Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Muzikë

TË VRASËSH ME MUZIKË

Në këngën XXI të Odisesë, teksa heroi nis ta bëjë gati me kujdes harkun e vet madhështor, Homeri ia krahason gjestet me ato të një mjeshtri muzikant që akordon lirën.

Odiseu, thotë Homeri, e rrotulloi harkun në duar, duke e testuar nga njëri skaj në tjetrin… Pastaj, me lehtësi, njëlloj si muzikanti i lirës shtrëngon një tel të ri rreth një kunje të drunjtë, duke e tendosur zorrën e përdredhur në të dy anët, Odiseu “i ra” harkut të madh. Duke e marrë në dorën e djathtë, e pickoi kordën dhe e bëri t’i këndojë ëmbël prekjes së tij, aq kthjellët sa cicërima e një dallëndysheje…

Komentuesit e këtij pasazhi kanë pikasur aty ikonografinë duale të Apollonit, si perëndi edhe e harkëtarisë (hekebolos) edhe e muzikës/poezisë (kitharodos). “Akordimi” i harkut në poemë ndodh ditën festive të Apollonit. Duke e paraqitur harkun vrastar të Odiseut si vegël muzikore, Homeri e paralajmëron masakrën hakmarrëse të heroit të vet si pjesë të rendit hyjnor dhe harmonisë apolloniane.

Në të njëjtën kohë, Odiseu i përhihet dëgjuesit a lexuesit si aoidos (këngëtar epik), që krijon rregullsi në kujtesën epike, në mënyrë të ngjashme me një hero luftëtar. Ai mund të mos jetë mirëfilli artist dhe këngëtar, por fuqia e tij i ka rrënjët edhe te zotësia hyjnore (technē) e cila e dallon nga brutaliteti i heronjve të Iliadës.

Në 1899, antropologu Henry Balfour botoi monografinë “The Natural History of the Musical Bow”, ku argumentoi se harku i harkëtarit – si armë e gjahtarit dhe e luftëtarit – pat shërbyer si prototip i familjes së madhe të veglave muzikore me tela.

Hipoteza e Balfour-it tingëllon intuitive – nuk ka harkëtar që të mos e ketë dëgjuar tingullin që lëshon korda elastike e armës së tij, kur shtrëngohet ose pickohet. Nga ana tjetër, shumë vegla muzikore primitive kanë vetëm një tel, i cili tendoset përgjatë një rezonatori të jashtëm.

Por shumë studiues bashkëkohorë e këqyrin këtë hipotezë me dyshim, si simpliste, duke e parë ngjashmërinë strukturore dhe mekanike mes harkut të harkëtarit dhe veglës muzikore me tela më shumë si produkt të një konvergjence përndryshe komplekse.

Edhe një hipotezë e përkundërt – se harku i gjahtarit dhe i luftëtarit e ka prejardhjen nga një vegël muzikore me tel – nuk mund të hidhet poshtë a priori. Një zorrë bagëtie a fibër bimore e tendosur mund të ketë përftuar më parë tingullin, dhe më pas të jetë adoptuar për të vrarë.

Tek e fundit, harku i harkëtarit mund të luhet drejtpërdrejt, si vegël muzikore, duke ia pickuar ose goditur kordën; por ka gjithnjë nevojë për shigjetën, që të shndërrohet në armë.

Të ketë qenë vallë muzikant njeriu i parë që e tendosi fort kordën e instrumentit të vet, vendosi atje thuprën me të cilën i binte, dhe pastaj i lëshoi gishtat që e mbanin thuprën, për ta parë këtë të fluturonte e të ngulej te një trung peme përtej?

Në fakt, sa herë që shoh një harpë në një sallë koncerti, imazhi i parë që më vjen në mendje është ai i Odiseut të Bekim Fehmiut, që e bën gati harkun e vet madhështor për sprovën e sëpatave dhe betejën që do të vijë më pas.

Ose e kundërta: vargjet e Homerit, që parafrazova më lart, i përshtaten edhe harpës; një instrumenti që mund ta përfytyrojmë si harkun e Apollonit në shtatë a dymbëdhjetë përmasa.

Brenda sferës narrative të poemave shfaqen shpesh aedët – Demodoku është njëri prej tyre, mysafir në oborrin e mbretit feakas, Alkinout, Femiusi ishte një tjetër aed, që dëfrente me këngët e veta pretendentët e Penelopës; të cilët këndojnë për bëmat e heronjve dhe i përcjellin ato në hapësirë dhe në kohë.

Femiusi ishte një nga të paktët “mysafirë” në banket, që shpëtoi gjallë – i ra Odiseut në gjunjë dhe iu lut për mëshirë, duke i thënë: “unë e kam mësuar vetë artin tim, dhe një zot ka mbjellë gjithfarë këngësh në zemrën time”; ashtu, vetë eposi, përfshi këtu edhe eposin homerik, rezulton po aq hyjnor dhe i pashmangshëm sa edhe përmbajtja e tij, me heronjtë dhe betejat, aventurat dhe dilemat e tyre.

Ironikisht, pasi ia fali jetën Femiusit, Odiseu e urdhëroi që të këndonte këngë dasme, me zë të lartë, për të maskuar britmat dhe klithmat e masakrës që do të kryente mes pretendentëve; ashtu, familjet e këtyre nuk do të merrnin vesh në kohë, se po ua thernin djemtë, që ishin ajka e rinisë itakase.

Pretendentët që prisnin prej muajsh që Penelopa të vendoste, më në fund, për t’u martuar me njërin prej tyre, përfundojnë të gjithë të vrarë nën kolonën zanore me këngë dasme.

Ku mbaron muzika dhe ku fillon masakra?

Ndonjë studiues ka vërejtur se Homerit i pëlqen që ta mjegullojë qëllimisht dallimin mes personazheve heronj e luftëtarë, dhe profesionit të tij si rrëfyes i atyre personazheve dhe bard.

Kjo mbase shpjegon, nga pikëpamja e dinamikës narrative, pse bardit Femius i falet jeta: pa u rrëfyer në këngë, bëmat e heronjve do të harrohen. Kësisoj, bardi paraqitet si kujdestari i kujtesës kolektive, si vegël e riprodhimit të qytetërimit.

Mbi këtë premisë, merr kuptim më të thellë hipoteza – sado lojcake – se vegla muzikore me tela i ka paraprirë harkut të gjahtarit dhe të luftëtarit; e sotmja mund të jetë vërtet efekt anësor i luftërave të djeshme, por gjithçka dimë për këto të fundit na i ka përcjellë “kënga”.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading