Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Lexim

MURTAJA ËSHTË KTHYER NË RAFTET E LIBRAVE

E vura re sot, ndërsa po shikoja se çfarë po lexonin miqtë e mi, të cilët e përdorin instagram si një ditar leximi. Kishte diçka të çuditshme në zgjedhjet e tyre. Njëri po lexonte Kamynë, një tjetër Dekameronin, dikush tjetër Defonë. Libra për murtajën, epidemitë dhe sëmundjet që zakonisht do t’i prisje të qëndronin të qetë në raftet e librave. Pastaj mendova për lajmet nga Irkutsku. Më 29 shtator, një punonjëse e një instituti kërkimor kundër murtajës u sëmur dhe tre ditë më vonë, më 2 tetor, vdiq; shkaku i vdekjes ende nuk është konfirmuar përfundimisht. Sot është 7 tetor dhe papritur këto dy ndodhi nisën të më dukeshin më pak si një rastësi. Ende nuk dihet si do i shkojë filli murtajës së vërtetë, por lexuesit po e jetojnë në këto momente, nëpërmjet librave të tyre. Nga kureshtja, hapa aplikacionin Libby, prej të cilit marr hua libra elektronikë, dhe kërkova disa prej këtyre titujve. Murtaja e Kamysë ishte e huazuar. Dekameroni po ashtu. Edhe librat e tjerë që lidhen me epidemitë rezultuan të huazuar nga anëtarë të tjerë të këtyre librarive. Ishte tronditje e madhe, konsideruar faktit që kam shtatë karta anëtarësie. Në një moment, fillova të mendoj se mos Libby po më jepte një paralajmërim që lajmet ende nuk kishin marrë guximin të ma jepnin. Por më shumë se kjo, më intrigoi një pyetje tjetër. Pse, sa herë që bota na kujton se ekzistojnë sëmundje, izolime dhe katastrofa, ne shkojmë në shtëpi dhe hapim një libër pikërisht për këto gjëra?

Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Kur shpërtheu pandemia e COVID-19, bota u hodh thuajse menjëherë mbi çdo faqe që përmbante mikrobe, karantina apo izolime historike. Dashuria në kohërat e kolerës u ngjit në klasifikimet e shitjeve dhe u shfaq në duart e njerëzve që ndoshta nuk e kishin menduar kurrë se do të kalonin një pandemi duke lexuar një roman me fjalën “kolerë” në titull, pavarërisht madhështisë së autorit të librit. Lexuesit u kthyen te Daniel Defoe, Kamyja përjetoi një ringjallje të dukshme në interesin e lexuesve, ndërsa Dekameroni u zhvendos nga raftet e letërsisë klasike në një lloj shoqëruesi të çuditshëm kulturor për një botë të mbyllur në shtëpi. Tani, mjafton një ngjarje e paqartë në një institut kërkimor në Irkutsk, një vdekje dhe disa pyetje pa përgjigje, që fjala “murtajë” të dalë përsëri në sipërfaqe. Dhe bashkë me të, duket se dalin edhe librat. Sapo lajmet na informojnë për një ndodhi, lexuesi përgjigjet: “Mirë. Po çfarë kanë shkruar për të?”

Ndoshta kjo është një nga kontradiktat më të bukura të leximit. Pse një njeri që ka kaluar një pjesë të mirë të viteve të fundit duke u shqetësuar për viruset zgjedh, me vullnet të plotë, t’i kushtojë mbrëmjet e tij një historie tjetër për viruset? Pse të mos zgjedhë diçka më të rehatshme? Një histori dashurie me një fund të lumtur, një komedi qesharake, një mister klasik ku fajtori kapet gjithmonë në kapitullin e fundit? Çfarëdo historie, mjafton të mos ketë karantinë brenda.

Por ndoshta pikërisht aty qëndron një pjesë e përgjigjes. Katastrofa është më e lehtë për t’u përballuar kur është e shtypur në letër. Realiteti është tmerrues jo vetëm sepse mund të jetë i rrezikshëm, por sepse është i papërfunduar. Nuk ka redaktor. Nuk ka ritëm të garantuar. Nuk ka njeri që të premtojë se kapitulli i ardhshëm do të jetë më i mirë. Lajmi i sotëm mund të ndryshojë nesër, pastaj pasnesër, dhe ne nuk e dimë ende se ku jemi brenda historisë. Nuk dimë nëse ajo që po lexojmë është alarm i arsyeshëm, zmadhim, keqinformim apo thjesht një titull i ndërtuar për të na bërë të klikojmë.

Një roman për murtajën, sado i errët të jetë, nuk e ka këtë problem. Ai ka kufij. Fillon në faqen e parë dhe, në një moment të caktuar, përfundon. Katastrofa mund të bëjë kërdinë në Oran, në Londrën e shekullit të shtatëmbëdhjetë apo në Firencën e goditur nga Vdekja e Zezë, por unë jam ende në divanin tim, me librin në duar. Mund ta mbyll në çdo moment. Mund ta lë mbi komodinë dhe të shkoj të bëj kafenë. Mund të dal nga ajo botë thjesht duke mbyllur librin. Ndoshta ky është një nga lukset më të çuditshme që na jep letërsia: të përjetosh katastrofën duke pasur gjithmonë një dalje emergjente.

Dhe pastaj ekziston diçka tjetër, më pak e frikshme dhe ndoshta më e çuditshme: adrenalina. Jeta jonë e zakonshme, kur gjithçka është në vendin e vet, ka një mënyrë të fshehtë për t’u bërë e padukshme. E njëjta kafe në mëngjes, të njëjtat mesazhe, e njëjta rrugë, të njëjtat detyra që presin të bëhen. Ditët kalojnë aq rregullisht sa ndonjëherë duket sikur kanë filluar të kopjojnë njëra-tjetrën.

Një roman epidemik e prish menjëherë këtë qetësi. Brenda tij, gjërat më të zakonshme marrin peshë. Të dalësh nga shtëpia nuk është më thjesht të dalësh nga shtëpia. Të takosh dikë nuk është më thjesht një kafe. Një udhëtim i shkurtër nëpër qytet mund të bëhet një aventurë. Një derë e mbyllur merr kuptim. Një person që troket në të mund të jetë lajm i mirë ose i keq. Bota bëhet e rrezikshme, por në një mënyrë që e bën atë përsëri të dukshme.

Ndoshta kjo është arsyeja pse katastrofat në letër mund të duken, në mënyrë paradoksale, paksa emocionuese. Jo sepse duam të shohim njerëz të vuajnë, por sepse katastrofa e heq pluhurin nga jeta. Ajo i kujton personazhit, dhe përmes tij edhe lexuesit, se të jetosh nuk është gjithmonë thjesht të kalosh nga e hëna te e marta.

Pastaj vjen një mundësi edhe më e pakëndshme për t’u pranuar. Ndoshta disa prej nesh kanë filluar të ndiejnë një lloj nostalgjie për izolimin.

Kjo tingëllon pothuajse e pahijshme për t’u thënë me zë të lartë, sepse për miliona njerëz pandemia nuk ishte aspak një periudhë për t’u romantizuar. Ishte humbje, sëmundje, ankth, probleme financiare, vetmi dhe frikë. Për disa njerëz, ajo kohë la plagë që nuk kanë asgjë të përbashkët me nostalgjinë.

Por kishte edhe nga ata që patën fatin të ishin të sigurt. Për ta, pandemia solli një lloj pauze që jeta normale nuk do t’ua kishte lejuar kurrë. Puna u zhvendos në tryezën e kuzhinës. Takimet u zhvendosën në ekran. Rrugët u zbrazën. U anuluan planet. Dhe papritur, për herë të parë, askush nuk priste prej teje të ishe diku tjetër.

Kishte kohë për të gatuar, për të lexuar, për të parë filma gjatë ditës, për të fjetur më gjatë, për të mos dalë nga shtëpia dhe për të mos pasur nevojë të shpikje një arsye të mirë pse nuk doje të dilje. Ishte një lloj ndalese e imponuar nga jashtë, por që për disa njerëz ndihej, në mënyrë të çuditshme, si leje për të ngadalësuar.

Mbase nuk na mungon pandemia. Mbase na mungon ajo që pandemia na lejoi të bënim pa u ndier fajtorë.

Dhe këtu letërsia mbi temën e murtajës bëhet veçanërisht interesante. Ajo të lejon të rikrijosh një version të kësaj atmosfere pa paguar çmimin e saj të vërtetë. Mund të rrish brenda, ndërsa jashtë botës së librit po ndodh një katastrofë. Mund të ndiesh ankthin e izolimit pa qenë realisht i izoluar. Personazhet po luftojnë për ajër dhe për jetën, ndërsa ti je në divan duke menduar nëse duhet të bësh një kafe tjetër para se të vazhdosh kapitullin e radhës.

Është një pozicion pothuajse qesharak. Dhe ndoshta pikërisht për këtë funksionon.

Por ka edhe një arsye tjetër pse njerëzit mund të kthehen te këta libra në një moment kur lajmet bëhen të pasigurta. Dëshira për të kuptuar.

Në një epokë ku lajmet nuk mbarojnë kurrë, ku një titull zëvendëson tjetrin para se të kemi kohë të kuptojmë të parin, dhe ku rrjetet sociale mund ta kthejnë një pasiguri të vogël në një katastrofë kolektive brenda disa orësh, lexuesi bëhet natyrshëm skeptik. Sot mund të lexosh se rreziku është i ulët, nesër mund të lexosh se situata është shqetësuese, dhe në vijim dikush mund të publikojë një video që pretendon se di diçka që askush tjetër nuk e di.

Dhe atëherë kthehesh te një libër që është shkruar dekada ose shekuj më parë.

Mbase me shpresën për të kuptuar si mund të përballesh me një situatë të ngjashme. Letërsia nuk është manual mjekësor dhe Kamyja nuk do të të tregojë çfarë ilaçi të marrësh, por mund të të tregojë diçka që lajmi i minutës së fundit nuk mundet: si sillen njerëzit kur bota e tyre humbet rregullsinë, e çfarë mund të bëjë një krizë e tillë mbi një qytet. Apo se si njerëzit mendojnë, gënjejnë, frikësohen, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe përpiqen të vazhdojnë jetën kur rregullat e zakonshme nuk funksionojnë më. Mendoj se lexesit nuk kërkojnë një udhëzues për mbijetesë, apo edhe nëse e kërkojnë, nuk e bëjnë nëpërmjet romaneve. Por atë që mund të kërkojnë brenda këtyre romaneve, ndër të tjera, është një hartë e asaj që njerëzit bëjnë me historinë, humorin dhe shoqërinë kur vdekja bëhet pjesë e përditshmërisë.

Ndoshta kjo është ajo që kërkojmë në këta libra. Një lloj përvoje të trashëguar për mënyrën se si mund të sillemi brenda saj.

Sepse murtaja, në fund të fundit, nuk është vërtet tema kryesore e këtyre librave. Është skena. Është mekanizmi që i detyron personazhet të tregojnë se kush janë. Çfarë ndodh me altruizmin kur secili ka frikë për veten? Çfarë ndodh me moralin kur rregullat e zakonshme pushojnë së funksionuari? Çfarë bëjmë kur nuk mund ta kontrollojmë më atë që po ndodh? Sa egoistë bëhemi? Sa bujarë? Sa të frikësuar? Sa të aftë jemi të vazhdojmë të jetojmë normalisht kur normaliteti është zhdukur?

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse fjala “murtajë” ka një jetë kaq të gjatë në imagjinatën njerëzore. Nuk na frikëson vetëm sëmundja. Na frikëson ideja e një bote që mund të ndryshojë shumë shpejt nën këmbët tona.

Dhe ndoshta, për të njëjtën arsye, ne vazhdojmë ti kërkojmë këta libra.

Një roman na fal diçka qe realiteti na e mohon: nje katastrofë të cilës i është shkruar fundi. E dimë se ku fillon, e dimë se ku mbaron, dhe mund ta shohim stuhinë nga dritarja e sigurt e faqes së shtypur.

Sa here që bota na kujton brishtësinë tone, ne kthehemi te këto histori për të matur veten me to.

Këtë mendova edhe sot, kur pashë se Murtaja rezultonte e zënë në të gjitha kartat e mia të anëtarësisë. Lexues të tjerë e kishin marrë para meje.

E megjithatë, ka një lloj ngushëllimi te ky fakt. Murtaja mbetet e izoluar aty ku është më e pafuqishme. Mes dy kopertinave, në duart e nje lexuesi. Aty katastrofa ka nje fillim dhe një fund të shkruar e të harruar.

Në jetën tonë, ajo faqe e fundit nuk është shkruar ende.

(c) 2026 Artemisa Kuznetsov. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading