Pasthënie e vëllimit me haiku “Hiroshima jashtë meje” (1996) nga Betim Muço (21 janar 1947-15 janar 2015)
“Poezia ka lindur që kur Qielli u nda prej Tokës”, thuhet në parathënien e përmbledhjes poetike “Kokinshiu” (Dhjetë mijë fletët), shkruar nga Ki Tsurajuke në vitin 922. Me të tillë provë lashtësie, si një përkthyese e shpirtit të poetit në fjalorin e përditshëm të njerëzve, poezia japoneze ishte pasuria e parë e kulturës shpirtërore të këtij populli ishullor. Ajo shfaqet herët, që në shekujt e fillimit të erës sonë dhe dëshmon imazhe të pasura e nivel të lartë artistik. Duke lënë mënjanë qytetërimet e lashta me atë art e kulturë brilante që shërbyen si shkollë e botës së qytetëruar, çdo popull do të ndihej krenar po të kishte 1300 vjet të shkuara një poezi si kjo: “Kush i ka dhënë / Dashurisë/ Emër më vete / A s’do ishte njëlloj / Po të quhej Vdekje?”. Dhe të tilla gjen mjaft në përmbledhjet e para të poezisë japoneze.
Duke qëndruar që në fillim larg mënyrës rrëfimtare, kjo poezi ndoqi veçoritë psikologjike natyrore të japonezit, i cili shquhet për marrëdhëniet e ngushta me natyrën, për admirimin, vëmendjen dhe përkushtimin ndaj saj, për një hare spontane që i ngjall në shpirt ekzistenca e thjeshtë jetësore. Ndaj shumë nga imazhet e poezive të vjetra japoneze, po të mos vinim re arkaizmat gjuhësore, qëndrojnë po aq të freskëta edhe kur lexohen sot, pasi në to gjallon një ndjenjë dhe një këndvështrim universal i njeriut ndaj botës brenda dhe jashtë tij. Të shkruara që nga njerëz të thjeshtë e deri në aristokratë e perandorë poezitë e vjetra japoneze, dëshmojnë se ky art u bë për këtë popull si një gjuhë e dytë komunikimi, me të cilën njeriu plotësonte nevojat e tij shpirtërore.
Tradita japoneze nuk ka epose të mëdhenj, por është e mbushur me konstatime poetike ku rrëzëllen një vështrim i mprehtë e depërtues e ku rreh një zemër tepër e ndjeshme. Saktësia dhe konciziteti i të shprehurit të mendimit emocional, ishin që në fillim ato elemente që përcaktuan përmasat e poezisë japoneze që nga format më të lashta e deri në lulëzimin e haikut.
*****
Forma e parë më e vjetër poetike e konsoliduar, në vjershërimin japonez, është waka. Kjo ishte një vjershë me kushtëzim silabik ku pesë vargje vendosen me nga 5-7-5-7-7 rrokje secila. Kjo formë njihet gjithashtu me emrat tanka apo uta. Sipas traditës së hershme, edhe sot në festimin e vitit të ri, kur të gjithë japonezët dynden për të shkuar në tempujt budistë apo në faltoret tradicionale të fesë shinto, perandorët japonezë për të celebruar festën thurin waka, në formën e tyre origjinale, me 31 rrokje, të cilat njerëzit i lexojnë të afishuara në hyrje të ngrehinave fetare ku venë.
Në periudhën e Kamakurës (1185-1333), popullariteti i wakës nisi të bjerë. “Haikai no renga” apo shkurt renga, ishte forma poetike që nisi ta zëvendësojë atë në oborret aristokratike të vendit. Ajo është një vjershë e lidhur, një lloj dialogu poetik apo “lojë-poezi”, ku marrin pjesë një grup njerëzish dhe ku në varësi të vargjeve që thotë njëri, tjetri vazhdon më tej mendimin e tij poetik e kështu me radhë. Në fillim thuhen tre vargjet e para me nga 5-7-5 rrokje. Poeti i dytë vazhdon me dy vargje 7-rrokëshe, i treti përsëri me treshen 5-7-5 e, kështu, deri në 100 a më shumë vargje. Renga mori një përhapje të gjerë dhe në konditat e atëhershme të jetës japoneze, ajo ishte baza e mbrëmjeve poetike, ku merrnin pjesë “lojtarët” poetë, të cilët mund të ishin miq e mysafirë, si edhe të pranishëm të tjerë të cilët ngazëlleheshin nga improvizimi poetik. Renga ka një teknikë të vështirë lidhëse dhe ta shkruash atë nuk është e lehtë. Ajo nuk ka një plan fillestar, por i jepet spontanitetit dhe ngjan si një pikturë abstrakte ku ngjyrat harmonizohen e të mrekullojnë syrin. Të gjithë poetët ishin të detyruar t’u bindeshin rregullave të rengës dhe krijimet e tyre vlerësoheshin nga gjyqtarë të posaçëm, mjeshtra të rengës. Pati periudha kur krijimi poetik i rengës ishte më fleksibël dhe poetët kishin liri më të madhe në këto krijime. Natyra, stinët e vitit, nostalgjia, udhëtimet, dashuria, kujtimet, hallet e jetës, janë elementët përbërës të rengave.
Një nga poetët e njohur të periudhës kur shkruhej renga, ishte Iio Sogi (1421-1502). Ai quhet si “më i miri i poetëve nën qiell”. Megjithatë, vetë atmosfera dhe kushtet në të cilat krijohej kjo lloj poezie, me praninë e spektatorëve dhe ekzibicionin e mbrëmjeve, nuk mund të mos e zhvendoste atë drejt humorit, satirës, lojëra-fjalëve, erotizmit etj. Shumë nga këto krijime janë të prekura nga vulgariteti. Ndaj këtij vulgariteti u rebeluan poetët e vërtetë, të cilët krijuan shkollat e tyre. Një nga ata ishte Matsunaga Teitoku (1571-1653). Megjithatë, ishte Matsuo Basho (1644- 1694) ai që pa në të vërtetë në rengën, një formë përtej poezisë zbavitëse të oborrit apo humorit vulgar. Në vitin 1691, poetët Bonço dhe Kyroai botuan librin “Sarumino” (Mushamaja e majmunit) ku bëjnë pjesë disa nga rengat më të bukura të poezisë japoneze të shkollës së Basho-it.
****
Hokku ishte vjersha hapëse e rengës, pra tre vargjet e para të saj. Ajo ishte mjaft e rëndësishme, pasi prej saj varej ecuria e mëtejshme e krejt rengës. Sipas rregullave, ajo duhej të ishte komplete në vetvete por, megjithatë, të mund të provokonte apo të nxiste vazhdimin e saj. Përderisa ajo ishte “guri i themelit” i rengës dhe, nga një aspekt, paraprakisht nuk lidhej me ç’vinte pas, hokku mund të shkruhej edhe më parë. Dhe zakonisht kështu ndodhte. Poetët që mblidheshin në mbrëmjet e rengës e kishin menduar vjershën hyrëse, madje kishin menduar një mori syresh të cilat mund t’i përdornin në çast, duke i zgjedhur edhe në bazë të predispozicionit shpirtëror të auditorit. Kështu pra, duke përdorur hokkun si një lloj praktike apo stërvitjeje për rengën, shumë poetë krijuan vjersha të tilla trevargëshe, edhe pse shumë nga to nuk patën fat të futen në renga.
Përveç Basho, poetë të tjerë të shquar të hokkut dhe rengës janë Tanigushi Buson (1715-1783) dhe Kobajashi Issa (1763-1827). Termin haiku në vend të hokkut e përdori i pari Masaoka Shiki (1867-1902). Nga shekulli XIX, haiku u bë një vjershë me interes të pavarur nga renga duke fituar kështu statusin e një poezie të veçantë ku kontribuuan shumë poetë të njohur japonezë. Me Ogiwara Seinsesuin lindi prirja për t’i dhënë liri haikut pa e kufizuar nga rrokjet.
Pas hapjes së Japonisë me Restaurimin Meixhi (1868), haiku njohu jehonë të gjerë edhe në Perëndim. Ezra Paund dhe imazhistët e fillimit të shekullit XX, u ndikuan nga këto vjersha të shkurtra japoneze. Sot ka disa revista në botën anglofone që i kushtohen botimit të haikut. Mjaft poetë të njohur, pasi kanë rënë në kontakt me këtë formë të trashëgimisë poetike japoneze, janë përpjekur të provojnë edhe vetë për të shkruar haiku.
****
Thonë se nuk ka japonez që të mos ketë shkruar qoftë edhe një haiku të vetme gjatë jetës së tij. Kjo tregon popullaritetin e madh të kësaj lloj poezie në Japoni. Ecuria e poezisë japoneze nëpër disa forma të caktuara që nga waka, renga e deri te haiku, të bën të mendosh për një lloj fanatizmi tradicional. Nuk ka asnjë histori të poezisë në asnjë vend të botës ku mijëvjeçarë të tërë përpjekjesh poetike të ngushtohen vetëm në 3-4 forma të ligjërimit poetik. Poezia e vendeve të ndryshme të botës ka qenë më e lirë ndaj çdo forme poetike që, në momente të caktuara, ka fituar popullaritet e përhapje. Ajo s’i ka mbetur rob metrikës apo numrit të vargjeve. Kurse me poezinë japoneze (flasim gjithmonë për poezinë e traditës) nuk ndodh kështu. Disa breza poetësh të ardhur njëri pas tjetrit e kanë ngjizur materien e tyre poetike në kornizat e këtyre poezive trevargëshe, me rigorozitetin e vendosjes së vargjeve në formën e 5-7-5 rrokjeve. Sidoqoftë, fakti që kur lexon haikut e krijuara në shekuj nuk përfton monotoni e mërzitje, por të zbulohen çdo herë pamje të reja, dëshmon për një botë të veçantë, të pasur shpirtërore të poetit japonez, i cili e grahu poezinë e tij në traga të tjera, shpeshherë larg atyre të botës bashkëkohore respektive. Si ai argjendari që punon tepër imët e qe duhet të përdorësh një lente zmadhuese për t’ia parë tamam bukurinë e punës, poeti i haikut nuk e ka parë këtë formë poetike si kufizim, por si thellim, përqendrim, mundësi të intensitetit maksimal të energjisë së fjalës e të fluksit poetik, të krijimit të imazheve e asociacioneve.
Që të njohësh haikun duhet të njohësh historinë e Japonisë, psikologjinë e popullit të saj, ndikimin e kulturës së lashtë kineze, përhapjen dhe zhvillimin e Zen-budizmit. Doktrina e Zen-budizmit e ka rrënjën në fenë e themeluar në Indi nga Gautama Buda në shekullin VI para Krishtit. Kur u përhap në Kinë, një nga format e budizmit, duke asimiluar elementët e Taoizmit dhe Konfucianizmit, gjeti shprehjen praktike në Zen-budizmin që ishte një nga gjashtë sektet budiste që hyri në Japoni nëpërmjet Kinës.
Në Japoni, ky sekt ra në truall të përshtatshëm dhe arriti kulmin e tij. Sipas Zen-budizmit, njeriu duhet t’i shmanget tolerimit seksual dhe mohimit të vetvetes, duke gjetur një rrugë të mesme. Katër të vërtetat e kësaj rruge janë:
1) E vërteta e dhimbjes dhe e vuajtjes, dhimbjet e lindjes, të pleqërisë, sëmundjes, vdekjes, bashkimit me të pakëndshmen, ndarjes me të pëlqyeshmen si dhe dhimbja e mospasjes së asaj që do.
2) E vërteta e shkakut të dhimbjes: dëshira-epsh për ekzistencën apo mosekzistencën.
3) E vërteta e ndërprerjes së dhimbjes që është ndërprerja e dëshirës dhe largimi nga ajo.
4) E vërteta e rrugës që të çon në ndërprerjen e dhimbjes: rruga finale që çon në Nirvanë (Parajsë), gjendja e lirë nga epshi, dëshira, dhimbja, pikëllimi, gjendja e çlirimit nga vetvetja dhe e absorbimit të Vetes së madhe.
Këtë vetëdisiplinim të predikuar nga Zen-budizmi mund të shohësh shpesh nëpër vargjet e haikut japonez. Një ndikim të posaçëm ka pasur këtu edhe poezia e lashtë kineze me këndvështrimin filozofik e meditativ të saj
Mbi të gjitha, kjo formë poezie, në esencën e vet, është shprehje e një psikologjie disi të veçantë të këtij populli dhe e një lidhjeje shpirtërore tepër të fuqishme midis njeriut e natyrës. Kjo veçori është më e lashtë se të gjithë ndikimet gjatë udhës së historisë dhe përbën boshtin e vërtetë poetik të haikut. Natyra është Harmonia e madhe dhe një buzëqeshje apo një trishtim njeriu që zë vend në të si një petal qershie, një pikë vese, një rrahje krahu zogu. Kjo është natyra me fytyrë njeriu dhe ku vetë njeriu ka në vete elementët e saj: dimrin, pranverën, të ftohtit, zagushinë, muzgun, natën, erërat, shtrëngatën, ringjalljen, lëvizjen e përjetshme. Haikut janë të mbushura me elementë të natyrës kaq të shumtë e të larmishëm, sa nuk i gjen as në një Enciklopedi natyre. E megjithatë, ato nuk janë vjersha peizazhi. Nuk janë konstatime të thjeshta metafizike, ta zëmë, për pozicionin e hënës në një natë dimri, për shtegtimin e zogjve, për sjelljen e një insekti. Duke qenë poezi për natyrën, ato janë para së gjithash poezi për njeriun, për lirizmin e tragjizmin e tij, për dhimbjen, vitalitetin, dashurinë, për kuptimin e jetës e vlerën e saj. Dhe kjo pikërisht në sajë të asaj lidhjeje të thellë e të brendshme njeri-natyrë të këtij populli që ka nga festat më të shquara sakurën, apo lulëzimin e qershive dhe që respekton me rite të veçanta shumë dukuri natyre apo moti.
Ajo që theksohet nga shumë studiues është momenti poetik i haikut. Duke qenë shprehje verbale e bashkimit intuitiv të poetit me objektin, momenti i krijimit të haikut është kulminacioni i vëzhgimit dhe meditimit poetik. Haiku nuk mund të krijohet as më parë e as më pas këtij kulminacioni. E gjithë qenia jote, trup e shpirt, merr pjesë në këtë krijim, si në një reaksion bërthamor që brenda një çasti të vetëm rrezaton një energji kolosale. Kjo formë poetike ka vetëm 17 rrokje dhe thuhet me një frymë, është një “ah” i vetëm i prodhuar nga një moment kulmor e i papërsëritshëm. Poeti është i shkrirë në imazhet që jep. Ai është, sipas një thënie të lashtë të Zenit, si ai njeriu që duke hyrë në pyll nuk shqetëson asnjë fije bari dhe duke hyrë në ujë nuk shkakton asnjë valëz.
Nga të gjitha format poetike, haiku është më i kondensuari. Në të nuk ke kohë të flasësh për diçka, por vetëm të paraqesësh diçka. Në këtë kuptim haiku është poezi imediate, ajo është për tani dhe për këtu. Në të nuk ka mundësi të bësh komente, të japësh opinione. Bile edhe shprehja direkte e ndjenjave personale është e huaj për haikun. Karakteristike për të është mbivendosja e imazheve.
Dy janë kualitetet që mund të shpjegojnë popullaritetin e madh të haikut dhe tërheqjen e vazhdueshme të lexuesve ndaj tij. Së pari, vartësia e tij nga kapaciteti i njohurive të lexuesit, duke e sjellë atë pranë disa të vërtetave të thjeshta, elementare. Kësisoj, në qoftë se forma të tjera poetike dhe lloje të ndryshme poezish kanë lexues të ndryshëm, haikun mund ta lexojë kushdo e të ndjejë kënaqësi, edhe pse imazhet që përftohen nuk janë të njëjta por varen nga lexuesi. Së dyti, mundësia që jep ai për t’u rritur në mendim sa herë që lexohet e rilexohet rishtas. Në këtë kuptim, haiku është si guri i çmuar që, në vartësi të dritës nën të cilën e sheh, zbulon nuanca të ndryshme, të reja.
Haiku është pjellë e shpirtit japonez, aq sa edhe e gjuhës japoneze. Gjuha ka kushtëzuar mjaft nga elementët përbërës të kësaj lloj poezie. Japonishtja nuk ka theksa të fortë. Rrokjet e një fjale janë një lloj të theksuara. Është gjuhë me një bagazh të madh fjalësh onomatopeike. Në fjalorin e saj mund të gjesh të tilla si perapera (i rrjedhshëm), paçipaci (që kërcet), pakapaka (që galopon), parapara (e folur e shpejtë), tsurutsuru (pëshpërimë), etj. Kjo ka bërë që tre vargjet e haikut të thuhen lehtësisht dhe në vesh të të mbetet melodioziteti e harmonia. Gjuha japoneze favorizon asonancën dhe aliteracionin, pasi çdo bashkëtingëllore shoqërohet me zanore. Pra, ajo është një gjuhë me shkallë të lartë asonance. Duke qenë se në japonisht çdo fjalë përfundon me zanore dhe se këto të gjitha janë vetëm pesë, nëse haiku do t’i kishte me rimë vargjet e tij, rimat e formuara mbi këto pesë zanore do të shpinin në monotoni. Ndoshta pikërisht për këtë, haiku nuk ka rimë, por mbështetet vetëm në melodiozitetin brilant që gjithsesi është vështirë ta përkthesh në gjuhë tjetër.
Ka disa studiues që përdorimin e zanoreve e bashkëtingëlloreve në të e lidhin me efekte të ndryshme. Sipas tyre, o-ja jep efektin e boshllëkut e të thellësisë, a-ja qartësinë dhe shkëlqimin, k-ja melankolinë, s-ja butësinë etj. Joan Giroux, një nga studiueset më të pasionuara pas kësaj forme poetike, lidhur me sa thamë më lart bën një paralelizëm me mendimin e shprehur nga Rimbaud kur ai thotë se a-ja është e zezë, e-ja e bardhë, i-ja e kuqe, u-ja jeshile dhe o-ja blu. Pavarësisht nga saktësia apo vërtetësia e këtyre mendimeve, rregulli i formatimit poetik të një lënde të gatuar nga një psikologji e veçantë, së bashku me veçoritë e një gjuhe gjithashtu të veçantë, kanë bërë që duke lexuar haikun të përftosh me të vërtetë imazhe të një lloji surrealist, ku objektet reale fshihen në tërësinë e harmonisë së ngjyrave dhe formave.
****
Shumë poetë të botës janë dashuruar me haikun. Të jesh një nga ta nuk është privilegj. Është vetëm shans. Këtë “psherëtimë” apo “britmë” poetike e kam njohur që në rininë time, por rasti e solli që në Japoni t’i zbuloj të tjera vlera e të shoh thellë se ç’fshihet nën lustrën elegante të kësaj lloj vjershe. Dhe ashtu siç është vështirë që në një dasmë të mos hysh edhe ti në këngën e atyre që këndojnë, ishte e vështirë të mos e shkruaje haikun kur bëheshe mike i afërt me trevën që e lindi atë. Haikut e këtij vëllimi janë shkruar në vendlindjen e këtij lloj vjershërimi. Kjo gjë, siç thotë Rabindranat Tagora, është si të shpiesh lule në kopësht.
Dua të shtoj se këto haiku nuk ndjekin formën tradicionale japoneze me numrin e kufizuar të rrokjeve në vargje. Mosekuivalenca e gjuhëve do ta varfëronte mjaft imazhin poetik, nëse do t’i përmbaheshim këtij kufizimi.
Në pjesën që pason këto shënime përmblidhen disa nga perlat e haikut japonez. Ato janë përkthyer prej autorit nga anglishtja dhe rusishtja. Është përdorur “Monkey’s Raincoat”, Japan, 1985 (Mushamaja e majmunit), përkthyer në gjuhën angleze nga Leonora Mayhew, “The haiku form”, Japan, 1974 (Forma e haikut), me përkthime të Giroux dhe “Japonskaja poezija”, Moskva, 1956 (Poezia japoneze), përkthyer nga A.E. Glluskina dhe V.N.Markova. Në disa raste është dhënë transliterimi i haikuve origjinalë nga japonishtja në alfabetin latin. Kjo është bërë për të ruajtur ritmikën autentike dhe për t’i krijuar mundësi lexuesit ta ndjejë vetë këtë veçori.
Të përkthesh haikun është tejet e vështirë. Është si të mbash ujin në grushte e ta shpiesh nga burimi për diku tjetër. Kur arrin atje, shumë ujë të ka rrjedhur, por ca pika kanë mbetur ende. Me to, edhe pse s’e shuan etjen, mban gjallë shpresën.
Tiranë, Mars 1991
Photo: Faksimile e një haiku që Betim Muço shkroi në një cope letër gjatë qëndrimit të tij në Japoni në periudhën Gusht 1990-Janar 1991, dhe që pa dritën e botimit në 1996, duke shënuar vëllimin e parë poetik me haiku të shkruar nga një poet shqiptar. Një ribotim i përmirësuar dhe plotësuar do të botohet së shpejti nga Marta Muço.

Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.