Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

GJITHSEKUSH BIG BROTHER-IN E VET

Pjesa e nëntë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

Romanin 1984 të Orwellit kisha filluar ta lexoja në Romë, në sigurinë relative të dhomës sime modeste, në një hapësirë ku Sigurimi i Shtetit nuk hynte dot. Por ishte viti 1987 dhe nuk më lëshonte ankthi se po bëja diçka të dënueshme, që teorikisht mund ta paguaja me të ardhmen time. Nuk kish mbase nevojë që të më ndëshkonin organet e policisë sekrete – sepse ndëshkimin e kish marrë në dorë, sado simbolikisht, super-egoja ime, e trajnuar me vite të tëra historish persekutimi në Tiranë dhe këshillash për t’u ruajtur.

Më pas kam pyetur veten, më shumë nga kurioziteti, nëse Sigurimi kish ndonjë njeri të vetin, mes atyre që jetonin në apartament me mua. Post-universitarët në Romë strehoheshin në apartamente që paguheshin me bursat e larta të organizmave ndërkombëtare – prej çka përfitonim edhe ne të tjerët, që ishim me bursa të ulëta të qeverisë italiane. Në apartamentin në Tiburtina banonin tre të përhershëm – unë, dhe dy studentë: R.D. dhe E.Ç., por kish vend për deri 8 vetë, prandaj aty qëndronin, përkohësisht, edhe specializantë me afate më të shkurtra. Me arsye, i bie që disa prej këtyre të kenë qenë informatorë të Sigurimit, ose të paktën që raportonin te personi përkatës në Ambasadë. Por nuk e mendoja atëherë që ky person abstrakt, kjo shifër algjebrike e pranishme por e padukshme, mund të vinte dhe të rrëmonte në komodinën time, ku i mbaja librat. Më kanë treguar, më pas, personin që informonte rregullisht për studentët shqiptarë të strehuar në konviktin në Via Portonaccio, afër apartamentit tim: një vajzë që vinte rrallë e tek edhe te ne, dhe që nuk e kish kush në kandar. Por nuk di më tutje. Ndoshta kam refuzuar të di.

Sa shqetësohej Sigurimi atëherë, për gjërat që lexonin studentët dhe specializantët? Nuk besoj se shqetësohej shumë. Më shumë do të ketë pasur rëndësi informacioni për kontaktet me italianët, me shqiptarët e diasporës dhe nxjerrjen e valutës nga Shqipëria; por jo për librat dhe muzikën. Por unë atëherë, në vitet 1987-1988, vazhdoja të mendoj se, duke lexuar libra të ndaluar, “literaturë” të listave të zeza të regjimit, përbëja vërtet ndonjë rrezik për diktaturën e proletariatit në Shqipëri. Si shumë të tjerë të brezit tim, isha dëshpërimisht naiv. Ky naivitet më lejonte t’u jepja një kuptim sublim subversioneve të mia të vogla dhe ta përfytyroja veten si rebel të lehtë.

Mbaja mend, nga vitet 1970, që në Tiranë ishin përndjekur dhe dënuar shokë dhe të njohur të mi, për një libër të Freud-it a të Nietzsche-s e për një album të artit modern. Për të mos folur për ata të tjerët, që bënin burg pse u gjenin në shtëpi një Bibël a “Lahutën” e Gjergj Fishtës. Por këta të fundit ishin shtresë e ekspozuar ndaj terrorit policor, dhe ndonjëherë edhe arrestoheshin e burgoseshin me plan, ose për hir të statistikës. Nga ç’kisha marrë vesh, për fjalët që qarkullonin në Tiranë, zotërimi i një libri të ndaluar jo-fetar zakonisht përmendej si provë shtesë në gjyq. Kundër atyre që akuzoheshin, para së gjithash, se kishin folur kundër pushtetit. Hetuesisë i interesonte jo aq konsumi i një teksti të ndaluar, sa qarkullimi i tij – në fokus mbetej grupi antiparti dhe antipushtet, konspiracioni dhe subversioni i organizuar. Dhënia tjetrit, e një libri të listës së zezë, ishte më me rrezik se leximi i këtij libri. Njëlloj edhe për muzikën. Sigurimi i Shtetit nuk kish as burimet e duhura, as nevojë që të përndiqte të gjithë ata që qarkullonin “materiale” të ndaluara – i mjaftonte që të mbante gjallë psikozën se kontakti me këto materiale mund të dënohej. Pjesën tjetër të punës, ose kontrollin mbi këtë lloj qarkullimi, e bënim ne vetë, nën sytë e kujdesshëm të informatorëve.

Çfarë nuk më shpëtoi, ato ditë dimri në Romë, ishte që protagonistin e romanit të Orwell-it e arrestuan dhe, eventualisht, e dënuan ngaqë kish rënë në kontakt me një kryelibër të ndaluar, vatrën simbolike të subversionit ideologjik, një vepër të titulluar “Teoria dhe praktika e kolektivizmit oligarkik”, të shkruar nga armiku i madh i regjimit, një Emmanuel Goldstein. Winston Smith-i ia kërkoi librin “mikut” O’Brien, për ta përdorur si busull iniciatike, në rrugën e tij drejt rebelimit intelektual dhe anëtarësimit në “Vëllazërinë” ku bënte pjesë – me gjasë – edhe O’Brien-i. Faqe pas faqeje, Winston-i gjeti në libër një konfirmim të gjithçkaje kish dyshuar e menduar gjatë atyre viteve – për thelbin e pushtetit që ushtronte Partia, mekanizmin e luftës së përhershme dhe manipulimin e kujtesës kolektive dhe individuale.

Por gjatë marrjes në pyetje, nga i njëjti O’Brian, Winston-i mëson se libri nuk është autentik, por vepër e një komiteti anëtarësh të brendshëm të Partisë, i shkruar për t’u përdorur, prej Policisë së Mendimit, si karrem për të zbuluar dhe kapur heretikët. Falë reputacionit të tij, libri i nxirrte në dritë ata që, deri dje, kishin preferuar t’i kultivonin dyshimet e tyre në heshtje, duke u vënë në dispozicion një sistem të organizuar idesh. Libri ndihmonte Partinë për të identifikuar subversivët, për të dokumentuar materialisht veprimtarinë e tyre armiqësore dhe për të provuar, në analizë të fundit, se edhe vetë “rezistenca” e tyre ishte një iluzion i para-programuar nga Shteti, për synime profilaktike.

Libri shënon, kësisoj, tatëpjetën e Winston-it, teksa shërben për t’i konfirmuar këtij kontrollin total të regjimit edhe ndaj vetë idesë së revolucionit. Nga instrument i shpresës dhe i kredos intelektuale, ai përfundon në një vegël diagnostike për vanitetin e Winston-it vetë, që kujtonte se ishte më inteligjent se sistemi, ngaqë mendimet e tij përkonin me ato të librit, por që pastaj mori vesh se sistemi ishte kaq i gjithëfuqishëm, sa të përmbante në vete edhe “kritikën” kundër tij.

Autori i supozuar i librit, Emmanuel Goldstein-i, i prezantohet lexuesit si “kryearmiku”; dikur figurë madhore e udhëheqjes së Partisë, ai u përzie në aktivitete kundërrevolucionare dhe u dënua me vdekje, por arriti të arratisej. Që nga ajo kohë, Goldstein-in e paraqitin si kreun e “Vëllazërisë”, rrjetit konspirativ që synon të rrëzojë regjimin. Fytyra e tij shfaqet në ekranet gjatë “Dy minutave urrejtje”, duke shërbyer si simbol njësues i urrejtjes qytetare dhe si valvul sigurie, për tensionet e përditshme. Nuk është e qartë nëse Goldstein-i ekziston vërtet, apo është edhe ai fabrikim i kulluar i aparatit ideologjik të Partisë, për të mbajtur gjallë shpresën e rreme të “rebelimit” dhe për të identifikuar dhe kapur “rebelët”.

Është vënë në dukje se Goldstein-i i romanit përfaqëson atje figurën e revolucionarit rus Leon Trocki, një nga udhëheqësit kryesorë të Revolucionit të Tetorit, por që pastaj hyri në konflikt me Stalinin dhe u dëbua nga Bashkimi Sovjetik. Gjatë kohës që jetoi në mërgim, Trocki shkroi një numër veprash kritike ndaj rrugës që kish marrë socializmi nën regjimin stalinist dhe u vu në krye të një lëvizjeje revolucionare anti-staliniste, me ndikim në të majtën botërore. Emri Emmanuel Goldstein tingëllon ngjashëm me emrin real të Trockit – Lev Bronstein, dhe Goldstein-i vetë, në roman, përshkruhet me tipare të një ebreu, siç ishte Bronstein-i vetë.

Lexuesi ideal i romanit të Orwell-it ndoshta pritej të ishte njëfarësoj i familjarizuar me luftën “civile” brenda regjimit në Bashkimin Sovjetik, në vitet 1930. Trockin e përjashtuan nga Partia në vitin 1927 dhe e dëbuan nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1929; pas largimit të Trockit, këtij filluan t’i faturohen të gjitha problemet dhe dështimet politike dhe ekonomike në vitet 1930. Teksa ky botonte, në 1936, veprën Revolucioni i tradhtuar, Stalini nxiti dhe çoi përpara, për disa vjet, spastrimin e madh të radhëve të partisë dhe të pushtetit, që u kurorëzua me gjyqet e mëdha kundër “grupeve armiqësore” në kokë të Partisë, ku të gjithë të akuzuarit pranuan se ishin përfshirë në komplote për të rrëzuar Stalinin, të frymëzuar dhe shpesh edhe të udhëzuar nga Trocki. Lufta sistematike kundër Trockit dhe trockizmit u bë realitet edhe për qarqet e së majtës europiane ku vepronte Orwell-i, duke përfshirë këtu Luftën e Spanjës. Kundërvënia primordiale, midis Stalinit “të mirë” dhe Trockit “të lig”, e tillë që t’i tejkalonte kufijtë e një konflikti politik-ideologjik, për të marrë përmasa deri mistike, si luftë mes së mirës dhe së keqes, pasqyrohet në romanin e Orwell-it nëpërmjet ballafaqimit të dy personazheve njëlloj të paarritshëm: Big Brother-i dhe Goldstein-i. Imazhet e të dy këtyre janë pjesë e realitetit të përditshëm në Oqeani, por ata vetë në realitet nuk i ka parë kush; çfarë i shndërron imazhet e tyre në ikona dhe agjencinë e tyre në mit. Në fakt, asnjë provë nuk sillet, në roman, se Big Brother-i ekziston – imazhi i tij ikonik mbetet po aq statik, sa edhe ai i Goldstein-it. Kur Winston-i e pyet O’Brien-in nëse Big Brother-i ekziston “në të njëjtën mënyrë siç ekzistoj unë”, O’Brien-i përgjigjet: “Ti nuk ekziston.” Në të vërtetë, nga një pikëpamje, Big Brother-i është më “real” se kushdo tjetër, në Oqeani – në rolin e vet prej vrojtuesi të gjithëpranishëm.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading