Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI / Filozofi / Lexim / Lojëra / Media / Teknologji

THE GHOST IN THE TEXT

Nuk di nëse ju ka ndodhur që, si keni blerë – bie fjala – një makinë të re espresso-je dhe jenë vënë të lexoni manualin e përdorimit, të keni pyetur veten kush e ka shkruar këtë dokument. Manuali i përdorimit është tekst me rëndësi praktike – një gabim ose pamendje atje mund t’i kushtojë edhe përdoruesit të makinës, edhe e sidomos fabrikantit. Por nuk e kemi zakon të vrasim mendjen për autorin, sepse autori nuk ka arsye që të jetë i pranishëm në tekst: as si stil, as si subjekt narrativ, as si subjekt ligjërimor. Vështirë të ketë ndodhur që dikush të ketë vërejtur, ndonjëherë, që manualet e makinave Lavazza janë shkruar më mirë ose më bukur se manualet e makinave De Longhi a Mr. Coffee. Prej teksteve të tilla nuk presim gjë tjetër veç saktësisë, qartësisë, thjeshtësisë dhe transparencës.

E megjithatë, çdo technical writer që i lexon këto radhë mund të ma konfirmojë sa e koklavitur është që të hartosh një manual të tillë – dhe jo vetëm ngaqë atje nuk duhet të mungojë asgjë, por edhe ngaqë teksti duhet të jetë, për ta thënë me një shprehje të anglishtes, foolproof: i tillë që të kuptohet nga kushdo që di të lexojë dhe të vijë me udhëzime të qarta. Dhe sidomos, nuk duhet të kenë mbetur shenja të autorit në tekst, duke filluar nga shenjat elementare të subjektivitetit, si përemrat vetorë. Për të gjitha këto arsye, nuk do të habitesha sikur hartimi dhe verifikimi i manualeve të tilla t’u lihej gjithnjë e më gjerësisht në dorë LLM-ve, pa rrezikuar ndonjë krizë në marrëdhëniet e përdoruesit me makinën a veglën përkatëse.

Por nuk ndodh kështu me tekste të tjera non-fiction, që rreken të shtjellojnë një argument për të mirën e lexuesit. Këto tekste përcjellin jo vetëm një arsyetim, por edhe vullnetin a dëshirën e autorit për të bindur se arsyetimi është i saktë – lexuesit i lejohet kështu të supozojë se ka një subjektivitet aktiv që u nënvendoset fjalëve të tekstit, madje edhe kur nuk është dakord me arsyetimin ose premisat përkatëse. Me gjasë, kur lexuesi lajmërohet ose zbulon ai vetë, se një tekst i kësaj natyre që ka përpara është hartuar nga një LLM, e humbet interesin për t’u bindur. Fjalët mund të mbeten në letër, por që ato të funksionojnë, kanë nevojë për agjencinë, e cila nuk perceptohet më si e pranishme.

Në një ese të botuar tani së fundi në Quillette (Show Us the Prompts, paywalled), Maarten Boudry vëren se, që nga momenti që ai zbulon se një ese a tekst tjetër argumentues është hartuar nga një “makinë”, e humb sakaq interesin për të vazhduar. Sot po bëhet relativisht e lehtë, sidomos për tekste të shkruara në anglisht, që të zbulohet – me metoda probabilitare – nëse një ese apo artikull është gjeneruar nga një AI (një LLM); këto metoda e teknika (që i ofron, p.sh., Pangram) mund të mos vlejnë ende si prova juridike ose për ta vënë autorin para përgjegjësisë formale e profesionale, por mbeten të vlefshme për këdo thjesht kërkon të verifikojë autorësinë “humane” të një teksti specifik.

Si ndodh që shumë nga ne jemi gati të besojmë gjithçka që na thotë një manual i makinës espresso, edhe pse është gjeneruar nga një LLM, por fillojmë ta humbim interesin, për një ese ku argumentohet – të themi – korrelacioni mes ankthit hipokondriak se mos je sëmurë nga zemra dhe diagnozës së zemrës së sëmurë, me të marrë vesh se eseja nuk është hartuar nga një subjekt njerëzor; madje edhe sikur argumenti atje të mbështetet në të dhëna statistikore masive? Mundet që një manual përdorimi ta pranojmë vetvetiu si të pakundërshtueshëm; se rrallë do të ndodhë që një nga udhëzimet atje të çojë në rezultat të gabuar ose të padëshiruar; ose të jetë vënë në dyshim nga kritikët; ndërsa një artikull a ese që kërkon të argumentojë a të provojë një hipotezë ka nevojë gjithnjë të themelohet mbi mundësinë se ajo hipotezë mund edhe të jetë e gabuar (falsifiable).

Por efekti mbetet edhe kur teksti nuk ka natyrë shkencore, por i përket një editoriali politik në mediat; ndoshta ngaqë lexuesi nuk kërkon thjesht arsyet e një teze a hipoteze, por edhe ka nevojë të ndërtojë, në mendje, personazhin e një subjekti që kërkon ta bindë duke i dhënë këtij atribute intelektuale dhe morale, imagjinare por jo të pamundshme; dhe ky proces i sendërgjimit të subjektit ndërpritet, në momentin që marrim vesh se teksti nuk është i hartuar në mënyrë intencionale, por thjesht është gjeneruar sipas një modeli stokastik.

Për analogji, diçka e ngjashme ndodh kur ulemi të luajmë shah me një program të specializuar, për shembull me Stockfish; edhe thjesht me një app çfarëdo që shkarkojmë nga Google Play. E kemi vetë në dorë ta gradojmë “forcën” shahistike të “kundërshtarit” sipas nevojave; por gjithnjë duke e pasur të qartë se makina nuk luan ashtu siç luajmë ne – thjesht kalkulon lëvizjen optimale në një pozicion të caktuar. Nuk ka intencionalitet, nuk gëzohet kur fiton dhe as trishtohet a zemërohet kur humbet, nuk na përçmon a urren, por as i vjen keq për ne. Edhe njeriu që luan me një makinë si rregull nuk provon të njëjtat emocione që do t’i provonte po të luante me një subjekt njerëzor. Jo vetëm për shkak të mekanizmit psikologjik elementar të kompetitivitetit, dhe të lojës si një rimarrje simbolike të zënies a të betejës me një kundërshtar; por edhe për faktin tjetër, jo më pak të rëndësishëm, se kur luajmë me dikë edhe vetë prania e tij fizike është pjesë e eksperiencës së lojës; dhe na pëlqen që ta “përdorim” kundërshtarin edhe si publik të performancës sonë shahistike (për ta impresionuar me një lëvizje të bukur). Tek e fundit, shumë prej nesh e përjetojmë një lojë shahu në mënyrë narrative: unë do të bëj gati dy ushtarë për të sulmuar në krahun e mbretit dhe, në momentin e duhur, do të kërcënoj me kalë për t’i hapur rrugën damës… etj.; në një kohë që ai (kundërshtari) po përpiqet për kundërlojë duke m’i marrë në pyetje ushtarët e avancuar në qendër… etj. Për lojtarin njerëzor, fundi simbolik i lojës, ose mati, është evend narrativ, “vdekja” e mbretit; ndërsa për makinën thjesht fundi i panegociueshëm i një stringe probabilitare. Një lojë shahu, në analizë të fundit, edhe mund të rrëfehet; por këtë nuk ia kërkojmë dot motorit shahistik, i cili e “lexon” lojën jo si rrëfim (narrativë), por si aktualizim algoritmesh dhe rregullash. Në çdo rast, edhe unë luaj ndonjëherë shah në telefon, por kjo nuk më jep kënaqësi (edhe pse dikur më jepte[1]); ndoshta ngaqë tani vlerësoj më shumë aspektin socializues dhe estetik të lojës, ndaj atij mirëfilli intelektual.

Çdo lloj komunikimi është njëherazi edhe dialog, por masa e këtij dialogu ndryshon sipas temës dhe kontekstit. Tabela që të del përpara kur ti ecën, me emrin e rrugës, nuk ka ndonjë merak që të hyjë në dialog me ty dhe as pret prej teje ndonjë replikë: synimi i saj, nëse mund të shprehem kështu, është të informojë. Përkundrazi, një tabelë që lajmëron se “Ndalohet hyrja e personave të paautorizuar” pret prej teje që t’i kushtosh vëmendje dhe të bindesh – por jo që të hysh me të në diskutim dhe as që t’ia vësh në dyshim autoritetin (ilokutiv). Një tregim (fiction) dhe rrëfen diçka, me kusht që ti të hysh në marrëveshje me të dhe t’i pranosh kushtet e komunikimit narrativ – për shembull, duke mos e marrë si diçka që ka ndodhur “vërtet”. Dhe nga kjo pikëpamje, një ese argumentuese (“non-fiction”) që kërkon të paraqitë një këndvështrim a të parashtrojë një hipotezë, kërkon angazhimin tënd dialogjik; për të funksionuar, ka nevojë që ti ose të pajtohesh me të, ose ta refuzosh. Kjo nuk përjashton që, bie fjala, një tekst të Freud-it nga “Pesë psikanalizat” ta lexosh dhe ta shijosh si të ishte roman; por kjo thjesht nuk ka qenë pjesë e “synimit” të tekstit. Njëlloj, ka shumë njerëz që e lexojnë Biblën si të ishte thjesht vepër artistike, duke kërkuar prej tekstit një efekt estetik; por ky do të ishte më shumë “përdorim”, se lexim i shkrimeve të shenjta.

Eseja non-fiction nuk funksionon, pra, pa sigurinë e lexuesit se është hartuar nga një autor “human”, tek i cili mendja arsyetuese bashkëpunon me vullnetin për ta bindur tjetrin dhe pasionin mirëfilli intelektual; dhe këtu dallon edhe nga forma të tjera të shtjellimit të një argumenti, siç do të ishte prova matematike – të cilën unë do ta pranoja edhe po të ma sillte për gjykim një LLM (por këtë e them si jo-matematikan). Mbase edhe kultura, e së cilës jemi pjesë, na ka kushtëzuar që përpjekjen për bindje të mos e ndajmë dot nga vullneti dhe subjektiviteti i kujt e bën. Edhe parullat dhe pllakatet në muret dhe fasadat e qytetërimit totalitar, të llojit “Lavdi PPSH”, ose – alternativisht – reklamat gjigante në Times Square, shprehin vullnetin e një subjekti kolektiv – që mund të jetë shteti ose kapitali – dhe që gjithnjë energjizohet nga një dëshirë. Vetëm në momentin e tanishëm, me përhapjen dhe shumëfishimin e teksteve të hartuara nga një makinë, na duhet të përcaktojmë dhe të vendosim se ç’të bëjmë me to; të bëjmë një marrëveshje të heshtur me arsyen perceptive dhe t’i marrim sikur janë edhe ato produkt i mendjes dhe vullnetit subjektiv; apo t’i trajtojmë si fillers, tekste që kanë lindur të vdekura, kombinime fjalësh që vetëm sa replikojnë, në mënyrë statistikore (stokastike) kombinime të mëparshme, produkte të një shprese mekanike se te vetëdija (kritike) mund të arrihet edhe nga poshtë lart, ose me rrugë inkrementale.

Antropologët kanë përshkruar dukurinë e njohur si kult i kargove (cargo cult), që u shfaq në ishujt e Paqësorit, në shekujt XIX-XX, kur popullsitë vendëse u orvatën të replikojnë furnizimet masive me të mira materiale që u vinin ushtrive të huaja zakonisht nga ajri, duke imituar disa shenja të jashtme, për shembull duke ndërtuar pista për avionë fiktivë ose radio prej druri; ose duke organizuar marshime dhe stërvitje “ushtarake” po aq fiktive. Për mua edhe shpresa e tanishme se inteligjenca artificiale mund të arrijë vetëdijen dhe intencionalitetin nëpërmjet mekanizmit të LLM-ve (në masë të madhe stokastik) është një lloj kulti kargosh, i themeluar mbi idenë se replikimi i produkteve gjuhësore të mendjes do ta përftojë vetvetiu dhe herët a vonë mendjen, që nga momenti kur të jetë praktikisht e pamundur të dallohet nëse prapa këtyre produkteve ka apo jo një subjekt intencional. Vështirësia që kemi, sot e kësaj dite, për t’i marrë seriozisht përpjekjet e AI-ve për të arsyetuar mirëfilli sugjeron, megjithatë, se vetëdija nuk është, dhe as mund të jetë, epifenomen i inteligjencës.

(c) 2026 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Kam kaluar kaq e kaq orë, dikur në Itali, duke luajtur me një tabelë elektronike “Mephisto”, që aso kohe shihej si risi në tregun e lojërave.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading