NGA POLITIKA NË BATUTIZËM

Nëse në botë flitet prej kohësh për politikën-spektakël, ose për spektakolarizimin e mediatizimin e politikës, e njëkohësisht identifikimin gjithnjë e më shumë të politikanëve me aktorët në skenë, në Shqipëri procesi ka shkuar më tej.

Ka kohë që politika shqiptare është kthyer në skenë ku interpretohen kryesisht batuta prej estrade. Kjo mund të vihet re kryesisht në parlament, por më tepër kur punimet parlamentare transmetohen në televizion, sepse batutizmi aktivizohet, në momentin kur politikanëve shqiptarë u drejtohet mbi fytyrë një telekamerë me llambushkën e kuqe të ndezur.

Në atë çast fillojnë batuta shpotitëse, ironike, therëse, gërvishtëse, me tallje, me sarkazëm; ose thjesht batuta pa kripë, koti, patetike, fyese, të pakuptimta, që duan të jenë simpatike e goditëse, por mbesin të tilla vetëm në tentativë. Kjo varet, nantyrisht, nga aftësia e batutistit, ose e atij që aspiron për këtë titull.

E pra, politika shqiptare është e mbushur me të tilla, me përjashtim të rasteve kur komunikimi publik kalon në sharje të pastra, që hyjnë në kategori tjetër, po aq të turpshme për cilësinë e përfaqësuesve të popullit.

Batutat që përdorin politikanët, asgjësojnë diskursin politik në përgjithësi, para se të eliminojnë idetë e kundërshtarit. Në fakt, dëmi më i madh i këtij modaliteti komunikues është pikërisht prishja e rregullave të lojës, jo aq mposhtja e kundërshtarit në fushën e debatit.

Shembuj mund të gjenden pa fund, mjafton të ndiqen seancat plenare të Parlamentit shqiptar, por edhe diskutimet në media të politikanëve. Loja që fillon pothuajse automatikisht, mund të quhej “Kush bën batutën më të bukur”, një farë gare verbale, gati fëmijërore, në një lloj cirku modern, ku politikanët marrin rolin e pehlivanëve të fjalës.

Meqenëse jam i interesuar për ecurinë e ligjit për regjistrimin e emigrantëve jashtë shtetit, para disa ditësh, më tërhoqi vëmendjen lajmi për fillimin e rrugëtimit të tij parlamentar. Ministri i Brendshëm paraqiti linjat kryesore përballë Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i cili nisi shqyrtimin e projektligjit të qeverisë për regjistrimin e emigrantëve.

Si çdo qytetar i thjeshtë, por me dëshirë për t’u informuar më shumë, fillova ta lexoj lajmin dhe transkriptimin e diskutimeve në Komision, me bindjen (naive) se do të gjeja, përveç hollësive për këtë projektligj, argumentet politike në favor ose kundër masave të propozuara nga qeveria. Tek e fundit, Komisioni është një vend ku flitet kryesisht për thelbin e çështjeve, larg sulmeve partiake të mirëfillta e larg retorikës së zakonshme.

Është e tepërt të shtoj se po flasim për një nga temat madhore të shoqërisë së sotme shqiptare, sikurse është emigracioni, temë që kërkon seriozitetin maksimal të klasës politike, pavarësisht se deri tani provat kanë qenë në drejtim të kundërt.

E pra, pas paraqitjes së Ministrit të Brendshëm, diskutimet marrin një rrugë estradeske, sepse kalohet nga batuta në batutë, nga kundërbatuta në kundërbatutë, nga dega në degë. Ja disa prej fjalive të parlamentarëve, të shkëputura ndonjëherë nga konteksti:

Stërkaj: PD ka bërë fushatë për nxitjen e largimit të azilantëve. […] Stërkaj: E gjithë emigracioni i fundit është dhuratë e Pd-së. Deputetët e PD kanë bërë fushatë për nxitjen e azilkërkimit. U kanë dërguar letra me shpjegime se nuk ka siguri, të ardhme.

Zëvendës ministri Çipa merr një urim të çuditshëm nga opozita.

Flamur Noka: Mos e lini të flasë kaq gjatë se nuk i bën mirë.
Braho: Dakord.
Tahiri: Komisioni të na ndihmojë tu shërbejmë më mirë qytetarëve. Kursejini ironitë dhe batutat. […]

Tahiri: Mua më duhet të largohem. Keni zëvendës ministrin Cipa këtu.
Braho: Është pushtetar i vjetër ai.
Tahiri: Dogjanin e ka graduar në detyrë.
Dogjani: Unë kam filluar punë në polici para se ai të bëhej ministër
Noka: Rri cik të dëgjosh se kjo që ke bërë është paçavure.
Arben Cuko: Kjo është e admirueshme.
Noka: Ik mor ti..
Cuko: Të vjen inat që nuk të vajti mendja ty ta bëjë
Qefalia: E kishte mendjen në diskoteka ai.
Noka: Regjistroni një herë zgjedhësit brenda vendit pastaj ata jashtë. Kur të vijë Kodi Zgjedhor të regjistrojmë votuesit jashtë vendit. Ta bëjë këtë punë komisioni për reformën zgjedhore. Kjo paçavure nuk mund ta ketë emrin vetëm Sajme. Qytetarët kanë ikur nga sytë këmbët nga kjo qeveri. Ndërsa me këtë ligj qeveria kërkon ti përndjekë dhe atje ku janë për azil.
Pirro Lutaj: Ky komision ka humbur ndarjen e politikës nga puna.
Flamur Noka: Me relatorin unë jam dakord.
Qefalia: Pse nuk ma the me mikrofon.
Noka: I uroj suksese Stefanit. Po mjerë ti ku ke vajtur o i uruar. Në folenë e krimit, jo në të sigurisë.  Ishalla shpëton sa më shpejt.

Tekstin e plotë, sipas medias shqiptare, e gjeni këtu. Me siguri ka raste edhe më flagrante e domethënëse.

Siç duket qartë, diskutimi degradon në diskutim mejhanesh, me thumba, kunja e tallje. Ndonjëherë fare autoreferenciale. Që situata bëhet e pambajtshme e vërteton ndërhyrja e Ministrit, i cili i qorton (po me ironi) deputetët: “Komisioni të na ndihmojë t’u shërbejmë më mirë qytetarëve. Kursejini ironitë dhe batutat”.

Ndërkohë, qytetari pret që të dëgjojë argumentime serioze për projektligjin, pikat e forta, të dobëta, kontradiktat, qëndrimet politike, pasojat eventuale, e kështu me radhë. Tema, e përsëris, ka rëndësi të jashtëzakonshme. Por diskutimi degradon në batutizëm. Ky i fundit është kthyer tashmë në kategori mendore, përderisa edhe televizionet transmetojnë vazhdimisht emisione që japin me breshëri batutat në parlament, të shkëputura nga fjalimet, sikur të ishin spektakle kabareje. Titulli i vërtetë mund të ishte: “Gallatë në Parlament”, “Xhevaire nga kuvendi”, ose “Qyfyret e deputetëve”.

Problemi është se batuta asgjëson argumentimin, ndërpret komunikimin, devijon diskutimin, delegjitimon interlokutorin. Shkurt, vret politikën, atë të vërtetën, që duhet t’i shërbejë të mirës së përbashkët. Seriozisht.

1 Koment

  1. Asnjëherë nuk ia kam dhënë dot mirë përgjigjen pyetjes nëse parlamenti në Tiranë është vendi ku janë mbledhur shqiptarë të nivelit të ulët intelektual, apo vendi ku mjafton të kalosh ca kohë, për të pësuar katastrofë intelektuale dhe morale.

    Meqë nuk është e mundur, as thjesht nga pikëpamja statistikore, që përfaqësuesit e popullit të jenë vërtet kaq të cekët, të trashë në sjellje dhe të papërgjegjshëm, atëherë gjasat janë që niveli i punimeve të parlamentit të jetë context-sensitive, ose të varet nga institucioni.

    Dhe kjo do t’i hapte rrugë një pyetjeje të dytë: çfarë i detyron këta burra dhe gra me të cilët ndonjëherë kemi qenë në shkollë dhe në punë dhe në pushime, që të shndërrohen në karikatura çdo të enjte?

    Kësaj pyetjeje të dytë as që po guxoj të filloj t’i përgjigjem. Mund të ndodhë, për shembull, që tonin në debatet ta japin jo të mençmit, as ata përgatiturit, por ata më të hedhurit, ose sipas rastit, më të pacipët; sikurse niveli i ujit në një enë me vrima do të varet nga lartësia e vrimës më të ulët.

    Sikurse mund të ndodhë që ta ketë fajin vetë partitokracia si sistem, e cila i zhvesh përfaqësuesit e zgjedhësve nga përgjegjësia individuale; ose e njëjta partitokraci që ka sjellë në Parlament shërbëtorë të zellshëm të partive politike.

    Një arsye e tretë do të ishte që politika sot në Shqipëri po tërheq dy kategori njerëzish: (1) arrivistët e paskrupullt dhe pa talent dhe (2) të gjithë ata që kanë lindur për t’u shërbyer padronëve; çka do të thotë se sistemi i përzgjedhjes nuk filtron më të mirët, në kuptimin intelektual dhe moral, por më deficientët.

    Më në fund, një rol mund ta luajë edhe privilegji i lirisë që u është dhënë këtyre njerëzve për të qenë vetvetja, ose për të realizuar potencialin e tyre të plotë; dhe që përfton shëmtira, sepse s’ka ç’të përftojë tjetër. Kjo arsye mund të formulohet edhe kështu: “këta jemi.”

    Në qoftë se papërgjegjshmëria është bërë emërues i përbashkët i parlamentarëve, përmes krejt spektrit politik, atëherë sistemi parlamentar i sotëm në Shqipëri ka dështuar – çfarë do të thotë se ka ardhur koha për një republikë të re. Kushtetuta në vetvete mbase nuk ka të sharë, por e zbatuar në terren, ajo është njëlloj si t’u japësh bretkosave dhe krimbave një legjislacion të plotë për fluturimin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin