Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Libri Shqip

SHKRIMTARI MOSKOVIT

Nën titullin “Misteret e Ismail Kadaresë”, revista Ex Libris (nr. 396, 25 korrik 2026) boton – me përkthimin e Bujar Hudhrit – një intervistë që përkthyesi i Ismail Kadaresë në gjuhën ruse, Vasilij Tjuhin, i ka dhënë “Literaturnaja gazeta” (organi i shtypit i Lidhjes së shkrimtarëve të Rusisë).

Tjuhini, i cili ka treguar interes edhe për të shkruar një biografi të Kadaresë, mban një këndvështrim unik ndaj autorit dhe e gjithë intervista e tij meriton vëmendje, por unë do të veçoja një pasazh për ta ndarë me ju, meqë e gjej të afërt edhe me disa përsiatje të miat.

Ai përmend një “përpjekje të dështuar [të I.K.-së, A.V.] për t’u arratisur në Bashkimin Sovjetik gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Rinisë dhe Studentëve, kur ambasada sovjetike në Çekosllovaki i kishte përgatitur tashmë dokumente konspirative për ta kaluar ilegalisht…”

Dhe pastaj vazhdon:

“[I] gjithë fati i tij ishte i lidhur me dy vende, me Francën dhe me Rusinë. Në thelb ai është një shkrimtar yni, një shkrimtar moskovit i brezit të viteve ’60, dhe karrierën e tij letrare e përmbylli me një libër kushtuar kulturës ruse dhe Rusisë: Kur sunduesit grinden…”

Çfarë ta ketë shtyrë Tjuhinin që ta quajë Kadarenë “shkrimtar moskovit të brezit të viteve ‘60”? Ja një temë për t’u lëvruar më tej, sidomos nga ata që duan të kuptojnë “burimet” e Kadaresë, ose origjinën e tij letrare.

Nuk ka dyshim se periudha që ai kaloi në Moskë, në Institutin e Letërsisë, e modifikoi thellë profilin e tij letrar, aq sa ta shndërrojë estetikisht. Kadareja e la Shqipërinë si poet i princeshës Argjiro dhe u kthye si tribun majakovskian i “shekullit XX” – modelet ndaj të cilave u ekspozua, gjatë qëndrimit andej, do të kthehen e rikthehen pastaj në krijimtarinë e tij deri vonë.

Kadareja ka folur pak për jetën e tij në Moskë. Këtu do të përfshija edhe romanin Muzgu i perëndive të stepës, me motive të forta autobiografike. Por historisë së letërsisë shqipe ende i mungon një përshkrim i rritjes letrare të shkrimtarit në kontakt me kulturën ruse-sovjetike. Kjo ka ndodhur, pjesërisht, ngaqë për arsye politike askujt nuk i ka interesuar, deri në fund të viteve 1980, që të tregojë se sa i detyrohet Kadareja traditës ruse dhe sovjetike, me të cilën dashur pa dashur u formua në rini.

Më pas, kur filloi të fliste më shpesh e më gjatë për fillimet e veta letrare, ai do të parapëlqente të ndalej te eposi homerik, te Dantja, te Shekspiri e ndonjë gjigand tjetër i atyre përmasave – gjithë duke u ndenjur larg marrëdhënieve të veta me kulturën ruse-sovjetike, madje edhe me Majakovskin, i cili ia pat kolonizuar frymëzimin poetik dhe vargun në vitet 1960.

Gjithsesi, për periudhën që ai kaloi në Bashkimin Sovjetik dimë shumë pak – dhe këtu nuk e kam fjalën për jetën e tij private dhe historitë me “vajzat ruse”, por për marrëdhëniet që ai vendosi me letërsinë dhe artin rus-sovjetik dhe kolonizimin e tij estetik në një periudhë kur Moska po përjetonte një pranverë të vogël kulturore.

Në intervistën e tanishme, Tjuhini lë të kuptohet se i ka bërë disa hulumtime në arkivat e Institutit të Letërsisë dhe i ka verifikuar disa nga shkrimtarët bashkë-studentë të Kadaresë; mes emrave që përmend, është edhe Viktor Astafjevi, i cili më pas do të shkruante për horror-in e Luftës Patriotike (1941-1945), si një nga zërat e hershëm të lëvizjes E vërteta nga llogoret; dhe Uladzimir Karatkieviç, autor i romanit Gjuetia e egër e mbretit Stah. Nga kureshtja, shikova këto ditë filmin sovjetik, të bazuar këtë roman dhe u ndesha aty me një lloj ndjeshmërie ndaj tempos mitologjike në histori me të cilën më ka familjarizuar Kadareja; por edhe realizmi i Astafjevit nuk po më duket shumë larg nga përshkrimi i eksperiencës së luftës te Gjenerali i ushtrisë së vdekur.

Nëse kaq do të mjaftonte, për ta quajtur Kadarenë shkrimtar moskovit nuk e them dot; por historiani i letërsisë nuk mund të mbetet indiferent ndaj faktit që shkrimtari ynë, me mënyrat e veta, mori pjesë në lëvizjet letrare dhe kulturore në Bashkimin Sovjetik post-stalinist, duke iu ekspozuar edhe një qasjeje më realiste ndaj tmerrit të një eventi historik si L2B deri atëherë të glorifikuar me tone heroike; edhe teknikës për ta përqafuar modernitetin dhe modernizmin nëpërmjet folklorit dhe primitivizmit.

Gjatë fillimviteve 1960 Moska metropolitane po hapej edhe ndaj formave deri atëherë tabu të artit dhe të letërsisë perëndimore, përfshi autorë si Heminguej, të cilët më pas do të promovoheshin nga Kadareja në Shqipëri. Skandali i Nobelit letrar të Pasternakut do të ketë qenë vendimtar, për të ndërtuar në vetëdijen e shkrimtarit shqiptar konceptin e letërsisë së ndaluar, madje të rrezikshme, me të cilin ai do të luante deri sa u largua nga vendi në 1990; për ta bindur, mes të tjerash, se arti i mirëfilltë, në sistemet autoritare, ishte gjithnjë si ajsbergu, me pjesën më të madhe nën ujë. Megjithatë, Kafka ende nuk ishte “lejuar” në vendet e Bllokut Lindor dhe as përkthyer në rusisht deri në 1964[1]; çfarë mbase ndihmon për të shpjeguar kthesën estetike – ndonjëherë dramatike – në filozofinë letrare dhe në stilin e Kadaresë, në vitet 1970 e më pas, me gjasë pasi u njoh me të gjerësisht.

Shpresa ime është se ka ende informacion të vlefshëm për historianin e letërsisë shqipe dhe specialistin e Kadaresë, që mund të nxirret nga arkivat e Institutit të Letërsisë në Moskë. Aq më tepër që rrugëtimi i këtij autori nga vjershat naive të viteve 1950, te vepra poetike si “Shekulli im” dhe romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur ende pret të ndriçohet. Me gjasë Kadareja nuk është “shkrimtar moskovit” aq sa mund t’i duket Tjukhinit (që e thotë këtë, në çdo rast, si kompliment); por shkoqitja e kujdesshme e shtresave moskovite, ruse dhe sovjetike, në intertekstualitetin kadarejan, do të ndihmojë më mirë edhe për të shpjeguar pse Kadareja është “shkrimtar shqiptar”.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


[1] Gustav Herling-Grudzinski, Kafka in Russia.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading