E ARDHMJA E LIBRIT

Në të ardhmen jo dhe shumë të largët, shpjegoi zoti Shyti, libri nuk do të jetë më ky që njohim sot, dhe nuk e kam fjalën vetëm për formatin dixhital të teksteve. A nuk dëgjojmë vallë se nuk po lexon më kush, se sot ka më shumë autorë se lexues, se njerëzit po e kalojnë kohën duke kullotur në Facebook? Kjo situatë do të sjellë logjikisht zhdukjen e librit, por jo në atë formën apokaliptike që i ka alarmuar disa prej nesh. Në fakt, librat e rinj do të lajmërohen me bujë në mediat, kopertinat e tyre do të afishohen dhe shumëfishohen në rrjetet sociale, autorët do të japin prezantime dhe intervista, kritikët do të kontribuojnë me qasjet përkatëse, institucionet do të shpërndajnë çmimet, e kështu me radhë – çfarë do të thotë se libri, si libër, nuk ka më arsye të jetë; dhe me mijëra, në mos miliona pemëve, do t’u kursehet sharra. Fundja, pse të lodhesh dhe të shkruash, kur e di, madje je i sigurt, se nuk do të të lexojë kush, dhe se reputacioni yt si shkrimtar nuk varet nga çfarë shkruan, por nga çfarë thonë mediat për ty, për jetën tënde private, look-un, orientimin seksual dhe politik, shijet gastronomike dhe vestimentare, dhe VIP-at me të cilët shoqërohesh, debatet televizive ku kacafytesh? Do të thoni ju, po libraritë dhe bibliotekat? A nuk do të protestojnë libraritë dhe bibliotekat? Jo, tha z. Shyti; librarive kjo zhdukje e librit as do t’u bëjë përshtypje fare, sepse libraritë, siç dihet, tani shesin vetëm libra të Mehdiut, që e paçim. Dhe sa për bibliotekat, mbase ka ardhur koha të ri-inskenohet versionit post-modern i përrallës së Kalifit Umar, që urdhëroi djegien e librave të Bibliotekës së Aleksandrisë duke arsyetuar kështu: o thonë të njëjtat gjëra si Kurani, prandaj s’ka pse t’i ruajmë kot; o thonë gjëra të tjera nga Kurani, atëherë nuk duhet t’i ruajmë. Përrallën e kanë përgënjeshtruar nga shumë anë, vazhdoi zoti Shyti, por arsyetimi i Kalifit, sado apokrif të jetë, e ruan vlerën e vet – nëse letërsia jonë mbyllet me Mehdiun, atëherë pas tij nuk ka më kuptim të shkruhet; dhe libri do të mbijetojë vetëm në sferën e public relations, si sebep për të aplikuar për grante ose për t’u mbledhur bashkë mbrëmjeve dhe për t’u dhënë disave statusin e autorëve. Ti i thua këto, zoti Shyti, thamë ne, vetëm e vetëm ngaqë romani yt “Gjakimi” tashmë nuk gjendet më në treg, edhe pse të gjithë ne kemi dëgjuar për të dhe e përmendim në bisedat tona. Nuk i them unë, tha zoti Shyti, i thotë brisku i Occam-it; edhe pse tingëllon paradoksale të thuash se, nga triada autor-vepër-lexues do të mbijetojë vetëm autori, ose pikërisht ai që e bënin të vdekur deri pak vite më parë. Autori, i riformatuar si personazh komik. Nuk na bëre hiç për të qeshur, z. Shyti, protestuam ne.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin