(Në kujtim të GAC Çunit)
“Me një liri shpirtërore të pashoqe, kompozitori dhe muzikanti shkodran Gac Çuni kaloi vitet e burgimit të padrejtë nga një sistem i përbindshëm komunist. Një natë, të gjithë të burgosurit u çuditën kur nga njëra prej qelive, një zë i ëmbël hyri si dritë mes errësirës së vuajtjes e terrorit. Ishte zëri i Gac Çunit i cili i këndoi dashurisë… një këngë të jashtëzakonshme…”
“Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë permbas tejet, jeten e bora;
Oh! se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu….
M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu….”
Andreas Dushi”’ [1]
Kjo këngë e bukur jashtëzakonisht prekëse e Gac Çunit, që vdiq 30 vjeç në burg më 1956, më kthen shpesh ta dëgjoj dhe të mendoj për të.
– Natyra t’fali, bardh – o si bora”; unë mendoj se kjo shpreh bardhësinë e përfytyrimit të vagëlluar, kujtimin e vajzës “i bardhur” prej kohës së gjatë në burg.
-“M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku”; besoj se vjen nga përfytyrimi i gjallë i ngjyrës së gjakut që Gaci shpesh shihte brenda burgut, apo në duart e e tij tek fshinte gjakun prej tuberkulozit. Populli thotë ndryshe: ”M’i ke faqet të kuq – o si molla”.
– “Oh! se dy sytë m’i kanë verbue/ M’i kanë verbue moj kaçurrelat”. Verbimi Gacit i vinte si atij që nga errësira ëndërronte të shihte dhe të prekte mbi të gjitha kaçurrelat e asaj që i kishte pushtuar shpirtin.
Vërejmë se, kur kënga del nga shpirti i djalit, ai ngul sytë së pari te flokët e vajzës. Këngët shkodrane, por edhe më gjerë, e njësojnë vajzën me lule-borën, karafilin e kuq, trëndafilin, borzilokun, zambakun, etj. Por nuk mund t’i vijnë Gacit në gojë emra lulesh! Ai thjesht i kthehet instinktit djaloshar dhe, në pozicionin e çdo djali, ai “zbret” [kujtojmë anima të Carl Jung] te pjesa më simbolike e saj, te flokët. Ai është një djalë në moshën e dashurisë dhe shpirti i sforcohet të këndojë duke vënë në pah, për atë vajzë që është në ëndrrat e tij, pjesën më ngacmuese të “marrakut”, flokët e saj kaçurrela!
Provohet lehtë se djemtë shqiptarë, si dhe Gaci, e kanë lidhur më shumë joshjen e vajzës me flokët e saj, edhe sepse vajza shqiptare ka qenë e lirë në lojën me flokët!
Muzikanti Andi Shkoza këndon në “Bjonde Vagabonde” që “vetëm më le si ëndërr ike larg/ bjondinë e re të lutem kthehu prap”, duke e njësuar vajzën me flokët e saj bionde.
Historiania Lynda Nead në librin “British Blonde: Women, Desire and the Image in Postwar Britain” vëren se biondet shihen si simbol i dëshirës të përzier me rrezikun, të cilin Shkoza e jep që në titull. Natyrisht ky është një teprim, por megjithatë tregon rëndësinë e flokëve dhe tipareve që ato kanë!
Duke shikuar përreth gjejmë p.sh. se kënga humoristike popullore italiane “La mia mamma mi diceva” përcakton vajzën nisur nga ngjyra e flokëve: “le donne bionde son tutte vagabonde”, “more son tutte traditore”, “bruna ti porterà sfortuna”, etj. Kjo përsëritet edhe në këngën franceze “Tous les garçons du monde”, etj.
Por le t’u kthehemi këngëve tona popullore [me të cilat rrjetet sociale janë plot!] ku djaloshi e përshkruan vajzën duke vënë në dukje elementet më prekëse të saj. Të tilla natyrisht janë elemente të fytyrës, si sytë, vetullat, ngjyra e fytyrës apo e faqeve, flokët, shtati, etj. Por është mjaft domethënëse që djemtë këngëtarë përqendrohen kryesisht te flokët, madje në mënyrë të detajuar për ngjyrën, formën, thurjen, erën e tyre! Dhe kjo përsëritet në të gjitha krahinat tona!
Mbulimi i flokëve ishte një normë e rëndësishme gjatë periudhës turke otomane. Por këngët tona popullore, të ardhura përgjithësisht edhe nga koha jo e largët nën Turqinë, tregojnë se vajzat shqiptare kanë qenë të lira dhe nuk i kanë mbuluar flokët, shenjën e tyre të çiltër të rinisë dhe dashurisë!
Dikush ndoshta mund të mendonte se kjo ndodhte vetëm te të krishterat. Në “Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit” Edith Durham thotë qartë se “Gratë e fiseve myslimane në malet e Shqipërisë nuk mbulohen kurrë dhe shkojnë në treg e bëjnë pazar lirshëm me burrat, me fytyra më të zbuluara se ato të krishterave”. [Edith Durham, BRENGA E BALLKANIT 1991, faqe 519]
Në një këngë me çifteli, tropojani nis ta përshkruaj vajzën ashtu si Gac Çuni, si një vajzë borë të bardhë, dhe fiksohet te flokët e saja: “Moj bardhoke moj flokt kunorë / ma ke shtatin bardh si borë”. [2]
Në këngën e mirënjohur “Cuca e Radomires” trimi dibran do të ishte i lumtur “të shpjerë në shpi” cucën me “flokët kaçurrela”. [3]
Një motiv dasme mirditore vashën e përshkruan si dritë, lule, që “i len flokët si valë lumi” (3), kurse në këngët tiranase thuhet se “më ke dal në penxhere…hedhur flokët porsi ar” [4], ose “flokët e tua shndrisin spërkatun me ar diellor”. [5]
Shamia që zbulon paksa flokët ndez djemtë e fshatit: “Mike me shami mënjanë, kadale se dogje fshanë! [6]
Në një tjetër këngë, ku djaloshi plot “etje” kërkon ujë, por sytë i ka ngulur tjetërkund: “Më jep një pikë ujë moj baluke prerë!” [7]
Në një këngë të mrekullueshme të Shqipërisë së mesme vajza përfytyrohet si thëllëzë në ujë:
“Fëllanzë-o fëllanzë-o
Dil prej ujit oh mos dalsh kurrë-e!… un’ ty nuk të ngas-e
sall për flokësh oh të përkas-e.” [8]
Fantazia popullore e përfytyron vajzën si një thëllëzë në ujë, apo më mirë, një shtojzovalle e mbuluar nga flokët e qullët, dhe djali drithërohet veç [sall] t’i prekë ato!
Labi pasionant: “Xullufeja pëndë korbi, derdhur e lëshuar-o, aman se më dogje xhanë” [9]
Në një tjetër këngë labi kundron lojën e leshrave të vashës që vadit lulet:
“Leshrat e pakrehura moj
frynte erë oh moj mëngjesiSeç ti paskish hedhur moj
rreth e rrotull mesit.” [10]
Përmetari dehet prej flokëve erëmirë:
“Ah seç të bie moj erë floku..
si në prill erë borziloku.” [11]
Kuksiani kundërvë ndjenjat e vajzës me ato të hamshorit të ri ende të pashaluar:
“Mori e mira te dera e kurit
Floki yt si pendi i kurbit;
Pendi i kurbit, pend i zi!
“Hiqu, djalë, mos m’i përzi
Vet i krehi, vet i lyj…
Je beqar i pamartue
Si hamshori i pamshilue.”12]
Në Nokovë, Gjirokastër, djalin e irriton shamia e kuqe:
“Te kroji pertej një shtufe
Hyn e del një bukurushe
Lidhur-o shami të kuqe
Hiqe, moj, se na këpute.” [13]
Djaloshi përmetar përshkruan momentin dehës kur bien nusen në dhomë:
“Apo në oda të sollën
dhe të nisën nuse
oh sa lezet të kishin moj
të shkretat balluke.
Oh balluket e tua moj
sa s’ti nxë shamia
oh mjeri unë i mjeri moj
vanë mentë e mija!” [14]
Shihet qartë se flokët janë një element mjaft i rëndësishëm i joshjes nga vajza. Nëpërmjet vargjeve popullore kupton se si perceptohen ato nga sytë dhe shpirti i djelmërisë. Duke u rikthyer te kënga “Kaçurrelat” e Gac Çunit, ai, si gjithë djemtë shqiptarë, ishte në moshën më të bukur, të cilën ja kishin shkallmuar duke e mbyllur në mënyrën më të padrejtë dhe të pamëshirshme në burg. Atëherë ai krijon një melodi shpirti me të cilën kërkon t’i shpëtojë prangave e të fluturojë drejt vajzës së ëndrrave, të cilën e përfytyron nëpërmjet flokëve të saj, kaçurrelave që ai përgjërohej veç t’i prekë.
* – * – *
Ideologjia enverhoxhiane e asfiksoi kuptimin mbi “shpirtin”, si diçka fetare apo idealiste, si diçka e brendshme që mund të krijonte premisa për ekzistencë jashtë sistemit. Nocioni mbi shpirtin nuk është ende krejt i qartë, është më shumë një kuptim që vjen nga kohë të mëparshme. Në të vërtetë “shpirti” është një kuptim me një përmbajtje të jashtëzakonshme.
Demenca, në formën më të rëndë të saj si Alzheimer, fillon të rrënojë hap pas hapi vetitë e trurit. Njeriu humbet thelbësisht kujtesën, aftësinë për komunikim dhe truri çorientohet. Por vërehet diçka e jashtëzakonshme, se edhe në etapat më të avancuara i sëmuri mban mend të paprekura e mund t’i këndojë e t’i shoqërojë me fjalë këngët e bukura që mban në kujtesë! Këtu mund t’i lejonim vetes të thonim se meloditë muzikore janë strehuar thellë në “shpirtin e njeriut” (memorizuar në pavetëdije, në rrënjë të arkitekturës së trurit) dhe nuk i prek dot as edhe sëmundja më e rëndë. Gjatë jetës njeriu përzgjedh ato këngë që i shkojnë shpirtit të tij dhe pastaj nuk i lëshon dhe i humbet bashkë me shpirtin.
Kënga e bukur e Gac Çunit ka arritur të hapë zemrat dhe e ka lidhur shpirtin e tij me shpirtin e kujtdo që e merr brenda vetes atë melodi.
Kjo këngë e lindur për të vdekur brenda një burgu, sot, edhe me krahët e Rrjeteve Sociale, fluturon, e prek zemrat e shqiptarëve kudo që janë nëpër trojet e gjera, edhe më tej.
(c) 2026 Spiro Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
LITERATURA
[1] kultplus.com/muzika/si-lindi-kacurrelat-kenga-e-nje-dashurie-platonike-video/
[2] teksteshqip.com/fatmire-bre-ani/teksti/
[3] lirikashqiptare.wordpress.com/2015/01/31/motive-dasme-mirditore/
[4] fv.al/t/kenge-dasmash-nga-trojet-shqiptare./
[5] teksteshqip.com/redon-makashi/teksti/
[6]forumishqiptar.com/threads/24531-K%C3%ABng%C3%ABt-e-Dashuris%C3%AB/page5
[7] teksteshqip.com/k-ng-t-shqip-ris-s-jugut/teksti/
[8] lirikashqiptare.wordpress.com/2015/01/12/ferfelloj-fellenza-nuje/
[9] teksteshqip.com/ergjeria/teksti/
[10] lirikashqiptare.wordpress.com/2015/02/01/cu-ngrite-ne-mengjes/
[11] lirikashqiptare.wordpress.com/2015/01/03/te-keqen-e-flokut/
[12] forumishqiptar.com/threads/24531-K%C3%ABng%C3%ABt-e-Dashuris%C3%AB/page2
[13] forumishqiptar.com/threads/24531-K%C3%ABng%C3%ABt-e-Dashuris%C3%AB/page2
[14] teksteshqip.com/donika-pecollari/teksti/
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.