Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

CA DUAN T’I BESOJNË RRENËS

Pak ditë ka që qarkulloi në mediat sociale fotoja – e fabrikuar – e një funksionareje të shtetit, që sapo ishte emëruar në një detyrë të lartë. Fotoja e deformonte personin fizikisht, duke ia ekzagjeruar disa tipare të trupit, si të ishte fjala për ndonjë imazh të destinuar për sajte njohjesh dhe takimesh seksuale.

Fabrikimi funksionoi, në kuptimin që shumë përdorues të rrjeteve sociale e morën foton për autentike. Jo ngaqë ishte realizuar teknikisht mirë, por ngaqë njerëzit sikur janë mësuar tashmë me imazhe vajzash dhe grash, që nuk përkojnë me figurat zyrtare përkatëse dhe që janë marrë, zakonisht (dhe pa leje), nga llogari personale të Facebook-ut, të Instagram-it dhe të mediave të ngjashme.

Të njëjtat poza dhe të njëjtat veshje dhe të njëjtat teknika fotografimi dhe i njëjti botoks dhe e njëjta kirurgji plastike që ndoshta u shkojnë aktoreve, këngëtareve pop, foto-modeleve dhe V.I.P.-ave të show-business-it, nuk mund pritet që të adoptohen lirisht nga personazhe të politikës, të biznesit dhe të botës akademike – sepse japin efekte kundërprodhuese.

Por kjo PO NDODH, ngaqë shumë nga këto personazhe nuk kujdesen për të kontrolluar imazhin e tyre; ndonjëherë edhe mbase ngaqë vetë personazhet e shohin vizualitetin e tyre publik si aset edhe politik, në mos si trampolinë drejt suksesit.

Prandaj edhe fabrikimi i fundit, me foton e deformuar të funksionares në fjalë, u pranua aq lirisht; madje edhe në rrethanat kur publiku ende nuk e ka skepticizmin e nevojshëm përballë manipulimit që i bëjnë mediat bashkëkohore.

Publiku besoi. Dhe besoi edhe ngaqë DONTE të besonte. Ka një shtresë relativisht primitive të publikut që vajzat dhe gratë e reja, që aktivizohen në politikë, i gjykon thjesht nga PAMJA E JASHTME (siç gjykon zakonisht çdo vajzë dhe grua nga “atraktiviteti”) dhe i përçmon si të padenja për postet që u besohen. Te ky gjykim – ose paragjykim – përzihet mizogjinia me mendjelehtësinë dhe fodullëkun e politikës së kuadrit nga ata që zgjedhin, duke filluar nga kryeministri Rama.

Publiku DESHI ta besonte fabrikimin, sepse tashmë pret që emrat për postet e rëndësishme në strukturat shtetërore të përzgjidhen sipas estetikës dhe paraqitjes së jashtme të kandidatëve (kandidatEve).

Të mos harrojmë që deri pak muaj më parë, kur Kuvendi popullor “mblidhej” ende normalisht, mediat s’e kishin për gjë të raportonin rregullisht për pardesytë dhe krehjen e “deputeteve”; duke ushqyer dhe trajnuar të njëjtën qasje sipërfaqësore ndaj klasës politike; krahas raportimit për skenat e dhunës reale dhe simbolike në sallën e të njëjtit Kuvend.

Kam shkruar edhe më parë për fabrikimet e shumta të fotove online – ndonjëherë edhe të trasha; të tilla që një sy mjaftueshëm kritik do t’i kish kapur, por që vazhdojnë të besohen gjerësisht.

Ndryshe nga teksti i shkruar, ku e vërteta tradicionalisht është kombinuar me opinionin dhe rrenën, fotoja e ka ruajtur deri vonë privilegjin e të qenit provë e së vërtetës; meqë tepër e vështirë për t’u fabrikuar.

Jemi edukuar me një traditë që ende i beson fotografisë publike, edhe kur dyshon për çfarë thuhet ose shkruhet. Ende i beson, paçka se sot teknologjia ua ka bërë shumë të lehtë manipuluesve që të gënjejnë me foto njëlloj siç gënjenin deri dje me tekst.

Por le të mbajmë parasysh se një foto gënjen vetëm në atë masë dhe sa kohë që presim prej saj të na tregojë të vërtetën.

Portreti i fabrikuar i funksionares shtetërore, për të cilin flas, nuk u botua në faqen zyrtare të institucionit të saj; por nga një burim praktikisht anonim. Burime të tilla, përfshi edhe portalet që dalin si këpurdhat pas shiu, me t’u afruar një krizë politike, s’e kanë për gjë të hapen dhe të mbyllen brenda ditës. Pa folur për profilet e rreme në mediat sociale.

Do të ishte tepër e lehtë dhe komode që t’i rekomandohej publikut të verifikojë burimin e një imazhi, para se të ky të gjykojë marrëdhënien e imazhit me të vërtetën (realitetin). Verifikimi është gjithnjë i nevojshëm. Por nuk mjafton, sepse rrenën nëpërmjet fabrikimit sot e gjen në çdo media, edhe në ato që i kanë mundësitë për “fact checking” dhe që kanë reputacion për të mbrojtur.

Edhe mediat serioze janë komprometuar nga gatishmëria për t’u shërbyer aktorëve politikë. Pa folur që verifikimi gjithnjë kushton dhe ka nevojë të bëhet nga njerëz të kualifikuar, specialistë, që sot nuk i gjen lehtë (dhe me çmim të ulët).

Një pyetje e fundit është se KUJT pikërisht i shërben fabrikimi i fotove – i një mediumi që deri dje është respektuar për raportin që ka pasur me vërtetësinë. Cilës palë.

Do të ishte naive po të besonim se u shërben atyre që përfitojnë drejtpërdrejt nga denigrimi i palës së dëmtuar; pra, që fotoja e fabrikuar dhe denigruese e një funksionareje të shtetit u shërben, tërthorazi, atyre që janë në opozitë me këtë shtet.

Por kam frikë se nuk është tamam kështu: fabrikimi u shërben SIDOMOS atyre që duan ta pengojnë vërtetësinë e informacionit dhe të rrallojnë numrin e qytetarëve të informuar.

Hannah Arendt tek Origjinat e totalitarizmit:

“Për të shkatërruar aftësitë e njerëzve që t’i rezistojnë kontrollit, është e nevojshme të anulohet çdo lloj dallimi mes së vërtetës dhe shpifjes, meqë kush nuk BESON një asgjë, nuk mund të VEPROJË.”

Natyrisht, foton e deformuar të funksionares nuk e ka krijuar dhe shpërndarë ajo vetë; dhe as mekanizmat që i kanë dhënë asaj pushtet dhe prominencë – por tolerimi që u bëhet marifeteve të tilla, në emër të kinse “lirisë së shprehjes”, në fakt i vlen shkëputjes së publikut nga informacioni i vërtetshëm.

Duke e kthyer informacionin në argëtim.

Ashtu përdoruesi harron të pyesë, dhe aq më tepër të verifikojë, nëse një imazh është apo jo i vërtetë, autentik, i pafabrikuar. Thjesht i rrëshqet sipër, merr nga imazhi konfirmim për çfarëdo gjëje që qëllon të besojë në atë moment, dhe vazhdon më tutje.

Shpesh, i bindur se është rreshtuar politikisht në anën e duhur, dhe se “ata” (cilëtdo qofshin) nuk do të munden ta gënjejnë dhe as ta manipulojnë më tutje.

Ky do të ishte përdoruesi ideal i mediave sociale – që dëshiron jo vetëm të besojë, por edhe që ta gënjejnë.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Një version i kësaj eseje është botuar tashmë në Facebook. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading