Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

SEKRETE DHE NDALIME

Pjesa e njëmbëdhjetë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

Sikur të ndodhte, deri në fund të viteve 1980, që të kapte Sigurimi ndonjë tip që lexonte Mein Kampf, ky me gjasë do të përfundonte i arrestuar dhe i marrë në pyetje, por jo pse po e lexonte atë libër dhe çfarë priste prej tij – pyetjet e para dhe ndoshta të vetme do të ishin: Kush ta ka dhënë? Ku e ke gjetur? Kush tjetër e ka parë këtë libër? Kush tjetër e ka lexuar? Kush ta ka kërkuar që t’ia japësh, pasi ta lexosh? E të tilla të ngjashme. Përballë një teksti aq armiqësor dhe të ndaluar, sa ai i Hitlerit, pushteti alarmohej para së gjithash për rrugën e hyrjes së tij në Shqipëri, përhapjen e tij dhe viralitetin – pra, për komunitetin dhe bashkëfajësinë që mund të ish krijuar a po krijuar, mes atyre që e kishin lexuar dhe do ta lexonin librin. Mundësia që libri të shërbente si kanal për të sjellë në shoqëri neo-nazizmin nëpërmjet manipulimit të mendjes të atij që e lexonte, do të vinte gjithashtu në vështrim dhe do të hetohej po të ishte nevoja – por agjentët e Sigurimit vepronin me logjikë prej epidemiologu; nuk e vrisnin shumë mendjen për shërimin a lehtësimin e pacientit të prekur (“shpëtimin”) dhe as për pasojat afatgjata të ekspozimit të këtij individi ndaj infeksionit, por veç synonin të njihnin rrethanat dhe të ndalnin përhapjen e mëtejshme të “sëmundjes”.

Ndaj një libri çfarëdo gjithnjë kish arsye të pyetej nëse ishte apo jo i lejuar; tek e fundit, jo të gjithë librat që ishin miratuar dikur nga organet përkatëse dhe ishin shpërndarë e shitur në libraritë mund të shiheshin si jo-problematikë. Një fjalim i liderit jugosllav Tito, i botuar në shqip në vitin 1946, do të përfundonte në listën e librave rreptësisht të ndaluar, vetëm 3 vjet më pas. Një roman i autorit kosovar Kapllan Resuli, që pak më herët kish fituar çmim kombëtar, tani mund të të hapte telashe, sepse autori ishte arrestuar dhe burgosur, si armik. Librat në gjuhë të huaj, të cilët kishin qarkulluar në Shqipëri para vitit 1945 ose ishin sjellë nga jashtë privatisht nga udhëtarë dhe turistë ose kishin hyrë me ndonjë mënyrë a tjetër nga Kosova, gjendeshin në një zonë gri, me gjasa të larta që të këqyreshin edhe ata si të ndaluar. Këtu përfshihej edhe literatura e shumtë në rusishte, që kish hyrë para vitit 1960. Një vëllim dygjuhësh (latinisht-italisht) me letrat e Senekës për Lucillin, i shitur në një librari të Tiranës para Luftës dhe i mbetur strukur në një bibliotekë private, vështirë se mund të shqetësonte kënd; por një libër i Nietzsche-s ose i Freudit mund të hapte telashe edhe serioze. Veçanërisht e rrezikshme, për këdo që e zotëronte, ishte literatura fetare dhe ajo pornografike.

Librat e ndaluar, që në bibliotekat publike ruheshin në seksione të posaçme, të njohura me emrin “rezervat”, ishin kategori e ndryshme nga librat, dhe më gjerë, tekstet që për arsye të ndryshme mbaheshin sekret dhe me qarkullim të kontrolluar. Sekret mund të ishte edhe një fjalim i Enver Hoxhës në një plenum, që ish vendosur të mos i jepej drejtpërdrejt publikut, ngaqë përmbante materiale me natyrë delikate. Në vija të trasha, një tekst mund të mbahej sekret sepse autoriteti përkatës ende nuk e gjykonte si të përshtatshëm për lexuesin “e gjerë”. Gjysmë sekrete ishin edhe materialet e njohura si azhanse, të cilat i shpërndante ACH-ja; bëhej fjalë për lajme të jashtme agjencish telegrafike që përktheheshin dhe u jepeshin kuadrove të besuara “për përdorim të brendshëm”, në mënyrë që këta të mësonin për botën diçka më shumë se të tjerët, ata që lexonin faqen 4 të Zërit të Popullit dhe ndiqnin Revistën Televizive në mbrëmje. Kish edhe azhanse që përgatiteshin enkas për teknokratët, me lajme nga shkenca dhe teknologjia; këto dërgoheshin gjithnjë dorazi, me korrier.

Edhe për materialet sekrete mund të hyje në telash, po t’i shpërndaje pa autorizim; meqë ashtu rebeloheshe kundër një vullneti eksplicit, të pushtetit, për ta mbajtur të kufizuar qarkullimin e këtij apo të atij teksti.

Shembull tipik, për vendosjen dhe zbatimin e sekretit brenda një ekosistemi totalitar, është fati i të ashtuquajturit Fjalim Sekret të Hrushovit, me titullin “Rreth kultit të personalitetit dhe pasojave të tij”, që ai e mbajti përpara 1500 delegatëve dhe pak mysafirëve të ftuar, gjatë një sesioni me dyer të mbyllura të Kongresit XX të PK të BRSS-së, në 25 shkurt të vitit 1956. Fjalimi ishte një kritikë e ashpër e kultit të personalitetit që kish ngritur rreth vetes Stalini (vdekur në 1953), gabimeve të tij në drejtimin e Partisë dhe të vendit, dhe abuzimit me pushtetin dhe terrorit të frymëzuar prej tij, ndaj bashkëpunëtorëve të ngushtë, masës së bolshevikëve dhe popullit sovjetik.

Ky fjalim, që u pasua nga një fushatë kapilare de-stalinizimi anembanë Bashkimit Sovjetik dhe shumë vendeve të Bllokut Lindor, e cila shënjoi një periudhë liberalizimi të përgjithshëm politik, ideologjik dhe kulturor, nuk u botua kurrë zyrtarisht deri në fund të viteve 1980. Teksti zyrtar i fjalimit ekzistonte, por mbeti deri në fund sekret. Megjithatë, zbulimet e huaja si Mossadi dhe CIA arritën të shtien në dorë kopje të fjalimit dhe e botuan të plotë pak muaj më pas. Fjalimi u përkthye më pas në gjuhë të tjera të Europës lindore (polonisht, hungarisht, çekisht dhe rumanisht) dhe u shpërnda, me rrugë klandestine, në këto vende, për të nxitur frymën anti-komuniste. Këtu po mjaftohemi të vërejmë se një kopje e fjalimit të shpërndarë nga agjencitë perëndimore të spiunazhit dhe të informacionit, do të konsiderohej si libër i ndaluar; dhe kushdo që do të kapej në zotërim të saj, do të pyetej se ku e kish gjetur e kujt ia kish treguar.

Teksti i fjalimit nuk u përmend as u përcoll nga mediat në Moskë dhe gjetiu në Bllokun Lindor, duke u mbajtur jashtë nga vetëdija e ligjëruar. Edhe pse erdhi duke u rrethuar nga një zhurmnajë që do të përfundonte pastaj shurdhuese, asgjë atje nuk mund të verifikohej – ashtu kushdo mund ta shkruante vetë, në imagjinatë, pretencën e vet kundër Stalinit dhe ta besonte për të mirëqenë. Ashtu edhe u sendërgjua si një sulm vdekjeprurës ndaj super-egos kolektive të Lindjes Sovjetike, projeksionit të prindit total që shërbente edhe si parim i autoritetit. Ishte shembja, sado e padukshme, e një Perëndie.

Në Shqipëri nuk u fol menjëherë haptazi për fjalimin sekret të Hrushovit, edhe pse Enver Hoxha dhe të vetët e kishin marrë kopjen e tyre, në Moskë, si të ftuar në Kongres dhe ishin njohur me të. Por ndryshe nga shtete të tjera të Lindjes, regjimi në Tiranë nuk u entuziazmua me drejtimin e ri që po merrte vija politike e Moskës dhe, pak vjet më pas, do të hynte haptazi në konflikt me Kremlinin. Megjithatë, të paktën deri në fund të viteve 1980, fjalimi i Hrushovit nuk u botua në shqip dhe nuk u vu në dispozicion të publikut të gjerë. Enveri e përmendi fjalimin – për shembull, në librin me kujtime Hrushovianët – por pa e analizuar në gjerësi. Ai mbeti deri në fund i vetëdijshëm se stalinizmi ishte integruar tashmë në çdo hallkë të shtetit dhe të pushtetit totalitar në Shqipëri; dhe se çdo informacion për fjalimin sekret të Hrushovit do të vinte në dyshim dhe do të lëkundte vetë autoritetin politik të Hoxhës. Në fakt, ai fjalim sekret ishte i pari që dekodonte, nga brenda, mekanizmin e dhunës dhe të terrorit totalitar, që kish ngritur në këmbë Stalini dhe që pastaj ish kopjuar edhe nga regjimi i Hoxhës në Tiranë. Te Stalini Hoxha gjente përligjjen teorike të së drejtës së tij për të udhëhequr PPSH-në dhe shtetin; agjencia staliniste kish përftuar super-egon e regjimit enverist në Tiranë; regjim që nuk mund ta hiqte qafe krimin politik, sepse ashtu do të hiqte qafe të vetmen forcë që e mbante në këmbë. Fjalimi sekret i Hrushovit sulmonte vetë arsyen e shtetit totalitar, duke i transformuar “të drejtat” e djeshme politike në dëshmi krimesh.

*

Ndonjëherë duket sikur një regjim totalitar në kulturë i hedh themelet në konceptin e ndalimit dhe të përjashtimit; ndryshe nga regjimi ligjor në demokracitë kushtetuese, ku për qytetarët individualë “lejohet gjithçka që nuk është e ndaluar “, totalitarizmi vë në jetë parimin e kundërt: “gjithçka që nuk është e lejuar, ndalohet”. Një version ekstrem i këtij parimi do të ishte: “gjithçka që nuk është e ndaluar, është e detyruar.” Ky formulim i është atribuuar, mes të tjerësh, ish Guvernatorit ushtarak të Palestinës, Ronald Storrs, në një fjalim të vitit 1938, ku ai përmendi disa shtete ku “gjithçka që nuk është e ndaluar, është e detyruar.” Një version nga shkrimtari i madh i fantashkencës Robert Heinlein: “Anything not compulsory was forbidden” (korrik 1940).

Sipas këtij parimi, të zbatuar ndaj marrëdhënies së individit lexues me një tekst, nëse ky tekst rezultonte i paautorizuar nga një institucion publik (një librari, një bibliotekë) do të rezultonte, parimisht, i ndaluar. Teksti do ta merrte autorizimin nga enti botues (shtetëror me përkufizim), që miratonte botimin e një dorëshkrimi origjinal, ribotimin e një botimi më të hershëm, ose përkthimin e një teksti të huaj. Ndalimi i një teksti të botuar gjetiu (në Shqipëri para 1945-ës ose në një shtet të huaj) zbatohej ndaj qarkullimit të tij publik; në raste të caktuara, një tekst zyrtarisht i ndaluar bëhej për këtë arsye edhe sekret; por kish edhe tekste sekrete që nuk i kish ndaluar asnjë autoritet si të dëmshme ose armiqësore, por vetëm ishin gjykuar si të papërshtatshme për qarkullim publik – me fjalë të tjera, kish tekste sekrete, si Fjalimi sekret i Hrushovit, që nuk kishin qarkulluar kurrë në publik. Në mënyrë të ngjashme, një dorëshkrim origjinal ose përkthim mund të refuzohej nga institucioni botues, pa u bërë për këtë arsye i ndaluar.

Kultura në Shqipëri nuk e përjetoi qarkullimin ilegal dhe gjysmë-ilegal të teksteve të censuruara, por të botuara me rrugë private dhe artizanale, siç ndodhi në Bashkimin Sovjetik, ku dukuria njihet me emrin samizdat. Efekt anësor i de-stalinizimit të ndërmarrë nga Hrushovi pas Kongresit XX të PK të BRSS, samizdati u zhvillua si një përgjigje alternative ndaj ndalimit të teksteve, të çfarëdo natyre; dhe në një kontekst politik-social më liberal se ai në Shqipëri. Një nga librat e parë që u botuan dhe qarkulluan si samizdat ishte romani Doktor Zhivago i Boris Pasternakut, fitues i pafat i çmimit Nobel në letërsi, por që nuk arriti ta botojë veprën e vet madhore zyrtarisht, në vendin e vet. Edhe nobelistëve të tjerë të persekutuar politikisht, si Solzhenjicin-it dhe Josip Brodsky-t, ashtu u janë botuar veprat; këtu do të futja edhe romanin “Mjeshtri dhe Margarita” të Bulgakovit, të “përfunduar” në 1940 (viti i vdekjes së autorit), për t’u refuzuar rregullisht nga shtëpitë botuese; edhe ai qarkulloi në samizdat dhe u botua më parë në Paris e në Frankfurt, para se të botohej më në fund i plotë në Bashkimin Sovjetik, në 1973.

Romane si ato të Bulgakovit dhe të Pasternakut, sikurse edhe “Arkipelagu Gulag” i Solzhenjicinit ishin vepra madhore të letërsisë ruse; çfarë e bën edhe më absurd ndalimin e botimit të tyre. Dukej sikur një kulturë totalitare kish nevojë t’i varroste veprat e veta më të mëdha, për t’u organizuar pastaj rreth mungesës së tyre. Solzhenjicini kish qenë vetë i burgosur politik gjatë viteve 1945-1953 për propagandë anti-sovjetike dhe pastaj i internuar në gulag deri në vitin 1957; fill pas lirimit nga internimi, filloi të shkruante novelën Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit, të cilën çuditërisht ia doli ta botonte në atdhe, falë frymës liberale të destalinizimit, nën Hrushovin. Deri atëherë, shkrimtarëve sovjetikë u ish ndaluar që të përmendnin kampet e punës (gulagët) në veprat e tyre. Pas rrëzimit të Hrushovit, Solzhenjicinit praktikisht iu hoq e drejta e botimit; romanet që shkoi më pas, duke filluar nga Pavijoni i kancerozëve (1966) dhe Rrethi i parë (1971), u botuan në Perëndim; njëlloj edhe si vepra e tij madhore tri-vëllimshe, non-fiction, Arkipelagu Gulag (1973). Për ta ndëshkuar, autoritetet sovjetike ia hoqën shtetësinë sovjetike dhe e dëbuan nga vendi. Në vitet 1970-1980, pas realitetit katastrofik që zbuloi Arkipelagu Gulag i Solzhenjicinit, “[e]dhe për të majtën [europiane] edhe për të djathtën, Rusia sovjetike u njësua me gulagun – teksa të gjithë rusët u detyruan, nga binarizmi i dyfish-mendimit oruellian, ta përjetonin vetëdijen e tyre si akt epifenomenal ku ndodhte një fshirje e pandërprerë, nëpërmjet së cilës mendimi, me të lindur, njëherazi do të zhdukej nga realiteti” (Will Self).

Ndryshe nga Solzhenjicini, që kish qenë gjithnjë në vëmendje të aparatit represiv totalitar si “armik i regjimit”, Boris Pasternaku ishte bërë i njohur, për dekada, si një nga poetët e rëndësishëm të letërsisë sovjetike, duke përfituar madje nga një lloj mbrojtjeje politike prej vetë Stalinit. Romani i tij, Doktor Zhivago, mund edhe të ishte botuar. Pjesa më e madhe e sulmeve ndaj romanit, në të gjitha nivelet, brenda Bashkimit Sovjetik, erdhi nga njerëz që romanin nuk e kishin lexuar – sepse nuk kishin ku ta gjenin. Më shumë se vetë përmbajtja e veprës, autoritetet totalitare i zemëroi mënyra si u botua romani në Perëndim dhe përdorimi që iu bë, si armë ideologjike kundër sistemit sovjetik. Përplasja mes nevojës totalitare për kontroll ndaj fjalës dhe parimit liberal të lirisë letrare përfundoi me dhënien e Nobelit letrar Pasternakut – por ky u detyrua nga regjimi që ta refuzojë, teksa u bë e qartë që origjinali rusisht i librit nuk do të botohej kurrë. E gjithë kjo dramë e shtjelluar pjesërisht në sytë e publikut ia zuri vendin ngjarjeve – po aq dramatike – të rrëfyera në roman, me efekte ndoshta edhe më “anti-sovjetike” se vetë vepra. Sovjetikët ndoshta patën të drejtë që dyshuan se Doktor Zhivagoja do të përdorej politikisht, por këtë katrahurë e gatuan vetë, falë reflekseve institucionale policore për të penguar qarkullimin e teksteve që nuk ndiqnin shabllonët e realizmit socialist dhe që nuk ishin të gatshme as të përshtatshme për t’u përdorur për “edukimin komunist të masave punonjëse.”

Kur Hrushovi kish dalë në pension pas shkarkimit nga posti në 1964, i biri i pat dhënë një kopje të daktilografuar, samizdat, të romanit. Ish diktatorit sovjetik iu desh një kohë e gjatë për ta çuar leximin deri në fund. “Nuk duhej ta kishim ndaluar,” tha. “Duhej ta kisha lexuar vetë. Nuk ka asgjë anti-sovjetike në të.” Edhe në kujtimet e tij Hrushovi do të shkruante: “Sa për Doktor Zhivagon, ndonjë mund të thotë se është tepër vonë për mua, që të shpreh keqardhjen që libri nuk u botua. Po, ndoshta është tepër vonë. Por më mirë vonë se kurrë.”[1] Ironikisht, edhe kujtimet e Hrushovit do të nxirreshin fshehurazi nga Bashkimi Sovjetik dhe do të botoheshin gjithashtu në Perëndim. Më shumë se vetë teksti i romanit, ishte historia e censurës dhe e botimit të tij dhe e përndjekjes së Pasternakut nga autoritetet totalitare në atdhe, që do të shërbenin si model për disidencën letrare në Bashkimin Sovjetik – mjaft të përmend Arkipelagun Gulag, të Solzhenjicinit, si shembullin më elokuent, ndonëse jo të vetmin.

*

Ka një raport jo dhe aq paradoksal, brenda një regjimi kulturor totalitar, mes librit të ndaluar dhe librit të kërkuar – ose librit të kërkuar dhe librit të ndaluar; të tillë që të mos shpjegohet dot vetëm me kuriozitetin morboz (“pse ta kenë ndaluar?”). Në totalitarizëm, ku shteti u dikton shkrimtarëve se çfarë të shkruajnë dhe si të shkruajnë, çdo autor me ambicie artistike do të kërkojë të testojë limitet e ndalimit, për të thënë diçka më tepër dhe për të trazuar ujërat.

Çdo kulturë ka tabutë e veta, pa të cilat nuk funksionon dot; pa përmendur rastet kur artistët i vendosin limite artificiale krijimtarisë së tyre, për ta thelluar kompleksitetin. Në totalitarizëm tabuja është para së gjithash politike, edhe pse në vende si Shqipëria është lidhur, tradicionalisht, edhe me normat seksuale dhe patriarkale të trashëguara. Tekstet me natyrë erotike, seksuale eksplicite dhe pornografike ishin të parat që do të goditeshin nga sëpata e censorit – që në dorëshkrim ose në listat e librave të bibliotekave. Ngjashëm është vepruar edhe me tekstet me natyrë fetare – edhe pse me kah të kundërt, sa kohë që ligjërimi fetar dhe integrimi i përjetimeve fetare ose spirituale do të refuzoheshin në emër të “së ardhmes”.

Shkrimtarët, edhe në totalitarizëm, e kanë ditur ose të paktën e kanë ndier se arti gjithnjë ushqehet në kufirin që ndan tabunë nga e lejuara/e autorizuara; mjeshtëria është të dish si t’i afrohesh atij kufiri dhe ta shkelësh nga pak, por pa e kapërcyer krejt; dhe kjo mjeshtëri mund të jetë edhe ajo një formë arti. Suksesin do ta arrinte ajo vepër që arrinte të ngacmonte mjaftueshëm imagjinatën e lexuesit, por pa e udhëzuar haptazi. Thyerja e “normës” letrare nuk garanton art të lartë, por mund të japë atë hapësirë lirie ku autori e ndien veten më mirë.

Realizmi socialist, në Shqipëri më fort se gjetiu, synonte një letërsi të aplikuar, ose vepra që do të përdoreshin, para së gjithash, për të përligjur vijën e Partisë ose për edukimin komunist të masave. Një roman me temë nga Lufta Na-Çl do t’i përshkruante ngjarjet në mënyrë të tillë, që këto të përkonin me versionin zyrtar historik përkatës; ashtu letërsia do ta përforconte këtë version dhe do ta amplifikonte me rrugë artistike. Një roman me temë nga industrializimi i vendit, në vitet 1950-1960, do të përshkruante me simpati të madhe komunistët, sekretarët e organizatave të Partisë, vullnetarët në hekurudhë, kooperativistët. Pas një fjalimi të Enver Hoxhës për emancipimin e gruas, do të dilnin në librari romane me personazhe vajza dhe gra, që luftonin për dinjitetin e tyre, kundër patriarkalizmit dhe “zakoneve prapanike”; pas një fjalimi tjetër të Enver Hoxhës kundër institucioneve fetare, klerit dhe botëkuptimit fetar do të dilnin në librari romane ku prifti ose hoxha pengonin progresin, ose bashkëpunonin me armiqtë e popullit. Regjimi mbante me rroga pikërisht autorët e kësaj letërsie dhe financonte rrjetin botues – nga shtëpitë botuese, te shtypshkronjat, libraritë dhe bibliotekat. Libri duhej të shërbente për diçka përtej kënaqësisë estetike të leximit.

Një imponim i tillë ideologjik herët a vonë do ta bëjë letërsinë repetitive – duke ia ulur nivelin artistik dhe duke ua zënë frymën autorëve, të cilët do ta shihnin veten të katandisur në rapsodë motivesh të rimarra e të përdorura për vdekje. Konformimi do të çonte në krijimin dhe botimin e veprave të ngjashme me literaturën propagandistike fetare, që nuk synon të thotë diçka të re as të përmbysë ndonjë të vërtetë të njohur, por vetëm të provojë që çfarë është thënë dje, vlen edhe për nesër; e reja, nëse do të ekzistojë, do ta gjejë vendin në interpretimin krijues të diçkaje të njohur. Nëse në romanin A personazhi kryesor kërcen mbi tank dhe hedh aty një granatë, në romanin B personazhi kryesor kërcen mbi autoblindë, ndërsa në romanin C kërcen mbi një luftanije të armikut; duke mos guxuar asnjë modifikim të motivit të miratuar të vetëflijimit.

Autorët e mirë, ata që mirëfilli kërkonin t’u jepnin lexuesve letërsi cilësore dhe refuzonin mediokritetin e përsëritjes, nuk kishin rrugë tjetër veç përpjekjeve për t’i modifikuar këto dogma narrative dhe ligjërimore; sepse vetëm në modifikimet do të arrinin të shprehnin vetveten. Te Kështjella, Ismail Kadareja e përqendroi rrëfimin jo te heroi kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu, por tek ushtria osmane që kish rrethuar Krujën, për të mundësuar një trajtim letrar të ri të një teme përndryshe letrarisht të konsumuar; këtë qasje, i njëjti autor e kish provuar – me sukses – te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ku Lufta Na-Çl rrëfehej nga pikëvështrimi i dy personazheve që i përkisnin kampit “tjetër”. Në të dy rastet, ishte dëshira për t’iu shmangur klisheve dhe për të sjellë diçka të re në letërsi, që çoi në risi edhe formale, por edhe në metodën letrare. Një qasje të ngjashme kish provuar edhe Petro Markoja, me Qyteti i fundit, teksa Agolli, te Njeriu me top, njëllojrrëfente fatin e ushtarëve italianë të braktisur në Shqipëri, pas kapitullimit të Italisë Fashiste. Të gjitha këto vepra, ku autorët guxuan dhe arritën ta ndryshojnë pikëvështrimin dhe fokusin narrativ, do të zinin vend pastaj mes arritjeve të shënuara të letërsisë shqipe. Mund të ishin ndaluar dhe ato – si të tjera që u ndaluan dhe që lexuesi nuk i njohu kurrë; por historinë e letërsisë e shkruajnë veprat që i shpëtojnë censurës; të tjerat ndoshta zënë vend në historinë e represionit kulturor, që është diçka tjetër.

Shkrimtarët që sjellin gjëra të reja, me veprën e tyre, nuk nisen zakonisht nga vullneti për të sjellë risi, dhe as nga synimi për të sfiduar propagandën totalitare. Këto janë më shumë efekte të një procesi, që ushqehet nga nevoja për të shkruar ndryshe dhe nga vetëdija se përsëritja e motiveve dhe klisheve e vret artin. Ka pasur natyrisht, në Shqipërinë e periudhës totalitare, autorë që mirëfilli rrekeshin të shkelin tabutë dhe të provokojnë, por këta e kanë ditur që nuk do ta kalojnë dot filtrin e censurës ideologjike dhe, në rastin më të mirë, i kanë qarkulluar tekstet e tyre privatisht ose mes miqve.

Ndonjë autor nga Shqipëria edhe do të përkthehej në gjuhët perëndimore, siç ndodhi me Ismail Kadarenë dhe romanin e tij Gjenerali i ushtrisë së vdekur të përkthyer në frëngjisht nga Isuf Vrioni dhe të botuar në Paris në 1968. Romani u vlerësua lart edhe nga kritika edhe nga lexuesi – aq sa të zërë vend në listën e 100 librave të shekullit, të përzgjedhur nga lexuesit e Le Monde. Frankofilia e Enver Hoxhës mund të ketë luajtur një rol në këtë përzgjedhje, në bashkëveprim me manovrat diplomatike dhe politikat kulturore të Francës – por kjo nuk ia prek vlerat artistike universale romanit. Ky botim u ndoq nga botime të tjera nga ai autor, në Francë dhe gjetiu në botë.

Paralelisht me suksesin e Kadaresë në Francë, u shtuan edhe kritikat herë të drejtpërdrejta e më shpesh të nënkuptuara, se ky autor po shkruante tani për lexuesin “e huaj”, duke iu larguar atij shqiptar dhe parimeve bazë të realizmit socialist. Ishin akuza që kombinonin zilinë me ksenofobinë, të themeluara mbi idenë se kish diçka që nuk shkonte, ideologjikisht, me një vepër “tonën” që pëlqehej nga Perëndimi kapitalist, ku sundonte arti dekadent borgjezo-revizionist.

Teksa Kadareja vazhdoi të shkruante e të botonte në Tiranë, krahas veprave që po i përktheheshin rresht, u shtua edhe dyshimi tjetër, se mos Perëndimi po e përdorte këtë autor për të “helmuar” letërsinë shqipe bashkëkohore, duke iu përshtatur precepteve artistike dhe ideologjike të huaja për Shqipërinë socialiste. Kritika të tilla iu bënë romanit Dimri i vetmisë së madhe, në kornizën e një fushate ideologjike masive kundër liberalizmit dhe shfaqjeve të huaja, që pat lançuar Enver Hoxha pas Plenumit IV të KQ të PPSH në vitin 1973. Sipas këtyre kritikave dhe akuzave, Shqipëria e pikturuar në roman nuk ishte ajo “reale” dhe e përditshme, por një Shqipëri e sajuar për t’i pëlqyer lexuesit perëndimor. Që nga ajo kohë, Kadareja do të lexohej edhe si autor subversiv, me prirje “heretike” (siç e pat cilësuar Arshi Pipa), edhe si autor i dyshimtë, që mund të luante rolin e Kalit të Trojës të ideologjisë borgjeze-revizioniste në mendjen e lexuesit në Shqipëri. Dyshimi do ta ndiqte Kadarenë nga pas deri në fund të viteve 1980 dhe, njëfarësoj, do të konfirmohej – sado me vonesë – me arratisjen e tij në Perëndim, në vjeshtën e vitit 1990, pak muaj para shembjes së regjimit totalitar në Tiranë.

Edhe struktura kompozicionale e veprave që Kadareja botoi në vitet 1970 dhe 1980 do ta pasqyronte, në mënyrën e vet, këtë marrëdhënie problematike mes Kadaresë dhe lexuesve të tij në Perëndim. Që me Gjeneralin, ai shkrimtar kish nisur të eksploronte një lloj narrative ku ngjarjet në veprat të rrëfeheshin dhe të përshkruheshin nga pikëvështrimi i një personazhi të huaj – ose i disa personazheve të tilla, të cilat shpesh angazhoheshin në biseda intelektuale mes tyre, për natyrën unike të shqiptarëve dhe vendin e tyre në histori. Nëpërmjet zërit të personazheve të veta, ndonjëherë edhe antiheronj, Kadareja kish filluar të ndërtonte një platformë të kombëtarizmit shqiptar modern, në të cilën të gjitha shmangiet nga dogma ideologjike historiografike staliniste u faturoheshin personazheve. Nga Gjenerali dhe Prifti, u kalua te Kryeveqilharxhi i romanit Kështjella dhe pastaj, dora-dorës, në personazhe të novelave/romane Ura me tre harqe, Pashallëqet e mëdha, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Viti i mbrapshtë, Dosja H dhe të tjera vepra, shpesh me temë nga periudha osmane. Censorët e letërsisë dhe të artit, në Shqipëri, nuk arritën t’i ndalojnë këto vepra, edhe pse shpesh i goditën rëndë. Por leximi i tyre gjithnjë u shoqërua me mundësinë – sado kundërfaktuale – që veprat një ditë të ndaloheshin, sepse tepër të ndryshme nga produktet standard të realizmit socialist, me mbledhje partie, kooperativistë dhe dyfeqe me gjalmë. Nëse regjimit totalitar i duhej letërsia në atë masë që i shërbente për të arritur synimet e veta ideologjike dhe politike, mund të nxirret përfundimi, sado tentativ, se Kadareja mbijetoi si shkrimtar dhe arriti të botojë – në Shqipëri dhe gjetiu – letërsi atipike, shpesh subversive, ngaqë u gjykua nga Hoxha si tejet i dobishëm për emrin dhe imazhin e Shqipërisë “socialiste” në botë; dhe aq më tepër në rrethanat kur Hoxha vetë e kish parë dhe kuptuar çfarë dëmi strategjik i kish sjellë Bashkimit Sovjetik ndalimi i veprës së një Pasternaku, një Solzhenjicini e një Josip Brodsky dhe dëbimi i këtyre shkrimtarëve nga vendi. Pse t’i ndaloheshin Kadaresë romanet, kur këto mund të përdoreshin më me dobi, si tekste që thjesht mund të ishin ndaluar? Në qëndrimin e regjimit totalitar ndaj produksionit letrar ndonjëherë, si në shah, kërcënimi kish efekt më të madh se ekzekutimi; dhe Kadareja vetë, pavarësisht nga disa aksidente të vogla në karrierë dhe përplasje të herëpashershme me organet represive, mbeti autor i privilegjuar dhe flamur kulturor i enver-hoxhizmit shqiptar deri në fund të viteve 1980. Kjo natyrisht përkoi edhe me konvergjencën midis kthesës kombëtariste të Enver Hoxhës vetë, pas konfliktit ideologjik dhe politik me Pekinin në gjysmën e dytë të viteve 1970, dhe ri-orientimit ideologjik të veprës së Kadaresë, në prozë dhe në poezi, gjatë po atyre viteve, drejt kombëtarizmit romantik. Të dy këta, edhe Enveri edhe Ismaili, do ta ri-shpiknin kështu imazhin e tyre si apostuj të shqiptarizmit modern.

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


[1] Peter Finn, Petra Couvée, The Zhivago Affair: The Kremlin, the CIA, and the Battle over a Forbidden Book, Pantheon 2014, f. 256.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading