Fatos A. Kopliku
Shprehja “është ekonomia, mor budalla” (“it’s the economy, stupid”), siç e thamë në shkrimin e mëparshëm,[1] ishte një nga parullat kryesore të fushatës elektorale të Bill Klintonit në vitin 1992. Zanafilla e kësaj ideje mund të gjurmohet tek rrethi i ekonomistëve skocezë në shekullin XVIII, me në krye Adam Smith-in, dhe sipas saj, ekonomia është faktori vendimtar në çdo shoqëri njerëzore. Nuk do të merremi me meritat e mangësitë e idesë vetë, por mjafton të thuhet se ishte një ide e pashembullt në mendimin europian, e më gjerë, dhe mbetet ende një nga më ndikueset. Në linjë me këtë ide, argumentohet se zhvillimi apo investimi çon në punësim, rritje ekonomike e të ardhurash… të cilat përfundimisht na bëjnë më të lumtur. Ndërsa do të ishte naive të shpërfillnim anën financiare në jetën individuale e shoqërore, ajo nuk është doemos parakusht për lumturinë, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Gjithashtu, rritja e investimeve nuk do të thotë automatikisht mirëqenie financiare për popullatën. Madje, shpesh, suksesi financiar mund të shndërrohet në një garë të paepur, me pasoja të padëshirueshme si për “fitimtarët”, ashtu edhe për të “humburit”.
Për shembull, disa nga qytetet më të mëdha në SHBA, si New York-u apo Washington-i, janë qendra me burime marramendëse financiare dhe në të njëjtën kohë kanë numrin më të madh të të pastrehëve nëpër rrugë, pa përmendur një numër shumë më të madh që mbijetojnë vetëm duke punuar në dy a më shumë punë.[2] Në pamje të parë, duket si një paradoks, pasi këto investime e të ardhura nuk prekin e përmirësojnë jetën e një pjese të madhe të shoqërisë. Për fat të keq, nuk është risi.
Në vitin 1885, një nga prijësit më karizmatikë të indianëve të Amerikës, Sitting Bull (Demi që rri ulur, v. 1890), pati rastin të vizitonte qytetet më të mëdha e të kamura të SHBA-së në atë kohë. Mes të tjerave, atij i bëri përshtypje madhësia e qyteteve, si edhe numri i madh i njerëzve në to. Njëkohësisht, ai u trondit nga skamja e varfëria që pa në rrugë, nga lypësit, të pastrehët, përfshirë fëmijë, aq sa ia dhuroi të gjithë të ardhurat e tij të pastrehëve që takoi. Ai nuk mund ta kuptonte si njerëzit mund të shpërfillnin njëri tjetrin në këtë mënyrë.[3] I kujtojmë lexuesit se, para se të detyroheshin të jetonin në rezervate nga qeveria amerikane, skamja e lypja ishin të panjohura për indianët e Amerikës.
“Gojëtaria e indianëve të Amerikës është e shquar,” vëren Bob Blaisdell, “për mënyrën e saj të drejtpërdrejtë, metaforat dhe figurat e gjalla, për rrokjen e thelbit të botëve që përplasen.”[4] Komenti nga Sitting Bull është një prej shembujve spikatës të kësaj tradite. Sipas tij, çështja nuk ishte mungesa e burimeve financiare, por çfarë bënin ata që kishin në dorë këto burime e pasuri. Ai shprehet:
Dashuria për mall e pronë është një sëmundje ndër ta. Këta njerëz kanë vënë shumë rregulla që të pasurit mund t’i shkelin, por të varfrit jo. Kanë një fé ku të varfrit adhurojnë, por të pasurit jo. Madje, ata marrin taksë nga të varfrit për të përkrahur të pasurit dhe ata që sundojnë. Ata thojnë se nëna e jonë, toka, është për shfrytëzim prej tyre, dhe komshisë i vënë gardh […] Nëse Amerika do të ishte dy herë më e madhe, për ta prapë nuk do të mjaftonte.[5]
Sipas vëzhgimit nga Sitting Bull, që është më se i vlefshëm edhe sot, çështja qëndron te një e metë thelbësore e njeriut, gjegjësisht pangopësia për pronë e pushtet, por këtë herë e ngritur në rang institucional e shtetëror dhe e mbrojtur prej tij. Ai nuk e sheh këtë soj pasurimi si diçka të mirë as për ata që kamen në këtë mënyrë; për të kjo është “sëmundje”. Përveç se prijës luftarak, Sitting Bull ishte edhe një nga liderët shpirtërorë më të njohur të indianëve të Amerikës. Prandaj, nuk është e papritur që “sëmundja” që ai përmend sjell ndërmend thënie të ngjashme nga tradita të tjera shpirtërore: “nëse biri i Ademit do të kishte një luginë me ar, do të dëshironte një të dytë, e nëse do i jepej një luginë e dytë, do të dëshironte një të tretë,” thotë profeti i Islamit;[6] kjo është pikërisht “sëmundja” për të cilën Krishti thotë, “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?” (Marku 8:36).
Paaftësia e njeriut modern për të kuptuar njerëz e popuj për të cilët faktori ekonomik nuk është vendimtar, është shoqëruar shpesh nga përbuzja dhe urrejtja për ta, dhe zakonisht ka përfunduar me nënshtrimin ose asgjësimin e këtyre të fundit; në mos fizik, doemos të kulturës dhe strukturës së tyre shoqërore.[7] Ndërkohë, nuk është çështje nostalgjie romantike për njerëz e popuj që s’janë më, apo për “barbarin fisnik” (noble savage) të sajuar nga sentimentaliteti moral viktorian e kontinental. Për shembull, në vitin 1996, Robert W. Soderstrom, pjesëtar i Korpusit Amerikan të Paqes në fshatin Maimafu të Guinesë së Re, thotë se një nga kuvendet ku mblidheshin vendasit për të rrëfyer histori – mënyra e tyre e preferuar për të kaluar kohën e lirë – u tregoi disa foto nga Çikago-ja. Njëri nga fshatarët pikasi në disa foto dy të pastrehë që po lypnin. Pa vonesë vëmendja e gjithë fshatit ishte tek të pastrehët dhe e bombarduan me pyetje për ta: Çfarë ishin këta njerëz? Pse duken aq të trishtuar e të mjeruar? Pse askush s’i vë re? Ai e ka tejet të vështirë tu shpjegojë se si mund të ketë të pastrehë rrëzë qiellgërvishtësve llamburitës, e si është e mundur për njerëzit që kalojnë përbri tyre të jenë indiferentë. Të nesërmen fshati u mblodh për të kuvenduar këtë çështje me seriozitetin më të madh dhe si përfundim vendosën t’i kërkojnë z. Soderstrom të kontaktojë qeverinë e tij, të sjellin dy të pastrehët në Maimafu. Ata kishin caktuar një truall ku do të ndërtonin nga një shtëpi për të secilin dhe kishin bërë gjithashtu një plan se si ata mund të punonin e të fitonin jetesën me dinjitet në fshatin e tyre. Kur iu tha se logjistika, burokracia dhe fondet e kufizuara ishin pengesa për këtë projekt, ata tundën kokën të zhgënjyer e të çuditur, përfundon Soderstrom.[8] A thua njerëz të tillë janë vërtet primitivë që kanë nevojë “të zhvillohen”, edhe pse [mendojmë ne] mund të mos jenë të vetëdijshëm për këtë? A jemi vërtet të vetëdijshëm për haraçin që njeriu duhet të paguajë për një “zhvillim” të tillë?
Të paktën në shikim të parë, këto analogji mund të duken të largëta, pasi shqiptarët nuk janë në pozita të ngjashme me ata të indianëve të Amerikës, apo indigjenët e Guinesë e Re. Por, parimisht, qëndrimi i kolonizatorëve “të qytetëruar” ndaj banorëve “të prapambetur” indigjenë nuk ndryshon nga ajo e reformatorëve – që nga Kina gjer në Shqipërinë komuniste[9] – të cilët morën përsipër të modernizonin me hir a pahir bashkatdhetarët e tyre për t’i nxjerrë nga moçali i injorancës e obskurantizmit. Në shoqëritë konsumatore, reformat marrin trajtë tjetër, jo kaq të drejtpërdrejtë, por jo më pak problematike.
Gjithashtu, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me temë tonë, është po i njëjti qëndrim që misionarët modernizues mbajnë ndaj natyrës së virgjër. Ashtu si “të qytetëruarit” e vetëshpallur ia njihnin vetes si barrë e detyrë të civilizonin “të prapambeturit” anembanë globit, – barra e njeriut të bardhë (white man’s burden), misioni qytetërues (mission civilisatrice) – ose si misionarët modernizues të krijonin “njeriun e ri” me anë të inxhinierive sociale nga popullata të ngecura në “zakone prapanike”, po ashtu edhe misionarët e vetemëruar të progresit e zhvillimit me çdo kusht kërkojnë të “zhvillojnë” natyrën e virgjër në mënyrë që ajo “të përmbushë potencialin”, shprehja që Ivanka Trump përdori për ishullin e pashfrytëzuar të Sazanit, të cilin e “zbuloi” kohët e fundit.[10]
Ka kohë që “Kushnerët albanezë”, siç shprehet Elsa Demo,[11] kanë zaptuar e shkatërruar qendra historike, kulturore, pyje, male, bregdete… falë një mungese të theksuar transparence nga qeveritë shqiptare, përherë të shoqëruara nga mjegulla e fjalëve plastike në gojët e shkrimet e ekspertëve përkrahës që justifikojnë këto “zhvillime”. Laguna e Nartës mbase ishte kafshatë tejet e madhe për tu gëlltitur thjesht duke ripërtypur fjalë plastike si “investim strategjik” apo “zhvillim i zonës”.[12] Nuk kanë munguar shqetësimet se me pezullimin e projekteve të tilla – Laguna e Nartës është vetëm njëri prej tyre – mund të humbasim një shans të pashembullt për zhvillim ekonomik. Edhe një fëmijë e kupton se një shoshë nuk mund të mbajë shumë ujë, sikur dhe një pus të zbrazet në të. Prandaj, edhe nëse shifrat marramendëse të investimeve në Nartë, e më tej, të jenë të vërteta, duhet të jemi jashtëzakonisht e heroikisht optimistë për të besuar se shosha e korrupsionit e mungesës së transparencës, për të cilat ka vite që qeveritë shqiptare, përfshirë të sotmen, akuzohen, do të mbajë investimet, që do të derdhen në të, për dobi të popullit.
Në median e botës anglisht-folëse, kur institucione financiare bëjnë veprime të padrejta e të paligjshme, jo rrallë ato përshkruhen me shprehjen “përvetësim strategjik fondesh” (strategic acquisition of funds). Por, në shqip, anglisht, apo në çdo gjuhë, kjo do të thotë shkurt, thjesht e qartë, “vjedhje”; “disa të vjedhin me alltí, disa të vjedhin me stilograf”, thotë kantautori amerikan Woody Guthrie.[13] Megjithatë, kur vjen puna te “ata që vjedhin me stilograf”, fjalori zbutet në mënyrë të papërgjegjshme, shpesh të qëllimshme, duke mjegulluar realitetin me eufemizma e shprehje çoroditëse.
Është vështirë të mos i bashkohesh njëzëri Poerksen-it kur u drejtohet politikanëve, biznesmenëve, administratorëve… me fjalët: “Mjaft me mesazhe që nuk kumtojnë ASGJË!”[14] Madje mund të shtojmë: mjaft me mesazhe që shërbejnë si maskë për ndërmarrje të paqarta, të paligjshme, të padrejta, të pamoralshme dhe shkatërruese! Mbase, sikur Sitting Bull të ishte dëshmitar i ngjarjeve në Shqipëri, të kësaj vere e dhjetëra të tjerave që kanë kaluar, do t’i shihte ato si përballje mes dy botëve, asaj të trashëgimtarëve të atyre që “nuk u mjaftojnë dy Amerika”, apo “dy lugina të arta”, dhe asaj të atyre që ende duan të ruajnë shpirtin, ndërgjegjen e vet.
Po sikur të kishte transparencë, kompetencë e ndershmëri në investimet e lartpërmendura, a do të duhej të lejohej shfrytëzimi i zonave të mbrojtura natyrore? Kjo do të jetë tema e shkrimit të ardhshëm.
(c) 2026 Fatos A. Kopliku. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
[1] Fatos A. Kopliku, Fjalët plastike (apo magjike?) dhe kahu i progresit, Peizazhe të Fjalës, 31 Gusht, 2026.
[2] https://usafacts.org/articles/which-states-have-the-highest-and-lowest-rates-of-homelessness/
[3] Për dekada me radhë, Sitting Bull udhëhoqi rezistencën e fiseve Lakota kundër ushtrisë së SHBA-së, fitimtar në shumë beteja, përfshirë atë të fushës së Little Bighorn (Dhisë së Vogël) në vitin 1876. Përfundimisht, në vitin 1881, ai u dorëzua me 20 luftëtarët e tij të fundit dhe u dërgua në rezervat. Pas katër vitesh ai u lejua të dilte nga rezervati dhe të ishte pjesë e trupës së kompanisë Wild West të Buffalo Bill-it, me të cilët nënshkroi një kontratë për $50 në javë në një kohë kur rroga mesatare vjetore në SHBA ishte $650. Për më hollësi, shih Dee Brown, Bury My Heart at Wounded Knee: An Indian History of the American West (Holt, 2007 [1970]).
[4] Great Speeches by Native Americans, ed. Bob Blaisdell (Dover pub., 2000), iv.
[5] Po aty, f. 166.
[6] Ṣaḥīḥ Bukhārī, 6438.
[7] “Ne që anglizojmë, amerikanizojmë, apo frëngizojmë, shtyhemi nga një inat që nuk e shohim dhe s’mund ta rrëfejmë. Ky inat është në fakt reagimi jonë ndaj një epërsie që e kemi mërí dhe dëshirojnë ta shkatërrojmë…” Kjo mërí është “e thellë dhe e pavetëdijshme” për shkak të qetësisë dhe kohës së lirë që e shohim tek popujt që i quajmë “të pazhvilluar”. The Essential Ananda K. Coomaraswamy, ed. Rama Coomaraswamy (World Wisdom, 2004) ff. 63, 65. Kjo është pjesë nga eseja ‘Gogoli i Alfabetizmit’, sjellë edhe në shqip te Peizazhet e Fjalës, 4 shkurt, 2025.
[8] Our village wanted to adopt America’s homeless, https://www.peacecorps.gov/connect/blog/our-village-wanted-to-adopt-americas-homeless/.
[9] Për shembull, ristrukturimi dhe modernizimi në Shqipëri, e në shumë vendje të tjera, nuk u bë me dëshirën e vendasve dhe kundërshtimi etiketohej si prapambetje, pa përmendur pasoja të tjera edhe më serioze. Ky modernizim pati si parakusht dobësimin, apo me raste edhe shkatërrimin, e mjeshtërisë së zejeve në qytete, si edhe marrëdhënien e fshatarit me tokën në fshatra, duke e shndërruar popullatën “e prapambetur” në punëtorë fabrikash e kooperativash. Një proletariat teknicienësh rrogëtarë, apo konsumatorë, siç ndeshet në Perëndim, mundëson përqendrimin e pashembullt të pushtetit. Sidoqoftë, si model ndeshet kudo që është përhapur pandemia e “progresit”.
[10] Për më hollësi shih Klejda Rrapaj, ‘Ishulli “privat” i Sazanit dhe çudi të tjera’, Peizazhe të Fjalës, 26 qershor, 2026.
[11] Elsa Demo, ‘Nga një shesh në tjetrin’, Peizazhe të Fjalës, 28 korrik, 2026.
[12] Edhe në rastin e lartpërmendur të vreshtave shekullore rreth Shtutgartit, gjermanët protestuan dhe refuzuan ndërtimin e një fabrike bërthamore në atë zonë, por nuk bënë zë kundër “projekteve” për “modernizimin” e vreshtave, gjë që në të vërtetë përfundoi në shkatërrimin e tyre.
[13] “Some will rob you with a six-gun, / And some with a fountain pen”, nga kënga ‘Pretty Boy Floyd’.
[14] Uwe Pöerksen, Plastic Words: The Tyranny of a Modular Language, trans. Jutta Mason, David Cayley (University Park, PA: Pennsylvania State University Press, 1995), xv.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.