Pak fjalë mbi emërtimin tradicional dhe identitetin kulturor të nartiotëve
“Në duart e mia mbaj zemrën tënde,
Narta ime, Luaneshë e artë.
Ti mbështetesh butësisht
mbi shpatullat e kripura të Lagunës,
vatrës sate.
Dhe unë, fëmija yt i larguar,
paqen tënde të gjej ende kërkoj.”
(Fragment nga një poezi imja [A.Vintou] në greqisht, përkthyer dhe përshtatur prej meje në shqip)
Narta ndodhet këto kohë në qendër të vëmendjes për shkak të ngjarjeve të fundit që lidhen me Lagunën e Nartës, me Zvërnecin dhe me Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë. Në këtë kontekst, ku diskutohet për të ardhmen e kësaj hapësire dhe për marrëdhënien e njerëzve me të, dua të ndalem te një çështje që për ne, nartiotët, ka rëndësi të veçantë: arsyeja pse këtë vend e kemi quajtur dhe vazhdojmë ta quajmë Arta.
Sa herë që shkruajmë emrin Arta për vendin tonë, dhe këtë po e shohim edhe këto ditë, ndodh shpesh që dikush të ndërhyjë me vërejtjen: “Narta, jo Arta”. Kjo ndërhyrje korrigjuese përsëritet prej vitesh, në biseda, në komente dhe në postime publike, nga shqiptarë e grekë që e trajtojnë formën Arta si pasaktësi, pa e njohur historinë e këtij emri dhe domethënien që ai ka për ne. Ajo që bie në sy është se rrallëherë kjo ndërhyrje shoqërohet me një pyetje të thjeshtë: pse e quani kështu vendin tuaj?
Në vend të kësaj, emri Arta interpretohet shpesh përmes paragjykimeve të gatshme, si një mënyrë e qëllimshme për të theksuar përkatësinë greke. Një lexim i tillë anashkalon faktin thelbësor se, për ne, Arta është emri i trashëguar i vetë vendit tonë. Pikërisht kjo ndërhyrje e vazhdueshme e bën të nevojshëm një sqarim të qetë dhe të argumentuar. Qëllimi nuk është të vihet në dyshim emri zyrtar që përdoret sot në administratën shqiptare, por të shpjegohet pse forma Arta nuk mund të trajtohet si pasaktësi historike ose gjuhësore.
Për ne, Arta është më shumë se një emërtim. Është fjala me të cilën e kemi dëgjuar vendin tonë në familje, në rrëfimet e të moshuarve dhe në bisedat për jetën, zakonet dhe traditat e të parëve tanë. Ajo është ruajtur në gjuhë, në përvojën ndërbreznore dhe në vetëdijen e njerëzve që e kanë njohur veten përmes saj. Në këtë kuptim, ky emër lidhet me atë që Smith-i (1999) e përshkruan si marrëdhënie ndërmjet traditave, kujtimeve kolektive dhe një atdheu të caktuar. Prandaj, para se dikush të nxitojë të na korrigjojë, ia vlen të ndalet për një çast dhe të pyesë se çfarë historie mbart kjo fjalë për ata që e përdorin.
Ky shkrim synon të ofrojë një vështrim të përmbledhur mbi mënyrën se si ne, njerëzit e këtij vendi dhe pasardhësit e tij, e kemi njohur, përdorur dhe trashëguar emrin Arta. Si emër i ruajtur në vetëdijen e komunitetit, ai lidhet me një përvojë të gjerë nartiote, të formuar përmes gjuhës, toponimisë, zakoneve, formave tradicionale të jetës dhe të punës, marrëdhënies me lagunën dhe vetëpërcaktimit Αρτνός/Αρτνιά (Artnos/Artnia). Për këtë arsye, kjo analizë e shkurtër ndalet në këto përmasa të jetës kulturore të komunitetit, si edhe në disa dëshmi historike, kishtare, hartografike dhe gjuhësore që tregojnë praninë e dokumentuar të emrit Arta.
Ka një numër të madh burimesh dhe materialesh hartografike që lidhen me historinë dhe emrin e Nartës. Në kuadrin e këtij shkrimi është e pamundur të paraqiten të gjitha, sepse një punë e tillë do të kërkonte një studim të veçantë, me shqyrtim të hollësishëm të dokumenteve dhe të kontekstit historik në të cilin ato janë hartuar. Duhet theksuar, gjithashtu, se kërkimi mbi burimet, historinë dhe emërtimet e vendit nuk fillon me këtë shkrim. Me këtë fushë janë marrë edhe autorë të lidhur drejtpërdrejt me Nartën, si Vasil Vido, në shkrimet dhe botimet e të cilit gjejmë një përpjekje të rëndësishme për mbledhjen dhe paraqitjen e materialeve historike për vendin. Vend të veçantë zë edhe akademiku Kristaq Andon Pata, autor i monografisë Arta: Arta e vjetër ose Narta në rrethin e Vlorës, origjina (2024), një studim i gjerë dhe i dokumentuar për historinë, prejardhjen dhe emërtimin e Nartës. Vetë titulli i kësaj monografie është domethënës, sepse vendos pranë njëra-tjetrës format Arta, Arta e vjetër dhe Narta, duke e paraqitur çështjen e emrit si objekt të veçantë historik dhe gjuhësor. Për këtë arsye, në vijim do të përmenden vetëm disa shembuj tregues, të cilët e vendosin përdorimin e emrit Arta në një kuadër më të gjerë historik, gjuhësor dhe dokumentar.
E trajtoj këtë çështje kryesisht nga një këndvështrim kulturor dhe gjuhësor, duke u mbështetur në një pozicion të dyfishtë: në përkatësinë time personale në këtë kulturë dhe në studimin e saj për një periudhë gati njëzetvjeçare. Si njeri i lindur brenda këtij mjedisi kulturor, e kam trashëguar atë përmes gjuhës, familjes, zakoneve dhe kujtimeve, duke e përjetuar si pjesë të identitetit tim. Në këtë kuptim, përvoja ime mund të lidhet me konceptimin e Erikson-it (1968) për identitetin si ndjenjë vazhdimësie të vetes në kohë, e ndërtuar përmes marrëdhënies së individit me përvojat, kujtimet dhe përkatësitë që e formojnë.
Gjatë kësaj periudhe kam mbledhur dëshmi, kujtime dhe materiale që lidhen me zakonet, traditat dhe jetën e këtij vendi. Një pjesë e tyre është përdorur në shkrime të mëparshme, ndërsa pjesa tjetër mbetet në zhvillim si pjesë e një pune kërkimore që synoj ta vazhdoj edhe në të ardhmen. Nga kjo pikëpamje, emri Arta përbën më shumë se një formë alternative të një toponimi. Ai lidhet me mënyrën se si një komunitet është rritur, është vetëpërcaktuar dhe ka folur për veten e tij në rrjedhën e kohës. Përdorimi i tij buron nga gjuha e përditshme, nga përvoja familjare dhe nga vazhdimësia komunitare, duke u shfaqur si pjesë e natyrshme e mënyrës me të cilën nartiotët kanë emërtuar vendin dhe veten e tyre. Në asnjë rast, ky përdorim nuk ka lindur si qëndrim politik apo si nevojë për kundërvënie.
Për të kuptuar pse emri Arta nuk është një zgjedhje e rastit, duhet parë më parë mjedisi gjuhësor ku ai është ruajtur. Në këtë kuadër, gjuha përbën një element themelor të vetëdijes kulturore nartiote. E folmja e Nartës së Vlorës paraqitet si një idiomë e veçantë e greqishtes së re, me karakter arkaik në leksik dhe me përkime me idiomat greke të Italisë së Jugut, të Ishujve Jonianë dhe të Epirit (Κυριαζής, 2012). Në Nartë, greqishtja ka funksionuar historikisht si gjuhë e parë e familjes dhe e komunitetit, përmes së cilës janë transmetuar përvoja ndërbreznore, praktikat kulturore dhe format e vetëpërcaktimit. Për shumë nartiotë, shqipja është përvetësuar më vonë, kryesisht nëpërmjet shkollimit fillor dhe pjesëmarrjes në jetën publike.
Kjo është edhe përvoja ime personale. Si pjesëtare e një brezi mbi të pesëdhjetat, shqipen e kam mësuar në shkollë, ndërsa gjuha e parë e mjedisit familjar ka qenë greqishtja e Nartës. Te brezat më të vjetër, sidomos te gjyshërit dhe gjyshet tona, njohja e shqipes ka qenë shpesh shumë e kufizuar ose ka munguar krejtësisht. Edhe gjatë periudhës komuniste, kur ndaj nartiotëve u ushtrua presion i konsiderueshëm për t’u shkëputur nga gjuha dhe kultura e trashëguar, kjo lidhje nuk u ndërpre. Në këtë mënyrë, gjuha u ruajt në jetën familjare dhe në marrëdhëniet e përditshme, duke mbetur një nga tiparet më dalluese të nartiotëve.
Kjo vetëdije gjuhësore nuk mbetet vetëm në fjalën e përditshme. Ajo shfaqet edhe në mënyrën se si komuniteti ka emërtuar hapësirën e vet. Emërtimet e hapësirës lokale, nga mikrotoponimia e arave dhe e burimeve deri te emrat e pikave të njohura të Nartës, janë ruajtur në greqisht dhe tregojnë se gjuha ka strukturuar mënyrën se si komuniteti e ka njohur, përshkruar dhe përdorur vendin e vet. Natyrisht, në të folmen tonë kanë ekzistuar edhe fjalë me prejardhje shqipe ose turke, siç ndodh zakonisht në komunitete që jetojnë në kontakte të gjata gjuhësore. Ajo që ka rëndësi është se këto fjalë u përshtatën në mënyrën tonë të të folurit dhe shpesh u integruan në sistemin lakimor të greqishtes lokale.
Krahas gjuhës dhe toponimisë, edhe jeta rituale dhe kulturore e nartiotëve e forcon këtë vazhdimësi. Zakonet e ciklit të jetës, ritet familjare e komunitare, veshja tradicionale e grave, këngët dhe jeta kishtare dëshmojnë një sistem kulturor të qëndrueshëm, të lidhur qartë me traditën greke. Këto elemente përbëjnë forma të organizuara të trashëgimisë përmes të cilave komuniteti ka ruajtur mënyrën e vet të jetesës, të besimit dhe të vetëpërcaktimit. Në kuptimin që Hall-i (1996) i jep identitetit kulturor si proces i ndërtuar përmes kodeve dhe kuptimeve të përbashkëta, Narta mund të kuptohet jo vetëm si një rast gjuhësor i veçantë, por si një bashkësi ku gjuha, tradita dhe vetëdija komunitare kanë funksionuar së bashku si shenja të vazhdimësisë kulturore.
Kjo vazhdimësi kulturore lidhet edhe me marrëdhënien konkrete të njerëzve me vendin. Për breza të tërë, laguna ka qenë një pjesë thelbësore e jetës nartiote. Peshkimi ka qenë një nga burimet kryesore të jetesës, pasi shumë familje siguronin ushqimin dhe të ardhurat e tyre nga kjo hapësirë ujore. Kjo lidhje e ngushtë me lagunën pasqyrohet edhe në përshkrimin e Patsch-it (1904) ku ajo përmendet si See von Arta, pra Liqeni i Artës. Kjo dëshmi e lidh emrin Arta me vetë hapësirën ujore që përcaktonte jetën, punën dhe kujtesën e vendit.
Krahas peshkimit, Narta është njohur gjerësisht në Shqipëri edhe për verën e saj të prodhuar nga rrushi Vlosh. Vreshtaria, ullishtat dhe prodhimi i vajit të ullirit kanë qenë pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe e jetës së përditshme të nartiotëve. Një vend të veçantë zinte edhe nxjerrja e kripës, një punë e vështirë dhe teknike, për të cilën nartiotët njiheshin si mjeshtër të zotë. Pikërisht kjo traditë pune lidhet edhe me ekzistencën e kriporeve, të cilat dëshmojnë rolin e kripës në historinë ekonomike dhe shoqërore të vendit (Pata, 2024).
Brenda kësaj historie duhet vendosur edhe përvoja e bashkëjetesës me shqiptarët, si pjesë reale e jetës së përditshme nartiote. Nartiotët kanë bashkëjetuar për shumë kohë me shqiptarët në punë, në marrëdhënie fqinjësie dhe në jetën publike. Kjo bashkëjetesë është pjesë e përvojës sonë. Njëkohësisht, shumë prej nesh kanë përjetuar edhe përqeshje, qortime ose presion për shkak të gjuhës greke, të besimit të krishterë dhe të veshjes tradicionale të grave nartiote, e cila ruhet ende nga disa gra të moshuara. Këto përvoja nuk i përmend për të hapur ndarje, por për të shpjeguar pse çështjet e gjuhës, trashëgimisë, besimit dhe vetëpërcaktimit prekin kaq thellë njerëzit tanë.
Çështja e emrit lidhet edhe me mënyrën se si paraqitet sot vetë komuniteti nartiot. Në një ndërhyrje parlamentare të ditëve të fundit, Narta u përmend në një mënyrë që, sipas meje, kërkon sqarim, sidomos sa i përket pranisë historike të komunitetit greqishtfolës në vendin e vet. Një formulim që e trajton këtë prani si realitet të së kaluarës ose si prani pakice nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh ndryshimet demografike pas vitit 1990. Deri në fund të periudhës komuniste, Narta paraqitej si një qendër e gjallë me peshë të dukshme demografike në zonë. Në dokumentarin Vlora e viteve ’80 të RTSH-së, në pjesën kushtuar Nartës, përmendet se vendbanimi numëronte atëherë rreth 6.300 banorë (Radio Televizioni Shqiptar, 2026, 27:41 – 29:12). Më pas, shumë familje nartiote u larguan, ndërsa në vend u vendosën edhe disa familje shqiptare, kryesisht në shtëpi të nartiotëve që u shitën pas largimit të tyre. Kjo prani është pjesë e një bashkëjetese që duhet respektuar, por nuk mund të përdoret si argument për të zbehur karakterin historik greqishtfolës të komunitetit nartiot dhe lidhjen e tij me emrin e trashëguar të vendit.
Pasi u paraqit përmasa e përvojës së trashëguar, çështja e emrit mund të shihet edhe në raport me dokumentimin historik. Prania e formës Arta në burime të ndryshme tregon se ky emërtim ka qarkulluar në periudha dhe kontekste të ndryshme (Pata, 2024). Në të njëjtën kohë, përvoja e komunitetit mbetet thelbësore, sepse, siç sugjeron Anderson-i (1991), bashkësitë formojnë ndjenjën e përkatësisë edhe përmes mënyrës se si e përfytyrojnë veten dhe e transmetojnë këtë përfytyrim nga një brez te tjetri. Në këtë kuptim, emri Arta lidhet si me dokumentimin historik, ashtu edhe me kujtesën gojore të nartiotëve.
Në nivelin e dëshmive të drejtpërdrejta, mund të përmenden disa shembuj tregues. Një burim i shekullit XIX e regjistron vendbanimin si Palaia Arta, pra si Arta e Vjetër, duke e vendosur këtë emër brenda një tradite më të hershme historike të përshkrimit të vendit (Αραβαντινός, 1856). Po kështu, rëndësi të veçantë kanë edhe dëshmitë hartografike, sidomos kur lexohen brenda kontekstit historik të kohës në të cilën janë hartuar. Pata (2024), në trajtimin e tij për emërtimet Arta, Arta e Vjetër dhe Narta/Narda, paraqet ndër të tjera një hartë të Shqipërisë mesjetare, ku zona shënohet me emrin Arta. Sipas tij, forma Narta ose Narda është një emërtim i mëvonshëm, i lidhur me periudhën osmane, ndërsa Arta ose Arta e Vjetër përfaqëson një emërtim më të hershëm të vendbanimit. Në këtë kuadër mund të lexohet edhe harta austro-hungareze Valona 37-40 e vitit 1904, e botuar në fund të periudhës osmane dhe pjesë e serisë Generalkarte von Mitteleuropa, ku vendbanimi shënohet si Arta (Narda) (Austrian Military Geographical Institute, 1904). Vetë mënyra e shënimit është domethënëse, sepse forma Arta vendoset në plan të parë, ndërsa Narda jepet në kllapa si formë shoqëruese. Kështu, harta e vitit 1904 nuk dëshmon vetëm bashkëpraninë e dy formave, por edhe qëndrueshmërinë e emrit Arta në një burim hartografik zyrtar të fillimit të shekullit XX.
Një tjetër dëshmi e rëndësishme vjen nga Patsch-i, i cili e vizitoi Artën gjatë një udhëtimi në zonë në vitin 1900. Në përshkrimin e botuar më 1904, ai i kushton Artës një pjesë të veçantë, e paraqet si enklavë greke dhe përmend, ndër të tjera, dy kishat dhe shkollën me rreth tetëdhjetë nxënës (Patsch, 1904). Po ashtu, në librin e Mitropolitit Anthim D. Aleksudhi, emri shfaqet në titullin “Αυλώνος, Άρτης και των πέριξ” (Avlonës, Artës dhe viseve përreth), ku forma Άρτης (Artis) është rasa gjinore e emrit Άρτα (Arta). Kjo dëshmi e vendos emrin brenda një përshkrimi kishtar dhe gjeografik të zonës, duke treguar se ai përdorej edhe në burime të shkruara të shekullit XIX (Αλεξούδης, 1868). Në një raport të Konsullatës Greke të Vlorës drejtuar Ministrisë së Jashtme, më 9 maj 1903, vendi përmendet qartë si Άρτα dhe përshkruhet si vendbanim ortodoks e greqishtfolës, me dy kisha dhe shkollë (Κόντης, 1995). Të marra së bashku, këto dëshmi e vendosin emrin Arta në një horizont më të gjerë historik, përtej përdorimit të brendshëm të komunitetit.
Nga këndvështrimi im, pas përfundimit të periudhës komuniste do të kishte qenë e rëndësishme që komuniteti ynë të kërkonte edhe njohjen zyrtare të formës Arta, në mënyrë që emërtimi publik i vendit të pasqyronte më qartë vetëpërcaktimin historik dhe gjuhësor të njerëzve të tij. Ndryshimet e emrave të vendeve nuk janë të panjohura në histori. Ato ndodhin kur shoqëritë rishikojnë marrëdhënien e tyre me të kaluarën, me identitetin lokal dhe me trashëgiminë kulturore. Një diskutim i tillë nuk do të kishte synuar të fshinte realitetin administrativ ekzistues, por të njihte një emër dhe një vetëpërcaktim me prani të dokumentuar në gjuhë, në traditë dhe në burime historike.
Në përfundim, emri Arta nuk kërkon të zëvendësojë realitetin administrativ të sotëm. Ai kujton se emërtimet e vendeve shpesh mbartin përvoja që nuk përfshihen gjithmonë në përdorimin zyrtar. Në rastin e Nartës, kjo formë ruan gjurmën e një marrëdhënieje të gjatë midis njerëzve, gjuhës dhe vendit. Për këtë arsye, para se dikush të nxitojë ta korrigjojë, ia vlen të ndalet dhe ta dëgjojë si dëshmi të një historie të jetuar, të përcjellë dhe të mbajtur mbi të gjitha me dinjitet.
(c) 2026 Aourela Vintou. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë: Anesti Diamanti, Peshkim me rrjetë hedhëse në Lagunën e Nartës, 2021. Përdorur me lejen e autorit.
Bibliografia
Anderson, B. (1991). Imagined communities: Reflections on the origin and spread of nationalism (Rev. ed.). Verso.
Austrian Military Geographical Institute. (1904). 37-40 Valona (Vlona) [Map]. In Austrian Military Generalkarte of Central Europe (Scale 1:200,000). British School at Athens Digital Collections.
Erikson, E. H. (1968). Identity: Youth and crisis. W. W. Norton.
Hall, S. (1996). Introduction: Who needs “identity”? In S. Hall & P. du Gay (Eds.), Questions of cultural identity (pp. 1–17). Sage.
Pata, K. A. (2024). Arta: Arta e vjetër ose Narta në rrethin e Vlorës, origjina. Edlora.
Patsch, C. (1904). Das Sandschak Berat in Albanien: Eine historisch-geographische Beschreibung mit besonderer Berücksichtigung der Denkmäler aus römischer Zeit. Alfred Hölder.
Radio Televizioni Shqiptar. (2026, 14 maj). Vlora e viteve ’80 | Cikli i dokumentarëve “Udhëtim nëpër Shqipëri” [Video]. YouTube. https://www.youtube.com/watch?v=v0Cl32DYqOU
Smith, A. D. (1999). Myths and memories of the nation. Oxford University Press.
Αλεξούδης, Α. Δ. (1868). Σύντομος ιστορική περιγραφή της Ιεράς Μητροπόλεως Βελεγράδων και της υπό την πνευματικήν αυτής δικαιοδοσίαν υπαγομένης χώρας. Τυπογραφείον «Η Ιωνία» Αδελφών Κάων.
Αραβαντινός, Π. (1856). Χρονογραφία της Ηπείρου των τε όμορων ελληνικών και ιλλυρικών χωρών (Τόμ. 2). Εκ του Τυπογραφείου Σ. Κ. Βλαστού.
Κόντης, Β. (1995). Ελληνισμός της Βορείου Ηπείρου και ελληνοαλβανικές σχέσεις: Έγγραφα από το ιστορικό αρχείο του Υπουργείου Εξωτερικών (Τόμ. 1). Βιβλιοπωλείον της «Εστίας».
Κυριαζής, Δ. Κ. (2012). Το ελληνικό γλωσσικό ιδίωμα της Άρτας Αυλώνα. In Z. Gavriilidou, A. Efthymiou, E. Thomadaki, & P. Kambakis-Vougiouklis (Eds.), Selected papers of the 10th International Conference of Greek Linguistics (pp. 890–898). Democritus University of Thrace.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.