Pjesa etetë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.
Ka një histori – të konfirmuar si apokrife – që rrëfen si, gjatë pushtimit arab të Egjiptit, emiri Amr ibn al-As e pyeti Kalifin Omar se çfarë duhej bërë me librat në bibliotekën e madhe të Aleksandrisë. Dhe Kalifi thuhet se u përgjigj kështu: “Nëse ata libra pajtohen me Kuranin, nuk na hyjnë në punë, sepse Libri i Zotit mjafton. Nëse bien ndesh me Kuranin, ata bëjnë dëm dhe duhen shkatërruar.” Shekuj më pas, Borges-i do ta rimerrte këtë histori në poemën “Alexandria, A.D. 641”, për ta rrëfyer si një ilustrim filozofik për natyrën e kujtesës dhe të universit, me Kalifin që e përligj djegien jo nga fanatizmi dhe padija, por nga një besim mistik në Bibliotekën Totale – sipas këtij arsyetimi, biblioteka pasqyron botën, prandaj edhe po të digjet, bota mbetet e paprekur. Madje edhe sikur çdo faqe libri të humbasë, “njeriu do ta krijojë sërish çdo faqe dhe çdo rresht.” Pë t’u shënuar se rrëfimtari te kjo poemë është vetë Kalifi Omar.
Një nga sugjerimet mistike, të këtij rrëfimi, është se një libër i vetëm mund të përmbajë gjithë botën – diçka si Libri prej rëre (El libro de arena), që vetë Borges-i e përshkruan në tregimin me të njëjtin titull; një libër që nuk ka as fillim as fund as numra faqesh. Rrëfimtari në këtë tregim, të cilit libri i bie në dorë rastësisht, nuk arrin as ta hapë librin dy herë në të njëjtën faqe. Mendon se libri mund të jetë i përbindshëm dhe prandaj mbase duhet djegur – por edhe druhet mos, po t’i vërë librit zjarrin, zjarri do të jetë edhe ai pa fund, për të përfshirë botën mbarë. Paradoksalisht, ndryshe nga biblioteka e Aleksandrisë që mund të asgjësohet me zjarr, dhe të rikthehet si Feniksi, ky libër unik nuk mund të shkatërrohet pa marrë me vete krejt universin.
Këto variacione të Borges-it më bëjnë të mendoj se një libër i vetëm ka më shumë fuqi ndaj lexuesit sa zotërimi i një biblioteke të pafund; njëlloj si te Emri i trëndafilit i Eco-s, ku libri sekret (dhe i ndaluar) i Aristotelit, i fshehur në bibliotekën e abacisë, i kontrollon fatet e murgjve, të abacisë vetë dhe mbase të rruzullimit më fort se gjithë dija dhe urtësia njerëzore e nxjerrë në dritë.
Pushtetin e librit të vetëm, që përmban në vete botën, e pata përjetuar – për herë të parë – dikur në fillim të viteve 1970, kur kisha filluar t’i kushtohem seriozisht shahut. Ime më, duke parë pasionin tim, më sugjeroi të lexoja Novelën e shahut të Zweig-ut, ku personazhi kryesor është një jurist hebre nga Vjena, të cilin Gestapo-ja naziste e pat kyçur në një dhomë të izoluar, pa asnjë kontakt me botën, me shpresë se ashtu do t’u jepte informacion për llogaritë bankare të klientëve të vet. Në atë vetmi totale, dr. B. arriti të vjedhë një libër që, për zhgënjimin e tij, paskësh qenë një përmbledhje lojërash shahu mes mjeshtërve. Për të vrarë mërzinë, filloi të deshifrojë lojërat e shkruara në kodin standard, dhe dora-dorës t’i luante vetmevete, aq intensivisht, sa e lejoi librin dhe vetë lojën e shahut t’ia kolonizonin mendjen. Brenda katër mureve të qelisë, libri i shahut erdhi e u shndërrua në një portëkalim drejt universit, në kuptimin që shahu – si sintaksë e rregulluar – u kthye në logosin e njeriut Dr. B; deri në atë shkallë sa humbja e një loje dhe kolapsi i vetë personazhit të jenë dy manifestime të së njëjtit event pothuajse algjebrik.
Pak kohë më parë se të lexoja Novelën e shahut, kur isha ende në klasën e katërt a të pestë, më kishin dhuruar një libër shahu rusisht, me titullin Первая книга шахматиста (“Libri i parë i shahistit”), botim i vitit 1964, me autor mjeshtrin dhe gazetarin e shahut Vassili Panov. Ky libër ishte ai që më duhej – një hyrje në lojën e shahut, për fillestarët. Përshkruante rregullat e lojës dhe matet e thjeshta, pastaj kish kapituj të veçantë për hapjet, meslojën dhe finalen. Kapituj të tjerë u kushtoheshin problemeve të shahut, kombinacioneve gjatë meslojës dhe një historie të shkurtër të kampionëve të botës. Diagramet në krye i rindërtoja në një tabelë shahu, pastaj dora-dorës u mësova që t’i “lexoj” në faqe. Ashtu mësova edhe simbolet e lëvizjeve dhe alfabetin dhe, brenda pak muajsh, disa pak fjalë rusisht të nevojshme, për të kuptuar komentet që shoqëronin lëvizjet ose diagramet.
Libri ishte gjëja më e çmuar që kisha atëbotë – dhe më e bukura. Diagramet e pozicioneve në faqe më dukeshin si miniatura që kërkonin soditje gati metafizike, si dritare drejt një bote simbolesh abstrakte, shifrash të logjikës dhe të fuqisë së mendjes. Çuditërisht, nuk mendova kurrë se libri do të më mësonte si të fitoja në shah – nëse më magjepste, e bënte ngaqë e kundroja si thesar të dijes abstrakte, plot bukuri të fshehta. Kaloja me orë duke u përpjekur të zgjidh problemet dhe kombinacionet; jo të gjitha arrija t’i zgjidh, por kjo më ndodhte edhe me matematikën.
Deri atëherë kisha luajtur shah furishëm me shokët e mi, dhe lojën vetë nuk e ndaja dot as nga kompeticioni, as nga materialiteti i gurëve dhe i tabelës, madje as nga zhurma që bënin gurët kur përplaseshin. Edhe pse shahu është lojë e mendjes, loja jonë gjithnjë konsumohej në botën reale, dhe lëvizjet përktheheshin në zhvendosje objektesh materiale, të cilat i preknim me majat e gishtave. Përkundrazi, libri i shahut që kisha në duar ma sillte lojën në një përmasë më eterike, më abstrakte, të riprodhuar në dy përmasa, dhe – çfarë ishte edhe më e çuditshme – të ngrirë. Simbolet e gurëve në diagrame ishin të palëvizshme, si në fotografi.
Ato diagrame më mësuan edhe t’i shoh pozicionet si fotografi, t’i vlerësoja në “ngrirjen” e tyre pa kthim, madje edhe t’i shijoj si një farë gjeometrie statike, plot vektorë dhe fusha force që nuk ndryshonin. Çfarë vlente edhe si ftesë për t’i bërë lëvizjet me mendje, siç vepron – në analizë të fundit – çdo shahist, kur mendohet para një pozicioni.
Nuk e pësova si Dr. B.-ja i novelës së Zweig-ut, por kalova dy-tre vjet i magjepsur nga diagramet e librit, që kërkonin të komunikonin me mua. Dikur ndodhi një refuzim – nuk di nëse imi për shahun a i shahut për mua; dhe fillova t’u largohem abstraksioneve magjike të lojës. E vetmja mbresë e fortë që më mbeti, nga koha kur banoja në sarajet bardhezi, ishte magjepsja pas fotografive logjike dhe ndjesia se kisha qenë në kontakt me diçka më esenciale, më platonike se realiteti i përditshëm. Tani dua të mendoj se nga fataliteti i kolonizimit prej një libri të vetëm më shpëtoi mundësia e librave të tjerë, përfshi këtu edhe vetë novelën e Zweig-ut: heroi i kësaj të fundit kish qenë dyfish i burgosur – në qelinë ku e mbante Gestapo-ja dhe në libër; ndërsa unë jo.
Para pak ditësh, tek hanim drekë bashkë, e pyeta nipin tim se çfarë libri do të kish dashur të shpëtonte nga një lundërthyerje, për ta pasur me vete në një ishull të pabanuar. M’u kujtua Robinson-i dhe Bibla; thashë se unë do të kisha zgjedhur Odisenë e Homerit, por një ide e drojtur për një libër shahu, të ngjashëm me atë që kish Dr. B.-ja, nuk është se nuk më erdhi. Përgjigjja e nipit më la pa gojë – tha se do të kish dashur një libër me faqe të zbrazëta, të cilat t’i shkruante ai vetë, i cili pastaj dora-dorës të shndërrohej në libër si të tjerët. Ndërkohë, më shkoi mendja te Proust-i dhe mrekullimi i tij pas orareve të trenave, me aftësinë e emrave herë të panjohur e herë të çuditshëm të stacioneve për të stimuluar fantazi udhëtimesh; me çdo emër vendi si portë të hapur drejt një hapësire plot surpriza dhe premtim për eksperienca unike. Një orar trenash – çfarë do të mund të funksiononte më mirë, në një vend si ishulli i pabanuar, ku jo vetëm nuk ka hekurudha dhe trena, por edhe oraret vetë e kanë humbur kuptimin dhe koha – e humbur dhe për t’u humbur – është kthyer në trajtën e vet primordiale, ciklike.
Mbaj mend si dikur, nga fundi i viteve 1980, rastisa në shtëpinë e një aparatçiku të lartë të KQ të PPSH-së dhe atje u befasova prej bibliotekës së tij, plot libra “të ndaluar” – të cilat “atyre lart” megjithatë iu lejokëshin. Këtë e kisha ditur, por ish diçka tjetër t’i shihje titujt e ndaluar të renditur me kujdes në raftet, dhe me shpinat të papërthyera: ata libra nuk i kishte lexuar kush. Megjithatë, kjo përvojë sikur ma konfirmoi që “ata lart” ia lejonin vetes disa nga mëkatet kulturore, të cilat përndryshe na i ndëshkonin rreptë neve poshtë; dhe fillova t’i përfytyroj burrat dhe gratë e udhëheqjes të mbyllur në bibliotekat e tyre sekrete, në shoqëri të librave të ndaluar dhe ngashënjimeve të tjera. M’u kujtuan fjalët e Mustafa Mond-it te Brave New World dhe pyeta veten nëse do të më duhej edhe mua një ditë të përballesha me nevojën për të zgjedhur mes së vërtetës dhe lumturisë.
Kishte edhe në djerrinën e Shqipërisë staliniste oaza me fruta të ndaluara, por që për mua mbeteshin off-limits. Të tilla si fondi i rezervuar në Bibliotekën Kombëtare apo biblioteka të organeve të shtypit, ku mund të lexoje edhe ndonjë revistë frënge a italiane, si Paris Match, L’Europeo apo L’Epoca; edhe pse librat më tërheqës dhe më të ndaluar u përkisnin bibliotekave private të “bllokut”, në vilat misterioze ku jetonin – të izoluar nga vdekatarët e Tiranës – pushtetarët e lartë. Isha futur një herë, rastësisht, në shtëpinë e një aparatçiku që punonte si sekretar privat i numrit 3 të regjimit; dhe atje kisha parë libra të pabesueshëm, që kushedi si kishin përfunduar në bibliotekën e këtij. Me gjasë, ishin libra të sekuestruar nga doganat dhe kontrollet e kufirit, sepse ky tipi nuk më dukej nga ata që do të interesoheshin – po përmend një titull që më kujtohet – për historinë e rugbyistëve uruguajanë, të cilëve iu rrëzua avioni në Andet dhe mbijetuan për dy muaj e ca, në rrethana ekstreme, duke u ushqyer deri edhe me mishin e shokëve të tyre tashmë të vdekur. Libri ishte në italisht, arrita ta shfletoj dhe do ta kisha përpirë; por nuk më lejohej. Karantina ideologjike e librit, ku i kish vendosur regjimi shtetasit e Shqipërisë, na kish bindur se përtej kufijve shtetërorë fillonte një mbretëri e lavdishme titujsh që veç na prisnin që t’i lexonim. Ngjashëm me viktimat e atij aksidenti ajror, edhe ne mbijetonim në rrethanat tona ekstreme, duke kanibalizuar libra që i kishim lexuar e rilexuar dhe duke pritur në radhë, në librari, për të blerë përkthimin më të fundit të Victor Hugo-it. Një tjetër bibliotekë si të Mustafa Mondit pata zbuluar dikur nga mesi i viteve 1980, në shtëpinë e një diplomati; ky kish sjellë, nga vendet ku kish shërbyer, një mori librash politikë dhe historikë të autorëve të tillë si Raymond Aron-i dhe të tjerë filozofë liberalë; por që mua nuk është se më interesonin veçanërisht. Gjeta pastaj, gjysmë të fshehur në një raft, kujtimet e Hrushovit në anglisht; madje jo vetëm, por edhe më thanë që mund ta merrja hua, për një natë. Ishte koha kur, përveçse kisha dëgjuar poshtë e lart për krimet e Stalinit, nuk kisha lexuar asgjë substanciale; teksa statuja e Stalinit vetë ende ngrihej hijerëndë, te Parku Rinia, përballë statujës së Leninit. Prandaj ajo natë kur e gdhiva me librin, ishte natë nga më të gjatat. Lexova raportin sekret të Hrushovit, mbajtur në Kongresin XX të PK të Bashkimit Sovjetik; lexova për gostitë sa obscene, aq edhe tragjikomike në tryezën e Stalinit, dhe për brutalitetin e tij alkoolik prej despoti. Ishte hera e parë që lexoja gjëra aq “kundër” dhe eksperiencën po e shijoja si adoleshenti që sheh për herë të parë porn. Mbaj mend edhe që mbeta pak i zhgënjyer, kur nuk gjeta asgjë në atë libër për Shqipërinë – pikërisht atë periudhë kisha lexuar ca kujtime të tjera, Hrushovianët e Enver Hoxhës, i cili e paraqiste përplasjen e tij me Hrushovin si konfliktin kyç, për të shpjeguar krizën në lëvizjen komuniste botërore, në vitet 1960. Mbase kisha pritur që Hrushovi ta qesëndiste Enverin, apo ta qortonte si kokëshkretë e të prapambetur, ose edhe ta demaskonte si profan në çështje të marksizëm-leninizmit; por nuk gjeta asgjë nga këto. Nuk më erdhi mirë që Enveri kish zënë aq pak vend, në kujtimet e Hrushovit të rënë nga vakti.
Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.