Bënte mirë Veton Surroi i cili, në një shkrim të vetin të botuar kur nisi protesta e studentëve në Tiranë, i jepte shpjegim ngjarjeve përmes nocionit të krizës. Kriza është përmendur kudo këto ditë, në çdo analizë të mediatizuar. Por dyshoj me gjithë mend është kuptuar. Sepse, vërtet, po jetojmë në vorbullën e një krize tërësore: ekonomike, sociale, kulturore nëse duam. Tek e fundit, mund të quhet edhe politike sepse si e tillë është krizë përfaqësimi. Një krizë pra, që duke parafrazuar Antonio Gramsci-n, ka të bëjë me faktin se e vjetra është duke vdekur, ndërsa e reja nuk po ia del të lindë.
Në një kohë të tillë, vijonte mendimtari i madh italian, në këtë kapërcyell mes dy sundimesh (interregnum), atij që po ikën dhe atij që po vjen, vihen re dukuri kalbëse të gjithanshme: një kalbëzim afërmendsh i të vjetrës, i nocionit kronosian të pushtetit që ha bijtë e vet veç me qëllimin për të mbijetuar ai vetë, por që është në vdekje e sipër; si dhe një kalbëzim i Zeusit riosh, le të themi, që duket se vyshket pavarësisht se nuk ka nxjerrë ende gonxhet. E si i tillë, në terma biologjikë, dështon para se të lindë.
Një dështim ky, nëse kthehemi te ngjarjet e fundit, kryekëput politik.
I.
Që të pohojmë se e vjetra ka humbur ndikimin, aurën e vet udhëheqëse dhe njëkohësisht rrëzëllore, do të ishte eufemizëm.
Gramsci gjykon se çdo e vjetër, pra çdo pushtet të cilit nuk i ka mbetur tjetër veç ushtrimit të forcës, të asaj mbetjeje që lëngon brenda cisternës së ndryshkur që shpesh përkufizojmë si “monopol të dhunës”¾një pushtet pra që zotëron veç një fije potestas dhe asfare auctoritas, krejt i paaftë për të ndërtuar mbështetje përreth vetes, ashtu i përpirë siç është nga llumi i vet¾ky pushtet i kërbaçit të verbër dhe kulaçit të krimbur, nuk do mend që përparon drejt muzgut të vet. Në qetësi apo zhurmë, ai do të vdesë.
Pavarësisht se, për momentin, thjesht po lëngon; ka përpara mortin që, pashmangshmërisht, e pret. E vjetra nuk bën më. Nuk funksionon dhe nuk di më ta qeverisë bashkësinë, polisin. Kur polisi nuk qeveriset më, kur nuk gjendet më aftësia për të ndërtuar një bashkësi interesash harmonike brenda të njëjtës njësie fizike, do t’u lihet vendi bastisjeve dhe zjarrit të kësaj të fundit.
Qeverisja e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, veç tipareve të saj të përveçme¾ku spikasin korrupsioni, përfshirja e krimit të organizuar në sferën publike dhe ngjyresa autokratike të ngjashme me sisteme të tjera qeverisëse në Ballkan e gjetiu¾është edhe vazhduese e denjë e një rrënimit të asaj që mund të përkufizohet si hegjemoni kulturore nga ana e shtetit në shoqëri. Një proces ky ka nisur shumë përpara Ramës dhe që me të ka prekur majat.
Nëse një katund nuk pajiset me loci, vendndodhje, ku përpunohet kultura e bashkësisë dhe artikulohet marrëdhënia shtet-shoqëri, qoftë dhe në mënyrë kritike, në këtë katund apatik njerëzit do nisin të shprehen me këmbë e me duar. E po me këmbë e duar do të veprojnë kur katundi do të kuptojë se është periferi, atëherë kur qendra do t’i duket larg dhe madje do ta përftojë atë si mosdëgjuese ndaj kërkesave që katundi i drejton. Po me këmbë e duar.
Figurativisht, qeverisja aktuale ka zgjeruar territorin e kësaj periferie duke ngushtuar mjaft qendrën. Ka ngushtuar vetveten. E ka fortifikuar këtë të fundit sakaq që çdo urë komunikimi mes saj dhe periferisë është fundosur.
Prandaj kjo protestë, më shumë se zë elokuent dhe epik studentësh, përngjan si ulërimë e një periferie ku për dekada nuk u ngritën vende kultivimi të bashkësisë, nuk u zhvilluan shkolla (në termin më të gjerë të edukimit, jo thjesht fasada arsimore) dhe forma të tjera angazhimi kulturor. Kjo periferi, për tre dekada, u pa vetëm si pllajë nepotizmi, klientelizmi dhe përkohësie elektorale. Shifra dhe shkëmbime materiale të përkohshme.
Në rastin më të mirë, u trajtua si vend ekzotik ku mund të shëtisnin ata të qendrës, për të shpalosur kotësinë e tyre luksoze. Deri sa kësaj periferie i erdhi në majë të hundës kjo gjë, e vendosi t’ia thotë qendrës me këmbë e me duar refuzimin e vet. Dhe qendra, duke mos ditur si ta përkthejë mesazhin në gjuhën e vet, vendosi t’i flasë periferisë po me këmbë e duar. Përmes policisë, e cila në masë dërrmuese vjen po nga kjo periferi.
Me këmbë e me duar: i vetmi regjistër gjuhësor me të cilin qendra dhe periferia, qeveritarët dhe të qeverisurit, mund të kuptohen.
Thomas Hobbes-i e quante “kthim në natyrë” këtë kapërcim: kur autoriteti që dikur ndillte droje dhe admirim njëkohësisht (awe), tani ushtron veç dhunë. Dhe merr dhunë mbrapsht. Kështu ndodh kur autoriteti nuk ka ç’t’u thotë njerëzve, se këta nuk ia besojnë më fjalën, e fillojnë të sillen me të ashtu siç atij i ka mbetur të sillet me ta: veç me dajak. Siç bëjnë shtazët në pyll, ndryshe nga njerëzit në një polis të denjë.
Që të dy kthehen në shtazë; autoriteti përmbyset dhe njerëzit nisin ta shqyejnë si ujqër. Ashtu siç dhe përfundojnë duke shqyer njëri-tjetrin. Homo homini lupus.
Hobbes-i e quante këtë kthim në natyrë pasojë të revolucionit: term që, për kohën, nuk tingëllonte dhe tërheqës sa sot. Donte të thoshte saktësisht atë çka nënkuptonte rrënja e tij, folja latine revolvere: të kthehesh pas, në gjendjen parabashkësore: të kthehesh në kushtet kur njerëzit ende nuk e kishin firmosur kontratën sociale, pra në natyrë te shtazët.
Të paktën për Hobbes-in, revolucioni ishte sinonim i rrëmujës dhe akoma më keq, i konfliktit shtazarak. I të komunikuarit me këmbë e me duar.
Ky është rreziku i rrënimit të një autoriteti të vjetër: nuk u ka mësuar njerëzve tjetër mënyrë komunikimi, i ka lënë ata që të shprehen vetëm me mjetet që natyra u ka dhënë.
II.
Por thelbi i krizës, përsëris, ka të bëjë gjithashtu me të renë që nuk po lind dot. E që duke u përpjekur të lindë, ajo dështon në këtë përpjekje. Thelbi i krizës duket ditën që e vjetra vdes dhe lë një truall bosh, pa një autoritet të ri. I cili, ndërkohë, do të duhej të kishte lindur, nëse duam të shmangim një kthim në natyrë.
Tani, shumëkush i lidh ngjarjet e fundit në Tiranë, “protestën e studentëve” siç po cilësohet, me atë që nisi në fund të majit; me atë valë shembullore reagimesh që nga shumë anë u pagëzua si “revolucion i flamingove”. Përtej vazhdimësisë formale, shumëkush sheh tek dy protestat një lidhje organike, e ushqyer më së tepërmi nga ideja se e tanishmja trashëgon kërkesat, thirrjet dhe objektivat e të djeshmes.
Unë kam disa dyshime në këtë drejtim. Dhe nuk po dua t’i hyj analizave që kanë të bëjnë me arsyet se përse ajo e flamingove pësoi një venitje në vijim, shumë të dukshme bash sepse pjesëmarrja fillestare ishte e pashembullt.
Përtej saj pra, përshtypja ime është se kjo lidhje e supozuar mes dy valëve çalon. Dhe ja përse:
Nëse vëmë re, pjesëmarrësit më në zë të protestës së flamingove janë dukshëm të pranishëm në rrethinat e protestës së studentëve. Pas më shumë se dy javësh protestë, me ritme sa dinamikë dhe statikë, ku mes rrjeteve sociale sa mes dëshmive, ata/ato këmbëngulin të pohojnë njëfarë protagonizmi. Të njohurit si zotërues të mikrofonit, por dhe të tjerë që me këta hera-herës grindeshin, qarkullojnë nëpër studio televizive; ndokush edhe vepron, por s’e thotë, si një zëdhënës i protestës. Janë madje bartës edhe të vijës narrative sipas së cilës “nuk na dëgjuat për katër muaj dhe tani nuk mban më ujë pilafi”.
Në një fjali të tillë fshihet një ndjenjë dorëzimi, por nxjerr kokën edhe një dell kërcënimi: aq sa mundëm qemë të paqtë, e mbajtëm protestën tonë të qetë, por tani nuk i mbajmë më dot turmat.
Gjërat kanë ndryshuar; jo vetëm metoda e të protestuarit por edhe protestuesit kanë ndryshuar. Është relativisht e lehtë që të shquash se “flamingot”, qofshin të mikrofonit apo të atypëratyshmit, nuk e udhëheqin, nuk e kontrollojnë, e aq më pak diktojnë gjësend në këtë protestë të tanishme. As mikrofon, as megafon, as program në letër¾asgjë e këtillë¾nuk u ka mbetur që ta çojnë përpara në këtë protestë të re. I vetmi veprim që kanë kryer është ai i transferimit, me valixhe në krahë, të vetvetes në një vendndodhje të re, diku në cepat e kësaj të fundit.
Ndonjëri duket edhe se ka marrë me vete zhgënjimet, përtypjet dhe ndrydhjet, kur u ndie i padëgjuar, i papërfillur. Dhe ka vendosur ta shohë këtë protestë studentësh si rast për shfryrje, qoftë dhe me përdhunë, të vorbullës së krijuar në bark. Shfryrje edhe nëpërmjet dorës së të tjerëve, për ta hedhur atë gur që vetë s’e pati guximin për ta bërë qysh më parë.
Ndoshta nuk ka dashur kurrë ta hedhë. Ndoshta nuk ka besuar, e as beson, flamingoja i vjetër, se me dhunë, me vandalizëm, arrihet gjësend. Por nuk e pohon dot. Jo botërisht të paktën. Më mirë të vazhdojë të jetë në shesh. Se veç kështu do t’ia ketë vlejtur, gjithsesi, edhe apostullati i paqes verore. Më mirë një trashëgimi me probleme se një shterpësi e kulluar.
Se mbase çalon narrativa e studentëve si vazhdimësi e drejtpërdrejtë e flamingove; ama, edhe mund të përtypet ajo e të parëve si trashëgimi e të dytëve. Dhe të shpallësh trashëgimtar, është pak si të pranosh se jeta jote nuk ka qenë tërësisht e kotë. Ose, është si të pranosh se me jetën tënde, për aq sa e jetove, nuk dështove.
Mund të bëjmë edhe sikur s’e shohim, e t’i ruajmë dinjitetin “revolucionit të flamingove” duke i dhënë pjesëmarrësve më të dukshëm në radhët e tij vendin e nderit në lëvizjen aktuale të studentëve. Pavarësisht se ky vend nderi po shpaloset më së shumti në studio televizive, sepse veprimi në rrugë dhe në përballje me forcat e policisë po flet për diçka thelbësisht tjetër¾për tjetër predikim, tjetër metodë, dhe mbi të gjitha tjetër predikues, tanimë të armatosur me gurin që lëndon.
Dhe këtu kemi të bëjmë me një dështim të kulluar politik. Pohimi nuk do të vijë kurrë nga flamingot, cilido të jetë statusi i tyre në këtë protestë ndryshe nga e tyrja. Qoftë edhe për një pasojë emocionale, të dhemb ta pranosh dështimin tënd, të mos pasurin një trashëgimtar. Se ka qenë shumë e bukur, shumë frymëzuese, shumë e pashënuar në analet e historisë së rishtë demokratike të këtij vendi, edhe në terma krahasimore me realitete të tjera, gjithçka që ndodhi veçanërisht në muajin qershor.
Dështimi i parë erdh’ duke marrë trajtë qysh në verë. “Flamingot” nuk arritën të shkaktojnë një krize parlamentare, të plotë apo të pjesshme, e cila do të arrinte të trazonte bazën institucionale të pushtetit të kryeministrit shqiptar. Shumica parlamentare, po e njëjta prej të cilës pretendohej ndryshimi i sistemit, nuk u trondit pothuajse fare, nëse do të përjashtojmë rastin e një përfaqësuesi të vetëm që e braktisi mandatin e vet partiak.
Do të ishte e dhimbshme, të paktën për flamingot, që të pranonin se dështimi për të prodhuar një rezultat të dukshëm në raport me strategjinë e shpallur qysh në krye të herës (dorëheqjen e Ramës), dështimi për të prekur qoftë dhe hipotezën e një bashkërendimi praktik mes grupeve të përfaqësuara atje¾flasim për dështimi taktik në këtë rast¾rezultoi në një fikje pa bujë.
Dështoi pa prodhuar as rezultatin më të vogël. Pa lindur ende, pra. Një fiasko e cila mund të shërohet vetëm duke shpallur tani vazhdimësinë me protestën e re. E cila edhe pse nuk ngjan fare me të parën, emërtohet si vazhdimësi e saj. Kështu do të shpëtohej paksa fytyra.
Sepse, nëse flamingot ishin një lloj dige e cila, për aq sa mundi, arriti të përmbante vërshimin e mërisë dhe shfaqjet e dhunës, është e qartë se ata dështuan. Nuk bindën, nuk ia dolën, ata të cilët u besuan se me lule, fëmijë lodrues dhe pa prekur asnjë fije bari do të vinte ndryshimi.
Gabuan nëse vetëm për një çast menduan se prurja në masë e njerëzve në rrugë, siç dhe metoda e tyre paqësore, do ta shtynte Edi Ramën drejt dorëzimit ndaj kërkesave të tyre për Zvërnecin dhe eventualisht dorëheqjes. Dhe ky dështim nuk erdhi në tetor, pas muajsh të tërë në shesh; dështimi mori trajtë që në qershor, kur protesta ndaj një qeveritari të kritikueshëm u kthye në kërcëllimë dhëmbësh ndaj një tradhtari kombëtar apo të shituri te Izraeli.
Sepse edhe linja narrative sipas së cilës mosdëgjimi i flamingove prodhoi dufin e studentëve është, prapë së prapi, shenjë e një dështimi. Nuk është kremtim i spontanitetit të masave, i krijimtarisë së tyre destruktive; është dështimi i një ngjarjeje që u zëvendësua me katërçipërisht të kundërtën e saj.
Është dështimi i estetikës së pastrimit të sheshit pas kryerjes së manifestimit, e cila zëvendësohet nga delli i shkallmimit te semaforëve dhe vënieve të zjarrit nëpër stacione autobusësh. Shprehi dhune që ndokush, me gjysmë zëri, duket se po e dënon nëpër media, pa pasur kurrfarë fuqie për ta ndalur në terren. Ndonjë tjetër nuk bën as kaq, sepse druhet se do të linçohet nga anonimati i protestës.
III.
E vetmja lidhje organike mes dy valëve protestuese ka të bëjë me pamundësinë a mosvullnetin për të shprehur një unitet të qartë përfaqësues dhe politik. Dhe natyrisht në faktin se deri tani as flamingot dhe as studentët nuk e kanë shkaktuar krizën parlamentare që përmenda më sipër. Thënë ndryshe, në të dyja rastet vihet re një lëvizje e shpërndarë, e si të tillë kapricioze, e cila e ka të vështirë të ndjekë rregullat e ngurta dhe disiplinën e një taktike afatgjatë.
Është dështimi më i madh i flamingove ky, e veçanërisht i atyre subjekteve politike që qarkulluan atypari dhe zgjodhën ndrydhjen apo komoditetin e të ndenjurit mënjanë (më mirë ta ruajmë një vend këtu në qoshe sesa turma të na dëbojë për fare), ose morën përsipër filistinizma nacionaliste të udhëhequr nga protagonistë megalomanë. Është një dështim, ky i fundit, që iu trashëgua, a më saktë iu faturua, edhe protestës së studentëve. Edhe në këtë rast, papërkthyeshmëria në një lëvizje politike, po i kushton studentëve atë ngërç ku u dënuan flamingot pas dy javëve të para shkëlqyese.
Qoftë nëse protesta e tanishme do të vazhdojë të jetë një mllef i përkorë me shprehi, sa spontane aq dhe të nxitura, dhune, qoftë nëse ajo do të hyjë në terrenin e baltosur të politikës¾nën shembullin e Listës studentore në Serbi¾efekti kohë nuk do ta lerë atë pa pasoja. Koha ndryshon shumë gjëra: mes tyre, përshtypjet, shijet, bindjet dhe në fund zgjedhjet dhe zgjidhjet. Si të atyre që e bëjnë protestën, si të atyre që e shohin atë; si të atyre që e mbështesin, ashtu edhe të atyre që e luftojnë.
Protesta, ose do të ruajë integritetin e saj etik, gjë që i siguron asaj kompaktësinë numerike dhe i ruan faqen, që do të thotë etikën e të qenit një përfaqësim i shumë kauzave, interesave, partizanizmave, estetizmave, por edhe undergrounds-eve¾gjë e cila detyrimisht do të nxjerrë në pah karakterin e saj plural dhe të vështirë për t’u kanalizuar në mënyrë efikase kur brenda saj, pavarësisht termit unifikues “protestë e studentëve”, janë në fakt shumë protesta, prej të cilave veç një numër i kufizuar janë mekanikisht të prejardhura nga ndonjë kauzë studentore¾ose do të bjerë pre e një boshti karizmatik që mund të ketë sukses në ruajtjen e radhëve të saj, por që në vijim do të përballet pashmangshmërisht me rrjedhje, kundërshti, opinione sui generis dhe deri stasis.
Instancat mainstream të politikës së vjetër, ndërkohë, nuk do të bëjnë sehir. Që do të thotë se hyrja në një terren të cilin protesta nuk e njeh (mobilizimi i strukturuar, hierarkizimi i radhëve, burokratizimi, delegimet, letra e kalemi, përplasjet e mundshme për ndikim, ujditë mesvedit, stërhollimet ligjore dhe përballja eventuale elektorale) do të shpalosë qartas aftësinë e protestës për të bërë llogaritë me përbindëshat e baltës që karakterizon këtë terren. Të cilët nuk janë vetëm PS-ja dhe PD-ja; nuk janë vetëm Rama dhe Berisha. Këta, madje, janë kundërshtarët më të çiltër të protestës. Edhe kur hiqen sikur s’e luftojnë, mashtrimi iu lexohet në fytyrë.
Me kalimin e kohës¾e cila gërryen shkëmbin, mos flasim pastaj për cilësi politike si qetësia, vetëpërmbajtja dhe dialogu¾si dhe me rrugëtimin e protestës tutje-tëhu rrafsheve të politikës dhe etikës, mes të qenit alternativë ndaj të vjetrës që shembet dhe të mos qenit një tjetër e re që nuk po lind por vetëm bën zhurmë në një ditë të shtunë, e ditët e tjera të javës vdes mes indiferencës¾mes gjithë këtyre dinamikave të mundshme dhe një shumice që ndjek duke rritur radhët e veta, do të ndryshojnë edhe qasjet e njerëzve ndaj protestës: si të atyre që e mbështesin, si të atyre që e luftojnë, ballas apo fshehtas. Dhe të dyja këto kategori, me kohën që kalon dhe protestën që ndryshon, nëse do të ndryshojë, ka të ngjarë që t’i këmbejnë hera-herës vendet mes tyre.
IV.
Protestuesit¾marr parasysh që me këtë përkufizim të përfshij të gjithë ata, studentë dhe përtej, që kërkojnë të adresohen si përfaqësues të një të reje, e cila lë prapa forcat politike mainstream¾protestuesit pra, të djeshëm dhe të sotëm, kanë veç dy mënyra për t’u artikuluar dhe ngadhënjyer:
Ata mund të ndryshojnë sistemin nga brenda, e kjo nënkupton një qeveri tranzitore, apo kujdestare, deri në zgjedhjet e ardhshme. Që ta bëjnë këtë ata duhet të kalojnë medoemos për nga Berisha dhe (e çuditshme por kështu është) Rama. Ata mund ta dekapitojnë mbretin, por përpara t’i kërkojnë leje. T’i kërkojnë mbretit që aktin e prerjes së kokës së vet ta bëjë me dorën e vet.
Por protestuesit kanë edhe një mënyrë tjetër: ata mund t’i dalin ballë sistemit. Të mos i hyjnë në mes, meqë ky është i njollosur; meqë të merresh me të do të thotë të merresh me përfaqësuesit e tij të drejtpërdrejtë, të cilët duhet të vendosin mbi mënyrën nëse dhe si ai duhet ndryshuar. Do të thotë se protestuesit duhet të përballen me sistemin kështu si ai është. Në mos tani¾sepse është e qartë se zgjedhjet e menjëhershme veç do ta forcojnë sistemin¾atëherë një ditë. Kur të jenë gati dhe të mos i kërkojnë sistemit qiqra në hell, pra që sistemi të varrosë vetveten. Një kthjelltësim i tillë, pas dy javësh eufori, vjen veç me kushtin që të ketë mobilizim, organizim, të përftohet know-how. Kërkon mësim, edukim dhe lënie mënjanë të përshkallëzimit të verbër, i cili krijon reels-e të frytshme por asgjë më shumë.
Do të thotë të bësh politikë, të jesh në politikë dhe të mos i trembesh të qenit i politizuar. Gjithçka e këtij lloji kërkon të ndenjura. Protestuesit, me një fjalë, duhet të kuptojnë se nuk mjafton strategjia; lypet edhe taktika; dhe akoma më tepër mprehtësia për të bërë dallimin mes të dyjave.
Shënim: Përgjatë gjithë ecurisë së kësaj proteste, përdorimi i termave referencialë ka pasur shumë peshë. Protesta është lakuar si “e studentëve”, jo “studentësh”, pjesëmarrja e deklaruar në të e një numri të konsiderueshëm pedagogësh, është cilësuar si mbështetje nga ana “e pedagogëve”. Ky përdorim i ngjeshur i trajtës së shquar, qoftë edhe nga ana ime në këtë sprovë, trashëgon të njëjtën ngarkesë populiste të regjistrit më tipik të politikës së vjetër. Edhe kjo, shprehej dhe vazhdon të shprehet me përdorime absolute si “e gjithë Shqipëria”, “populli i gjithë”, “shqiptarët mbarë”. Studentët në protestë nuk janë të gjithë studentët e bashkësisë së gjerë universitare. Shpesh, nuk janë studentë fare. Ashtu siç pedagogët të cilët mbështesin protestën nuk janë i gjithë stafi pedagogjik në vend. Dhe kjo përzgjedhje gjuhësore flet shumë për njëfarë trajtimi totalitarist në përcaktimin e llogoreve të konfliktit. Flet gjithashtu për dallimin e madh mes skicës mediatike që e shpjegon protestën dhe bulevardit ku zhvillohet ajo. Dhe harta nuk është asnjëherë territori. E shumëkumtuara silent majority nuk përfshihet tek e para, por gjendet në çdo cep të të dytit.
(c) 2026 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.