Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipërinë post-komuniste u mbajtën më 31 mars 1991.[1] Krahasuar me to, zgjedhjet e 11 majit 2025 shenjuan një prapakthehu të pashembullt.
Në vitin 1991 e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur u njëmendësua tanësisht.[2] Zgjedhësit shqiptarë shprehën vullnetin e tyre lirisht dhe pa pengesë.
E drejta për të zgjedhur përmbys mite
Franko Krroqi është emër që rrallë përmendet sot. Mirëpo më 1991, si përfaqësues i opozitës, ai mundi në Tiranë vetë Ramiz Alinë, Sekretarin e Parë të Partisë së Punës dhe Presidentin e vendit. Dhe kjo ndodhi bash në bastionin “e sigurt” zgjedhor, në Lagjen nr. 1, ku ishte themeluar Partia Komuniste, dhe ku shpesh kishte kandiduar vetë Enver Hoxha.
Humbja e Ramiz Alisë ishte pa fjalë “turpëruese”. Mirëpo Alia, në fund të fundit, nuk ua kufizoi dhe nuk ua ndaloi zgjedhësve të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Ai iu nënshtrua verdiktit të popullit, por nuk e futi veten në “lista të mbyllura”.
E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është ndër të drejtat më themelore dhe universale të njeriut. Ajo është në qendër të një rendi mirëfilli demokratik. Atë e urrejnë vetëm diktatorët, demagogët dhe delirantët. Ajo përbën thelbin e konceptit të sovranitetit të popullit në vetëqeverisje dhe mbarështimin e punëve të veta. Madje në SHBA kjo e drejtë është aq e konsakruar sa zgjedhësit mund të vendosin aty për aty për një kandidat të ri, jashtë listës [write-in candidate], pa pyetur fare se ç’thotë kryetari i partisë.
Kjo e drejtë mishërohet në Kushtetutën e sotme të Shqipërisë përmes parimit se “çdo shtetas ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet”[3] si dhe në parimin se “vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.[4]
Për më tepër, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur ka karakter universal. Ajo është ngulitur edhe në nenin 21 të Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut[5], si dhe në nenin 25 të Paktit të OKB-së për të drejta civile dhe politike[6] dhe madje edhe në nenin 3 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.[7]
Mirëpo në vitin 2025, ose 34 vjet pas vitit 1991, zgjedhësve shqiptarë kjo e drejtë iu kufizua rëndshëm. Ata u përballen me lista të mbyllura apo me “kandidatë me renditje të fiksuar”. Zgjedhësit shqiptare vendosën vetëm për rreth 40, nga 140 deputetët e ardhshëm. Rreth njëqind deputetë, në fakt, ishin parazgjedhur nga krerët e partive.
Në foto shfaqet një fletë votimi e afishuar në një qendër votimi të ish-Lagjes nr. 8 në Tiranë, marrë ditën e zgjedhjeve. Në krye të secilës kolonë – brenda kutive – gjenden emrat e paracaktuar nga kryetarët e partive, të kandidatëve në listë të sigurtë. Zgjedhësit, pra, i jepet mundësia për të “zgjedhur” vetëm jashtë kuadratit të mbyllur, tek lista e rregullt emërore.
E pra si mund të quhet legjitim ai Kuvend i dalë nga zgjedhje që kufizuan të drejtën e pamohueshme të popullit për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur?
Demokraci parlamentare apo partitokraci bipolare?
Realisht Shqipëria vetëm në letër është demokraci parlamentare[8]. Në fakt, modeli i sotëm qeverisës mund të quhet sistem partitokratik bipolar, dhe jo një pushtet i popullit, buruar nga populli dhe që i takon atij [of the people, by the people, for the people, sikurse shprehej Abraham Lincoln].
Përfaqësuesit e popullit duhet t’i zgjedhë populli, dhe jo kryetari i partisë. Mirëpo pushteti sot në Shqipëri është i kryetarit, buron nga kryetari dhe i takon kryetarit të partisë. Për më tepër ky “cenim i mundësisë për të zgjedhur kërcënon edhe partneritetin transatlantik” midis SHBA-së dhe Evropës, e afërmendsh midis SHBA-së dhe Shqipërisë, për të perifrazuar një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit. [9]
Ndaj modeli i sotëm zgjedhor në Shqipëri s’mund të quhet as i lirë dhe as i drejtë. Ai as nuk afrohet me normat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
A mund të rrëzohen me referendum amendamentet e v. 2008?
Zanafilla e këtij modeli të përçudnuar makiavelik janë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që eliminuan konsensusin në zgjedhjen e kreut të shtetit [10], dhe i hapën rrugë sistemit të sotëm pervers të partitokracisë bipolare, të republikës kryeministrore.
Të ideuara dhe të miratuara nga dy partitë kryesore PD dhe PS, ato u vijuan nga marrëveshje të tjera dypartiake, më e fundit e verës së vitit 2024, që çimentuan sistemin jo demokratik zgjedhor të proporcionalit rajonal, të kontrolluar nga krerët e partive.
Sistemi i pastër maxhoritar u zbatua në vitin 1991. Ky model siguron lidhjen më të drejtpërdrejtë e demokratike midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit, duke anashkaluar rolin e kryetarit të partisë. Më pas u kalua në sistemin e përzier, gjithsesi të pranueshëm, ku 100 deputetë zgjidheshin sipas sistemit maxhoritar, dhe 40 sipas sistemit proporcional. Mirëpo amendamentet e v. 2008 e ndryshuan atë, duke imponuar sistemin e sotëm “proporcional rajonal”, i cili lipset të çmontohet pa vonesë.
Do të ishte hap i mirëpritur nëse vetë klasa politike të anullonte Amendamentet Kushtetuese të vitit 2008 dhe të shqyrtonte rivënien në zbatim të sistemit zgjedhor tërësisht maxhoritar, si më 1991 në Shqipëri, apo sot në SHBA, Angli e gjetkë.
Por në mungesë të një mea culpa të PS-së apo PD-së, si dhe të vështirësisë për nismë qytetare nga poshtë, si mund të zhbëhej masakra kushtetuese e v. 2008 dhe vendi të kthehej në një demokraci “të, prej dhe për popullin”?
Dihet se Kushtetuta e v. 1998 u miratua nga Kuvendi dhe u sanksionua me referendum. Mirëpo amendamentet e v. 2008 nuk iu nënshtruan referendumit popullor. Ndaj, në rrafsh kushtetues, por edhe moral, amendamentet nuk mund të barazohen me frymën dhe germën e Kushtetutës së v. 1998, dhe kësisoj nuk mund të fitonin efekt kushtetues tërësor pa miratimin e popullit. [11]
Kjo pikë e dobët mund dhe duhet shfrytëzuar. Një ide do të ishte të bindeshin 28 deputetë të Kuvendit që, bazuar në nenin 177.5 të Kushtetutës,[12] të kërkonin që amendamentet e miratuara më 2008 t’i nënshtrohen referendumit. Në qoftë se nisma do të zinte vend, atëhere fushata mbarëkombëtare do të duhet të bindte zgjedhësit që në referendum të votonin KUNDËR miratimit të amendamenteve.
Pra, amendamentet e v. 2008 do të mund të rrëzoheshin me referendum popullor, duke rivendosur frymën dhe germën e Kushtetutës së v. 1998.
Në dukje e vështirë, nisma nuk është e pamundur. Pengesë kryesore janë dinosaurët e politikës shqiptare, që përgjithësisht kanë alergji ndaj referendumeve popullore.
Mirëpo nisma, mundësisht e ndërmarrë nga 4 deputetët “e pavarur” të partive të reja, e nxitur nga një masë kritike e aktivizmit qytetar nga poshtë, do të rriste trysninë ndaj dy partive kryesore që, në tandem me trysninë nga organizmat përkatës ndërkombëtarë, të mund të realizonin rrëzimin përfundimtar të “strumbullarit të të gjitha të këqijave” në kushtetuetshmërinë e vendit, duke e kthyer atë në shinat e republikës së vërtetë parlamentare, ku pushteti është mirëfilli i, nga dhe për popullin.
Copyright © Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] I nënshkruari në atë kohë pati privilegjin për të shërbyer si anëtar i Komisionit zgjedhor të Lagjes nr.2 si përfaqësues i Partisë Republikane. Komisioni kryesohej nga Tamara Malaj, anëtarja e Gjykatës së Lartë, dhe shqyrtoi edhe votimet e shtetasve shqiptarë me banim jashtë shtetit, të cilët regjistroheshin nga Ministria e Punëve të Jashtme.
[2] Për ta përtheksuar po përdorim trajtën e gegnishtes.
[3] Neni 45.1 i Kushtetutës. Madje kjo dispozitë është drejtpërdrejtë e zbatueshme [Neni 4.23, dhe nuk mund kufizohet me Kodin Zgjedhor.
[4] Neni 45.4 i Kushtetutës.
[5] 1. Everyone has the right to take part in the government of his country, directly or through freely chosen representatives.
- Everyone has the right of equal access to public service in his country.
- The will of the people shall be the basis of the authority of government; this will shall be expressed in periodic and genuine elections which shall be by universal and equal suffrage and shall be held by secret vote or by equivalent free voting procedures.
[6] Article 25
Every citizen shall have the right and the opportunity, without any of the distinctions mentioned in article 2 and without unreasonable restrictions:
(a) To take part In the conduct of public affairs, (directly or through freely chosen representatives;
(b) To vote and to be elected at genuine? periodic elections which shall be by universal and equal suffrage and shall be held by secret ballot, guaranteeing the free expression of the will of the electors;
(c) To have access, on general terms of equality, to public service in his country.
[7] ARTICLE 3
Right to free elections
The High Contracting Parties undertake to hold free elections at reasonable intervals by secret ballot, under conditions which will ensure the free expression of the opinion of the people in the choice of the legislature.
[8] Neni 1 i Kushtetutës.
[9] “..undermining of electoral choice threatens the very foundation of the transatlantic partnership…”. Samuel Samson, The need for civilized allies in Europe, 27 maj 2025, tek https://statedept.substack.com/p/the-need-for-civilizational-allies-in-europe.
[10] Edhe vetë i nënshkruari argumentoi atëherë për thjeshtimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Shtrembërimet e skajshme që pasuan amendamentet e v. 2008 vërtetojnë se zgjidhja me Kushtetutën e v. 1998 sa i takon Presidentit ishte e drejtë. Koha për mea culpa edhe për vetë të nënshkruarin.
[11] Shih edhe Afrim Krasniqi, Kushtetuta e Shqipërisë dhe ndryshimet përgjatë 1991 – 2015. https://www.linkedin.com/pulse/kushtetuta-e-shqipërisë-dhe-ndryshimet-kushtetuese-afrim-krasniqi
[12] Rishikimi i Kushtetutës. Neni 177.5. “Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”
Edhe sistemi i drejtperdrejte ka defektet e tij .Dikur jo shume kohe me pare shqiptaret zgjodhen deputet nje tip qei kandidoi ne kembe te vellait i cili dergjej ne burg i akuzuar per vrasjen e nje polici.Argumenti me i forte kondra demokracise thone eshte 5 minuta bisede me nje votues mesatar.Kur ne SHBA ankohen se po zgjedhin idiote ne Kongres c’pret nga Shqiperia ?Ndoshta duhet ndryshuar ligji per kandidatet .P.sh kandidadet per deputet duhen te seleksionohen nga KQZ e te japin nje provim te forte qe te mbuloje te gjitha aspektet e shtetit ne menyre qe asnje bulmez qe nuk e ka haberin si funksionon shteti te mos zgjidhet deputet .
Shkrimi i mirë, por i vonuar: është të paktën me pesë vite vonesë dhe, si i tillë, pa ndonjë relevancë për politikën e sotme shqiptare.
Shansi i fundit për zhbërjen e kushtetutës antidemokratike të 2008-ës ishte kur PD-ja nën Bashën braktisi parlamentin dhe kur Meta ishte ende president, në 2019/ 20-ën. Deri atëherë regjimi socialist akoma nuk ishte konsoliduar – dmth nuk ishte bërë plotësisht totalitar – kur Rama nuk i kishte kapur ende të gjitha pushtetet, ato shtetërore dhe ato joshtetërore. Në atë moment kushtetuta mund të ishte ndryshuar – me referendum ose me një marrëveshje mes tre partive të mëdha – nën presionin e rrugës dhe/ose të ndërkombëtarëve, siç ndodhi me ndryshimet e mëparshme të kushtetutës pas 1990-ës. Amatorizmi politik i Bashës dhe intransigjenca e amerikanëve bën që ky shans të digjej dhe që dera legale e ndryshimeve kushtetuese të mbyllej njëherë e mirë.
Vjedhja spektakolare e zgjedhjeve të 2021-it, e orkestruar dhe organizuar nga Partia në pushtet (ju kujtohet ‘partia-shtet’?), e bekuar dhe e nxitur aktivisht nga militanët e ambasadës amerikane në Tiranë – por edhe e mundësuar nga dilentantizmi politik akoma më spektakolar i Lulëzim Bashës – i dha fund edhe çdo mundësie për të ndryshuar me rrugë demokratike dhe legale regjimin e instaluar nga PS-ja: me zgjedhje, me referendume apo me negociata shumëpalëshe.
Farsa që pasoi 2021-in ishte varianti shqiptaro-amerikan i flooding the zone with shït: me non-grata-t arbitrare (abuzive dhe poshtëruese për çdo shtet që ka respekt për veten), me procedimin penal dhe burgosjen e të dy krerëve të opozitës, me lojën me vulat zyrtare të PD-së, me refuzimin e debateve parazgjedhore me opozitën(!) – për t’i zëvendësuar me një burleskë kakërdhish dhe daullesh -, që kulmoi në “zgjedhjet” e 11 Majit, ku Rama dora vetë u bëri thirrje opozitarëve që të rrinin në shtëpi e të mos dilnin fare në zgjedhje, po qe se “nuk votoni për ne”. Dhe syleshët e opozitës pranuan megjithatë të hidhnin vallen Ramës deri në fund dhe të legjitimonin farsën elektorale të “zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Shqipëri”!
Le të mos gënjejmë më veten, as të luajmë lojën e socialistëve duke u bërë një fasadë më tepër në operetën pseudo-liberale-demokratike të Ramës, siç bën opozita budallaqe e Berishës: Mandati i katërt i Ramës është mandat për tiraninë.
Dhe tirania nuk mundet as me zgjedhje, as me referendume, e aq më pak me apele morale-patriotike!