Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Kulturë / Lexim / Totalitarizëm

LIBRA TË ZIER DY HERË

Pjesa e tretë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

Mbase aq kohë ka kaluar dhe kaq shumë gjëra kanë ndryshuar në botën e librit, sa të mos jetë më i tepërt të sqarohet se librat zakonisht janë ndaluar ngaqë janë këqyrur si të dëmshëm a toksikë për lexuesin normal, mesatar; por edhe që leximi i tyre të mos interferojë me edukimin a indoktrinimin e kujt i lexon. Për një regjim totalitar, indoktrinimi duhet të mbetet synimi i parë jo vetëm i shkollës, por edhe i kulturës; aq sa të përligjet çdo përpjekje për të mënjanuar pengesat e mundshme. Ashtu një libër fetar, si Ungjilli ose Kurani, do të ndalohet në mënyrë absolute, meqë sjell me vete rrezikun që të programojë, duke u lexuar, një subjekt të papajtueshëm me atë të “njeriut të ri”; ndërsa një roman ku përshkruhen skena seksuale ose erotike do të ndalohet, sepse mund ta tundojë lexuesin aq sa ky t’i japë seksit përparësi ndaj edukimit shoqëror. Te një libër imi i para disa vjetëve (Gjuha e thyer, gjuha që thyen, Çabej 2018) kam treguar si censura, e ushtruar ndaj dorëshkrimit, hoqi nga teksti i përkthyer në shqip i romanit Me syrin e një klouni të gjitha skenat ku bëhej fjalë ose edhe thjesht aludohej për seks; duke e trajtuar seksualitetin pothuajse si po aq të rrezikshëm sa edhe fenë dhe botëkuptimin fetar të personazheve, përmendjen e Zotit në biseda, e kështu me radhë. Njëlloj do të refuzohej përkthimi i një romani policor, me argumentin se ky zhanër letrar vërtet e vinte krimin në qendër të rrëfimit, por nuk arrinte të shpjegonte se krimi, në botën Perëndimore, ishte efekt anësor i padrejtësive sociale. Nga ana tjetër, një roman i zhanrit horror do të refuzohej ngaqë atje patologjitë mendore dhe perversitetet paraqiteshin si të lindura ose idiosinkratike, jo si pasoja të mospërputhjes mes qenies shoqërore individuale dhe sistemit kapitalist.

Një studim monografik të zgjeruar të mënyrës si zbatohej censura ndaj një vepre të përkthyer ka bërë Ledio Hala (monografik “Censura e letërsisë së përkthyer në Shqipërinë totalitare: Rasti Robinson Kruzo”, ISShP 2023). Autori fokusohet në disa anë ende të pasqaruara mirë, të punës ideo-politike me librin e huaj nga ana e institucioneve kulturore të regjimit totalitar në Shqipëri, dhe pikërisht ndërhyrjen në tekstin e përkthyer dhe manipulimin e tij, për të larguar që andej pasazhe dhe kuptime problematike për regjimin. Edhe pse vepra e Defoe-s kish njohur edhe përkthime a përshtatje të mëhershme, ajo u botua për herë të parë në shqip, e plotë dhe e pacensuruar, në vitin 1966, në  përkthimin e Halit Selfos dhe të Bujar Dokos. Por ribotimet e së njëjtës vepër në Shqipëri iu nënshtruan fatkeqësisht censurës, në mënyrë të tillë që tekstit të përkthimit origjinal iu hoqën pjesë të ndryshme dhe relativisht të gjata, me përmbajtje fetare dhe referenca të imta biblike. Kjo ndërhyrje e dhunshme në një vepër përndryshe klasike të letërsisë botërore pati për efekt, siç e shpjegon me hollësi Ledio Hala, çnatyrimin, madje përçudnimin e romanit, meqë personazhi i Robinson Cruzoit iu dha lexuesit shqip i cunguar, veçanërisht në botën e vet të brendshme dhe në filozofinë e të qenit.

1966-ën e botimit të parë të plotë të romanit të përkthyer në shqip vetëm një vit e ndau nga 1967-a, vitin kur regjimi Hoxha hyri në luftë të hapët me institucionet fetare dhe fenë si praktikë sociale e shpirtërore, në kuadrin e “revolucionarizimit të përgjithshëm” të jetës në vend dhe edukimit të njeriut të ri socialist. Një nga pasojat afatgjata të këtij antagonizmi të rreptë me fenë do të ishte edhe spastrimi i përmasës fetare nga veprat letrare dhe të artit që qarkullonin në Shqipëri, përfshi edhe letërsinë e përkthyer. U konsolidua kështu, si rutinë redaktoriale, heqja e referencave ndaj fesë dhe institucioneve fetare në përkthimet e reja, por edhe rishikimi me këtë sy i ribotimeve, ku hyn edhe ai i Robinson Kruzoit.

Politika e përkthimeve themelohej mbi një parim ideologjik elementar: veprat që zgjidheshin për të përkthyer duhej të ishin thellësisht kritike ndaj sistemit kapitalist dhe borgjezisë, gjithë duke shprehur simpati për personazhe nga shtresat e varfra, ose popujt e shtypur. Kjo politikë përligjte edhe ndërhyrjet shkurtuese në tekste, të cilat nga njëra anë i “pastronin” ato nga ideologji të padëshirueshme, siç mund të ishte ajo fetare; dhe nga ana tjetër, “i sterilizonin” ato tekste, duke i shpëtuar njëfarësoj nga ndalimi i plotë. Ashtu edhe, siç e tregon analiza e Halës, redaktorët që kishin qëmtuar dhe pastaj eliminuar të gjitha ato pjesë të Robinson Kruzoit, ku protagonisti i romanit rrëfen dilemat e tij shpirtërore në raport me fenë dhe në kontakt meditativ me Perëndinë, nuk shqetësoheshin dhe aq që, duke vepruar kështu, e gjymtonin romanin, duke e reduktuar në një manual të mbijetesës praktike, “survivaliste”; madje gjykonin se ashtu edhe i bënin një shërbim lexuesit, duke ia mundësuar eksperiencën e një vepre themelore të letërsisë europiane, si romani i Defoe-t.

Hala shënon, në analizën e tij, se një pjesë e veprave të letërsisë perëndimore i jepeshin lexuesit në Shqipëri të përkthyera drejtpërdrejt nga rusishtja, duke trashëguar ashtu edhe “shenjat e plagëve” të censurës së atjeshme; por në shumë raste të tjera, edhe atëherë kur vendimi për ta sjellë një vepër në shqip bazohej në një vendim të ngjashëm të marrë në Bashkimin Sovjetik, puna e shkurtimit, krasitjes dhe përgjithësisht kopshtarisë në tekst ishte “origjinale” e redaktorit, shpesh në bashkëpunim me vetë përkthyesin. Kësisoj, manipulimi i tekstit, në shpërfillje të plotë të së drejtës qoftë edhe vetëm morale të autorit, u normalizua; deri në atë shkallë sa të ishin vetë përkthyesit të parët që do të ndërhynin lirisht, për të lënë jashtë përkthimit pjesët më problematike të veprës (p.sh. një skenë seksuale ose një lutje). Kjo do të thotë edhe se përkthimi letrar, në Shqipërinë totalitare, integroi në vetvete një rutinë censuruese, duke u imponuar si parim pune i përkthyesit.

Për pasojë, Robinsoni – veçanërisht në botimet pas vitit 1967 – i ka ardhur lexuesit shqip i paplotë, sepse i privuar nga një aspekt themelor i botës së vet të brendshme dhe i dilemave të tij shpirtërore, përfshi këtu edhe në marrëdhëniet që vendos me Perëndinë. Hala ka meritën edhe që ka vërejtur, për të parën herë në filologjinë e përkthimit shqip të periudhës totalitare, ngjashmëritë e mëdha mes censurës së zbatuar në përkthimin shqip të vitit 1982 dhe një botimi rusisht të romanit të vitit 1955, që duket edhe më thellësisht i sanitizuar se botimi shqip në fjalë; duke e lënë të hapur mundësinë që edhe censorët, në Shqipëri, të kenë zgjedhur të udhëhiqen nga vendimet e kolegëve të tyre në Bashkimin Sovjetik. Në çdo rast, shembujt krahasues mes versioneve të ndryshme të përkthimit shqip dhe origjinalit anglisht, që sjell ky studiues, në monografinë e vet, dëshmojnë qartë se censura ka shkuar aq thellë, sa e ka denatyruar thelbin psikologjik të protagonistit të romanit, Robinsonit, deri atje sa t’i japë lexuesit një vepër “tjetër”.

Le të mbajmë parasysh edhe se ndalimi i librave ose censurimi i tyre, në Shqipërinë e periudhës totalitare, ndodhte në një kohë kur, falë suksesit të programit të alfabetizimit masiv të masave, shqiptarët po lexonin më shumë se kurrë më parë – pra ishte një lloj ndërhyrjeje e tillë që synonte t’ia devijonte shtratin vrullit kulturor të pashembullt, te një popullsi në moshë të re dhe e etur për dije. Me gjasë ideologët e regjimit shpresonin që dëshirën, madje pasionin për lexim të masave të shkolluara rishtas ta shfrytëzonin për ta thelluar indoktrinimin, duke i nxitur këto masa – edhe tërthorazi – që të lexonin tekste “edukative”, vepra të realizmit socialist, ose edhe thjesht patriotike; ose vepra të përkthyera që e kishin kaluar testin e të qenit mjaftueshëm kritike ndaj rendit kapitalist. Popullariteti i madh i disa titujve të përkthyer, si romanet e Balzac-ut, të Stendhal-it, të Hugo-it por edhe të autorëve më modestë, si Alexandre Dumas-i (ati) dhe Guy de Maupassant-i, apo një autori zhanri si Jules Verne-i, mund të jetë interpretuar si shenjë alarmante se lexuesit po tërhiqeshin më shumë ndaj teksteve me natyrë romantike dhe dramave borgjeze; duke harxhuar ashtu kohë leximi që, përndryshe, mund t’ia kishin kushtuar veprave politikisht më solide, si romaneve të Realizmit Socialist. Me siguri ka pasur, në Shqipërinë e atyre viteve, fanatikë të kauzës, që do të kishin dashur ta ndalonin krejt letërsinë e huaj, për shkak të efekteve të saj të pakontrollueshme ndaj subjektit lexues; por këta ishin një pakicë, e pafuqishme për të kundërshtuar jo aq bonsensin e shumicës, sa vanitetin intelektual të Enver Hoxhës dhe atyre që këtë e konsideronin si “të keqen më të vogël”. Prandaj ndalimi i këtij apo atij libri, ose refuzimi për ta përkthyer, shkonte krah për krah me miratimin e përkthimit të një libri tjetër, në emër të një ekuilibri imagjinar, që rrekej t’u linte larg ekstremeve. Ky ekuilibër merrte forma të ndryshme, në varësi të klimës politike dhe ideologjike në vend; dhe duhet shënuar se, pas Plenumit IV të KQ të PPSH-së dhe shpalljes së luftës kundër “shfaqjeve të huaja” dhe “liberalizmit”, marrëdhëniet kulturore të Shqipërisë me botën u reduktuan në një minimum, teksa ngjashëm u dënuan edhe autorët vendës, për shkarje, devijime dhe “lakra në kokë”.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading