RREZIKU I SHKËPUTJES

Ajo që po ndodh në politikën shqiptare, duke iu referuar veçanërisht çështjes Doshi, mund të shikohet nga disa këndvështrime. Dikujt mund t’i duket dramë, dikujt komedi e dikujt tjetër farsë. Pavarësisht nga shpjegimet, komentet e pseudoanalizat e këtyre ditëve, pas çdo deklarate e përgënjeshtrim që premton sqarime përfundimtare, duket sikur situata turbullohet edhe më shumë. Kakofonia është totale, pështjellimi mbretëron sovran.

Në këtë pikë e vërteta ka rëndësi relative, e gjithsesi nuk është në duart tona, por të organeve gjyqësore. E vështirë, gjithsesi, ta ndjekësh telenovelën e politikës shqiptare këto ditë. Episodet ndjekin njëra tjetrën, me personazhe të vjetra, por edhe të reja, që futen befas në lojë. Ngjarjet rrjedhin me aq shpejtësi saqë harrojnë njëri tjetrin e mbivendosen: video, skena, inskenime, komplote, hamendje, akuza…

Orvatjet për ta kuptuar krizën akute të ditëve të fundit nuk kanë munguar. Ka nga ata që kanë parë aty lëvizje politike të stërholluara, përplasje midis mazhorancës e opozitës, dinamika komplekse brenda mazhorancës, përballje rrymash në parti, konfrontim të ashpër interesash; madje pati nga ana që e panë çështjen Doshi si shprehje të ballafaqimit veri/jug, duke dalluar atje “nuanca gegofobe”. Ka edhe të tjera interpretime. Tek e fundit, çështja është aq e koklavitur, saqë duket e sajuar për zbatimin e përkryer të çdo teorie konspirative, ose çdo hamendjeje delirante. Duket çudi që deri tani nuk janë futur në valle të zakonshmet shërbime sekrete e qarqe të huaja antishqiptare.

Në të vërtetë, ajo që po ndodh në Shqipëri është shkëputja përfundimtare e politikës nga shoqëria. Ky proces ka kohë që po vepron brenda shoqërisë, por kjo ngjarje vetëm se po ia nxjerr tiparet më mirë në pah. Klasa politike shqiptare ka kohë që i paraqitet qytetarëve si autoreferenciale, si një univers ku veprojnë ligje të tjera e të shkëputura nga bota e vdektarëve të thjeshtë, ndonëse nuk i ka arritur kurrë majat aktuale.

E gjithë polemika që ka shoqëruar Doshi-gate, edhe pse lindi e u zhvillua në rrethin politik, nuk ka asgjë politike, në kuptimin tradicional të kësaj fjale. Qytetarët e perceptojnë çka po ndodh vetëm si luftë brenda llojit, ku dinamikat dhe motivet që i nxisin mbeten të errëta, pikërisht se nuk kanë lidhje me politikën, si administrim transparent të publikes e si përfaqësim të qytetarëve.

Po të vazhdojë me këtë ritëm, politika shqiptare rrezikon të shndërrohet në cirk, ku aktorët luajnë e zhonglojnë, marrin duartrokitje e fishkëllima, por jetojnë gjithsesi në botën e tyre. I vetmi kontakt me publikun janë gjatë shfaqjes, paçka se politika e mediatizuar është kthyer e tëra në spektakël 24 orë në ditë. E në cirk janë të gjithë, prezantuesi, zbutësi, kafshët, klouni, akrobatët… E publiku shikon me kokën lart e gojën hapur, për të marrë habinë e fundit. Por kur dalin nga tenda e cirkut problemet janë po aty, në mes të bulevardit publik.

Tani për tani e vetmja formë e shprehjes së antipolitikës mund të jetë apatia e indiferenca. Qytetarët shqiptarë mund edhe të pasionohen pas telenovelës së radhës, po gjithsesi në cilësinë e spektatorit, jo të aktorit, e aq më pak të pjesëmarrësit në vendimmarrje. Ndoshta antipolitika që vjen nga refuzimi i politikës, me qëndrim pasiv e të zhgënjyer ndaj sferës publike, është edhe më i rrezikshmi, sepse nuk dihet kurrë se ku të çon.

Që partitë janë gjithnjë në bankën e të akuzuarve dihet nga të gjithë, por kësaj radhe duket se akuzat po bëhen gjithnjë e më të rënda. Kur edhe politologët i shohin partitë si organizata mafioze atëherë çështja është vërtet serioze.

Ndërkohë, partitë politike ndeshen në ringun pa rregulla të politikës shqiptare, pa u dhënë përgjigje kërkesave të qytetarëve e pa krijuar institucione të besueshme. Në krizën që ka mbërthyer klasën politike shqiptare nuk mund të vijë në ndihmë as shoqëria civile, që shpeshherë mbush boshllëqet e krijuara nga politika. Është shoqëria civile ajo që, në çastet më kritike, mund ta ringjisë politikën me shoqërinë, duke i riparuar lidhjet mes tyre, duke luajtur rolin e kushinetës, pra duke eliminuar shkëputjen e dëmshme. Nuk mund ta bëjë këtë gjë për faktin e thjeshtë se nuk është e zhvilluar në shkallën e duhur, në mos nuk ekziston fare sipas kanoneve ndërkombëtare.

E si mund të shmanget ky proces i shqitjes së politikës nga shoqëria? Nuk është e lehtë, për arsyen se dukuritë që e shpunë deri në këtë pikë janë të shumta. Duket sikur nuk kanë lidhje por personalizimi i politikës, liderizmi, populizmi e të tjera fenomene të ngjashme që e kanë karakterizuar politikën shqiptare, e largojnë atë nga qytetarët. Pa përmendur patologjitë si korrupsioni e klientelizmi. Edhe pse në pamje të parë nuk duket, është pjesëmarrja politike ajo që hyn në krizë përballë këtyre shtrembërimeve; pjesëmarrje që nuk mund të realizohet në mitingje të organizuara apo përballë televizorit.

Për fat të keq, nuk ka asnjë përpjekje për rivitalizimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike të vendit. Këta shërbejnë vetëm në momentin e votës, për t’u harruar menjëherë më pas, çka do të thotë edhe agoni e pjesëmarrjes. Sikurse nuk ka shumë përpjekje për krijimin e institucioneve të vërteta, të hapësirave reale për ballafaqim, të shoqërisë civile, çka do t’ia rriste besueshmërinë klasës politike.

Spektakli i shëmtuar që po na ofron politika shqiptare, pa dashur t’i përgjithësojmë të gjithë politikanët, e ka bazën tek kultura politike, por edhe tek sistemi i përfaqësimit politik, që nuk e siguron lidhjen e shëndoshë mes qytetarit e politikës, sepse në thelb deputetët emërohen, nuk zgjidhen. Fraktura midis politikës e shoqërisë shqiptare nuk është pa shërim, por duhet të ndërhyjmë në kohë, përndryshe do të komprometohet mirëqenia e të gjithë trupit shoqëror.

Shënim: ky shkrim është pronë e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet marrja e tij nga sajte të tjera dhe media të shkruara, pa lejen eksplicite të një administratori të blogut.

Nuk ka komente

  1. Pishak, më fal po më duket se këtu nuk ka asnjë lloj rreziku shkëputje, sepse ajo ka ndodhur kohë më parë – gjithëmonë nëse supozohet se vërtet ka pasur ndonjëherë lidhje misdis qytetarit dhe politikës në Shqipëri.

    Ndaj edhe indiferenca e qytetarëve. Ndaj edhe thirrja për ‘ndihmë’ te ambasadat e huaja. (shih shkrimin e XhaX hait)

    Rama, Berisha, Meta, Doshi & CO e kanë shumë të qartë këtë.

    Këta vetëm naiv nuk janë!

    Dhe në fund thënia juaj se “Fraktura midis politikës e shoqërisë shqiptare nuk është pa shërim” nuk klasifikohet dot as si optimizëm. Sepse nuk merr parasysh asnjë lloj realiteti – as atë që keni përshkruar ju në shkrim, por as atë të përditëshmin dhe të përjetëshmin që njohin shqiptarët.

    Fatkeqësisht kjo frakturë është tashmë pjesë e AND-së tonë.

    1. Mund ta pranoj ndarjen e kësaj politike me qytetarët shqiptarë, meqë e trajtova edhe vetë më lart, por jo ndarjen e politikës me qytetarët shqiptarë. Ka plot shqiptarë që i kanë shpresat tek politika e mirë dhe e ndershme, çka nuk do të thotë se i kanë varur tek politika aktuale. Politika është aktivitet fisnik, sepse ka të bëjë me qeverisjen e të mirës publike [politika vjen nga polis (gr. qytet)]. Për fat të keq, fjala politikan po merr konotacione negative, po bëhet sinonim i mafiozit, çka nuk i bën mirë as atyre që duan të zhvillojnë politikë të ndershme, në favor të komunitetit. E nuk duhet të biem në kurthin e përgjithësimit: jo të gjithë politikanët shqiptarë janë keqbërës. Nuk duhet t’i fusim të gjithë në një thes.
      Ne që jemi të angazhuar në debate publike, detyrimisht duhet të jemi optimistë, në kuptimin që besojmë se gjërat mund të përmirësohen. Përndryshe, ç’kuptim do të kishte të shkruanim e të diskutonim së bashku? Shpresoj që fraktura të jetë e përkohshme, madje do të përpiqemi, brenda mundësive tona, që ajo të shërohet sa më shpejt.

      1. Pishak,

        Ideja që ajo që them unë dhe ti këtu tek PTF apo edhe gjetiu nëpër gazeta ka ndonjë lidhje me nocionin e politikës të ngjashme me modelim e Polis-it Grek mund të mbështetet vetëm nëse ka prova që ato që themi ne, apo qyetarë të tjerë, kanë ndonjë ndikim në vendimarrje.

        Në të kundërt ne jemi duke bërë çdo gjë përveçse politikë. Ndoshta jemi duke bërë shkencë, filozofi, muhabet… you name it.

        Nëse fjala juaj nuk e ka peshë në kandarin e vendimarrjes siç ka ajo e qytetarit Doshi, qyetetarit Meta, qyetetarit Rama, qyetetarit Berisha & CO. nuk ka sesi të flasim për pjesmarrje në Polis.

        Ndëkohë, ki parasysh se qytetari Doshi, Meta, Rama, Berisha & CO flasin si të barabartë midis tyre. Dhe fjalët u kanë peshë njësoj. Këta kanë vendosur Polis-in e tyre, bashkë me rregullat se cfraë duhet të bësh për të qënë pjesë e tij.

        Fakti që ne e quajmë veten “qytetar” nuk do të thotë që kemi doeomos të njëjtin status me qytetarin e Polis-it Grek. Sepse në Greqinë e lashtë kishte edhe skllevër, të cilët nuk merrnin pjesë në Polis.

        Për equivalencë, meqë ra fjala, kush janë skllevërit e Polis-it modern?

        1. Kam frikë se ti e sheh politikën si një hapësirë të mbyllur me gardh. Ky ndoshta – e këtu ke të drejtë – është objektivi i klasës politike, në mënyrë që lihet rehat në aferat e veta. Mirëpo politika ndërvepron gjithsesi me shoqërinë, madje është pjesë e kulturës së përgjithshme. Ja një shembull i vogël. Në qoftë se do të rritej ndjenja e pjesëmarrjes së qytetarëve shqiptarë, nëpërmjet vitalizimit të shoqërisë civile, atëherë herët a vonë edhe politika duhet t’i bëjë hesapet me këtë vetëdije të re.

  2. Vërtetë u ngopën dhe u velëm këto ditë me lajme dhe madje na e kanë sjellë në majë të hundës. Më e keqja është se mesa kuptohet në gjithë këtë zamallahi, çështja Doshi-gate, apo konflikti mes Doshit, Metës dhe të tjerëve, nuk është problemi më i madh.
    Të paktën T. Doshi është gjallë, « e ka shpëtuar Zoti », por dikë tjetër e paskan vrarë në Lezhë gjatë zgjedhjeve të fundit, dhe një prej të pêrfshirëve në atë vrasje është deputet në Kuvend. Krejt i pashqetësuar! Po ashtu mësojmë se kryetari i kuvendit dhe një deputet i PS, apo LSi, një dreq e merr vesh se çfarë është ky zotëri, paskan informacione dhe prova që mund të sqarojnë më tej vrasjet në 21 janar, apo mund të çojnë përpara drejtësisë familjarë tê ish-kryeministrit, të cilët janë akuzuar gjerësisht për korrupsion. Dhe i mbajnë për vete, për ndonjê ditë kur do t’ju duhen! Askush, prokuroria, policia, mediat, nuk po i shqetëson as këta zotërinj.
    Të tjerë mund të dallojnë edhe çudi të tjera, se paska një pafundësi me të tilla. Në Shkodër pushohen zyrtarë nga puna, pasi janë të afërm me deputetin e çliruar nga barra etj, T. Doshi. Hajde merre vesh o qytetar i thjeshtë, si mund të pushohet dikush nga puna me këtë arsye? Më e vështirë është për tu kuptuar çudia tjetër: po për tu punësuar me çfarë « konkursi » janë punësuar? Për të mos vazhduar më tej për prokurorë dhe kryeprokurorë, tek të cilët – është vërtetë për të qeshur – sipas kryeministrit duhet të drejtohen palët për të sqaruar të gjithë këtë çështje!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin