Një sociohistori e regjimeve të zërit në të folurën publike shqiptare
“Tingull a tërësi tingujsh, që përftohen në grykën e njeriut a të kafshëve nga dridhja e tejzave”
“Aftësia për të emetuar këta tinguj”
Hyrje — Të dëgjosh historinë e zërit
Ekzistojnë forma të të dëgjuarit që shkojnë përtej kuptimit të fjalëve dhe përqendrohen te mënyra se si ato marrin jetë përmes zërit. Roland Barthes e quajti këtë le grain de la voix (kokrriza e zërit): jo vetëm atë që fjala thotë, por materialitetin e zërit që e shqipton — fërkimin e frymës, tensionin e artikulimit, dendësinë e tingullit, ritmin dhe teksturën akustike përmes të cilave zëri fiton një prani të veçantë. Kjo dallon dy mënyra krejt të ndryshme të dëgjuari: një dëgjim që kap vetëm mesazhin, siç do të bënte një transkriptim, dhe një dëgjim që kap edhe atë çka transkriptimi e humb domosdoshmërisht — presionin, ngurrimin, ngutjen, forcën me të cilën një fjalë hidhet në ajër përpara se të ketë marrë ende kuptimin e saj të plotë. Mladen Dolar e vendosi zërin në një prag edhe më të çuditshëm: as krejt gjuhë, as krejt trup, por pikërisht ajo tepricë që mbetet në hapësirën midis tyre, aty ku njëri nuk arrin ta përthithë plotësisht tjetrin. Këtu qëndron, në fund të fundit, pyetja që e mban gjallë gjithë këtë tekst: si mund të nënkuptojë diçka një zë, pavarësisht nga ajo çka thotë? Kronika nuk transmeton vetëm lajme; transmeton, njëkohësisht dhe pa e vënë re, një regjim të tërë kuptimi që nuk ka nevojë të artikulohet me fjalë.
Këtu shfaqet një dallim fillimisht i vogël, madje pothuajse i padukshëm, por që bëhet gjithnjë e më shqetësues sa më gjatë dëgjon: kronikat shqiptare të periudhave të ndryshme nuk ndryshojnë vetëm në atë që thonë; ndryshojnë edhe në mënyrën se si tingëllojnë. Një kronikë e viteve ‘60 dhe një kronikë e sotme mund të trajtojnë të njëjtin lloj lajmi — një vizitë zyrtare, një inaugurim, një lajmërim meteorologjik — dhe megjithatë të jenë pothuajse të pakrahasueshme në mënyrën se si tingëllojnë. Nuk është i njëjti zë, edhe kur është e njëjta gjuhë. Nuk është as i njëjti trup zanor: jo trupi në kuptimin biologjik, por trupi i formuar, i disiplinuar dhe i dëgjueshëm përmes një regjimi të caktuar zanor.
Objekti i kësaj eseje është pikërisht regjimi zanor — gramatika e padukshme përmes së cilës një epokë përcakton se si duhet të tingëllojë zëri publik: sa fort mobilizon, sa e kontrollon, çfarë ritmi i jep, sa i nënshtrohet normës dhe sa hapësirë i lë ende individualitetit zanor. Autoriteti është vetëm njëra prej fijeve që lidhin këto katër regjime; nën të rrjedhin edhe të tjera — trupore (si organizohet fryma, muskulatura, artikulimi), sociale (çfarë pret dëgjuesi dhe si e riformëson kjo pritje vetë zërin) dhe mediale (si e ndryshon vetë aparati i regjistrimit dhe transmetimit atë çka mund të dëgjohet). Kjo nuk është ese nostalgjie për “zërin e vjetër”, as gjykim estetik mbi spikerët e dikurshëm apo të sotëm; një gjykim i tillë do të ishte edhe i padrejtë, edhe pa interes teorik. Çdo regjim që vijon do të lexohet në katër plane: çfarë kërkon të bëjë zëri, sa energji mobilizon, si e organizon kohën dhe melodinë e të folurit, dhe sa hapësirë i lë trupit individual përballë normës.
Zëri i kronikës shqiptare nuk evoluon thjesht nga një mënyrë të foluri në një tjetër, si vijë e drejtë përsosjeje a rënieje. Ai kalon nëpër katër regjime zanore — mobilizim, disiplinim, ringritje dhe sheshim — të cilat lindin nga kryqëzimi i funksionit retorik, energjisë zanore, organizimit prozodik dhe shkallës së standardizimit. Standardizimi, vlen të theksohet që në krye, nuk është emri i regjimit të fundit, por një nga dimensionet që e prodhon atë. Kronologjia që del prej këtij kryqëzimi është rezultat, jo premisë: vitet nuk shpjegojnë regjimet; janë regjimet ato që, pasi identifikohen në dëgjim, marrin një vend të përafërt në kohë.
Kjo është, megjithatë, një hipotezë socio-zanore e formuar nga dëgjimi krahasues i korpusit, jo një përfundim i mbështetur në matje akustike, verifikimi instrumental do të ishte një fazë tjetër e kërkimit.
I. Nga zëri që mobilizon te zëri që disiplinon
a. Zëri mobilizues — vokalizimi i forcës së pushtetit
Vitet ‘50–’60 nuk duhen dëgjuar thjesht si epoka e “zërit të fortë”. Ajo formulë e mbyll shumë shpejt atë që është më interesantja. Zëri është i fortë, po, por forca nuk qëndron vetëm në intensitet: ajo shpërndahet në tempo, në theksim, në amplitudën e intonacionit, në një timbër që duket se kërkon të mbushë hapësirën — si të kërkohej që fjala të zërë vend fizikisht, të mos lërë boshllëk. Funksioni i tij është mobilizues; energjia e lartë dhe prozodia ekspresive janë mënyra përmes të cilave ky funksion bëhet i dëgjueshëm, ndërsa standardizimi është ende i pakonsoliduar — norma standardizon fjalën, po zëri, si trup që e mban fjalën, mbetet ende relativisht i lirë.
Këtu bëhet e dobishme ideja e Roland Barthes-it për «kokrrizën e zërit» (le grain de la voix): ajo që dëgjohet nuk është vetëm gjuha, por vetë materiali zanor përpara se fjala të mbërrijë si kuptim. Në zërin e këtij regjimi, kjo marrëdhënie duket veçanërisht e fortë: zëri del përpara gjuhës. Para se të kuptojmë çfarë thuhet, duket se dimë tashmë se për çfarë duhet të shërbejë ai zë — të mobilizojë, të bindë, të madhërojë, të japë autoritet. Prandaj, i dëgjuar nga sot, ai mund të tingëllojë pothuajse teatral: jo sepse fjalët janë teatrale, por sepse zëri duket sikur është vënë në funksion të një qëllimi që e paraprin vetë ligjërimin. Është sikur regjimi të ketë mbjellë në zë një farë të vetën, një mënyrë të të tingëlluarit që e përcakton paraprakisht marrëdhënien me atë që do të thuhet. Në këtë kuptim, kokrriza e zërit është ajo që mbetet përpara kuptimit: një shenjë se, në këtë regjim, zëri nuk pret gjuhën për të marrë funksion; ai e ka marrë funksionin para se gjuha të fillojë të flasë.
Zëri, në këtë regjim, nuk transmeton thjesht një mesazh — e vë në skenë. Spikeri nuk “flet natyrshëm”; paraqet një version të institucionalizuar të vetes, një performancë publike në kuptimin e Goffman-it. Autoriteti nuk është vetëm përmbajtje e mesazhit; është një marrëdhënie që zëri e prodhon me dëgjuesin. Dëgjuesi, në këtë regjim, nuk trajtohet si bashkëbisedues, po si publik që duhet të marrë pjesë në një skenë të përbashkët besueshmërie — nuk mjafton që zëri të përfaqësojë institucionin; ai prodhon vetë kushtin që dëgjuesi ta pranojë si autoritet. Dëgjohet një prirje për të theksuar fillimin e fjalëve, duke i dhënë çdo njësie ligjërimore një hyrje të fortë dhe të dallueshme. Këto tipare kontribuojnë në një zë më të artikuluar, më ekspozues dhe më të projektuar drejt dëgjuesit..
Në këtë regjim, zëri është, në një kuptim të veçantë, pa trup individual: dëgjohen fryma, presioni, energjia, por jo domosdoshmërisht personi që flet. Në kronikën propagandistike, identiteti i spikerit zbehet pikërisht sepse zëri nuk kërkohet të flasë si dikush, por të flasë në emër të diçkaje më të madhe se individi. Përmes këtij zëri pa emër, nuk flet, në fund, spikeri; flet Shteti, Partia, Historia. Mungesa e trupit individual nuk është, pra, një boshllëk, por kushti për shfaqjen akustike të një trupi tjetër, më të madh dhe më abstrakt: trupit institucional, të cilit zëri individual nuk i jep identitetin e vet, por vetëm i huazon frymën.
Ka diçka pothuajse teatrale në këtë regjim, po jo në kuptimin përkeqësues: një skenë ku institucioni performon veten përpara publikut dhe ku zëri është aktori kryesor i saj — një zë që beson, apo të paktën performon një besim, se legjitimiteti fitohet me prani. Kjo shpjegon edhe pse, dëgjuar sot, disa prej këtyre kronikave mund të tingëllojnë çuditshëm intensive: jo sepse spikeri i atëhershëm gabonte në regjistër, po sepse regjistri i kërkuar prej tij ishte thjesht një tjetër — një regjistër ku heshtja apo neutraliteti do të tingëllonin si mungesë përkushtimi, ndoshta edhe si mungesë besueshmërie.
b. Zëri disiplinues — vetëkontrolli vokalizues si shënjues i pjekurisë së pushtetit
Vitet ‘70–’80 nuk shënojnë zhdukjen e këtij regjimi, po disiplinimin e tij. Funksioni bëhet institucionalizim; forca zanore kalon nga shfaqja e drejtpërdrejtë te vetëkontrolli; prozodia rregullohet — ritmi më i qëndrueshëm, variacioni intonativ i ngushtuar; standardizimi është në rritje, i pranishëm tashmë si model i dëgjueshëm, ndërsa individualiteti zanor fillon të filtrohet prej tij. Kjo nuk është, thjesht, e njëjta forcë e shtypur; është një mënyrë tjetër e ushtrimit të saj, e riorganizuar rreth kontrollit si vlerë në vetvete. Pjekuria e pushtetit nuk shfaqet më në aftësinë për ta ngritur zërin, por në aftësinë për ta përmbajtur atë pa e humbur autoritetin. Një tjetër dukuri, është shfaqja e zërit femëror – Zëri nuk ui adresohet më sallave të kinemave, shesheve, hapësirës së gjerë, por dimensionit familjar, intim, figurës së çiftit, fëmijëve. Mund të themi që gjatë kësaj periudhe ka një unifikim të fushës zanore – në paralel me zhvillimin e drejtshkrimit, zhvillohet dhe drejtshqiptimi.
Institucioni, në një pikë të caktuar, nuk ka më nevojë ta urdhërojë zërin: ai ka prodhuar tashmë kushtet në të cilat një mënyrë e caktuar të foluri përjetohet si profesionale, serioze, e autorizuar. Në termat e Bourdieu-së, autoriteti nuk qëndron vetëm në atë që thuhet, po edhe në kushtet shoqërore që bëjnë një mënyrë të të folurit të dëgjohet si e autorizuar. Trupi që flet mëson një dispozitë të përshtatshme për të folurit publik: jo domosdoshmërisht si dhunë e ushtruar mbi të, po si kompetencë që fitohet, aq natyrshme sa harrohet se dikur është mësuar. Edhe dëgjuesi ndryshon pozicion: nga publiku i regjimit të parë, që merrte pjesë në skenën e besueshmërisë, kalon në një audiencë që pret rregullsi — jo më të bindet nga forca, po të sigurohet nga qëndrueshmëria.
Këtu qëndron risku më i madh i keqleximit të gjithë esesë: do të ishte e lehtë ta kthesh këtë analizë në një histori të thjeshtë të represionit — institucioni shtyp, zëri bindet. Por ajo që dëgjohet nuk e mbështet domosdoshmërisht këtë narrativë. Zëri i disiplinuar shpesh tingëllon i sigurt në veten e vet, jo i frikësuar; kontrolli, në shumë raste, tingëllon si mjeshtëri, jo si kufizim — sepse habitusi zanor nuk vepron kryesisht përmes ndalimit të dukshëm, po përmes prodhimit të një dëshire që përkon me kërkesën institucionale, aq sa të dyja bëhen të padallueshme nga brenda. Disiplinimi nuk e dobëson domosdoshmërisht zërin; ai e zhvendos forcën e tij nga amplituda te kontrolli.
Nëse regjimi i parë thotë “dëgjo sa fort flasim”, ky i dyti thotë “dëgjo sa saktë dhe të kontrolluar flasim”. Kalojmë nga besueshmëria e energjisë tek besueshmëria e kontrollit.
Vlen të shtohet edhe një vëzhgim mbi kohën e vetë fjalisë. Në zërin e mobilizuar, fjalia priret të ndërtohet si valë: ngrihet, kulmon, bie, lë hapësirë për ripërsëritje. Në zërin e disiplinuar, fjalia priret të ndërtohet si sekuencë: pjesë të barabarta, ritëm i njëtrajtshëm, pak dallim mes fillimit dhe fundit të saj. Ky ndryshim në arkitekturën kohore të fjalisë së folur nuk është më pak i rëndësishëm se ndryshimi i intensitetit; ndoshta është edhe më domethënës, sepse tregon një ndryshim në vetë mënyrën se si konceptohet koha e vëmendjes publike — nga koha e ngjarjes që kërkon të kujtohet, te koha e procedurës që kërkon të përsëritet pa u vënë re si përsëritje.
II. Nga zëri që ringre autoritetin te zëri që humbet relievin
a. Zëri i ringritur — një trup i vjetër përballë një autoriteti të ri
Vitet ‘90–2000 janë faza më hibride e të katërtave, dhe ndoshta më domethënësja. Funksioni bëhet legjitimim, madje ringritje; energjia rikthehet, po mbi një infrastrukturë zanore tashmë të konsoliduar nga faza e mëparshme; prozodia bëhet përsëri retorike, po e kontrolluar; standardizimi është tashmë i konsoliduar. Timbri mund të ruajë vazhdimësinë e viteve ‘80, ndërsa intensiteti ngrihet dhe intonacioni zgjerohet — shfaqet një dëshirë e re për ekspresivitet, që megjithatë mbetet e ndrojtur, sikur të mos guxojë ta besojë veten deri në fund. Ky ngurrim është, sipas meje, tingulli më karakteristik i tërë periudhës: një zë që di se duhet të flasë ndryshe, që përpiqet ta bëjë, por që ende nuk ka gati një prani zanore të re.
Tranzicioni politik është, në këtë kuptim, më i shpejtë se tranzicioni zanor. Zëri është konservator jo sepse i përket një ideologjie, por sepse i përket një trupi të ndërtuar nga një epokë. Kjo dallon nga konservatorizmi i deklaruar, ideologjik, që zgjedh me vetëdije të ruajë forma të vjetra: mënyra e trupëzuar që po flasim këtu nuk është zgjedhje, po inerci — muskujt e artikulimit, zakoni i frymëmarrjes, pauza karakteristike para një fjale të rëndësishme, forma të mësuara gjatë viteve të gjata të disiplinimit që nuk zhduken thjesht sepse kanë ndryshuar emrat e institucioneve.
Ka diçka prekëse në këtë hibriditet. Të dëgjosh një spiker të viteve ‘90 që kërkon një regjistër të ri, e ndjen si përpjekje njerëzore, jo thjesht si të dhënë sociolinguistike: zëri i një trupi që gjendet përballë një bote institucionale që ka ndryshuar, ndërsa mënyrat e tij të të folurit ende nuk janë shkëputur prej së kaluarës. Kjo periudhë meriton, ndoshta më shumë se çdo tjetër, të dëgjohet me durim — sepse pikërisht aty, në atë hark relativisht të shkurtër kohor, mund të kapësh diçka që as regjimi para saj, as ai pas saj nuk e lejojnë të dëgjohet kaq qartë: vetë procesin e kërkimit, të mos-arritjes akoma të plotë, të një trupi që provon forma dhe i braktis, që kthehet mbrapsht drejt asaj çka njeh, e pastaj përsëri përpara. Dëgjuesi, në këtë kalim, nuk pret më vetëm rregullsi; fillon të pritet si konsumator i informacionit, dikush që zëri duhet ta bindë jo më me forcë e as thjesht me qëndrueshmëri, por duke rifituar besueshmërinë e humbur nga vetë institucioni që flet.
b. Zëri pa reliev — kur norma sheshon dallimet
Pas viteve 2000 vjen faza e katërt: sheshimi. Funksioni zhvendoset drejt transmetimit dhe normalizimit; energjia bëhet më e moderuar; prozodia rrafshohet; standardizimi arrin shkallën më të lartë, tashmë dominant në realizimin publik të të folurit. Standardizimi është proces normativ; sheshimi është efekt akustik. I pari përcakton se çfarë duhet të tingëllojë si e rregullt; i dyti përcakton sa pak dallim mund të dëgjohet brenda kësaj rregullsie. Standardizimi përcakton kufijtë e të rregulltës; sheshimi redukton relievin brenda këtyre kufijve. Relievi zanor, në këtë kuptim, është shkalla në të cilën brenda një zëri dëgjohen diferenca — në intensitet, intonacion, ritëm, timbër, artikulim, pauzë. Sheshimi nuk është mungesë zëri; është reduktim i atyre diferencave që e bëjnë zërin të dallohet si zë individual.
Kjo nuk duhet dëgjuar si histori humbjeje. Më saktë do të ishte të thuhet se zëri i sotëm ka një ekonomi tjetër të dallimit, jo se është më i varfër se ai i dikurshëm. Dikur dallimi zanor ishte pjesë e vetë autoritetit — sa më i dallueshëm zëri, aq më bindës. Më pas, kontrolli i dallimit u bë pjesë e autoritetit — jo forca e tij, po disiplina mbi të. Sot, reduktimi i vetë dallimit mund të bëhet pjesë e profesionalizmit — një zë që nuk tërheq vëmendjen mbi vetveten konsiderohet, shpesh, më i besueshëm se një zë që e bën këtë. Norma nuk e zhduk variacionin; ajo vetëm ndryshon statusin e tij. Ajo që dëgjohet sot si “mbetje dialektore” — një zanore, një ritëm i lehtë lokal — nuk është më “gabim”, po variacion i strukturuar që standardi e ka shtyrë në margjina të pavërejtura, pa e fshirë plotësisht. Dhe vetë dëgjuesi, në këtë fazë të fundit, nuk pret më as bindje, as siguri: pret rrjedhshmëri — bëhet përdorues i një kanali, jo më publik i një skene.
Ky sheshim nuk prek vetëm dallimet rajonale apo individuale; ai mund të veprojë edhe mbi dallimin gjinor të zërit. Në veçanti, zëri femëror në hapësirën publike institucionale duket se i nënshtrohet një procesi të heshtur mashkullorizimi: jo domosdoshmërisht përmes një uljeje të drejtpërdrejtë të lartësisë, por përmes përvetësimit të atyre cilësive zanore që norma publike i ka lidhur historikisht me autoritetin — qëndrueshmërisë, përmbajtjes, prerjes së artikulimit dhe reduktimit të ekspresivitetit. Zëri femëror nuk duhet të bëhet domosdoshmërisht «mashkullor» për t’u dëgjuar si autoritar; mjafton që disa nga shenjat akustike të feminitetit të perceptuar të bëhen më pak të dëgjueshme. Kështu, sheshimi vepron edhe si neutralizim gjinor i zërit, por një neutralizim që nuk është plotësisht neutral: norma e zërit profesional është formuar historikisht mbi një model autoriteti më afër zërit mashkullor. Ajo që paraqitet si zë «neutral» mund të jetë, në këtë kuptim, thjesht forma e normalizuar e një zëri që ka fituar të drejtën të mos dëgjohet si i shënuar.
Një tjetër shenjë e regjimit të katërt është shfaqja e tonit bisedues. Zëri nuk kërkon më të dëshmojë autoritetin përmes një artikulimi të theksuar, një diksioni të përpiktë apo një distance të dukshme nga dëgjuesi; përkundrazi, ai vendoset gjithnjë e më shumë në të njëjtin rrafsh me auditorin. Fjalimi fiton shenja të ligjërimit të përditshëm: artikulimi mund të zbutet, ritmi të bëhet më i lirë, pauzat më spontane, ndërsa përsosmëria fonetike humbet përparësinë ndaj përshtypjes së natyrshmërisë. Nuk është më e nevojshme që zëri të tingëllojë i përgatitur për të qenë i besueshëm; mjafton të tingëllojë i afërt. Këtu autoriteti nuk zhduket, por ndryshon mënyrën e paraqitjes së vet: ai nuk kërkon më distancë nga auditori, por besueshmëri përmes afërsisë me të. Spikeri nuk paraqitet më si dikush që zotëron një mënyrë të privilegjuar të të folurit, por si dikush që flet pothuajse në të njëjtin regjistër me ata që e dëgjojnë.
Asnjë histori e zërit të regjistruar nuk mund të ndahet plotësisht nga historia e aparatit që e regjistron — mikrofona më të ndjeshëm, distanca të tjera artikulimi, standarde të reja regjistrimi kanë sigurisht rol. Por aparati nuk e shpjegon i vetëm atë që dëgjojmë; ndryshimi teknik shpjegon kushtet, jo vetë prirjen sociale që i përdor ato kushte në një drejtim të caktuar. Të njëjtat mikrofona, po të vendoseshin përpara një zëri të formuar në një regjim tjetër, do të kapnin diçka krejt tjetër: teknologjia e re nuk imponon sheshimin, po e bën atë të mundur dhe, në një farë mënyre, edhe të padukshëm si zgjedhje, sepse duket thjesht si “cilësi teknike e mirë”.
Në disa prej zërave më të rinj ndodh diçka edhe më e vështirë për t’u përshkruar: duket sikur fryma arrin përpara tingullit — sikur tingulli të mos ketë më dendësinë për ta shtyrë pas vetes. Ky mbetet një perceptim dëgjimor, jo ende një përfundim fiziologjik. Por pikërisht si perceptim, tregon diçka: zëri duket më pak i prodhuar nga një trup dhe më shumë i përshtatur me një format transmetimi — nga prani që flet, në kanal që përcjell.
Nëse duhet gjetur një shenjë edhe më e imët e këtij ndryshimi, ajo qëndron në vetë teksturën e tingullit. Në regjimin e katërt nuk kemi thjesht një artikulim të prerë, po një vijueshmëri konsonantike: zanorja mbytet, dhe tingulli rrjedh pa u ndalur për t’u ndier. Kur emocioni kërkohet megjithatë — sepse edhe zëri i sheshuar duhet ndonjëherë të tingëllojë i prekur — ai nuk vjen më nga brenda vetë tingullit, po shtohet sipër: një ngritje e papritur e volumit apo e tonalitetit, mbi një bazë që mbetet pa reliev. Emocioni bëhet shtesë sasiore, jo trupëzim cilësor. Nga zanorja që mban, te bashkëtingëllorja që ndan.
Kjo tkurrje e trupit brenda zërit lidhet edhe me vetë ndryshimin e mediumit. Në regjimin e parë, ku ekranit ende i mungon prania e imazhit, zëri duhet ta mbajë vetë gjithë peshën e trupit: energjia, timbri, presioni janë mënyra përmes të cilave dëgjuesi “sheh” një trup që s’e ka para vetes — një zë pa trup të dukshëm, po me trup të plotë akustik. Në regjimin e fundit, ku imazhi tashmë e mban vetë peshën e pranisë — fytyra, gjesti, mimika — vëmendja zhvendoset drejt kësaj jashtësie të dukshme të trupit. Pikërisht kjo zhvendosje e lejon zërin të mbetet brenda normës pa e ndjerë atë si kufizim: zëri nuk ka më nevojë të dalë nga rregullsia për të mbajtur vëmendjen, sepse vëmendja tashmë është diku tjetër — te imazhi, jo te tingulli. Trupi tani shihet; zëri thjesht e përcjell.
Përfundim — Kufijtë e të dëgjueshmes
Katër regjimet mund të përmblidhen në një vijë të vetme: mobilizim → disiplinim → ringritje → sheshim. Nën të, ndryshon edhe statusi i trupit që flet: trup → normë → kujtesë → reliev. Në fillim trupi është pjesë e dukshme e besueshmërisë publike: dëgjohet fryma, forca, prania. Më pas mëson të kontrollohet nga norma. Në tranzicion, mban gjallë kujtesën e mënyrës së vjetër edhe kur institucioni ka ndryshuar. Në fund, ajo që zbehet nuk është vetë trupi, po relievi i tij — diferencat që dikur e bënin të dëgjueshëm si individ.
Në thelb, katër regjimet japin katër përgjigje për të njëjtën pyetje: çfarë kërkon zëri publik nga trupi që e mban? Në regjimin e parë, ai kërkon të ndihet. Në të dytin, kërkon të kontrollohet. Në të tretin, kërkon të rikrijohet mbi një trup që ende mban kujtesën e regjimit të kaluar. Në të katërtin, kërkon të mos dalë nga norma — jo domosdoshmërisht të fshihet, por të tërheq vëmendjen mbi imazhin dhe jo mbi vetveten si zë i veçantë. Autoriteti është njëra formë që merr kjo kërkesë; po nën të qëndron diçka më e gjerë — vetë ideja e asaj çka një shoqëri pranon të dëgjojë si zë të vetin, në një moment të caktuar historik.
Ndoshta ajo që brezat e ardhshëm do të dëgjojnë në arkivin tonë të sotëm nuk është mungesa e zërit, po një formë të veçantë të pranisë së tij: një zë me më pak reliev, në të cilin njëtrajtshmëria është bërë aq e natyrshme sa sot mezi e dëgjojmë si zgjedhje.
Në këtë kuptim, arkivi zanor nuk ruan thjesht atë që është thënë; ruan format historike të trupit që lejohej të dëgjohej. Çdo epokë vendos, pa e shpallur kurrë si rregull, se sa nga trupi mund të kalojë përmes zërit para se ai zë të bëhet i papërshtatshëm, joserioz, apo thjesht i pabesueshëm — dhe pikërisht ky vendim, i heshtur e i patrupëzuar askund tjetër përveçse në vetë tingullin, është ai që arkeologjia e zërit kërkon ta nxjerrë në sipërfaqe.
Ndoshta historia nuk ruhet vetëm në atë që një epokë ka thënë, por në mënyrën se si ka marrë frymë përpara se të shprehej.
(c) 2026 Arbër Shtëmbari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.