HITLER DIXIT

Gjatë Festivalit Tirana Open, m’u afrua një nga shkrimtarët e ftuar, italiani G. Catozzella, dhe më pyeti nëse ishte e vërtetë që Hitleri i paskësh pasur dobësi shqiptarët dhe pse vallë.

Për shumë nga ne, kjo është një nga ato përrallat kombëtariste të dala boje, por që ende i sheh të shfaqen naivisht në ndonjë forum ekstremistësh, kur nuk i dëgjon nga goja e ndonjë kërriçi entuziast të rastit.

Catozzella kish 2-3 ditë që vërtitej në Shqipëri për të prezantuar librin e vet: kish qenë në disa vende në Tiranë, madje edhe në Shkodër. Supozoj se këtë lektisje të Hitlerit pas shqiptarëve do t’i ketë rrëfyer ndonjë prej mikpritësve, gjatë këtyre vizitave.

Nuk ma merr mendja që t’i ketë lexuar këto gjepura, për shembull, në portalin telegrafi.com, ku gjej të shkruar me shkronja të forta:

Lideri nazist i Gjermanisë, shqiptarët i konsideronte për “racë të pastër ariane”, për “trima dhe fisnikë”, kurse Shqipërinë e cilësonte “vend të vogël romantik të Ballkanit”. Në shërbim të tij, ka qenë një agjent shqiptar, kurse në divizione ka patur shtatëmijë shqiptarë. Sipas disa shënimeve, thuhet se kryqi i thyer i Hitlerit, ishte simbol në Iliri dhe se ka përfaqësuar bashkimin e dy Z-ve, që do të thotë Zeusi – perëndi ilire.

Nëse Hitleri ka pasur apo jo admirim për shqiptarët “e pastër arianë” dhe nëse antropologët nazistë i veçonin këta prej popujve të tjerë, për t’i futur në qerthullin e të privilegjiuarve, unë këtë nuk e di.

Në fakt, duke pasur parasysh CV-në e Hitlerit pas vitit 1933, kam frikë se raportet për shijet, preferencat dhe pikëpamjet e tij nuk përfaqësojnë gjë pikë referimi të besueshme ose autoritare për ne të sotmit.

Që racistët mes elitave shqiptare të para-Luftës mund të kenë shfrytëzuar antropologjinë naziste për të çuar përpara paranojat dhe megalomanitë e tyre, edhe kjo nuk përbën argument.

Siç ma përmendi një mik me të cilin e bisedova këtë punë, relacionet e autoriteteve naziste në Shqipërinë e pushtuar nuk dëshmojnë kurrfarë simpatie për “racën” dhe për “kulturën” shqiptare – përkundrazi.

Që disa shqiptarë, kolaboracionistë të gjermanëve ose thjesht të fantaksur, mund të jenë përpjekur t’i shfrytëzojnë doktrinat raciste dhe mistike të nazistëve për të mbështetur fantazitë e tyre gotike, kjo nuk do të thotë gjë se nazistëve u bëhej shumë vonë për “klasin” e racës shqiptare.

Po ashtu, që ndonjë ideolog folklorik mund ta ketë përdorur këtë pseudo-teori të epërsisë raciale të shqiptarëve, për të mobilizuar disa kokëtrashë shqiptarë në shërbim të nazizmit, edhe kjo nuk dëshmon gjë drejtpërdrejt, se ç’mendonte Hitleri për këtë punë.

The-Great-Dictator-1940-Wallpapers-9Më në fund, më duket pak qesharake që të gjesh njerëz, në Shqipërinë e sotme, që të kujtojnë seriozisht se opinionet e Hitlerit mund të sillen si argumente ose mburrje në muhabete, e aq më pak në prezantime të shqiptarëve para të huajsh.

(Prej një race ariane superiore duhej të pritej pak më tepër!)

Kërriçi që i ka pëllitur Catozzella-s për Hitlerin dhe shqiptarët, ka gabuar së paku tri herë: (1) duke sjellë si të vërtetë çka duhet të jetë stisje mendjeshpuarish; (2) duke besuar se ky parapëlqim racial i Hitlerit ndaj shqiptarëve mund t’u shfrytëzoka akoma edhe sot si argument kombëtarist; dhe, më në fund, (3) duke kujtuar, kushedi pse, se një italian, për më tepër shkrimtar, mund t’u impresionoka pozitivisht, kur të mësojë se ç’opinion të ndritur paska pasur Hitleri për bijtë e shqipes.

Natyrisht e gjithë sa më sipër është spekulim; më erdhi turp ta zhbiroja më tej kolegun dhe aq më pak ta pyesja se “kush ia kish thënë këto gjëra,” meqë ashtu do të tingëlloja si hafije. Por nuk ma merr mendja se Catozzella do të ketë dëgjuar për Hitlerin dhe shqiptarët në Milano ku jeton; meqë në Itali nuk është se e citojnë shpesh Hitlerin, kur bie fjala për virtytet racore të shqiptarëve ose virtytet antropologjike të Hitlerit vetë.

Pa folur pastaj për një sëmundje foshnjore aq të përhapur mes nesh, e cila na bën t’u themi të huajve, mysafirë dhe dashamirës, budallallëqe të papara e të padëgjuara, në lidhje me thelbin e shqiptarisë, natyrën e gjuhës shqipe, ose karakteristikat racore dhe kulturore të shqiptarit.

Në kontakt me miqtë nga Europa dhe nga bota, tundohemi të shkojmë në ekstrem dhe ose t’i përshkruajmë shqiptarët si qenie ekzotike, kuriozitete zoologjike, bisha mitologjike të çuditshme; ose të vringëllijmë armën ironike të vetë-përbuzjes, dhe t’i paraqisim shqiptarët si trogloditët e kontinentit.

Kisha kujtuar, pra, se e kishim kapërcyer këtë stad; dhe se shfaqje të tilla kombëtarizmi primitiv do t’i ndeshje vetëm në personelin e ambasadave tona anembanë botës, ose në evenimentet kulturore të diasporës.

Mos pyet cili budalla, tha, sepse budallai je ti.

Nuk ka komente

  1. Siç ma përmendi një mik me të cilin e bisedova këtë punë, relacionet e autoriteteve naziste në Shqipërinë e pushtuar nuk dëshmojnë kurrfarë simpatie për “racën” dhe për “kulturën” shqiptare – përkundrazi.2xha

    Hitler, for example considered Albania to be the last wild corner of Europe and the Albanians as a vital warrior mountain race – a perception which seems to combine Nazi racial theory with the fanciful novels of Karl May. While Hitler’s perception was perhaps not as influential as Byron’s. It was far from inconsequential. It was in fact an important element explaining Nazi’s Germany’s rather benign occupation policy in Albania during Second World War.

    Twentieth-century Albanian leaders have exploited this perception and have further embellished it for both foreign and domestic consumption.

    Cituar nga:

    Bernd J Fischer. Perceptions and Reality in 20th Century Albanian Military Prowess – in
    Schwandner-Sievers, Stephanie and Bernd J Fischer editors (2002). Albanian Identities: Myth and History. Indiana University Press. ISBN 978-0-253-21570-3 pg. 134

    Pavarsisht opinionit te Hitlerit, ky perceptim duhet te kishte marre te tatepjeten me vdekjen e Rajhut te Trete.

    Por perderisa bota citon celebritetet, duke i perdorur si pika reference “e ka thene edhe filani (Hitleri, Mao, Curcilli, Enveri, etj)”, sado te famshem te kene qene per arritjet njerezore apo mizorite e tyre cnjerezore(infamous), njerezit si shkrimtari ne fjale, pyet me kersheri “A e ka thene apo jo Hitleri kete gje?”.

    Sic duket ka dicka te vertete nga thashethemet per simpatite hitleriane karshi shqiptareve. 🙂

    1. Ashtu vërtet – por “shqiptarët” e simpative naziste ishin një imazh romantik, mitologjik, i sajuar; dhe që vetëm emrin kishin të përbashkët me shqiptarët realë: gjyshërit e mi dhe të tutë, RM. Mjaftonin 2-3 javë në kontakt me këta të fundit, për t’i sjellë në vete edhe ata gjermanë që u besonin dokrrave pseudo-romantike për “virtyte dhe raca të papërziera”. Prandaj kam frikë se shembujt që citon ti, pa dyshim të saktë, mbështetin të kundërtën e çka kujton ti se je duke provuar.

    2. shqiptarët” e simpative naziste ishin një imazh romantik, mitologjik, i sajuar; dhe që vetëm emrin kishin të përbashkët me shqiptarët realë: gjyshërit e mi dhe të tutë,

      Gjyshi im hengri nje plumb gjerman ne nofull ne betejen e Tendes te Qypit e nuk e kam degjuar te mburrej kurre per ‘sa na ka vleresuar Gjermani si rrace e paster”,

      Nderkohe para disa vjetesh u ndodha Galerine e Arteve te Tiranes, ku po ekspozonin art ‘shqiptar’ te shek XX. Nga ai i viteve 30-te me vrau syte nje portret djali bjond, shabllon i rraces te paster ariane. Nuk me kujtohet emri i piktorit(mjergullt kam pershtypjen se ishte katolik shkodran) por vendosa se ishte papagall i asaj periudhe proto-fashiste dhe nuk i kushtova me vemendje.

    3. Read Me,

      nje pyetje per kuriozitet, meqenese e ke librin ne dore:

      A citon Fischer-i burime dhe botime specifike ne mbeshtetje te ketij pohimi rreth konsideratave te Hitlerit per Shqiptaret apo jo? A ka ndonje fusnote a reference ne kete pasazh qe sjell ti?

    4. Burimi ku është mbështetur Fischer është me shumë gjasa dëshmia e Hermann Neubacher, një prej diplomatëve të lartë gjermanë në Shqipëri. Ky shkruan se e kishte të lehtë t’ju plotësonte kërkesat shqiptarëve (për territore që duhet t’i bashkoheshin ose nuk duhet t’i hiqeshin Shqipërisë, mosdorêzimin e listave të hebrenjve, etj) pasi në Gjermani kishte mjaft dashamirësi ndaj nesh, dhe Hitleri e mendonte Shqipërinë si një vend romantik. Një nga arsyet e përmendura prej tij është edhe vepra e Karl May-t, përveç teksteve mbi historinë e Skënderbeut, etj. Një pjesë të veprës së Neubacher mund të konsultohet tek faqja e R. Elsie-t:
      http://www.albanianhistory.net/texts20_3/AH1956_2.html

    5. E c’rendesi ka referenca, Hitleri nuk ishte studiues antropolog, opinioni i tij ishte ai i antropologeve gjermane. Te merresh me referenca eshte si t’i japesh vlere mendimit te Hitlerit, dmth nqs e ka thene kjo e ndryshon radikalisht ceshtjen, nqs s’e ka thene atehere kot sa merremi. Ne kete mes i vetmi qe s’ i ka gjithe derrasat e parketit te mendjes eshte shkrimtari italian qe merret me budalleqe te tilla.

    6. Hyllin,

      kurioziteti im per referecen nuk ka te beje me opinionet e Hitlerit, por me historianin Fischer. Kam vene re se ai shpesh nuk citon, çka i jep librave te tij nje karakter me teper eseistik se historiografik. Po nejse, se po dal nga tema. Gjithsesi jam dakord me ty qe i vetmi anormal ne kete mes eshte shkrimtari italian.

    7. E lexova Neubacherin. Ndonese permend ‘goodwill’-in e pergjithshem prej Karl May, ai gjithashtu thote qe eproret e tij nuk e kishin idene fare per Shqiperine. Si regjim me baze ‘shkencore’, ata kishin mbledhur skedare per cdo qytet ne bote me qellim identifikimin e njerezve dhe burimeve natyrore. Keto skedare ndodheshin ne nje institut ku studiohej ‘geopolitik’ sipas parimeve te anglezit Mackinder (toke vs. det etj etj). Do ishte interesant te dinim c’permbanin keto skedare per qytetet e Shqiptareve.

    8. Sigurisht duhet të bëhej fjalë vetëm për ata pak të informuar. Për të tjerët, edhe sot në epokën e internetit dhe informacionit, siç i thonë, francezët ndonjëherë nuk e bëjnë dot dallimin mes shqiptarëve dhe serbëve (sipas Attali-t) – jo më në 44-ën.
      I kam lexuar disa nga kujtimet e Neubacher në një gazetë shqiptare, por nuk e mbaj mend në cilën saktësisht, ndoshta në Mapo ose Panorama. Kishte edhe të dhëna të tjera përveç atyre të botuara nga Elsie, mes të ciave edhe që i referoheshin njëfarë simpatie të Hitlerit ndaj shqiptarëve. Natyrisht është e vërtetë se, nuk është se ka ndonjë gjë për të celebruar në këtë mes. Ndoshta mund të ketë vend për të kundërtën : keqardhjen për imazhin e sotëm tek të huajt.

    9. Relapso,

      Kerkova nese citimi i Fischer-it shoqerohej me ndonje reference te drejtperdrejte. Nuk gjeta. Konsultova terthorazi literature ne gjermanisht dhe gjeta ne disa raste qe citohet Neubacher dhe libri i tij perkthyer pjeserisht ne anglisht qe e solli si link Gjergj-i. Duket qe citimi i Fischer-it eshte perifrazim i kujtimeve te te derguarit te Hitlerit ne Shqiperi.

      E lexova citimin edhe ne gjermanisht: Hitler der für die letzte romantische Ecke Europas sehr viel übrig hatte, zeighte sich mit dem Ablaut der Dinge sehr zufrieden(Sonderauftrag Südost, Hermann Neubacher, 1956, pg 110).

      Si shtese: ekziston nje dizertacion i botuar edhe si liber ku trajtohet politika naziste (Hitlerit) ne Shqiperi, ku shpjegohet me hollesi bashkepunimi gjermano-shqiptar sipas direktivave te Fyhrerit.

      Kapitulli i trete, faqe 119, titullohet: Politika e Hitlerit kundrejt Shqiperise(gjermanet bashkepunojne me shqiptaret, behen nje). Besoj se shton informacione te hollesishme per te kuptuar dinamiken kolaboracioniste nen nje pushtim “beninj” sic thote Fischer dhe Neubacher. Ne kete faqe citohet perseri Neubacher-i sa me siper.

      Titulli i librit: Widerstand und Kollaboration in Albanien 1939-1944 (Hubert Neuwirth)

      Nderhyrja ime ishte beninje, nuk kishte qellime te provonte asgje, pervecse titullin e shkrimit: Hitler Dixit. Ekziston mundesia qe Hitleri te kete folur me simpati per shqiptaret, sic edhe mund te kuptohet edhe nga citimet e sjellura: Auch Hitler hätte viel Sympathie für den “letzen romantischen Winkel Europas”.

      Komenti im i meparshem ishte shume perceptiv i situates tashme te kaluar me kolapsin e Rajhut te Trete, porse percillte edhe ate te vertete te thjeshte qe njerezit dhe kureshtja e tyre i kapercen statuset e tyre, qofte edhe te nje shkrimtari. 🙂

    10. Read Me,

      falemderit per pergjigjen e hollesishme, por sikurse e thashe me lart, nuk me interesonte mendimi i Hitlerit, por metoda e Fischerit.

      Dihet qendrimi zyrtar i antropologjise naziste dhe fashiste ndaj shqiptareve. Madje ekziston edhe nje traktat i mirefillte mbi kete çeshtje: “Raca shqiptare” shkruar nga nje gjenetist shqiptar, Jakon Milaj, botuar ne Tirane ne vitin 1944 me bekimin dhe financimin e gjermaneve.

      Ketu nuk eshte çeshtja a e ka thene apo jo Hitleri, por pse shqiptaret duhet ta trumbetojne me krenari sot dhe pse nje i huaj interesohet nese eshte apo jo e vertete.

    11. Ketu nuk eshte çeshtja a e ka thene apo jo Hitleri, por pse shqiptaret duhet ta trumbetojne me krenari sot dhe pse nje i huaj interesohet nese eshte apo jo e vertete.(Relapso)

      Nuk eshte kaq e thjeshte mendoj une. Hitleri ishte nje ideolog, e pergjate karrieres u transformua, dhe ne fund ishte, eshte dhe do te jete epitoma e nje mendje kriminale jashte cdo pritshmerie. Duke kerkuar te shkallmonte boten, para se gjithash coi ne gremine kombin e vet. Pati kontroll total te mendjeve te njerezve, si e interpretonin dhe shihnin ata boten.

      A duhet te flasim per te, apo ta citojme ate? Sigurisht qe duhet, por duke patur sensin praktik dhe realist. Perndryshe nuk do te jemi ne gjendje te njohim Hitleret e tjere qe mund te ndeshim ne rrugetimin tone. Por as nuk duhet te behemi dishepuj apo zelltare te interpretimeve zyrtare, moderne apo postmoderne.

      E rendesishme eshte t’i meshojme fakteve te Gjermanise naziste nen udheheqjen e nje ideologu si Hitleri. Faktet jane kokeforte, evidentuese dhe secili nga ne eshte ne gjendje te beje interpretimet e tij. Eshte e pamundur t’i shmangesh referencave te Hitlerit; pa to nuk mund te hapim dritaren ne te kaluaren tone, te mesojme prej historise.

      Ne boten e sotme, teorite racore dhe supremaciste, tingellojne qesharake dhe kane humbur koherencen ne boten ku jetojme dhe ne ate qe po vjen. Duke permendur Hitlerin dhe perceptimin qe kishte ai per shqiptaret, duke i futur ne qerthullin e arianeve te zgjedhur, na hap nje dritare per te kuptuar te kaluaren e nje bote qe ka perenduar dhe si te thuash te ndihmon te kuptosh dhe ta pranosh te kaluaren, duke qeshur me te nese eshte nevoja: – “coming to terms with the past” – ose sic thone gjermanet, “Vergangenheitsbewἄltigung”.

      Une mendoj se mrekullimi(fascination) me Hitleret e te kaluares apo te ardhmes, nuk do te mund te ngope kureshtjen njerezore, aq me teper kur kjo lidhet me fije te ndryshme me ta, apo te kaluaren e tyre.

  2. Kaq shume sharje as Sala nuk i ka thene dot kunder Rames, as Demosteni kunder Filipit . Kurioziteti i te huajve lidhet me njefare paragjykimi te perhapur racist ndaj shqiptareve si myslymane, aziatike, njerez me bisht etj. Kur hasin dicka te tille, dmth lavderim racor, sidomos nga nje autoritet politiko-racist si Hitleri apo autoritet shkencor si Coon, normal qe duan te dine me shume, kjo eshte normale edhe sot kur ende jemi Azi per europianin mesatar, dmth kur kultura europiane ende nuk eshte shkeputur nga racizmi kulturor.

    1. sot kur ende jemi Azi

      Nuk jemi Azi, jemi thjesht ‘zi’. Kemi nxire veten e na kane nxire te tjeret. S’do mend qe flasim per pastertira (si ato rracore)

    2. Pak rendesi ka si jemi, puna eshte si na shohin. Ne nje kulture europiane qe sheh kulturat ndryshe, me syrin e racizmit kulturor, kuriozitetet e ketij lloji ngjallin interes, sepse Hitleri si produkt kulturor, ka lene mbeturinat e njehsimit race-kulture. Europiani i bardhe cuditet ne kete rast me paradoksin sipas tij, qe si ka mundesi te jesh race e vleresuar nga Hitleri e te jesh kaq ndryshe, kaq aziatik apo i Lindjes. Ketu problemi nuk jemi ne apo kush servir kuriozitete te tilla (sipas studiuesve raciste gjermane si pasardhes te bjondeve ilirike, jemi ne rrethin e dyte te pastertise racore) por fakti qe kultura europiane ende prodhon europianin mesatar qe i jep vleren e kuriozitetit. Perndryshe ka shume europiane qe do e shihnin dhe e shohin si budallek te pavlere e jo me te cuditeshin e te kerkonin konfirmime. Pak a shume mumd te themi qe ka nje kerkese pa ka edhe nje oferte.

  3. Xha xhai thote:

    “Kisha kujtuar, pra, se e kishim kapërcyer këtë stad…”

    Perpara se te flitet me nje shumes pergjithesues duhet pyetur se kush eshte ai qe ia paskesh thene shkrimtarit italian kete thagme. Nese ka qene ndonje emigrant shqiptar ne Itali, shoferi i taksise, portieri i hotelit ose shitesi i ndonje dyqani suveniresh, nuk i duhet dhene rendesia qe i jep Xha Xhai. Budallenj dhe injorante ka kudo ne bote.

    1. E pashe. Nuk ishte ndonje artikull i nenshkruar nga ndonje pesonalitet kulturor apo autoritet shkencor. Sikurse thashe, budallenj dhe injorante ka kudo ne bote.

      Xha Xha, eshte çeshtje regjistrash, nivelesh dhe mjedisesh ku zhvillohet biseda. Fjala vjen, ti ke qene ne Universitetin Oriental te Napolit. Gjate atyre viteve kushedi sa marrezira do te kesh degjuar neper tregjet popullore te Napolit. Por nuk besoj se kur ktheheshe te nesermen ne universitet te shkonte mendja te pyesje koleget e tu profesore: a eshte e vertete ajo qe degjova dje ne treg? 🙂

      Prandaj edhe thashe se ai shkrimtari italian e ka problemin me veten.

    2. Ka kudo. Problem përbëjnë kur krijojnë një masë; dhe problem edhe më të madh kur krijojnë një shumicë. Përndryshe, nuk ka ndonjë rrezik që një budalla i rastit të më ndërrojë mua mendjen, ose të ma futë botëkuptimin në krizë.

      Pastaj, unë natyrisht nuk do të pyesja kolegët e mi, për një budallallëk që dëgjova nga lustraxhiu. Por nëse shkrimtari italian më pyeti mua për verifikim, me siguri do ta ketë dëgjuar këtë histori nga ndonjë person i respektueshëm – p.sh. një profesor universiteti.

    3. Po ti ate thuaj, ç’na sjell verdalle kot. Atehere ndryshon puna!

      Po shiko se ka edhe me keq. Para do kohesh kam degjuar me veshet e mi nje profesoreshe shqiptare universiteti te deklaronte me krenari para te huajve: “Une jam raciste”!
      Te huajt u hutuan krejt, ndersa mua me vinte ta rrihja.

  4. Ja një media në mëmëdhe duke bërë atë që di të bëjë mirë, ose të thyejë rekorde të kretinerisë:
    Kërkojnë ta gëzojnë lexuesin me faktin që Adolf Hitleri i paska mbajtur shqiptarët “për trima dhe fisnikë”.
    http://www.telegrafi.com/lajme/adolf-hitleri-shqiptaret-jane-trima-dhe-fisnike-2-41527.html
    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/09/capture1.png
    A thua se nuk e di lexuesi sa trima dhe fisnikë që jemi, nga i pari tek i fundit. Madje aq trima dhe fisnikë, sa i vetmi problem është të ftillojmë nëse jemi më shumë trima se fisnikë, apo më shumë fisnikë se trima?
    Ky lajm më ra në dorë nëpërmjet njoftimit që jep Postblloku.
    http://www.postbllok.com/telegrafi-com-krenohet-me-hitlerin/

    1. Tani edhe dymijë duhen, për të arritur ata “shtatëmijë shqiptarë” që kishte në divizionet.

    2. E deformova njëherë shifrën si 4963 S(hare)S, po sesi m’u duk…

      Fërko e fërko kokën kafshës brenda (“je më i pastri, më i vjetri, më trimi”), shyqyr që kemi një Hitler të gatshëm për konfirmim – thjesht me një klikim! Si në porno. Ndryshe duhet krijuar një i ri prej vërteti pastaj.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: