Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (LXXIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Kam gjithnjë frikë nga ata që kërkojnë një qeveri mendjesh. Ç’do të bëjnë me trupat?

Të vjetrit zotëronin artin e balsamosjes së të vdekurve në mënyrë të tillë, që këta të mos e humbnin rëndësinë.

Disa nuk e lëshojnë nga dora timonin: mund t’u hyjë në punë te një anije tjetër.

Mënyra më e mirë për ta matur një epokë: të matësh diferencën mes shkurtabiqëve dhe gjigantëve.

Mos vrit, tha; nëse mund ta bëjë këtë dikush tjetër në vendin tënd.

Sekretet nuk kanë ndonjë detyrim për t’u fshehur.

Kur thuhet “Askush nuk është i shenjtë”, edhe ateistëve u vjen inat.

Mos bërtisni “Mbreti është lakuriq!” vetëm kur ai ju tregon të pasmet.

Ka ndërruar shtëpi: ka lëvizur nga Sodoma në Gomorra.

Edhe përmasat e universit do të përbëjnë sekret ushtarak.

Ka njeriu të drejtë ta konsiderojë veten si autor të mendimeve që nuk i kanë pëlqyer?

Kush mban kurorën me gjemba, nuk ka të drejtë ta ulë kokën: kurora do t’i binte.

Djalli nuk fle. Me askënd.

Fund i nekrologjisë: “Ai nuk vdiq! Thjesht ndryshoi mënyrën e jetesës.”

Po na realizohen ëndrrat më të pamundshme; tani është koha për të kaluar tek të mundshmet.

Disa mendime na vijnë në mendje me shpurë shoqërimi.

Golemët prej argjile, që u është dhënë jetë, bëjnë ndonjëherë karrierën e statujave.

Disa duhet të jetonin një herë të dytë, si shpërblim; disa të tjerë, si ndëshkim.

Bërtiti: “Mbreti është lakuriq!” Por oborrtarët ia mbyllën gojën: “Mos e dhashtë Zoti!” “Pse?” “Mund ta zërë rrufa.”

Ndonjëherë, flamurtari duhet identifikuar sipas shenjave të gishtit në flamur.

Asgjë nuk mungon në parajsë: as ferri!

Mistiku? Kujton se ekziston.

Ishte njeri progresist dhe fetar, e pranonte që njeriu rrjedh nga majmuni, por nga ai i arkës së Noes.

Mos e provokoni hajvanin, duke e nxitur të shkruajë një kryevepër: po sikur t’ia dalë?

Filozofë, mos e zbuloni gurin filozofik: do t’jua varin në qafë!


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading