Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Muzikë

ARTI I MADH DËGJON LARG

Nuk njeh hierarki gjeografike; njeh vetëm fuqinë artistike.

Shpesh një traditë, e ruajtur prej shekujsh në një komunitet, nuk fiton një dëgjueshmëri të gjerë sepse i mungon vlera, por sepse i mungon një kanal i madh ndërmjetësimi.

Ka raste kur një tingull i lashtë udhëton larg vendit të origjinës dhe, befas, ia kthen botës vështrimin nga ai vend.

Jehona ndërkombëtare e filmit hollivudian “Odiseja”, me regji të Christopher Nolan, ngjalli këto ditë një ndjeshmëri të veçantë te ne shqiptarët. Statuse, shkrime, diskutime, hapësira televizive e mediatike u mbushën me një lajm që na bëri të vlerësuar dhe padyshim krenar.

Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, kishte përfshirë në kolonën zanore të filmit muzikën shqiptare, falë bashkëpunimit me disa grupe të Shqipërisë së Jugut dhe me fyelltarin Vendim Kapaj nga Vlora.

Ishte një konfirmim domethënës i potencialit të një tradite muzikore mijëravjeçare. Të bën krenar kur ndien se kultura e një vendi të vogël si yni vlerësohet në skenën botërore jo për origjinën e saj, por për fuqinë artistike që mbart.

Ky është privilegji i artit të madh. Ai ka aftësinë të njohë një të vërtetë njerëzore edhe kur ajo vjen nga një vend i vogël, nga një traditë që nuk ka pasur gjithmonë hapësirën dhe skenën që meriton.

Për mua, kjo nuk ishte hera e parë që përjetoja një ndjesi të tillë.

Shumë vite më parë, një tjetër thesar i pranisë së zërit shqiptar ishte bërë pjesë e një prej interpretimeve më të rëndësishme të teatrit evropian bashkëkohor.

Ishte “Makbethi” (1999) i regjisorit legjendar lituanez Eimuntas Nekrošius, me muzikën e kompozitorit Faustas Latėnas.

Në maj të vitit 2008, gjatë Bienales së Festivalit Ndërkombëtar të Shekspirit në Craiovë të Rumanisë, pata mundësinë ta ndiqja këtë shfaqje. Festivali kishte mbledhur disa nga emrat më të shquar të teatrit botëror të kohës – Robert Wilson, Peter Brook, Eimuntas Nekrošius-it ,Lev Dodin, Declan Donnellan, Silviu Purcărete e të tjerë.

Megjithatë, për mua, kujtesa e atij festivali lidhet me një çast krejt tjetër.

Një çast kur, në errësirën e sallës, dëgjova befas një zë që më dukej çuditërisht i njohur.

Shfaqja e Nekrošius-it do të bëhej për mua befasia më e madhe e atij festivali. Jo vetëm për gjuhën e saj të pazakontë skenike, fuqinë emocionale dhe interpretimin krejt origjinal të tragjedisë së Shekspirit. Mbi të gjitha, për një zbulim që nuk e prisja.

Që në ngritjen e siparit krijohej ndjesia se po hyje në një univers me ligjet e veta.

Dy binarë lëviznin ngadalë në horizont, sikur të hapnin një portë të padukshme, ose një mekanizëm të pashmangshëm të fatit. Mbi një kazan të përmbysur shfaqeshin “danconin” magjistricat, ndërsa pak çaste më vonë, po prej atij kazani, dilte Makbethi, i kthyer nga lufta. Mbrapa shpine mbante një degë peme pa gjethe me një lule të vetme; më pas ngrinte gotën e dollisë së fitores, ndërsa lufta dukej sikur nuk kishte mbaruar kurrë.

Gjithçka ndërtohej përmes simboleve: druri, uji, zjarri, metali, kazani. Objektet nuk ishin dekor. Ato ishin metafora.

Nekrošius-i nuk e ilustronte Shekspirin. Ai krijonte një univers paralel, ku çdo lëvizje kishte peshë dhe çdo heshtje fliste. Aktorët lëviznin me një fizikë të përmbajtur, pothuaj rituale. Ritmi i shfaqjes kishte strukturën e një partiture muzikore.

Teksa ndiqja këtë univers skenik, ndjeva se kolona zanore po më zgjonte një kujtesë të largët. Në fillim ishte vetëm një ndjesi, një timbër që më dukej çuditërisht familjar. Pastaj ai timbër filloi të merrte formë. Më kujtonte vajet polifonike të Shqipërisë së Jugut, sazet e Përmetit… Kishte të njëjtën zgjatje të zërit, të njëjtën ngarkesë rituale, intensitet deri në qelizë, të njëjtin dialog mes jetës dhe vdekjes.

Dhe, befas, nuk pata më asnjë dyshim. Fjalët ishin shqip. E ndjeva veten të drithëruar. Ishte një nga ato çaste kur emocioni të paraprin mendimin. Brenda një prej skenave më të rëndësishme të teatrit evropian, në një shfaqje të një regjisori që konsiderohej tashmë legjendë, dëgjoja vajin në gjuhën time. Nuk ishte efekt folklorik, as zbukurim ekzotik. Ishte një zgjedhje artistike.

Një vaj i Jugut, me gjithë peshën e tij të zisë, të kujtesës dhe të ritualit, kishte gjetur një afërsi të jashtëzakonshme me universin tragjik të Makbethit. Humbja, faji, fati dhe vdekja komunikonin natyrshëm me atë timbër arkaik.

Në leximin e Nekrošius-it, Makbethi nuk ishte vetëm tragjedia politike e ambicies për pushtet. Ishte, mbi të gjitha, tragjedia e fatit njerëzor; historia e një njeriu që përballet me dobësinë e vet, me fajin dhe me forcat e errëta që e shtyjnë drejt shkatërrimit.

Pak para fundit të shfaqjes, një tjetër valë e atij vaji / kënge u ngrit mbi skenë – ishte një nga ato përjetime që nuk mbarojnë me rënien e siparit. Ato vazhdojnë të jetojnë gjatë në kujtesë.

Me të përfunduar shfaqja, u ngjita në skenë për të takuar artistët. Kisha vetëm një pyetje. Doja të dija si kishte mbërritur deri aty muzika jonë. Nekrošius-i nuk ndodhej në Craiovë atë mbrëmje. Më thanë se ishte në Bukuresht, ku ajo trupe do përfomonte dy shfaqje te tjera Otello, Hamlet.

Ngulmova të merrja një përgjigje. Njëri nga aktorët – besoj se ishte interpreti i Makbethit – më tha me qetësi:

“Po, është muzikë shqiptare. Diskun e kemi blerë në Francë, në fund të viteve ’90.”

U ngazëlleva. Kur u ktheva në Shqipëri, i kushtova një shkrim kësaj përvoje me titullin “Makbethi që foli shqip”.( Tema, 30 Maj 2008)

Sot, pas kaq vitesh, e kuptoj se ajo që më tronditi atëherë nuk ishte vetëm fakti që dëgjova shqipen në një skenë evropiane. Ishte diçka më e thellë. Ishte mënyra se si një artist i madh kishte ditur të dallonte te një traditë lokale një të vërtetë universale.

Kjo kujtesë nuk ruan thjesht një shfaqje teatrore. Ajo ruan një takim mes dy traditave tragjike: tragjedisë shekspiriane dhe këngë-vajit shqiptar. Janë dy gjuhë artistike të lindura larg njëra-tjetrës, por që takohen në të njëjtën të vërtetë njerëzore: humbjen, fatin, fajin dhe kujtesën.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron forca e artit të madh. Ai nuk pyet se nga vjen një tingull. Nuk pyet nëse ai është lindur në një vend të madh apo të vogël. Ai dëgjon vetëm fuqinë e tij artistike.

Shpesh një traditë nuk mbetet në periferi sepse i mungon vlera. Mbetet sepse i mungon mundësia të dëgjohet. Ndonjëherë mjafton një regjisor, një kompozitor, një film apo një skenë me autoritet ndërkombëtar që një pasuri e ruajtur prej shekujsh në një komunitet të vogël të fitojë një jehonë të re.

Në të vërtetë, bota nuk po zbulon një tingull të ri, por një tingull që ka ekzistuar gjithmonë.

Dy përvojat që solla – vaji shqiptar në “Makbethin” e Nekrošiusit dhe fyelli shqiptar në kolonën zanore të “Odiseas” – janë, në thelb, dy shfaqje të së njëjtës dukuri. As Nekrosiusi, as Ludwig Göransson nuk i krijuan këto vlera. Ata i dëgjuan. Dhe, duke i dëgjuar, u dhanë mundësinë të dëgjoheshin edhe nga të tjerët.

Jo rrallë periferia ruan thesare që qendra ende nuk i ka zbuluar. Por, kur ato bëhen pjesë e një vepre me autoritet artistik ndërkombëtar, fitojnë një dukshmëri të re. Dhe jo sepse ndryshojnë, por sepse ndryshon hapësira ku dëgjohen.

Pikërisht për këtë arsye, mendoj se nuk duhet të mjaftohemi me krenarinë që ndiejmë kur një artist i madh zgjedh një element të kulturës sonë. Kjo duhet të na nxisë të bëjmë më shumë për ta dokumentuar, studiuar dhe promovuar vetë këtë trashëgimi.

Në këtë kuptim, do të ishte me vlerë që studiuesit e muzikës dhe të teatrit të hulumtonin më tej burimet e përdorura në “Makbethin” e Nekrošiusit. Intervistat, arkivat apo dëshmitë e bashkëpunëtorëve të tij mund të hedhin më shumë dritë mbi mënyrën se si muzika shqiptare u bë pjesë e asaj kolone zanore.

Një dokumentim i tillë nuk do t’i shtonte lavdi vetëm kulturës sonë. Do të plotësonte edhe historinë e një prej shfaqjeve më të rëndësishme të teatrit evropian të fund shekullit XX.

Në fund të fundit, këto dy histori na kujtojnë diçka të thjeshtë: Arti i madh dëgjon larg. Ai di të njohë një të vërtetë artistike edhe kur ajo ruhet prej shekujsh në një qytet, qytezë të vogël, në një malësi apo në kujtesën e një populli të vogël. Dhe kur kjo ndodh, nuk është vetëm një kulturë që ndihet e vlerësuar. Është vetë arti që bëhet më i pasur.

(c) 2026, Adonis Filipi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.

Shënim: Eimuntas Nekrosius (1952–2018) konsiderohet një nga regjisorët më të mëdhenj të teatrit evropian bashkëkohor e botëror. Fitues i Çmimit Evropian për Teatrin dhe autor i interpretimeve antologjike të Shekspirit, Çehovit, Dantes, Gëtes e autorëve të tjerë klasikë.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading