Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim / Libri Shqip / Urbanistikë

LIBRA NË RRUGË

A kanë të drejta librat? Këtë pyetje ia bëj ndonjëherë vetes, kur i shoh vëllimet të radhitura në raft – të librarisë a të bibliotekës – teksa rrekem të marr me mend arsyen e radhitjes: alfabetike, tematike, sipas përmasave a sipas çmimit.

Nga të gjithë vendet ku ekspozohen librat, rruga vepron si barazuesja supreme – pavarësisht nga nëse këta janë të vendosur në një tezgë apo shtrirë drejtpërdrejt në trotuar a në beton. Dinamika e një vendi publik, ku dikush shet, dikush tjetër blen, dhe malli zë vend mes të dyve, është nga më të vjetrat e qytetit.

Libri që shitet në rrugë, në Tiranë, vjen nga burime të ndryshme: stoqe librash nga magazinat e fjetura të shtëpive botuese, libra të skartuar nga bibliotekat, libra të nxjerrë nga rrënojat e bibliotekave private dhe rrëzimit të patriarkëve. Libra të gjetur, të rikuperuar, të shpëtuar nga një zjarr a përmbytje, të lënë pas nga ushtritë, botime pirate dhe fotostatike, libra në gjuhë të huaj që i kanë rënë ndonjë kamioni në autostradë, libra të harruar nga turistët në motele, libra të hequr qafe nga njerëz që duan ta fillojnë jetën nga e para, mbetje të mykura falimentimesh, përmbarimesh, investimesh të dështuara dhe ambiciesh të shuara, libra të dhuruar me dedikim kaligrafik, trashëgimi e harruar bibliofikësh, libra që shënojnë funde të trishtuara dinastish a fillimesh të mbetura në tentativë.

Libërshitësi, që ti me siguri e njeh, nëse ke qëndruar aty shpesh duke shëtitur sytë në titujt, me shpresë se mos e bësh më në fund zbulimin që nuk e bëre dot në librari; libërshitësi, pra, di gjithnjë diçka më tepër. Librat vërtet nuk i shkruan dot, por mund t’i (ri)kontekstualizojë duke i vënë në shoqëri librash të tjerë , gjithnjë në emër të asaj barazie që sjell rruga dhe që nuk ka të bëjë fare me çmimin, as me paranë dhe as me tregun; por me atë që librat që ai ofron janë, në thelb, mbetje kulturore, skrap; madje edhe kur fshehin në radhët dhe në pirgjet e tyre tituj të rrallë, të vyer, të kërkuar, të lakmuar. Ndryshe nga shitësi në librari, ky i rrugës mbase përnjëmend kërkon t’i shpëtojë librat nga vdekja, të paktën nga varrosja.

Një mik imi dhe i librit (Gent H.) më dërgoi nga Tirana një foto që kish shkrepur, të ca radhëve me libra të ekspozuara me kujdes, si porcelane në xham, bri një leheje të gjelbëruar. Në krye të këtyre nusëronte Mein Kampf i Adolf Hitlerit, me titullin të lënë në gjermanisht në fontin (pseudo)fraktur – që ishte i preferuari i nazistëve, mbititullin kobndjellës, “Vëllimi 1”, që garantonte vijueshmërinë; dhe foton e autorit në kopertinë, informacion vizual për të gjithë mendje-ngadaltët. U pat diskutuar, vite më parë, nëse duhej botuar ky libër në shqip; që tani ka përfunduar në tezga, më tregon edhe rezultatin si afatshkurtër, si afatgjatë, të atij diskutimi.

Por më shumë se titulli hitlerian syrin ma vrau pranëvënia me ditarin e Anne Frank-ut; pranëvënie që duhej ta kish përjashtuar vetë historia, sikurse edhe duhej ta kish imponuar njëfarësoj historia: mizoritë hitleriane u bënë shkas një që vajzë e vogël ta kalonte jetën e mbyllur në një kthinë sekrete të zyrave të biznesit familjar, për t’iu fshehur deportimit dhe vdekjes; por ajo mbyllje, ai asfiksim i dritës, u bënë pastaj shkas për ditarin. Në një kuptim, njëri libër e shkaktoi tjetrin. Libërshitësi mbase pat kërkuar të mbajë edhe ai qëndrim, duke i vënë këta libra bri njëri tjetrit, ose kushedi duke shpresuar se kush ka interes për Hitlerin do të ketë interes edhe për Anne Frank-un dhe vice versa; duke përfshirë te kjo hipotezë marketingu edhe veprën e Agron Dalipajt kushtuar “gjuhës kozmike”.

Por, pavarësisht nga pedagogjia e mundshme e libërshitësit, ka diçka fyese, të papranueshme, te kjo pranëvënie e gatshme për t’u shndërruar sakaq në kundërvënie; viktima dhe xhelati sup më sup, për të ushqyer kureshtjen e syrit, duke plotësuar moralin e një katastrofe historike, nga e cila njerëzimi ende nuk e ka marrë veten. Dhe këtu mendoj se ky sulm kaq falas ndaj decencës qytetare i ka rrënjët te vetë barazia e tregut, e cila e redukton gjithçka në shifra; dhe më përhihet një tregim të Borges-it, “Teologët”, ku rrëfehet për dy teologë kundërshtarë për vdekje të njëri-tjetrit, aq sa njëri prej tyre, Aureliani, e kallëzoi rivalin e vet Gjonin nga Panonia si heretik, një akuzë pas së cilës Gjoni përfundoi i djegur në turrën e druve; por pastaj edhe Aureliani vdiq në një zjarr në pyll – zjarr për zjarr – dhe Borges-i autor nuk e përjashton që, në sytë e Zotit të plotfuqishëm, të dy këta armiq të betuar të kishin qenë një person i vetëm.

Por Anne Frank-u nuk kish ndonjë armiqësi me autorin e Mein Kampf-it, thjesht donte të jetonte fëmijërinë e saj, të lulëzonte sotto il sole, një e drejtë kjo më e shenjtë se çdo lloj ambicieje politike dhe misioni historik; dhe Zoti që nuk e përfill këtë vullnet të krijesave të veta mbase nuk e meriton të adhurohet dhe as të gjykohet si masë dhe kriter i barazisë së shpirtrave. Paçka se vetëm një rresht më poshtë syri i kalimtarit të ngeshëm ndesh në “Traktatin mbi tolerancën”, të Volterit, një libër i admirueshëm kundër fanatizmit fetar, ose edhe fanatizmit në përgjithësi – atij që i ndërzeu dy teologët e Borges-it kundër njëri-tjetrit, ose atij tjetrit, që i nxiti e i cyti nazistët të ndërmerrnin “zgjidhjen finale”, për t’i çuar deri edhe fëmijë si Anne Frank-u drejt krematoriumeve. Tek e fundit, te Volteri do të kenë kërkuar mbështetje morale edhe ata që vendosën ta botojnë Mein Kampf-in në shqip – refuzoj të besoj se e kanë bërë vetëm ngaqë e kanë parë si burim premtues fitimesh monetare.

Kalimtari pyet: a mund të ekzistojë një botë, një shoqëri, një kulturë, ku nazizmi hitlerian dhe Anne Frank-u të bashkëjetojnë? Dhe pastaj përgjigjet: po, jo vetëm që mundet, por edhe ekziston tashmë, në raftin e librave dhe në titujt e ekspozuar në trotuar, mbi kutitë e bananave Patty, nga Ekuadori.

Kultura e librit dhe kultura e shkruar, në përgjithësi, jeton e riprodhohet edhe falë kompleksitetit të saj; ose vendeve që kanë zënë atje Hitleri, Anne Frank-u, Volteri, Seneka dhe Dalipaj; po çfarë mbetet nga libri, kur ky kompleksitet rrafshohet e shkërmoqet në dy përmasat elementare, infantile, të sintaksës së ekspozimit?

Libërshitësi në rrugë ndoshta e përligj agjencinë e vet profesionale – nëse begenis ta bëjë – me argumentin se po i ruan këta libra nga asgjësimi, nga landfill-i, nga pulpimi; madje edhe duke shkuar kundër rrymës dhe duke ia kursyer harresës tituj të nxjerrë mënjanë nga lumi i verbër i interesit komercial të industrisë së botimeve, në emër të shpresës se te një libër, edhe ai më i ndyri, ai më i kapërcyeri, ai më i koti, ka gjithnjë diçka për t’u shpëtuar e për të përfituar nga një shans i dytë. Edhe mua më ndodh që, tek titujt e ekspozuar në rrugë, të shoh një përpjekje – sado simbolike, sado patetike – kundër konformizmit mizor të tregut; një përpjekje për të ringjallur te klienti dhe kalimtari çfarë tashmë ka vdekur.

Por, në fakt, kjo që më sugjeron edhe fotoja, është se instalacione të tilla si tezgat me libra buzë rrugës janë më shumë parathënie të fundit, përvijime të përkohshme të entropisë që i pret librat në epokën e riprodhimit të tyre të çmendur mekanik; me rreshtat si rimarrje sado modeste e rrathëve të një Ferri dantesk reciprok, nëse një i tillë ekziston edhe për tekstet. Paçka se shijen e Ferrit e provojmë ne vetë, kur na duhet t’i bëjmë llogaritë me atë realitet tregu, që mbledh bashkë Hitlerin, Volterin, Senekën dhe Anne Frank-un.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading