Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

OFIÇINA KRIJUESE E SHKRIMTARIT

Të orvatesh të hulumtosh sekretet e ofiçinës krijuese të një shkrimtari apo artisti, është si të kërkosh të hapësh një vrimë në ujë. Me njohjet dhe mjetet që disponojmë sot, është krejt e pamundur. Dhe do të jetë e pamundur, për aq kohë sa njeriu, falë shkencës neurologjike, biologjisë dhe kimisë, nuk ka arritur të krijojë krejt hartën e trurit të tij, në mënyrë që ta monitorojë dhe të kuptojë se çfarë ndodh vërtet aty. Është një proces aq kompleks dhe i paparashikueshëm, brenda sistemit tejet të koklavitur, por edhe perfekt të trurit njerëzor, sa është krejt e pamundur t’i kuptohen mekanizmat që e shkaktojnë. Po aq i paparashikueshëm sa është edhe fati i njeriut, mbarëvajtja e tij shëndetësore, destini i tij. Kur njeriu të kuptojë se si funksionon kujtesa, ndërgjegjja, vetëdija e tij, sistemi i pesë shqisave, se si i organizon brenda vetes arketipet, idetë, konceptet, bindjet, besimet, mbi çfarë kriteresh kulturore formon veset dhe virtytet, se si brenda tij lind dhe formohet mendimi, gjykimi, opinioni, atëherë ndoshta do të arrijë të shpjegojë edhe mekanizmin krijues artistik. I cili është forma më e lartë, më sublime, orvatja e tij më e skajshme intelektuale.

Pra nuk e dimë. Dhe nuk do ta dimë për shumë e shumë kohë. Jemi aq injorantë, sa ishte injorant Da Vinçi mbi ligjet e aerodinamikës dhe mundësitë konkrete për të fluturuar, apo sa ishte injorant Hipokrati i Kosit mbi mundësitë e transplantimit të një organi. Por mund të orvatemi ta shpjegojmë atë nëpërmjet një shpjegimi të përafërt. Ky proces, kimik dhe elektrik brenda trurit, është po aq kompleks sa vetë truri njerëzor. Po aq kompleks sa e tërë makina njerëzore, e cila, sado e ndërlikuar, funksionon mrekullisht në tërësinë e saj.

Hyji ka krijuar në madhështinë e tij? Edhe njeriu ka krijuar gjithmonë në modestinë e tij. Vazhdon të krijojë, të zbulojë, të shpikë, të sajojë përmes hulumtimit, meditimit, kërkimit shkencor, eksperimentit dhe këmbënguljes së tij. Kurioziteti dhe këmbëngulja, janë dy motorët e fuqishëm që e lëvizin atё.

Pra krijuesit, artistët, mund të krahasohen me hyjni të vogla e modeste, të cilët mundohen të krijojnë botë të reja, forma të reja shprehjeje njerëzore: poezi, romane, piktura, simfoni, këngë, drama etj. Një shkrimtar qëndron më lart se një studiues i mirëfilltë i letërsisë, apo se një kritik i mirë i saj. Pastaj vijnë me radhë profesorët universitarë, më poshtë mësuesit e letërsisë, dhe akoma më poshtë lexuesit dhe artdashësit. Në krye qëndron sublim shkrimtari. Një shkrimtar, po ta dëshirojë, mund ta bëjë kritikun. Ndërsa një kritik nuk e bën dot shkrimtarin. Krijuesi është gjithmonë mbi të tjerët. Nga këtu del se intelektuali i vërtetë, përveç militimit nё çёshtjet e nxehta shoqërore, duhet të jetë edhe krijues i spikatur. Nuk dua të zgjatem këtu mbi rolin dhe cilësitë e një intelektuali të mirëfilltë. Një herë tjetër do të shkruaj mbi rolin e intelektualit në shoqëri.

Ç’ndodh pra brenda ofiçinës krijuese të shkrimtarit? Si bëhet e mundur? Cilët janë elementët që e bëjnë të mundur lindjen, pjelljen nga asgjëja të një vepre letrare? Siç rreket ta shpjegojë edhe Ismail Kadare në librin e tij Ftesë në Studio, krijimi i një vepre letrare është tejet i ndërlikuar. Ai del nga ajo anë irracionale e trurit, e cila është e pamundur ta kuptosh, ta hulumtosh, ta skanosh apo ta shpjegosh me formula e përkufizime. “Po t’i mbledhësh bashkë,” shkruan Kadare, “këto momente Bing-bangu në tru gjatë gjithë jetës së një shkrimtari, nuk zënë më shumë se disa dhjetëra orë.” Unë mendoj se nuk kapin më shumë se një orë. Idetë gjeniale, zanafillat e saj, mund të kenë origjina nga më të ndryshmet. Mund të nisin nga brengat e njeriut, nga brengat e fisit, të një bashkësie, të një vendi.

Siç na mëson Jungu, ne kemi një ndërgjegje personale, por kemi edhe një ndërgjegje kolektive. Ato, ndriçimet, idetё e reja, mund të rrjedhin nga nënndërgjegjja, ose pavetëdija e shkrimtarit. Mund të burojnë nga një shqetësim kolektiv, nga një cen a dobësi e botës ku ai lindi dhe u formua. Mund të burojnë edhe nga një dramë familjare, apo nga një shqetësim krejt personal, nga vrasjet e ndërgjegjes personale apo kolektive. Pra shkrimtari mund të frymëzohet edhe nga kujtesa e bashkësisë ku u rrit. Por, asnjëherë nuk dihet me siguri zanafilla e një vepre letrare, shkruan Kadare.

Pikërisht atje, nё nënndërgjegje, përtej jetës racionale të shkrimtarit, duhet të kërkohen disa herë edhe embrionet e veprave të mira. Në nervozizmin e trashëguar, në një brengë a lumturi të vjetër të gjinisë. Pra, fare rastësisht, në mënyrë mistershme, në formë krejt enigmatike, lind, ose më mirë shkrepëtin, ndizet në tru edhe një ide krejt e re. Por më pas, ideja gjeniale duhet pjekur brenda ofiçinës krijuese të shkrimtarit. Nevojitet kohë për të kuptuar nëse është e vlefshme apo kalimtare.

Saramago rrёfen po vetё se si i lindi idea e kryeveprёs sё tij, romanit Verbёri. “Isha duke ngrёnё drekё nё njё restorant tё Lisbonёs,” rrёfen ai, “dhe po shihja njerёzit. Pastaj pyeta veten: Po tё bёheshim tё gjithё tё verbёr? Jo tё verbёr nё errёsirё, por tё verbёr nё njё det plot dritё tё bardhё. Njё verbёri e bardhё!”

Ndёrsa kolombiani G. G. Markez rrёfen nё njё intervistё: “Unë, pasi kam një ide, një embrion vepre letrare, e hedh në letër, bëj një sinops, pastaj e lë mënjanë për një kohë të gjatë, për të kuptuar nëse është e vlefshme sa duhet apo jo. Nëse i reziston gjykimit tim, apo ishte një ide mediokre që më dukej gjeniale.” Pra, ashtu si veprat e mira letrare duhet të testohen nga koha dhe nga kritika, po ashtu edhe embrionet e librave, pjellë të ndriçimeve të brendshme dhe të hedhura në letër shpejt e shpejt, duhet të kalojnë gjykimin e kohës nga vetë shkrimtari. Nevojitet pra që ideja t’i rezistojë kohës. Zakonisht, sa më e fortë, gjeniale dhe interesante të jetë ideja, aq më shumë ajo e rrëmben artistin. E lë pa gjumë, e mundon gjatë. Procesi krijues vërtet është një pakt me djallin. Një përleshje, kacafytje me të. E mundon, por edhe e josh krijuesin. Ideja e pjellë nga truri i tij nis e jeton aq fort brenda ndërgjegjes sa nis ta mundojë, ta sfilitë. Si të ishte një vajzë e bukur, por edhe djallëzore, e cila i premton një lumturi të rrezikshme, një delir drite dhe kënaqësish, por nuk jepet kollaj. Tekanjoze dhe e llastuar, ajo nis ta mundojë shpikësin e saj. Ndaj shkrimtari, nga frika se mos e humb përgjithmonë, e hedh në letër atë embrion, atë etyd. Hedh një skicë të shpejtë, me frikën se mos i fluturon nga mendja. Ta shkruajë, për të, është e barabartë me lidhjen e saj me pranga, burgosjen apo ngrirjen e saj në germa, duke i dhënë jetë idesë abstrakte. Të cilën mund ta harrojë. Ai e gdhend me fjalë para se të fanitet krejt nga mendja.

Pjesa tjetër e krijimit është punë pa fund. Një proces i gjatë pune, ndonjëherë edhe për vite të tëra, derisa ideja gjeniale të konkretizohet, të marrë një formë konkrete, një shtrirje në fjalë, rima, ngjyra, forma, linja, tinguj. Më pas duhet: mund pa fund, për art magjie, siç shkruan Poradeci, për t’i gjetur një strukturë, një stil, një formë, një përbërje konkrete.

Mendoj, se shpërthimi zanafillor në tru, i gjetjes gjeniale, i idesë së madhe, është edhe pjesa më e çuditshme, e paparashikueshme dhe misterioze e krijimit. Pra lexim, vuajtje, mbledhje materiali. Pastaj vjen procesi i inkubimit. Shkrimtari, siç e thashë, e lë mënjanë. Truri punon në sfond. Pastaj vjen ndriçimi. Eureka! Lidhja e papritur. Ndjesia e të dridhurave kur bën gjetjen e duhur. Pasi e verifikojmë, punojmë pa fund. Fshijmë ndoshta 90 për qind të asaj që shkruajmë. Kjo kërkon disiplinë kimike. Duhet një tru me ndjeshmëri të lartë dopaminergjike, me një sistem noradrenergjik të fortë dhe me një kontroll të fortë prefrontal.

Pra kemi: 1. Përgatitjen, 2. Inkubimin, 3. Ndriçimin, 4. Verifikimin. Në këtë proces kërkimi dhe shpërblimi, truri fillon të bëjë lidhje mes koncepteve shumë të largëta, p.sh. dashuria + lufta + një filxhan kafeje, dhe pastaj ndjen kënaqësi kur krijon një metaforë të re.

Kjo uri për metafora të reja shpërblehet me një kënaqësi të pamatë krijuese. Pra, bashkëveprimi i disa sistemeve kimike bën që shkrimtari të shohë atë që të tjerët nuk e shohin. Që të ndodhë kjo risi, që të vijë ky lajm, duhet një ndriçim i çuditshëm i përbrendshëm. Mund të vijë në çdo moment, në çdo situatë, krejt papritur. Si rrjedhojë e një ëndrre të parë në mëngjes, nga leximi i një libri, nga një ngjarje private e jetës së artistit, nga një marrëdhënie familjare, bashkëshortore, nga një bisedë mes miqsh, shkrimtarësh, artistësh. Nuk dihet. Dihet që në çast, krijuesit, si një vetëtimë, i kalon nëpër mend ideja origjinale dhe ai bëhet skllav i saj. Hulumtimet e tij, eksperiencat e jetës, akumulimi nga leximet e ndryshme, intuita, fantazia, imagjinata, lodhja mendore, shtrydhja e trurit, meditimet, idetë e të tjerëve parë nga këndvështrimi i tij, kanë bërë që ai të ketë një ndriçim të ri, një frymëzim të ri. Në ato çaste ai dridhet, emocionohet, mishi i bëhet kokërr dhe ai sheh lart në qiell, falënderon. Pastaj nis të mendohet seriozisht. Ky shpërthim drite brenda trurit të tij është edhe diamanti i gjetur në gërmimet pa fund në minierën e errët të trurit. Mes gurëve, dheut, shkëmbinjve të thërrmuar, mineraleve disi të çmuar, gjetësi, shkrimtari kërkues, ka ndeshur diamantin rrëzëllitës.

Kush janë arsyet, ose më mirë, cilët janë faktorët që bëjnë të mundur brenda trurit një ngjarje të tillë të paqenë?

Kam përcaktuar disa faktorë. Gjetja ndodh në hemisferën irracionale të trurit. Pra mrekullia ndodh në hemisferën e djathtë, aty ku gjenden imagjinata, intuita, krijimtaria e artistit. Aty, gjatë një procesi të ndërlikuar krijues, lind shkëndija e parë, Bing-bangu, shpërthimi bioelektrik, apo reaksioni kimik në qelizat e trurit. Nevojitet që artisti të ketë një pjekuri krijuese të konsiderueshme. Të ketë eksperiencë jete dhe krijimtarie, pra një përgatitje të gjatë në fushën e tij, në rastin konkret: përgatitje letrare. Gjatë bashkëpunimit të tyre: imagjinatë, intuicion, eksperiencë, shtrydhje të trurit, aftësi krijuese, ka raste kur krijuesi ndriçohet dhe shpik një variant të ri.

Shpikja e një vepre letrare nuk është më pak e rëndësishme se çdo shpikje njerëzore në çdo fushë të jetës. Shpikja e idesë dhe e strukturës së Odisesë nga Homeri, shpikja artistike e Komedisë Hyjnore nga Dante, shpikja e formës së re të dramës, Hamletit, Makbethit apo Romeos dhe Zhulietës nga Shekspiri, nuk janë më pak të rëndësishme nga zbulimi i Teorisë së Relativitetit nga Ajnshtajni, nga shpikja e rrjetit internet apo e touch-screen-it nga Steve Jobs, e kështu me radhë, nga shpikja e zjarrit, e rrotës, e elektricitetit, e valëve radio etj.

Askush nuk nisi nga asgjёja. Homeri, me siguri, u ka nisur nga kёngёt popullore tё cilat aedёt i kёndonin nё kohёn e tij mbi bёmat e Trojёs. Para Dantes, ferri si strukturё njihej nga egjyptjanёt, grekёt, romakёt. Poeti u frymёzua nga hadi i Virgjilit, veç se Dante krijoi njё strukturё tepёr komplekse. Pra ai e pasuroi dhe i dha njё mgjyrim kristian. Shekspiri e mori Hamletin nga Gesta Danorum, shkruar nga Saxo Grammaticus. Ndёrsa Makbethin, nga Kronikat Angleze tё vitit 1587.

Në çfarë çasti të bekuar, Servantesi, i lodhur së lexuari romane kalorësiake mediokre plot klishe të dala boje, i shtyrë nga një neveri e pamëshirshme, plot helm dhe sarkazëm, truri i tij i mërzitur, si përgjigje, ka sajuar nga asgjëja personazhin idiot e të fantaksur të Don Kishotit?! Çfarë trysnie neverie, mërzie dhe refuzimi ka bërë që truri i tij nazik të gjente një zgjidhje të re: talljen deri në sarkazëm me këta heronj të dalë boje?

Por shpikja, gjetja ose zbulimi i një ideje gjeniale letrare, filozofike, poetike, është gjithashtu një nga proceset më misterioze, më të pazbërthyeshme dhe më të pazbulueshme nga njeriu. Drejt saj artisti shkon duke ecur pak nga pak, por për një kohë të gjatë. Atij i nevojiten dekada pune, eksperience, lodhje, meditim dhe sidomos përsosmëri e stilit të tij. Realizimi i idesë është veç një pjesë e krijimit letrar. Pra kemi dy etapa:

1. Është gjetja. Bing-bangu në tru. Shkëndija e shenjtë, e cila ka lidhje me frymëzimin, ispirimin, që na duket diçka Hyjnore. Vjen veç nga sipër.

2. Është eksperienca e gjatë në përvetësimin e stilit. Si ta shtrojmë në lëndë, si t’i japim një formë kësaj shkëndije në tru, ideje gjeniale. Nuk e dimë se kur, Heminguejit i ka shkrepëtirë në tru ideja e romanit Plaku dhe Deti. Por dimë se aty ai ka ditur të fusë, në formë sintetike, të gjithë eksperiencën e gjatë të jetës së tij si njeri, shkrimtar dhe aventurier. Lufta e njeriut me natyrën, shkatërrimi i tij i brendshëm dhe triumfi i tij. Plaku Santiago sjell në shtëpi veç simbolin e fitores: kurrizin e peshkut të ngrënë nga peshkaqenët. Pra, intuitë, fantazi, eksperiencë jete dhe letrare, janë vetëm disa nga elementët, të cilët, si në një shtjellë misterioze brenda trurit, ndërthuren, bashkëveprojnë, bashkëpunojnë, kacafyten, marrin dhe japin mes tyre si në ethe. Nga kjo shtjellë kimike, elektrike, mu në Qendër të Trurit, lind Drita e re. E njëjta dritë njerëzore e cila ka shpikur edhe arketipet e para. Ka shpikur idenë e tavolinës, të karriges, të shtëpisë, të qytetit, idenë e karrocës, të makinës, të shkrimit, të librit, të shtypshkronjës, të tempujve dhe katedraleve, të piramidave etj. Një varg i gjatë arketipesh, të krijuara nga njeriu për shekuj me radhë, derisa kemi arritur në epokën e internetit dhe celularit. Më intereson veç zanafilla e një ideje gjeniale, e një çfarëdo kryevepre letrare. Nuk dua të zgjatem. Homeri nuk mund ta shkruante Odisenë pa jetuar ai vetё gjatë dhe pa akumuluar sa duhej eksperiencё jete.

Të marrim Danten me Komedinë Hyjnore. Dy forca brenda trurit të Dantes krijuan këtë kryevepër: Urrejtja që i vlonte në gji kundër Guelfëve të Zinj, kundërshtarëve politikë, të cilët jo vetëm e dënuan në mungesë me djegie në turrën e druve, por e poshtëruan si tradhtar të atdheut, si matrapaz, si hajdut fondesh dhe dallaveraxhi. Gjithashtu ia konfiskuan të gjitha të mirat materiale që kishte në Firence. Zhgënjimi dhe frustrimi që Dante pati për shkak të një dashurie djaloshare të pamundur. Aq shumë mbeti keq Poeti sa nuk u shërua kurrë. Mendoi: në këtë jetë nuk munda ta kem Beatriçen. Atëherë do të shpik një histori, ku ta takoj në Parajsë, pranë Marisë së shenjtë. Pra si urrejtja dhe dëshira për t’i futur armiqtë e tij në Ferr, po ashtu edhe frustrimi i një zhgënjimi dashurie, qenë dy shtjellat kimike, dy vorbullat bioelektrike që i lëviznin në tru. Këto shtjella sollën edhe Krijesën e tij Gjeniale. Shkëndija, siç e thashë, ndodhi veç për disa sekonda. Ishte herët në mëngjes, natë e thellë, zgjim vrullthi nga një ëndërr? Ndodhi tek bisedonte me një mik, tek lexonte një libër, ndërsa rrinte i vetmuar buzë një lumi? Kur ndodhi kjo? Pak rëndësi ka. Dihet kur brenda tij lindi urrejtja e furishme kundër armiqve në politikë. Ky çast ka një datë: 27 janar 1302, kur ai ishte ambasador në Romë. Po ashtu dimë kur zhgënjimi i tij për të dashurën platonike iu rrit në maksimum, kur Beatriçe vdiq papritur 23 vjeçe, në vitin 1290. Nuk dimë pjesën tjetër, kur i lindi në tru ideja e parë e Komedisë. Me siguri pas fakteve të dëbimit me dhunë nga Firence. Çastet e shkëndijës së parë kanë zgjatur veç pak momente, por shtrirja e poemës, realizimi i saj, zgjati gati 20 vjet. Konceptimi, meditimi mbi strukturën, materiali i brendshëm, qe një punë e gjatë përgatitore, studimesh e lodhjeje mendore, e cila nuk reshti kurrë sa poeti ishte gjallë, nga viti 1302 deri në vitin 1321, kur dha frymë.

Po ashtu edhe Stefan Zvajg rreket tё shpjegojё mekanizmat misteriozё tё krijimit artistik. Tek studimi i tij: Sekreti i krijimit artistik, shkrimtari, rreket tё shpjegojё tё pashpjegueshmen. Rrugёt e krijimtarisё kalojnё nёpёr shtigje tё papritura, tё panjohura, tё padepёrtueshme. Ёshtё njё sistem i tёrё, kompleks kimik, i cili herё-herё, fare rastёsisht, pjell mrekullinё. Gjetjet gjeniale letrare. Ideja e Kadaresё, pёr tё shpikur njё gjeneral dhe njё prift qё bredhin nё dhe tё huaj pёr tё mbledhur eshtrat, ёshtё njё reflektim i thellё mbi pasojat dhe plagёt e dhimbshme qё çdo luftё dhe shkatёrrim i shkakton njё populli.

“Mirёpo ne e gjejmё veten pёrpara atij fenomeni tё çuditshёm tё krijuesve” shkruan Zvajg, “qofshin ata muzikantё, poetё ose piktorё, aq sa kriminelё tё regjur, tё cilёt nuk janё nё gjendje tё bёjnё ndonjё deklaratё pёrfundimtare mbi atё moment tё parё intim tё krimit.” Ndёrsa Edgar Alen Poe pёr poemёn e tij Korbi shkruan: “Shpesh kam menduar se sa interesant mund tё jetё njё artikull i shkruar nga çdo autor, i cili do tё mund tё detajonte, hap pas hapi, proçesin me tё cilin çdo kompozim i tij arriti pikёn pёrfundimtare tё kompozimit. Nuk jam nё gjendje tё them, pse njё punim i tillё nuk i ёshtё dhёnё botёs.”

Dёshiroj ta mbyll kёtё panoramё tё shkurtёr, me disa fjalё tё shkrimtarit tonё Ismail Kadare mbi sekretin, magjinё dhe origjinalitetin e ofiçinёs krijuese tё shkrimtarit. Marrё nga libri Ftesё nё Studio. “Atelienё e tij shkrimtari e merr me vete nё varr. Ёshtё pёr tё ardhur keq? Ёshtё pёr tё thёnё: mёkat qё gjithё ajo pasuri, gjithё ajo pёrvojё ikёn bashkё me tё zotin e vet? Do tё thosha: aspak. Madje do tё thoshja se ёshtё e kundёrta. Ёshtё me sa duket e domosdoshme qё tё ndodhё kёshtu. Çdo shkrimtar ashtu siç duhet tё ngrejё vetё nga e para atelienё e vet, po ashtu duhet ta marrё me vete kur ikёn. Sepse vetёm kёshtu arti botёror siguron risinё e tij tё vazhdueshme. Pёrndryshe, atelietё e trashёguara, struktura tё vdekura rutinore, do ta ngrinin, do ta mpinin, gjersa mё nё fund ta vdisnin artin.”

(c) 2026 Artur Spanjolli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading