Pjesa e parë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare..
Kulturat në rrjedhë të kohës i kanë trajtuar librat e padëshiruar në mënyra të ndryshme – duke i shkatërruar a djegur, duke i mbyllur në depo, arkiva a bodrume, duke i shitur në tregjet e mallrave me çmim të ulët.
Tema ndjell vetvetiu në mendje imazhet aq dramatike të djegies së librave – një praktikë e mundësuar, pikërisht, duke qenë libri prej lënde të djegshme (dhe djegëse). Regjimi totalitar në Shqipëri u angazhua ndonjëherë në djegie të tilla, duke asgjësuar me zjarr librat fetarë dhe bibliotekat e institucioneve religjioze, por jo vetëm. Por djegia e librave ka histori mijëvjeçare – nga që zjarri shihet si purifikues; ashtu e pat parë edhe Kisha Katolike në Mesjetë, kur autorizonte djegien e heretikëve në turrën e druve, për të mbrojtur “puritetin” e besimit nëpërmjet çrrënjosjes së të keqes. Praktika nuk duket të ketë ndonjë lidhje me djegien e sotme të plehrave, si mënyrë për të asgjësuar materialisht mbetje të vështira për t’u hequr nga qarkullimi.
Gjithsesi, djegien a shkatërrimin e teksteve të shkruara e frymëzojnë dhe e vënë në jetë tekste të tjera të shkruara duke qenë shpesh fjala, si me thënë, për luftë brenda llojit.
Por djegia ka gjithnjë edhe një aspekt festiv, karnevalesk, të shoqëruar me shpresën e turmës se gjërat mund të fillohen nga e para. Në fund të shekullit XV, ndjekësit e murgut domenikan Savonarola në Firenze, pasi dëbuan Medici-t nga qyteti, sekuestruan dhe dogjën në publik mijëra objekte gjatë festës së Martedì Grasso. Ideja ishte që të eliminohej gjithçka potencialisht e mëkatshme, ose që mund të shtynte në kotësi, përfshi pasqyrat, lëndët kozmetike, veshjet e luksit, instrumentet muzikore, librat dhe dorëshkrimet imorale, pikturat e pahijshme. Bashkë me të tjera të ngjashme që i kishin paraprirë, kjo djegie u njoh më pas me emrin falò delle vanità, “flakadani i kotësive.” Ngjashëm vepruan edhe nazistët, në 1933, kur organizuan famëkeqin “pastrim nëpërmjet zjarrit”, për të asgjësuar vepra nga autorë që regjimi i gjykonte si të papërshtatshëm, të degjeneruar dhe imoralë – nga Bertold Brecht tek August Bebel, nga Hemingway te Thomas Mann, nga Erich Maria Remarque te Stefan Zweig. Teksti që i dogji këta libra ishte Mein Kampf, i Hitlerit.
Përndryshe, asgjësuesit e librave e fillonin punën duke pamundësuar leximin e tyre – siç e dëshmon famëkeqi vendim i “gjykatores popullore të Tiranës” i vitit 1948 (edhe ai një tekst i llojit të vet), që autorizonte “heqjen nga qarkullimi” të librave nga Gjergj Fishta, Kristo Floqi, Mehdi Frashëri, Hamid Gjylbegaj, Fulvio Cordignano, Mark Çuni, Don Gjon Vata, Hasan Kaloshi, Terenc Toçi, Jani Gjëmbi, Pater Anton Harapi, Pjetër Gjini, Lumo Skëndoja, Ernest Koliqi, P. Gjon Shllaku, Adolf Hitleri, Dhimitër Falloja, Hamit Kokalari, Kristo Dakoja, Piro Floqi, Aqif Domini, Hilë Mosi, Nexhat Hakiu, Tajar Zavalani, Mustafa Kruja, Shaban Vranishti, Vangjel Koça, Nebi Çika, Edit Durham-i, Selaudin Totoja, Mentor Sojli, Dhimitër Beduli, Krist Maloki, Ali Asllani, Ismet Totoja, Dhimitër Paskoja, Bendo Shapërdani, Selaudin Blloshmi, Teki Selenica dhe autorë të tjerë, përfshi këtu edhe revista dhe periodikë të ndryshëm kulturorë dhe letrarë.[1] Këta libra, me gjasë, në krye vetëm sa mbylleshin në “burgjet” e depove dhe të magazinave, për të kaluar pastaj në “rezervatet” e bibliotekave publike; por një pjesë e mirë do të kenë përfunduar herët a vonë në riciklim. Arsyet e sjella në vendim, për këtë goditje ndaj librit, kishin të bënin sa me ideologjinë “reaksionare” që bartnin këto botime, aq edhe me statusin politik të autorëve të tyre (ndonjëherë edhe të përkthyesve), të damkosur si non grata nga regjimi i ri.[2]
Një libër i ndaluar mund të ketë edhe kuptimin e një autori të futur në burg, të internuar, të djegur në turrën e druve; ose që i është hequr e drejta e botimit, ose të shkishëruar, të demaskuar në publik, të bërë për një lek.
Vetë akti i ndalimit të librit i përket një lloj politike kulturore profilaktike, e cila ndërvepron me publikun duke ia mohuar disa tekste; për të “mbrojtur” atë, publikun ose shtetin vetë dhe pushtetin, ose autoritetin e një ideologjie a feje, në kulturë, në art dhe në etikë.
Por libri i ndaluar jo rrallë është edhe, për vetë fatin që ka pasur, edhe libër i suksesshëm: lexuesit e kërkojnë, e shtien në dorë fshehurazi, e shumëfishojnë ilegalisht, e kalojnë dorë më dorë. Libri i ndaluar është libër që digjet, por në dritën e flakëve e lexojnë një milion palë sy.
Kjo e vërtetë e hidhur mund të kthehet edhe kokëposhtë; në kuptimin që akti administrativ i ndalimit i jep librit një vlerë letrare a estetike që përndryshe nuk do ta kishte: lexues të panumërt, në Perëndim, e patën përpirë Doktor Zhivagon e Pasternakut edhe ngaqë ishin njohur me historinë e botimit të tij. Pa çka se historia e kontrabandimit të dorëshkrimit të atij romani në Perëndim dhe përndjekjeve të autorit në Bashkimin Sovjetik ishte ku e ku më interesante, se historia relativisht konvencionale, e rrëfyer në roman.
Nën regjimet totalitare dhe autori, një libër i ndaluar të bënte të mendoje për shkrimtarin që ishte në rrezik; dhe një shkrimtar në rrezik ishte edhe një shkrimtar hero, sepse kish guxuar t’i thoshte të vërtetën pushtetit (spoke truth to power).
Dhe kjo dramë, e shkrimtarit në përballje me makinën e shtetit, ishte po aq përfshirëse dhe katartike, sa edhe çfarëdo narrative që mund të përmbante libri vetë.
Ashtu i kemi pritur dhe përcjellë romane si Tuneli i Dhimitër Xhuvanit, ose Një emër në katër rrugë të Petro Markos: ky i fundit, i ndaluar nga regjimi mu kur po i printohej kopertina, qarkulloi pastaj në Tiranë pa kopertinë, i nxjerrë fshehurazi nga shtypshkronja prej tipografëve.
Një kolege në Tiranë (B.Nj.) më ka treguar se rrëfimet e mia për të shkuarën letrare të brezit i kishin sjellë ndërmend ca kujtime të vetat të shtrenjta.
Të dy prindët i kishin punuar në shtypshkronjë, dhe kishin krijuar një bibliotekë të tërë me libra që sillnin në shtëpi, para se të dilnin në treg; dhe natyrisht pa kopertina. Ashtu më kujtoi edhe librat që na sillte një fqinja jonë, e cila punonte gjithashtu në shtypshkronjë (te “Mihal Duri”), dhe që shoqërinë me time më e konsumonte kryesisht përmes këtij shkëmbimi të pandërprerë faqesh të shtypura, sugjerimesh dhe mbresash romantike.
Punëtorët e shtypshkronjës, së bashku me bibliotekarët, mësuesit, librashitësit dhe të tjerë punonjës të përfshirë në qarkullimin e librit kanë pasë lexuar shumë. Helmin e plumbit e luftonin me antidotin e kënaqësive të shumta të leximit.
Librat e ardhur drejtpërdrejt nga shtypshkronja i gjen akoma në bibliotekën time; zakonisht të futur prapa të tjerëve, pse tejet të brishtë, joestetikë dhe të paekspozueshëm, me shpinat e lyera me zamkë të verdhë dhe flokët e thinjur të penjve lidhës të fashikujve.
Kolegia që përmenda më lart, më tregoi se, në familjen e vet, këta libra të ikur nga shtypshkronja lakuriq i “vishnin”, duke u vënë edhe kapakë të fortë dhe shpinore prej bezeje. Të lidhje libra, në atë kohë, ishte e barasvlershme me të shkuarit te rrobaqepësi, për të “prerë” një palë pantallona, ose qepur një këmishë; ose edhe te këpucari, për një palë këpucë me porosi. Edhe të arratisurit lakuriq nga shtypshkronja kishin nevojë të mbulonin trupat e mardhur, dhe ashtu të vinin e t’u ngjanin sivëllezërve më fatlumë.
Çuditërisht, sot kjo shprehje e “lidhjes së librit” më kujton lidhjen që ia bëjmë një kali të azdisur ose një qeni të paduruar; të thuash se marrëdhënien tonë të kujdesit për ta nuk mund ta shprehim dot ndryshe, veçse duke ua kufizuar lirinë, përmes një litari a zinxhiri.
Libri i lidhur rishtas ishte libër i disiplinuar, i krehur dhe me thonj të prerë, që lejohej më në fund të zinte vend krahas kolegëve të vet, në rreshtat e ushtrive të ngrira në raft; pa çka se me uniformë të qepur me dorë dhe flokët të qethur me gërshërë dhensh.
Mes librave që na kish dhuruar fqinja tipografe, mbaj mend sidomos romanin e Petro Markos Një emër në katër rrugë – dhe e mbaj mend jo vetëm ngaqë më pëlqeu kur e lexova, por sidomos ngaqë romani vetë nuk u botua kurrë. Dikur midis faqosjes dhe vendosjes së kopertinës, kish ardhur urdhri fatal nga lart, për t’ia ndaluar botimin e shpërndarjen, dhe për ta dërguar “në karton.”
Petro Markoja ishte nga autorët më të preferuar në shtëpinë tonë – sidomos falë romanit Qyteti i fundit, por edhe romanit tjetër Hasta la vista, që ishte disi “ndërkombëtar” nga natyra dhe librit Shpella e piratëve, aq të dashur për mua.
Nuk e kam marrë vesh pse iu ndalua romani Petros, ndonëse asnjë shkrimtar në Shqipëri nuk ishte imun ndaj ndalimit në sekondën e fundit dhe riciklimit në karton; dhe aq më pak Petroja, që gjithnjë kish pasur probleme me regjimin. Por tani që e kujtoj, më ngacmon statusi i asaj vepre, që në pak ekzemplarë dhe pa kopertinë, qarkulloi gjysmë fshehurazi, dhe dorë më dorë, në Tiranë; diçka midis librit të shtypur dhe dorëshkrimit, objekt që logjikisht nuk duhej të ekzistonte, hebré që rastësisht i kish shpëtuar krematoriumit.
Ngaqë ne nuk i lidhnim librat (sepse nuk dinim si), për ta kërkuar romanin e Petros në bibliotekën private duhej t’i shfletoje prurjet anonime nga shtypshkronja njërën pas tjetrës; t’i identifikoje nëpërmjet faqeve të para ose tekstit; gjithnjë duke u ruajtur që pjesë nga libri të mos binin përdhe, as të vareshin në penj si çarçafët në tel.
(Librat e palidhur gjithnjë mund të vendosnin t’ia mbathnin sakaq, dhe të fitonin lirinë jetëshkurtër, derisa të përfundonin në kaushë për bajame të pjekura dhe kikirikë, ose letra për fiq të butë fshati.)
Dhe ashtu do ta gjeje romanin e Petros, kushedi të rrasur midis Katedrales së Parisit dhe Kontit të Montekristos – dhe pastaj do të vrisje mendjen duke krahasuar aventurat e rrëfyera në këta dy libra, dhe të tjerë si këta; me aventurën e librit të Petros vetë, që nuk arriti të bëhej dot libër tamam, por mbeti edhe ai, si emri i personazhit Gjikë, “në katër rrugë.”
[1] Nuk po përmend këtu librat fetarë si Bibla e Kurani, literaturën fetare përkatëse dhe librat e huaj të përkthyer para vitit 1945, fiction dhe jo-fiction, të cilët gjithashtu u hoqën nga qarkullimi si të papërshtatshëm. I njëjti vendim që dënonte me vdekje kulturore tekstet e armiqve të regjimit të Hoxhës – ose më thjesht, të atyre që regjimi i kish shpallur si armiq – zbatohej edhe ndaj së ashtuquajturës “letërsi të verdhë” ose “bulevardesh”, me të cilën ishin zbavitur masat. Pak paskësh ndryshuar, që nga koha e flakadanëve të kotësive të Savonarolës.
[2] Më shumë për këtë vendim të Gjykatores mund të lexoni te ky shkrim i Panoramës (Urdhri që hiqte nga qarkullimi qindra libra e revista/ Vendimi i Gjykatores Popullore në 1948, si u ndalua Fishta e Koliqi).
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.