MONUMENTI

Ish kaq i lashtë dhe kaq madhështor, sa vështirë të thuhej nëse e kish ngritur qyteti, apo qyteti vetë ish rritur rreth tij.

Jeta në qytet i organizohej përreth: me procesione, vizita të shkollave, sesione shkencore, referenca të panumërta në artet dhe letrat. Shfaqej në emblema dhe flamuj, simbole dhe banderola, logo dhe pulla të postës.

Ishte njëfarësoj vetë qyteti.

Megjithatë, shekujt kishin bërë të vetën: mermeri vende-vende ish lodhur dhe çngjyrosur, statujat ishin nxirë nga smogu, graffiti-t e vandalëve jo gjithnjë kish qenë e mundur të fshiheshin, piedestali vende-vende ish shkërmoqur, disa nga basenët e shatërvanëve nuk e thithnin më ujin.

Këshilli Bashkiak vendosi kështu, jo pa debate të zjarrta, që Monumenti t’i nënshtrohej restaurimit.

U thirrën historianë, inxhinierë, arkitektë, piktorë, skulptorë dhe kimistë nga më të mirët, anembanë botës. U kontaktuan firmat më me përvojë. Miliarderët globalë dhuruan shuma marramendëse.

Një ditë prej ditësh, u gdhi i rrethuar me skela, i mbuluar me rrjeta, i përçudnuar nga zhurmat industriale të makinerive.

Punimet vazhduan gjatë: dëmtimet kishin qenë më të rënda, aq sa duhej prekur vetë armatura e brendshme e ngrehinës, për ta zëvendësuar skeletin prej druri tashmë të kalbur, me çelik dhe beton.

Pati edhe debate të zjarrta mes restauratorëve, të ndarë në shkolla dhe fraksione.

Thuhej se një pjesë e parave të premtuara nuk kishin arritur në arkat e Autoritetit Restaurator. Flitej për paaftësi dhe korrupsion, të mëdhenjtë akuzonin njëri-tjetrin. Pati dorëheqje dhe procese gjyqësore.

Për faj të Restaurimit, u rrëzuan së paku dy këshilla qytetës.

Jeta rreth Monumentit njëfarësoj vazhdonte: vinin aty turistë nga të katër anët e planetit, sikurse vinin edhe nxënës të shkollave, qytetarë të përmalluar dhe çifte të dashuruarish.

Edhe pse tashmë nuk mund të shihej e të admirohej më drejtpërdrejt, i fshehur siç ishte pas skelave, rrjetave, mureve të përkohshme, makinave të betonit dhe vinçave, sërish vizitorët tërhiqeshin pas vendit ku ai ngrihej.

Me kalimin e viteve, teksa qytetarët filluan të ambientohen me mungesën e veprës dhe me vizitat përqark kantierit, kulti i Monumentit mori hov si kurrë ndonjëherë.

Breza të tërë u mësuan që me “Monument” të kishin parasysh dy objekte të ndryshme: riprodhimin e veprës në gjithfarë formash dhe kantierin e ngritur rreth gjësë reale.

I pafuqishëm për të përshpejtuar punimet e restaurimit, këshilli qytetës vendosi që, së paku kantieri – me muret rrethues tashmë pjesë e peizazhit urban – të mirëmbahej në mënyrë shembullore.

Siç edhe u bë.

Ia behu pastaj dita, pas dekadash, kur simbolin që u shfaqej në posterët dhe shenjat qytetare, librat dhe dokumentet zyrtare, dyqanet e souvenirëve dhe stilizimet kitsch njerëzit harruan ta identifikojnë me çfarë lëngonte pas zhurmave, kaosit, mureve dhe rrjetave në sheshin qendror të qytetit.

Askush s’e mbante mend më Monumentin, dikur të pafshehur nga skelat e restauratorëve – pavarësisht fotografive dhe filmave të vjetër që sa vinin e merrnin trajta irreale.

Dhe pikërisht në mes të kësaj harrese dhe disocimi shqetësues, Restauratorët e njoftuan këshillin qytetës se puna e tyre tashmë kish përfunduar dhe Monumenti ish gati që t’i rikthehej qytetit, në krejt lavdinë e vet të dikurshme.

U hoqën skelat dhe muret rrethues, u pastrua sheshi, u çmontuan dhe u larguan pjesë-pjesë makineritë e rënda.

Qyteti u gdhi, më në fund, me Monumentin e ripërtërirë në gjirin e vet.

monumento-caduti-gPor ç’të ish vallë kjo strukturë, rreth së cilës do të organizohej tash e tutje jeta urbane? Askush nuk po e njihte më: dhe thuajse të gjithëve po u dukej kabá, në konflikt me arkitekturën përreth dhe qytetin vetë; edhe kur nuk po u dukej e demoduar dhe baroke, në kuptimin më të keq të fjalës.

Të krijohej përshtypja se e kishin parashutuar disi, mu në mes të qytetit, por krejt rastësisht; pa menduar për efektet ansore, çrregullimet që do të sillte, ripërkufizimet që do t’ua bënte ndërtesave përreth.

Krijim vanitoz, që shprehte sensin vanitoz të titullimit të elitave, tashmë paturpësisht kremtuese të vetvetes.

Kjo shëmti e studiuar nuk i përket qytetit tonë, thuhej e zezë mbi të bardhë në një peticion të nënshkruar nga intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, që iu dorëzua këshillit qytetës.

Rrugët përreth erdhën ndërkohë duke u zbrazur dhe braktisur: restorantet, baret, galeritë dhe butikat u zhvendosën gjetiu. Vendin shkëlqimit të dikurshëm ia zunë kasollet prej letre të të pastrehëve dhe ndonjë kamionçinë e rastit, që u shiste qofte të dyshimta kalimtarëve.

Qyteti mbetej i përkushtuar ndaj Monumentit, sepse riprodhime të tij gjithnjë sundonin vizualitetin – që nga simbolet zyrtare, te lodrat që u shiteshin turistëve; baret dhe restorantet dhe galeritë me emrin “Monumenti” ende tërhiqnin klientë të panumërt; historia e veprës dhe e autorëve të saj klasikë ende zinte vend qendror në kurrikulumet e shkollave dhe të universiteteve; por askush nuk guxonte më që t’i lidhte të gjitha këto, mendërisht, me atë gjënë restauruar së voni dhe llamburitëse, në qendër të qytetit.

Thuhej se disa kishin kërkuar rikthimin e kantierit, këtë herë në trajta dhe funksione simbolike; disa të tjerë kishin propozuar dëmtimin e qëllimshëm të veprës, duke e përzhitur me flakëhedhëse, goditur me vare, shpuar me trapano, përdhosur me graffiti; të tjerë kishin sugjeruar bllokimin e shatërvaneve, thyerjen e hundëve të statujave, shembjen e shkallëve prej mermeri, shtrembërimin e portave prej bronzi.

Nuk do të mungonin edhe zërat që bënin thirrje për shkatërrimin e plotë të Monumentit.

Gjatë periudhës më pas të njohur si Post-restaurim, qyteti nuk e pranoi dot më veprën në gjirin e vet, pa çka se vetëdija qytetare mbeti e ndërtuar e tëra rreth saj.

Vizitori i sotëm më kot do t’u kërkojë banorëve vendës që t’i tregojnë se ku gjendet pikërisht Monumenti; guidat turistike nuk e përmendin më, tabelat janë hequr, hartat shpesh japin të dhëna konfuze. Qyteti ndërkohë është shtrirë e zhvilluar gjetiu në pllajë, duke e braktisur qendrën e vjetër dhe orientimin e kamotshëm ndaj Monumentit.

Si pasojë e zhvillimeve politike të pashmangshme, fuqinë bashkiake e ka marrë Autoriteti Restaurator i dikurshëm, edhe pse restaurimi – si veprimtari praktike – konsiderohet tashmë si një lloj herezie.

Vetë Monumenti, si koncept dhe imazh, funksionon tani si Hyjni kryesore e një religjioni civik, që i ka shtyrë mënjanë religjionet e tjera, për ta rregulluar i vetëm jetën shpirtërore të qytetarëve.

Gjithnjë e më tepër dëgjon, në mass mediat, të artikulohet ideja se ka ardhur koha që këtij simboli kaq themeltar për qytetin t’i kushtohet një Përmendore.

Nuk ka komente

  1. Patjetër Castigat, jo vetëm që Përmendorja duhet të ngrihet, por edhe qyteti duhet të ndërrojë emrin e të quhet “Monument”. Vetëm kështu vlerat e kësaj trashëgimie të vyer do të përjetësohen nëpër gugllharta, rrjete sociale, etj. etj. Përfytyroni ditën kur Filani do tagojë Fistekun ne fejsbuk duke ngrënë fiq së bashku, dhe do t’i vendosë fotos diçiturën: “Feeling emotional with Fistek eating figs in Monument”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin