Costante Italo Fortino, studiues i mirënjohur i letrave shqipe e profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin “L’Orientale” të Napolit mori çmimin “Mjeshtër i madh”.
Në datën 8 maj 2015, në mjediset e Ambasadës shqiptare në Romë u zhvillua një takim për nder të prof. Costante Italo Fortino, të cilit Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, nëpërmjet dekretit 9038 (3.4.2015) i dha çmimin “Mjeshtër i madh”, me këtë motivacion:
Zotit Italo Fortino, për kontributin e tij të veçantë si studiues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, i cili me librat e tij bazë arsimorë ndihmon që gjuha shqipe të trashëgohet dhe të kalojë e pastër dhe e rrjedhshme nga një brez tek tjetri në tërë bashkësinë arbëreshe
Në takim merrnin pjesë autoritete të kulturës arbëreshe, italiane, përfaqësues të komunitetit shqiptar, profesorë, studiues, diplomatë, studentë, etj.

Nga e majta në të djathtë: Prof. Costante Italo Fortino; Prof. Neritan Ceka, Ambasador; Donika Hoxha, Këshilltare e Ambasadës shqiptare
Gjatë përshëndetjes së tij, Ambasadori shqiptar në Romë, prof. Neritan Ceka, vuri theksin në rëndësinë e arbëreshëve në historinë shqiptare. Pasi foli për peshën e madhe që arbëreshët kanë në kulturën shqiptare dhe vlerat e mëdha të letërsisë së krijuar ndër vite në trojet arbëreshe, Ambasadori shqiptar u ndal tek vepra studimore e prof. Italo Fortino dhe tek vlerësimi që i jepet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Përshëndetja e prof. Costante Italo Fortino-s për nga përmbajtja dhe frymëmarrja mori trajtat e një lectio magistralis. Fortino e vlerësoi shumë çmimin e dhënë dhe falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre. Më pas ai foli për punën e tij në favor të njohjes së disa veprave të rralla e të rëndësishme të letërsisë arbëreshe, leximi dhe i vlerësimi i të cilave kishte nevojë edhe për një gjykim kritik letrar. Kështu u përmendën dhe u shoqëruan me refleksione interesante autorët si Jul Variboba, Xhuzepe Anxhelo Noçiti, Frangjisk Anton Santori, etj.
Profesori i njohur arbëresh bëri një excursus të shkurtër edhe të bashkëpunimit me institucionet akademike shqiptare, duke përmendur disa aktivitete e botime që ka zhvilluar në vite. Për t’u veçuar angazhimi i tij i jashtëzakonshëm për botimin nga ana e Departamentit të Studimeve të Europës Lindore të Universiteti “L’Orientale” – i cili në atë kohë drejtohej prej tij – të veprës madhore “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”.
Por Costante Italo Fortino nuk iu shmang problemeve që po kalojnë gjuha dhe kultura arbëreshe kohët e fundit, edhe pas miratimit të ligjit italian për kulturat minoritare më 1999. Me një aftësi analitike të sprovuar, studiuesi arbëresh foli për rreziqet që i kanosen kulturës bashkëkohore arbëreshe, duke filluar nga trysnia e ushtruar nga kultura sunduese. Edhe pse vështirësitë janë serioze, Fortino tregoi edhe disa rrugë që mund të ndiqen për t’i përballuar sfidat e sotme e të nesërme, me qëllim që perspektiva të jetë pozitive.
Në emër të “Peizazhe të Fjalës”, përfitojmë nga rasti për t’i dërguar prof. Costante Italo Fortino urimet më të përzemërta për titullin e merituar “Mjeshtër i Madh”.