe për “Dritën” mbi qindvjeçare të Lidhjes). Sigurisht në po atë periudhë dhe më vonë, madje deri më sot, ekzistojnë edhe mundësi të tjera botimi në suplemente apo revista, por teksa nuk e kuptoj dot politikën e tyre, ose në ndonjë rast dhe nuk jam dakord me estetikën e ndjekur, thjesht tërhiqem.

Në fakt, një pjesë e madhe e publikimeve letrare online, qofshin këto letërsi origjinale, qofshin përkthime, i përkasin një niveli komunikimi që do ta quaja, në mos elitar, së paku ekskluziv – sepse gjithnjë priren që të veprojnë estetikisht duke e seleksionuar lexuesin. Këtë funksion, siç e përmend Çunga, e kanë luajtur revistat letrare, të cilat gjithnjë ua kanë hapur dyert teksteve më të vështira, më problematike, më eksperimentale, që nuk synojnë masivizim, as të arrijnë detyrimisht te lexuesi zero, ose anonim. Veçanërisht poezia e përkthyer e krijon menjëherë klubin e vet. Çunga u njeh periodikëve, dhe pikërisht revistës “Mehr Licht”, edhe virtytin e përzgjedhjes cilësore; në kuptimin që një tekst i botuar atje vinte me një lloj pasaporte a certifikate garancie, çfarë në rrjetet sociale mund ta sigurojë vetëm emri ose reputacioni personal i autorit (përkthyesit).

Sërish Çunga:

[N]dër kohëra më është bërë më e çmuar koha ime. Teksa çdo përkthim më duhet ta bëj jashtë orarit zyrtar të punës, preferoj të bëj diçka për vete, në vend që të përkthej dhe botoj pa pagesë. Ndoshta do të kisha tjetër motivim, sikur të shihja se puna më shpërblehet sadopak. Ende nuk ka ndodhur, nuk di si do të veproja.

Duke risjellë në vëmendje dhurimin e tekstit në rrjetet sociale. Tradicionalisht, botimi i një teksti në një libër ose revistë që shitet në treg, shoqërohet edhe me një honorar për autorin, çfarë vendos një marrëdhënie ekonomike tripalëshe: midis autorit dhe botuesit, midis lexuesit dhe librit dhe midis lexuesit dhe autorit. Lexuesi që ka paguar për një tekst ka të drejtë të pretendojë cilësi sa nga botuesi, aq edhe nga autori; dhe autori që paguhet për tekstin ka përgjegjësinë e vet, qoftë edhe thjesht morale, ndaj lexuesit. Paraja, edhe në sasi simbolike, e ndikon të gjithë procesin e komunikimit letrar. Përkundrazi, kur ti e ofron veprën tënde (tekstin tënd, punën tënde) si dhuratë, e bën këtë për kënaqësi ose për nevojë shpirtërore, qoftë edhe thjesht për vanitet; i vetëdijshëm se mundësia e publikimit në çast t’i kursen mundimet e botimit tradicional, aq më tepër në rrethanat kur, siç e shpjegon Çunga, këto mundime nuk t’i shpërblejnë me honorar. Të japësh punën tënde falas, për një botim që shitet në librari, këtë shumëkush nuk do ta bënte me dëshirë, ose gjithsesi jo rregullisht. Përkundrazi, ekonomia e dhuratës, mbi të cilën themelohet publikimi dhe komunikimi online, shërben si një lloj nivelueseje e raporteve me lexuesit: koha që ti si autor shpenzon për tekstin e postuar shpërblehet me kohën që lexuesit e tu shpenzojnë për ta lexuar tekstin. Ironikisht, i vetmi aktor që përfiton materialisht nga ky proces është mediumi, ose vetë rrjeti social, që kapitalizon mbi kohën e shpenzuar atje prej përdoruesve – por ka shumë mënyra të tjera, më pak të vlefshme, për ta shpenzuar kohën në Facebook, se postimi dhe leximi i letërsisë.

Miranda Shehu-Xhilaga, për motivet që e shtyjnë të përkthejë letërsi shqipe në rrjet:

Si imigrante që jam, unë përkthej vazhdimisht – përkthimi për mua është mënyrë jetese, dhe përkthimi letrar i jep kësaj bukuri. Unë lexoj shumë dhe dua t’i ndaj me miqtë e mi online ato që më pëlqejnë më shumë – sepse ashtu shkëmbejmë edhe mendime përmes një procesi që na jep kënaqësi estetike, gjithë duke kaluar kohë së bashku. Kam botuar dy libra si përkthyese – një antologji të poezisë shqipe dhe një libër epistolar. Më ka nxitur edhe fakti që ka shumë pak letërsi shqipe të përkthyer në anglisht, dhe sidomos asgjë në Australi. Më pëlqen t’i promovoj vlerat tona dhe kulturën tonë, me kolegët e mi. E përjetoj këtë si pasion dhe si përgjegjësi. [përkthimi im i lirë, AV].

Sikurse Eleana Zhako më lart, edhe Xhilaga herë pas here punon në kah të kundërt – nga shqipja në një gjuhë tjetër. Kahu mund të jetë vërtet i kundërt, por problematikat të ngjashme: pas fundit të Luftës së Ftohtë, duhen gjetur mënyra të reja për ta promovuar letërsinë shqipe në botë; madje edhe jashtë kontekstit patriotik. Çdo kulturë kombëtare ka diçka unike për të kontribuuar në letërsinë botërore – ndonëse, për ta bërë këtë, nuk i duhen ngjyrat e flamurit, as marifetet e habitjes së publikut të huaj me thagma legjendash dhe kanunesh.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin