NJË EPIGRAM, PASTAJ NJË ODE

Disa prej nesh e njohim Osip Mandelstamin si një nga poetët më të mëdhenj rusë të shekullit XX, madje edhe pa i pasë lexuar gjë. Të tjerë, kanë dëgjuar për të si viktimë të represionit stalinist ndaj artit dhe kulturës. Të tjerë akoma, më të informuar, do të kenë dëgjuar edhe për “Epigramin e Stalinit”, vepër e këtij poeti, që u bë edhe shkas për persekutimin dhe, në fund të fundit, vdekjen e tij në burg.

Mandelstami e kish marrë tashmë damkën si poet i padëshiruar për regjimin, kur e krijoi Epigramin në nëntor të vitit 1933; thashë “krijoi” dhe jo “shkroi”, sepse ai gjithnjë i thurte poezitë e veta në mendje dhe ashtu ua recitonte të tjerëve, për t’i hedhur pastaj në letër vetëm po të duhej t’ia dërgonte ndonjë gazete, reviste ose institucioni tjetër për botim. Në Epigram, Stalini nuk përmendet me emër, por quhet “maloku i Kremlinit” (Кремлёвский горец), me “gishta të trashë, të lyrshëm” dhe me “mustaqe prej buburreci”; i rrethuar nga udhëheqës qafë-pulë, me të cilët luan e tallet.

Mandelstami ua pat deklamuar vargjet e Epigramit disa pak miqve, prej të cilëve njëri e denoncoi në organet përkatëse. E arrestuan dhe ia bastisën shtëpinë në kërkim të tekstit, që në fakt nuk ekzistonte i shkruar. Megjithatë, poeti ia pranoi menjëherë “autorësinë” hetuesit çekist, dhe shpjegoi se shkas për këtë shfryrje ish bërë lufta e klasave në fshat dhe shkatërrimi brutal i shtresës së fshatarëve të mesëm (“kulakëve”) nga regjimi stalinist në ato vite. Studiues të mëvonshëm kanë sugjeruar se Epigrami duhet kuptuar edhe në kontekstin e pakënaqësive në rritje kundër Stalinit, në radhët e elitës sovjetike në Moskë dhe në Leningrad, në ato vite; dhe se Mandelstami shpresonte që vargjet e tij të qarkullonin gojë më gojë, në popull, dhe të bëheshin ashtu pjesë e një anti-stalinizmi difuz (shih këtu).

Miku i madh dhe mbrojtësi i Mandelstamëve, Nikolai Bukharini, këtë herë nuk arriti ta ndihmojë protégé-në e vet: pozita e tij ish dobësuar tashmë dhe ai vetë kish përfunduar në listë për t’u likuiduar. Vetë Stalini, kur u pyet se ç’duhej bërë me poetin, dha udhëzimin lakonik: “izolojeni, por ruajeni”, me gjasë ngaqë i druhej indinjatës që mund të shkaktonte ndonjë trajtim më drastik. Kështu Mandelstamin e internuan për pak kohë në Cherdyn (Ural), pastaj e dëbuan nga Moska dhe e detyruan të vendosej forcërisht në provincë – ku ai vetë, me të shoqen, zgjodhën të jetonin në Voronezh.

Gjatë viteve të internimit dhe të mërgimit, shëndeti mendor i Mandelstamit u rëndua: ai u përpoq dy herë të vriste veten, por pa sukses. Miqtë i sugjeruan, si rrugëdalje nga ky kalvar, që ta përmirësonte pozicionin e tij letrar, duke shkruar diçka të kundërt me Epigramin, ose një poemë ku Stalini të glorifikohej. Kjo poemë, e titulluar “Ode për Stalinin”, u bë pjesë e një cikli të njohur me titullin “Fletoret e Voronezhit”.[1] Në 1937, si e kreu dënimin, Mandelstami u kthye në Moskë, edhe pse ende pa të drejtë banimi në kryeqytet; në përpjekje për të rehabilituar statusin e vet kundrejt regjimit, ai rivendosi kontakte me shumë miq dhe të njohur shkrimtarë të cilëve, mes të tjerash, u recitonte “Oden” e vet, një aktivitet ky që nuk u pa me sy të mirë nga regjimi, prandaj edhe poetin e arrestuan sërish. Do të vdiste – për arsye të paqarta – në një kamp transiti afër Vladivostokut, në vitin 1938; ndërsa “Odja” nuk do t’i botohej deri në vitin 1976.

Dy veprat e Mandelstamit kushtuar Stalinit – Epigrami dhe Odja – do të ngjallnin interesin e pandërprerë të studiuesve për vite me radhë. Me gjasë, Epigrami shprehte qëndrimin e vërtetë të poetit, ndërsa Odja nuk ishte veçse një gjunjëzim ose përulje e tij ndaj pushtetit, me shpresë për të shpëtuar jetën, ose veprën, ose edhe vetëm të shoqen Nadezhda nga asgjësimi. Megjithatë, jo të gjithë miqtë dhe dashamirët e Mandelstamit ia kishin mirëpritur ekspozimin fatal që ky u bëri, duke ua lexuar Epigramin – mes tyre, Pasternaku, të cilit Mandelstami ia pat recituar Epigramin në rrugë, i pat thënë se “unë nuk e dëgjova këtë dhe ti nuk ma recitove”, i tmerruar nga pasojat. Ky Mandelstam, autor dhe recitues i Epigramit, ishte vallë guximtar, rebel sypatrembur, apo më shumë i papërgjegjshëm dhe i pandjeshëm dhe i paaftë për të kuptuar rrezikun që i kanosej atij vetë dhe gjithë të tjerëve që ia dëgjonin vargjet? Ishte Epigrami produkt i një përpjekjeje të studiuar për të ushqyer revoltën kundër Stalinit, apo gjest vanitoz i një megalomani? Këto janë pyetje të vështira për t’iu përgjigjur edhe sot.

Vetëm 2-3 vjet më vonë, i njëjti Mandelstam do të shkruante Oden – ku Stalini tashmë portretizohej si krye-heroi, i denjë për admirimin total të poetit. Czeslaw Miloszi, që përndryshe e adhuronte kolegun e vet, e pat komentuar Oden kështu: “një shembull i neveritshëm bizantinizmi, ku komplimentet e tepruara nuk njohin as turp as masë”; ndërsa për Joseph Brodskyn Odja është, përkundrazi, “poema më e madhe që ka shkruar ndonjëherë Mandelstami”, madje “një nga ngjarjet më domethënëse në krejt letërsinë ruse të shekullit XX.” Sipas Brodskyt, Stalini mund t’ia toleronte poetit Epigramin, por jo Oden; “po të kisha qenë Stalini,” vazhdon Brodsky, “me të lexuar Oden do t’ia kisha prerë kokën Mandelstamit menjëherë.” Arsyeja? Duke rimarrë një temë rekurrente në letërsinë ruse të traditës, atë të poetit dhe të carit,[2] Mandelstami i linte të kuptonte Stalinit se kush ish, vërtet, më i madhi prej të dyve.”[3] Në fakt, po ata censorë sovjetikë që e gjetën Oden të pabotueshme, do të rekomandonin pastaj arrestimin e autorit të saj.

Studiuesi dhe përkthyesi Tony Brinkley, që i krahason efektet e këtyre dy veprave te publiku, mendon se Epigrami, duke i llahtarisur dëgjuesit që e gjenin veten papritur bashkëfajtorë në një akt të pafalshëm kundër regjimit, i bënte këta ta përjetonin në lëkurë fashizmin e regjimit stalinist. Përkundrazi, vëren ai, Odja mund të lexohet si kremtim i fashizmit, meqë vetë ky lloj kremtimi është fashist; por në atë masë që kremtimi është fashist, edhe Stalini rezulton i tillë. “Fjalët kremtuese shndërrohen në emra të terrorit” thotë Brinkley.

E këqyrur pas kaq vitesh, kjo histori e dhimbshme tërheq vëmendjen edhe për kontrastin mes Mandelstamit dhe Pasternak-ut, si poetë ndoshta njëlloj të mëdhenj, por të shkollave të ndryshme; madje Pasternak-u u kujdes që t’ia përmendte këtë dallim edhe Stalinit, gjatë telefonatës së famshme[4]. Në fakt, Mandelstami shkroi dy poezi për Stalinin, ndërsa Pasternaku nuk më rezulton të ketë shkruar gjë të ngjashme ndonjëherë – po si mund të interpretohet kjo? Dhe a ka gjë për t’u interpretuar këtu? Tek e fundit, askush nuk e ka akuzuar ndonjëherë autorin e “Doktor Zhivagos” për shkrimtar oborri – por vallë të dëshmojë kjo se një poet sovjetik mundej, madje edhe në vitet e terrorit të madh, të ruante statusin e vet të privilegjuar, pa i kënduar drejtpërdrejt Stalinit? Me gjasë arsyeja për mbijetesën e Pasternakut ka qenë tjetër.[5]

Këtu mbase ia vlen të merret parasysh edhe personaliteti i veçantë i Mandelstamit: hiperndjeshmëria, nervat e dobëta, frustrimi i një gjeniu që nuk arrin – sepse nuk e lënë – që të komunikojë me publikun, lufta e tij me të përditshmen, nevoja për të mbijetuar në një botë ku ligjin e bëjnë organet e policisë sekrete. Me Epigramin e Stalinit ai vinte në rrezik jo vetëm të ardhmen e vet, por edhe të së shoqes, miqve të tij më të afërt dhe të gjithë atyre të tjerëve që ua pat recituar; dhe vetëm dëshpërimi nuk mjafton për ta përligjur. Ndoshta, në mënyrë të pavetëdijshme, Epigrami mbase erdhi si zgjidhje ekstreme e një mendjeje tashmë të rraskapitur nga tensioni dhe falsiteti që e rrethonte; lutje absurde regjimit dhe Stalinit vetë, për ta “vetëvrarë”.

Ironikisht, Epigrami i kushtoi Mandelstamit vetëm pak vjet dëbim nga Moska; në një kohë që rrokullima do t’i vinte pikërisht nga ai gjest që, në parim, duhej t’i siguronte rehabilitimin: Odja për udhëheqësin. Është vënë tashmë në dukje se në ato vite ishte praktikë e zakonshme, për poetët sovjetikë, që t’i këndonin Stalinit. Edhe Anna Akhmatova – e persekutuar vite me radhë, e censuruar dhe me familjen të burgosur a të internuar – u detyrua, me rastin e festimeve të datëlindjes së Stalinit në 1952, të shkruante: “Le ta mbajë bota mend këtë datë përgjithnjë/Le t’i premtohet kjo orë përjetësisë/Atje ku është Stalini, është liria/Paqja dhe madhështia e Dheut!”

Por në kohën tonë e kemi gjithnjë të vështirë – ose thjesht nuk duam – t’i kuptojmë këto kompromise njerëzish që, përndryshe, kanë qenë moralisht superiorë ndaj nesh, qoftë edhe thjesht ngaqë jetonin në kohë tragjike. Ja çfarë i pat thënë së shoqes, Nadezhda, Mandelstami, në lidhje me këtë: “Pse të ankohemi? Poezinë vetëm në këtë vend [BRSS] e respektojnë – njerëzve u ikën koka për të. Askund tjetër nuk vriten kaq shumë njerëz për të.”

© 2018, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Bibliografia:

McSmith, Andy, Fear and the Muse Kept Watch, The New Press, July 2015.

Mandelstam, Nadezhda, Hope Against Hope, A Memoir, Modern Library, New Edition, March 1999.


[1] Një përkthim i Odes në anglisht mund të lexohet këtu.

[2] Këtë temë pothuajse arketipale e ka rrahur gjerësisht edhe Ismail Kadareja në letërsinë e vet dhe sidomos në eseistikë, në lidhje me raportet e tij me Enver Hoxhën në vite.

[3] Këtë përqasje, në mos përplasje, duket se e ndërmjetëson edhe fakti që të dy, edhe Stalini edhe Mandelstami, ndanin bashkë të njëjtin emër: Josif/Osip.

[4] Kadareja ka shkruar tani vonë për këtë telefonatë, në esenë Kur sunduesit grinden, botuar nga Onufri. Por Stalini e kish huq t’u telefononte figurave publike në hall – e pat bërë me Bulgakovin, siç do ta bënte edhe me Shostakoviçin më vonë. Edhe telefonata e tij Pasternakut duhet vendosur në këtë kontekst by-pass-esh të ndërmarra nga një lider suprem, që ndonjëherë parapëlqente kontaktin e drejtpërdrejtë me viktimat e veta.

[5] Sikurse dëshmon poeti Arsenii Tarkovski (1907-1912), babai i regjisorit të mirënjohur Andrei Tarkovski, Stalini pat shkruar dhe botuar një numër poezish në moshë të re, kur ende njihej si Iosip Dzughashvili. Disa nga këto poezi ishin përkthyer më pas në rusishte nga Valeri Briusov, një nga themeluesit e simbolizmit rus; si dhe nga Boris Pasternaku. Mundet që Pasternaku t’i ketë përkthyer poezitë e Dzughashvilit pa e ditur se ky ndërkohë kish marrë emrin Stalin; dhe diktatori rus i mbeti mirënjohës Pasternakut deri në fund – edhe pse në heshtje – që ky ia pat vlerësuar artistikisht poezinë, aq sa t’ia zgjidhte dhe t’ia përkthente në rusisht. Përkthimi i Pasternakut, i cili i pat rënë në dorë Tarkovskit si dorëshkrim, nuk u botua kurrë – ndoshta ngaqë Stalini vetë e pengoi botimin. Kjo pandehmë duket se bashkëtingëllon me atë çfarë shkruan Ehrenburgu, dhe pikërisht që Stalini gjithnjë u kujdes që emri i Pasternakut të hiqej nga listat e arrestimeve dhe të internimeve. Për më tej, lexoni këtu.

5 Komente

  1. Kjo puna e superioritetit moral te atyre mendoj se duhet percaktuar saktesisht, dmth si superioritet moral i atyre ndaj asaj pjese te ”nesh” qe beson tek nje moral abstrakt mbarenjerezor, perndryshe çdo individ e percakton vete piken e tij te referimit moral, kush tek feja e tij, kush tek kombi i tij, dikush tjeter tek shteti i tij, kush tek kanuni e kush tek Konfuci.
    Gjeja qe nuk perkulet, thyhet. Ka pasur, ka e do te kete gjithnje njerez qe kane probleme me shtyllen kurrizore, sepse eshte norme qe njerezit ngrene pesha duke mos marre parasysh qe shtylla kurrizore eshte elastike dhe peshat ngrihen me muskujt e kurrizit dhe jo me shtyllen kurrizore. Jane te dyja kurriz, po peshen e ngrene muskujt e jo rruazat e shtylles.

    Pra, njeriu moralisht inferior a superior, duhet te kete parasysh te ngreje si thote populli, me sa kellqe ka, perndryshe fillon nje jete me dhimbje pafund, si gjithe ata qe kane probleme me shtyllen kurrizore.

    Me ngacmoi koncepti i Tony Brinkley per fashizmin e regjimit komunist ose fashizmin e diktatures se proletariatit se çka beri Stalini nuk ishte e ndryshme nga Maoja, Enveri,Pol Poti, Kim Sungu etj.
    Me ngacmoi edhe sepse askund ne artikull nuk lexohet percaktimi komunist apo diktatura e proletariatit dhe shumekush do te thoshte çdo fashizmi si i vetmi koncept per pershkruan totalitarizmin ne regjimin komunist stalinian.

    ”Gabimi” i Mendelstamit del te jete personalizimi i fyerjeve, ndryshe kalimi nga nje konflikt te natyres publike ose armiqesi publike ne nje armiqesi private. Dallimin me te mire mes ketyre armiqesive e ka bere Karl Shmiti, ”hostes” dhe ”inimicus”.
    Njeriu mund te jete armik i madh publik me dike tjeter, ne nje kohe qe privatisht mund ta respektoje ose me e rendomta mos te kete absolutisht asgje, sepse nuk e njeh fare e as deshiron ta njohe. E njejta gje edhe me shtetet ose konfliktet mes kombeve, une mund te jem armik me serbet e greket ne kuptimin e hostes, armikut publik, por s’kam asgje me serbin e grekun privatisht, meqe personalisht s’me kane bere gje.

    Bashkimi i ketyre rrafsheve per te prodhuar nje armiqesi unike e te plote, normalisht sjell nje reagim teper serioz nga pala tjeter.
    Stalini s’donte te degjonte fare asgje nga Mendelstami, sepse armiqesia ishte e plote, ”rregullimi” i gjerave, kur tjetrit nuk i ka ikur inati eshte ftese per sherr, prandaj çdo njeri i ketij planeti pret t’i rregulloje gjerat pasi jane ulur gjakrat. Qofte edhe per te pranuar se e ka pase gabim, meqenese tjetri ta pret, kur e dije qe ishe gabim atehere ca te pelcasin e te rrjedhin pate.Keshtu rifillon sherri.

    E kam llafin qe gjerat mund te jene shume me banale, aq me teper kur dihet mire qe Stalini ishte inaçor i madh.

    Perndryshe, sfida per te madhin e shekullit, per fatkeqesine e intelektualeve nuk ka prekur asnje diktator te shekullit 20, perndryshe te gjithe keta diktatore do te benin ”tabula rasa’ te gjithe intelektualeve, gje qe nuk rezulton.

    1. Thashë “superioritet moral” vetëm se, në vija të trasha, asnjë nga ne sot nuk përballet me sfidat e një qytetari të Bashkimit Sovjetik të viteve 1930. Sot edhe të duash të kesh jetë tragjike, nuk e arrin dot. Gjithnjë përfundon në komedi. Por edhe në kuptimin se nuk i gjykojmë dot me metrin e sotëm dhe të themi se “u gjunjëzuan”. Kur ka qenë hera e fundit që ti ke rrezikuar kokën për një poezi që mund të kesh shkruar? Kur ka qenë hera e fundit që ty të kanë thënë “ose nënshkruaje fajin e paqenë ose denonco kolegët, ose ta përdhunuam gruan (vajzën) mu këtu, para syve të tu”? Kanë thënë se Odja e Mandelstam-it ia shpëtoi jetën së shoqes, Nadezhdës – dhe e kanë argumentuar (nuk është vendi këtu të sjell hollësi). Një njeri që sakrifikon integritetin e vet artistik (dhe njerëzor) për të shpëtuar të shoqen – ky është superioriteti moral. Në një kuptim, poetët rebelë janë më tragjikë kur detyrohen të shkruajnë gjëra si Odja, se kur provokojnë me Epigramet: kjo ishte edhe çfarë doja të diskutoja me shkrimin lart.

      1. Jam dakort, por ketu eshte problemi qe ne sot, si e thua shume mire, nuk mund te vendosemi ne prove, pra nuk kemi si ta dime se si do te regojme. Ne kete kuptim ”il beneficio del dubbio” eshte nga ana jone, nuk eshte kunder nesh. Nuk fajesohemi dot a priori, sepse nuk e dime si do te silleshim.
        Me tej, une besoj se sot jemi ne gjendje te bejme dallimin mes atyre qe u perkulen sepse ua kishte qejfi dhe atyre qe u perkulen nga halli/pesha. Atyre qe u perkulen nga pesha s’ke ç’i thua, pesha te perkul.

  2. Doja ta vazhdoja aty ku e lashe.

    Per t’u rikthyer tek intepretimi i Tony Brinkley-it, qe te mos biem ne apologji te diktatures se proletariatit duke ia mveshur krimet e tij apo qofte edhe nje pjese te tyre fashizmit, duhet bere nje dallim esencial, mes fashizmit dhe diktatures se proletariatit.

    Fashizmi eshte nje koncept i deduktuar ose me mire abduktuar nga teoria hegeliane. Finaliteti i revolucionit fashist ishte krijimi i shtetit total, ku gjithçka ishte brenda shtetit, asgje jashte shtetit dhe asgje kunder shtetit.

    Musolini : Tutto nello Stato, niente al di fuori dello Stato, nulla contro lo Stato.

    Principi qe respektohet eshte ”racionaliteti i njeriut” dhe meqe shteti eshte ”teresia e shtetasve te tij”, atehere çdo gje nuk ka sesi te jete jashte shtetit/shtetasve dhe shtetasi duke qene racional, nuk ka kuptim qe te jete kunder shtetit.
    Shtetasi duke qene shteti eshte brenda shtetit, nuk mund te jete jashte shtetit dhe eshte joracionale qe shtetasi te jete kunder shtetit, pasi i bie te jete kunder vetvetes.

    Ne kete kuptim secili shtetas (pra nuk mund te ekzistoje nen-shtetasi) ka nje rol brenda teresise ose totalitetit te shtetasve/ shtetit.

    Difekti qendron tek parimi i racionalitetit te njeriut, sepse njeriu nuk eshte racional, prandaj teoria bie poshte.

    Ne kete koncept fashist, intelektuali ka rolin e tij brenda shtetit, dmth eshte e pamendueshme qe ne revolucionin fashist, intelektuali te asgjesohet, ai, si gjithe te tjeret, thjesht duhet t’i nenshtrohet parimit te racionalitetit te njeriut dhe te gjeje vendin e tij brenda shtetit.
    Nqs intelektuali nuk deshiron te jete shtetas, mund te largohet prej totalitetit te shtetasve/shtetit dhe nqs eshte shtetas kunder shtetit atehere po ben diçka irracionale, çka sjell vetiu penalitet.

    Ndryshe qendron puna tek diktatura e proletariatit, marrja e shtetit prej proletareve eshte hallke e revolucionit komunist, shteti eshte i keq, duhet asgjesuar per çlirimin e njeriut, por duhet perdorur si arme ne duart e revolucionareve per te asgjesuar klasen kapitaliste, borgjezet e mikroborgjezet, çdo shfaqje antimarksiste.

    Pra shteti total i diktatures se proletariatit nuk eshte objektiv/qellim si tek fashizmi, por mjet ne duart e revolucionareve per te asgjesuar me çdo menyre e forme, çdo individ i cili pengon ne menyre te vetedijshme ose jo, perparimin e revolucionit komunist, ne rrugen e tij drejt asgjesimit te shtetit dhe barazine formale e substanciale te te gjithe njerezve te planetit.

    Per intelektualet ne revolucionin komunist nuk ka vend fare, sepse nuk ka se ku te vendosen, pasi intelektuali eshte figure hierarkike, meritokratike dhe dihet qe meritokracia prodhon hierarki.
    Gjate fazes se diktatutures se proletariatit, kur prodhohet shteti total, intelektualet jane problematike e dores se pare, duhen asgjesuar sepse kane formim borgjez dhe produkti i tyre do te jete borgjez, pra intelektualet jane problem serioz per revolucionin komunist.

    Perndryshe intelektuali markist qe ka arritur te kuptoje si duhet ne radhe te pare Hegelin, se pa te nuk kuptohet Marksi, eshte figure udheheqese pra politike e revolucionit, deri ne fitoren finale qe eshte asgjesimi i shtetit.
    Per intelektualin markist nuk ka nje vend te tij brenda shtetit total, intelektuali marksist eshte me perkufizim pjese e elites politike qe do udheheqe masat deri ne fitoren finale te revolucionit.

    Intelektualit fashist i duhet te gjeje vendin e tij si shtetas, intelektuali marksist duhet te udheheqe politikisht masat.

    Prandaj Stalinit, Enveri,Maos etj u duhej te asgjesonin intektualet jomarksiste dhe te poziciononin intelektualet marksiste ne krye te revolucionit, dmth ne krye te diktatures se proletariatit. Nga ku edhe nevoja e ketyre diktatoreve qe te ishin edhe ata vete intelektuale dhe interpretues te drejte te vijes marksiste leniniste.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin