Një reflektim mbi traditën, nisur nga përvoja e Nartës së Vlorës
Prej më shumë se njëzet vitesh merrem me traditën e vendit tim, Nartës së Vlorës, që në kujtesën dhe në të folmen e njerëzve tanë ruhet edhe si Arta e Vlorës. Përmes pjesëmarrjes në shoqata kulturore, studimeve folklorike dhe kërkimit mbi të folmen, këngët, zakonet, veshjet dhe ritet e komunitetit, kam mësuar ta shoh traditën si një fushë të gjallë kujtese, identiteti dhe përgjegjësie. Për mua, ajo ka qenë një mënyrë për t’u kthyer te rrënjët, për të kuptuar më mirë njerëzit që na paraprinë dhe për të dëgjuar atë që shpesh nuk është shkruar në libra, por është ruajtur në fjalë, këngë, gjeste, festa dhe heshtje.
Sa më shumë i afrohesh traditës, aq më qartë kupton se dashuria për të duhet të shoqërohet me seriozitet dhe përgjegjësi. Kohët e fundit, një pyetje më është bërë gjithnjë e më e fortë: a ia vlen t’i shërbejmë traditës? Përpara se të kërkojmë një përgjigje, duhet të pyesim çfarë nënkupton ky shërbim dhe, mbi të gjitha, çfarë është në të vërtetë tradita.
Në pamje të parë, tradita duket si diçka e dhënë. E gjejmë para nesh dhe e trashëgojmë nga familja, komuniteti dhe vendi prej nga vijmë. Sociologu Edward Shils e ka parë, në kuptimin e saj më të gjerë, si atë që transmetohet ose dorëzohet nga e kaluara te e tashmja (Shils, 1981). Ky përkufizim na lejon ta shohim traditën si një lidhje midis kohëve dhe hap rrugën për të shqyrtuar mënyrat se si e kaluara merr kuptim në të tashmen.
Nëse Shils-i na ndihmon ta kuptojmë traditën si transmetim, Assmann-i na tregon se si ky transmetim bëhet kujtesë kulturore. Komunitetet rikthehen te e kaluara, e organizojnë dhe e përcjellin nga një brez te tjetri përmes riteve, tregimeve, këngëve, vendeve, simboleve dhe praktikave të përbashkëta. Sa herë që një komunitet këndon, kremton, rrëfen ose përmend emrat e vendeve të veta, ai ripërtërin lidhjen me të kaluarën. Tradita bëhet kështu një hapësirë ku kujtesa, identiteti dhe vazhdimësia historike takohen në jetën e përbashkët (Assmann, 2011).
Lidhja midis kujtesës, identitetit dhe vazhdimësisë historike ka një dimension të rëndësishëm psikologjik dhe shoqëror. Studimet mbi rrëfimet ndërbreznore tregojnë se historitë dhe përvojat që përcillen nga prindërit dhe gjyshërit te brezat më të rinj kontribuojnë në ndërtimin e identitetit individual dhe familjar (Merrill & Fivush, 2016). Në nivelin e grupit, kujtesa kolektive ndikon në mënyrën si pjesëtarët e tij e kuptojnë të kaluarën, ndërtojnë identitetin shoqëror dhe formojnë besime, qëndrime e mënyra sjelljeje (Cordonnier et al., 2022). Për këtë arsye, njohja e jetës, vlerave dhe përvojave të brezave që na paraprinë na ndihmon të kuptojmë më mirë nga vijmë dhe të interpretojmë më qartë disa aspekte të mënyrës si mendojmë dhe sillemi, si në jetën private, ashtu edhe në atë kolektive. Duke i vendosur këto aspekte në një vazhdimësi më të gjerë historike, arrijmë të kuptojmë më thellë edhe veten.
Tradita përfshin atë që kemi trashëguar dhe mënyrën si e kuptojmë, e filtrojmë dhe e përcjellim. Edhe Konventa e UNESCO-s (2003) për trashëgiminë kulturore jomateriale e sheh këtë trashëgimi si diçka që transmetohet nga brezi në brez dhe rikrijohet vazhdimisht nga komunitetet në lidhje me mjedisin, historinë dhe jetën e tyre. Ruajtja e saj kërkon një marrëdhënie të gjallë me të kaluarën, vetëdije për të tashmen dhe kujdes për atë që u përcillet brezave të ardhshëm.
Kjo marrëdhënie nuk është gjithmonë e lehtë. Brenda traditës ka bukuri të madhe: solidaritet, ndjenjë bashkësie, përkatësi, gjuhë, estetikë, lidhje me natyrën dhe me ciklet e jetës. Ka edhe një urtësi të heshtur që shprehet në praktika të thjeshta, në mënyrën si përgatitet një festë, si nderohet një i vdekur, si ruhet një veshje ose si përmendet një vend i shenjtë. Në të njëjtën kohë, tradita mund të ruajë bindje dhe norma që sot kërkojnë mendim kritik. Idetë për rolin e gruas, nderin, turpin, heshtjen ose bindjen ndaj familjes dhe komunitetit nuk mund të përsëriten pa u shqyrtuar. Një zakon që dikur kishte funksion mbrojtës mund të bëhet kufizues. Një rit që krijonte bashkësi mund të kthehet në detyrim, ndërsa një shenjë respekti mund të shndërrohet në kontroll, nëse humbet kuptimin e saj njerëzor.
Nevojën për të kërkuar te një zakon idetë dhe vlerat që ai përcjell e kam theksuar shpesh edhe në mësimdhënie, gjatë trajtimit të Iliadës dhe Odisesë. I ftoja nxënësit të mos ndaleshin në përshkrimin e një zakoni, riti apo sjelljeje të botës homerike, por të dallonin elementet ideologjike që shpreheshin përmes tij. Për shembull, gjatë trajtimit të mikpritjes tek Odiseja, shqyrtonim se cilat ide për respektin ndaj të huajit, detyrimin ndaj tjetrit, nderin dhe marrëdhënien me hyjnoren shfaqeshin në format e saj konkrete. Nxënësit vërenin kështu se një botëkuptim merr formë në zakone, rite dhe mënyra sjelljeje. E njëjta gjë ndodh me traditën: një këngë, veshje ose rit mbart një mënyrë mendimi për njeriun, familjen dhe komunitetin. Kur ruajmë një traditë, duhet të pyesim çfarë forme po ruajmë dhe çfarë mendësie përcjell ajo.
Të merresh me traditën nuk do të thotë thjesht ta përsërisësh. Përsëritja nuk është gjithmonë ruajtje. Ndonjëherë është vetëm imitim. Ruajtja e vërtetë kërkon njohje dhe pyetje: nga ka ardhur ky zakon? Çfarë kuptimi kishte? Cilat nevoja shprehte? Çfarë vlere vazhdon të ketë sot? Çfarë duhet të mbetet si dëshmi historike, pa u kthyer domosdoshmërisht në model për jetën e sotme?
Në këtë pikë është e dobishme të kujtojmë vërejtjen e Hobsbawm-it për “traditat e shpikura”. Jo çdo praktikë që paraqitet si shumë e vjetër është domosdoshmërisht e tillë në formën me të cilën shfaqet sot. Disa forma krijohen, riorganizohen ose ngurtësohen më vonë për të dhënë ndjenjën e vazhdimësisë me të kaluarën (Hobsbawm, 1983). Kjo nuk i bën automatikisht të pavlera, por kërkon kujdes, verifikim dhe ndershmëri në mënyrën si i kuptojmë dhe i paraqesim.
Ky dallim bëhet veçanërisht i rëndësishëm në rastin e komuniteteve që kanë përjetuar ndërprerje të thella historike. Rasti i Nartës më ka bërë të mendoj për kufijtë kohorë brenda të cilëve një komunitet e njeh një praktikë si traditë të vetën. Në mënyrën si e kuptoj unë, një pikë themelore referimi është trashëgimia që na lanë të parët tanë deri në vitin 1967, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaloi jetën fetare në Shqipëri. Për komunitetin e Nartës, jeta fetare ortodokse, gjuha dhe kultura greke përbënin pjesë themelore të mënyrës së tij të jetesës dhe të vetëkuptimit të përbashkët. Në kujtesën e komunitetit, ndalimi i jetës fetare u shoqërua me goditjen sistematike të gjuhës greke, zakoneve dhe shprehjeve të tjera të identitetit kulturor grek. Kjo ndërhyrje e dhunshme ndërpreu vazhdimësinë dhe e detyroi komunitetin t’u përshtatej kërkesave ideologjike të regjimit komunist.
Edhe format e përshtatjes së detyruar që u zhvilluan gjatë asaj periudhe janë pjesë e historisë së komunitetit dhe kanë vendin e tyre në kujtesën e tij kolektive. Ato dëshmojnë se si njerëzit u përpoqën të vazhdonin jetën në kushtet e një sistemi shtypës. Fakti që i përkasin përvojës historike të komunitetit, megjithatë, nuk i bën automatikisht tradita të trashëguara nga të parët. Është e rëndësishme të dallojmë atë që është trashëguar, atë që është përshtatur nën trysni dhe atë që është krijuar më vonë.
Me ndryshimin e sistemit pas vitit 1990, shumë pjesëtarë të komunitetit u përpoqën të rilidheshin me identitetin e tyre historik dhe me traditat që regjimi kishte ndërprerë ose shtypur. Pas më shumë se dy dekadash shkëputjeje, kjo përpjekje nuk mund të ishte një rivendosje e thjeshtë e asaj që kishte ekzistuar më parë. Disa nga format kulturore të prodhuara ose të imponuara nga sistemi kishin hyrë tashmë në jetën e përditshme dhe në kujtesën kolektive, ndërsa njohja e traditës më të hershme ishte dobësuar ose ruhej në mënyrë të fragmentuar. Rikthimi mori kështu formën e një rindërtimi, ku shtresa të ndryshme historike u ndërthurën me njëra-tjetrën.
Përvoja ime në shoqatat kulturore më ka bërë të kuptoj se kjo ndërthurje vazhdon të ndikojë në mënyrën si komuniteti e përkufizon traditën edhe sot. Dëshira për t’u kthyer te rrënjët është e pranishme, por jo gjithmonë shoqërohet me vetëdijen historike dhe njohuritë e nevojshme për të dalluar prejardhjen e elementeve të ndryshme. Këtë dallim e vështirëson edhe ndërprerja e gjatë e transmetimit të traditës nga njëri brez te tjetri. Si rrjedhojë, forma që u përkasin periudhave dhe rrethanave të ndryshme mund të bashkohen dhe të përqafohen si një traditë e vetme dhe e pandërprerë, sikur të ishin përcjellë në atë trajtë nga të parët. Kufijtë midis trashëgimisë, përshtatjes së imponuar dhe krijimit të mëvonshëm bëhen në këtë mënyrë gjithnjë e më të paqartë.
Zuzallat (Ζούζαλα), të njohura sot më gjerësisht me emrin “Karnavalet e Nartës”, përbëjnë një rast që na fton ta shqyrtojmë më konkretisht dallimin midis asaj që është trashëguar dhe formave që janë krijuar ose riformësuar më vonë. Ky zakon është një nga më të rëndësishmit e Nartës së Vlorës dhe zhvillohet gjatë tri ditëve të Pashkës. Vetë emri paraqet interes. Në të folmen greke nartiote, fjala “Zuzallo” ruan një nuancë kuptimore që lidhet me figura të çuditshme, fantastike ose të frikshme të imagjinatës popullore. Një afërsi kuptimore ndeshet edhe në disa të folme të tjera greke: në të folmen e Kambos së Artës dhe në atë të Lefkadës, forma “Zuzulo” shënon, ndër të tjera, qenie fantastike, fantazma ose figura të mbinatyrshme (Ξυλογιάννης, 2020; Κοντομίχης, χ.χ.). Kjo i jep zakonit një përmasë më të thellë simbolike, pasi maskimet nuk paraqisnin vetëm figura njerëzore, por edhe prani të dykuptimta, të frikshme ose të mbinatyrshme.
Për këtë zakon kam shkruar më gjerësisht në një studim të mëparshëm, të botuar në revistën greke Βότρυς, ku kam trajtuar ndryshimin gradual të Zuzallave, humbjen e strukturës së tyre të vjetër rituale dhe reagimet e komunitetit ndaj kritikës publike për këtë ndryshim (Βίντου, 2025). Për shumë vite kam menduar se ky zakon meriton të ruhet dhe të studiohet seriozisht si pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të komunitetit. Në formën e tij të vjetër, ai kishte kohë të përcaktuar, role të njohura nga komuniteti, maska dhe një hierarki të brendshme që i jepnin kuptim përvojës së përbashkët. Zuzallat ishin shumë më tepër se një grumbull maskash festive apo një shfaqje e lirë rrugore. Ato e vinin në lëvizje kujtesën e përbashkët gjatë ditëve të Pashkës. Për këtë arsye, përbëjnë një pasuri kulturore që meriton të dokumentohet dhe, në një të ardhme, të propozohet për mbrojtje më të gjerë institucionale.
Transformimi që vërehet gjatë viteve të fundit më ka bërë të mendoj më thellë. Kur një zakon humbet strukturën e vet, kur secili mund të vishet dhe të veprojë pa lidhje me kuptimin e dikurshëm të ritit, ndërsa e vetmja ngjashmëri që mbetet është koha e zhvillimit, pra tri ditët e Pashkës, duhet të pyesim: a kemi ende vazhdimësi të traditës apo një formë të re që paraqitet si vazhdimësi e saj? Kjo pyetje nuk kundërshton gëzimin popullor. Është një thirrje për kujdes. Nëse çdo gjë që ndodh në të njëjtat ditë quhet automatikisht traditë, rrezikojmë të humbasim pikërisht atë që pretendojmë se po ruajmë.
Kritika ndaj një zakoni me peshë identitare është gjithmonë një çështje e ndjeshme. Ajo mund të hapë rrugë për kujtesë, reflektim dhe përgjegjësi, por mund të zgjojë edhe mekanizma mbrojtës brenda komunitetit. Në analizën e reagimeve që kam trajtuar në studimin tim, u shfaqën qëndrime të ndryshme: pranim dhe reflektim, mbrojtje e formës ekzistuese, ironi, zhvendosje e vëmendjes nga përmbajtja te personi që flet, heshtje ose distancim. Këto reagime tregojnë se tradita është një fushë kujtese, marrëdhëniesh, ndjeshmërish dhe kufijsh të padukshëm. Kur flasim për të, pyetja lidhet si me atë që ruajmë, ashtu edhe me mënyrën si reagojmë kur dikush na fton ta shohim me më shumë vëmendje, ndershmëri dhe përgjegjësi (Βίντου, 2025).

Krahas këtij shembulli, brenda së njëjtës traditë ka forma që kanë ndjekur një rrugë tjetër. Një rast i tillë është veshja tradicionale e grave të Nartës. Ndërsa disa praktika rituale janë larguar ndjeshëm nga struktura e tyre e vjetër, kjo veshje është rikthyer dalëngadalë në jetën kulturore të komunitetit me më shumë kujdes dhe përkushtim. Gjatë dy dekadave të fundit, përmes shoqatave kulturore dhe nismave komunitare, ajo ka marrë një prani më të dukshme. Sot mjaft gra, në fshat ose jashtë tij, merren me qepjen dhe përgatitjen e saj, ndërsa shumë vajza të reja e veshin në veprimtari kulturore, duke i dhënë kësaj forme të traditës një frymëmarrje të re. Në këtë rast, rikthimi buron nga dëshira për ta shfaqur veshjen, nga përkushtimi për të mësuar mënyrën e qepjes dhe nga vullneti për ta transmetuar këtë mjeshtëri te brezat e rinj. Kështu, ajo bëhet shprehje e estetikës dhe e pjesëmarrjes aktive të grave në jetën kulturore të Nartës.
Këto dy shembuj tregojnë se mendimi kritik mund ta bëjë lidhjen me traditën më të ndershme dhe më të thellë. Ai na ndihmon të dallojmë ku një formë ka humbur lidhjen me kuptimin e saj dhe ku një tjetër vazhdon të jetojë përmes kujdesit, njohjes dhe pjesëmarrjes. Tradita lëndohet kur përdoret pa u kuptuar, kur kthehet në dekor, shfaqje ose formë pa përmbajtje. Forcohet kur njerëzit i afrohen me durim, e mësojnë, e punojnë dhe e përcjellin me vetëdije. Ajo kërkon më shumë se admirim. Kërkon ndershmëri.
Kjo ndershmëri bëhet edhe më e domosdoshme kur tradita kalon nga jeta e përditshme në skenë, në veprimtari kulturore, në shoqatë, në tekst publik ose në rrjete sociale. Atëherë ajo bëhet paraqitje publike dhe çdo paraqitje e tillë mbart përgjegjësi. Kush flet në emër të traditës prek kujtesën e një komuniteti dhe mënyrën si ai do të njihet nga të tjerët. Prandaj, tradita kërkon kujdes që të mos kthehet në mjet dukjeje personale ose në garë për atë se kush përfaqëson më mirë “autenticitetin”. Ajo kërkon përulësi dhe kërkim.
Tradita nuk ka pse të mbetet e ngrirë. Një traditë që nuk ndryshon rrezikon të bëhet muze. Ajo ka jetuar pikërisht sepse njerëzit e kanë përshtatur me rrethanat dhe nevojat e tyre. Por ka ndryshim që buron nga kuptimi dhe ndryshim që buron nga lehtësia. Ka përshtatje që e mban gjallë thelbin dhe përshtatje që e zbraz nga kuptimi. Dallimi midis tyre është një nga detyrat më të vështira për këdo që merret seriozisht me trashëgiminë kulturore.
Për një komunitet si ai i Nartës, i shpërndarë në vende të ndryshme, kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme. Kur njerëzit largohen nga vendi i tyre, tradita shpesh bëhet mënyra më e fortë për të ruajtur lidhjen me origjinën. Në diasporë, ajo që dikur ishte pjesë e jetës së përditshme kthehet në simbol, të ngarkuar me mall, kujtime dhe nevojë për përkatësi. Pikërisht aty lind edhe rreziku i idealizimit. Ajo që dikur ndryshonte natyrshëm mund të paraqitet si e pandryshueshme. Ndonjëherë ruajmë një imazh të dashur të traditës, i cili kërkon po aq shqyrtim dhe kujdes sa edhe vetë ajo.
Këtu kthehemi te thelbi i pyetjes. Çështja nuk qëndron vetëm te pyetja nëse duhet t’i shërbejmë traditës, por kryesisht te mënyra se si i shërbejmë. Tradita është një trashëgimi me të cilën hyjmë në marrëdhënie. Kjo marrëdhënie na lejon ta duam duke e pyetur, ta nderojmë duke e kuptuar dhe ta përcjellim duke e rishikuar me ndershmëri. Kur merret seriozisht, tradita nuk është strehë për mendimin e lehtë, por mbi të gjitha, një ftesë për reflektim më të thellë.
T’i shërbesh traditës, për mua, do të thotë ta mbrosh nga humbja pa e kthyer në barrë. Do të thotë të ruash këngën duke kuptuar fjalët e saj. Të ruash veshjen duke kuptuar edhe botën shoqërore që ajo shprehte. Të ruash ritin duke shqyrtuar nëse vazhdon t’i shërbejë njeriut apo përsërit vetëm një formë. Ta mbash gjuhën të gjallë si frymëmarrje të kujtesës. Të kujdesesh për emrat e vendeve, që shtresat e kujtesës të mos fshihen nga harresa.
Prandaj, pyetja “t’i shërbesh traditës apo jo?” kërkon një përgjigje të qartë. Po, ia vlen t’i shërbejmë traditës, por duhet ta bëjmë këtë me sy të hapur, me njohje, mendim kritik dhe përgjegjësi. Kjo do të thotë ta duam pa e idealizuar, ta ruajmë pa e ngurtësuar dhe ta përcjellim pa e zbrazur nga kuptimi. Vetëm kështu tradita nuk bëhet idhull, barrë apo zbukurim bosh. Bëhet një lidhje e gjallë midis së shkuarës dhe së tashmes dhe na ndihmon të kuptojmë më thellë veten dhe të zgjedhim me më shumë vetëdije çfarë duam të çojmë më tej.
(c) 2026 Aourela Vintou. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë: Një gjest kujdesi: lidhja e shamisë në veshjen tradicionale të Nartës. Foto: Aourela Vintou
Assmann, J. (2011). Communicative and cultural memory. In P. Meusburger, M. Heffernan, & E. Wunder (Eds.), Cultural memories: The geographical point of view (pp. 15–27). Springer. https://doi.org/10.1007/978-90-481-8945-8_2
Cordonnier, A., Rosoux, V., Gijs, A.-S., & Luminet, O. (2022). Collective memory: An hourglass between the collective and the individual. Memory, Mind & Media, 1, e8. https://doi.org/10.1017/mem.2022.1
Βίντου, Α. (2025). Το έθιμο των Ζουζάλων στην Άρτα Αυλώνα: Πολιτισμική αλλοίωση και αντίσταση στην κριτική. Ποιοτική ανάλυση ψηφιακού λόγου υπό το πρίσμα της κοινωνικής ψυχολογίας. Βότρυς, 9, 71–83. Εκδόσεις Νίκας.
Hobsbawm, E. (1983). Introduction: Inventing traditions. In E. Hobsbawm & T. Ranger (Eds.), The invention of tradition (pp. 1–14). Cambridge University Press. https://doi.org/10.1017/CBO9781107295636.001
Κοντομίχης, Π. (χ.χ.). Ζούζουλο (το). Στο Λεξικό του Λευκαδίτικου Γλωσσικού Ιδιώματος. Marrë më 1 qershor 2025 nga https://lexikolefkadas.gr/zouzoulo-to/
Merrill, N., & Fivush, R. (2016). Intergenerational narratives and identity across development. Developmental Review, 40, 72–92. https://doi.org/10.1016/j.dr.2016.03.001
Shils, E. (1981). Tradition. University of Chicago Press.
UNESCO. (2003). Convention for the safeguarding of the intangible cultural heritage. https://ich.unesco.org/en/convention
Ξυλογιάννης, Χ. Σ. (2020). Γλωσσάρι ιδιωματικό: Λέξεις και εκφράσεις Κάμπου Άρτας. Academia.edu. Marrë më 1 qershor 2025 nga https://www.academia.edu/44210059/
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.