PAS NDËRHYRJEVE, KUSURET

Libri im i vjetshëm, “Ndërhyrjet e zotit Shyti”, sapo është bërë me vëlla – doli në treg vazhdimi i tij, “Kusuret e zotit Shyti”. Libri do të prezantohet këtë të premte, në një takim të organizuar nga shtëpia botuese Dudaj, në orën 6:30 PM, në ambientet e Telecom Store, tek ish-blloku (shihni hartën përbri).

Çdo libër, të paktën fiction, vjen në botë si realizim i një energjie krijuese të caktuar; dhe kur e bëra gati vjet librin e parë të Shytit, e ndieva se kisha ende shumë për të thënë. Megjithatë, ky i tanishmi nuk është thjesht zgjatim i të parit, por vazhdim i bëmave e sidomos thënieve të personazhit të vet kryesor, sipas një logjike që nuk ka qenë tërësisht nën kontrollin tim.

Natyrshëm bota e zotit Shyti ka ardhur duke u zgjeruar, janë shtuar personazhe të tjera gjysmë permanente dhe rrëfimi është bërë më i detajuar. Ky është një Shyt tjetër, i ndryshëm nga i pari, më mirë i rehatuar me vetveten, por edhe kushedi më i ekspozuar ndaj lëndimeve. Nuk them dot se e synoja këtë – thjesht ashtu ndodhi.

Siç veprova edhe me librin e parë, pjesë ose “kapituj” të këtij libri të dytë i kam botuar në Facebook herë pas here, për ta mbajtur të gjallë personazhin edhe në rrjetet sociale. Gjithsesi, pjesët e botuara përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të librit.

Shpresoj, uroj dhe dëshiroj që të takohemi së bashku ditën e prezantimit.

Përndryshe, do të marr pjesë në një takim të dytë, një ditë më pas, në Prishtinë, në mjediset e kafesë letrare “Dit’ e nat’”, në orën 6 pasdite. Kjo e Prishtinës është një përvojë e re për mua, por më ngazëllen mundësia që më jepet, për t’u takuar me miq, kolegë dhe dashamirës të atjeshëm.

Të dy eventet janë lajmëruar gjerësisht dhe hollësisht në Facebook.

6 Komente

  1. Pension te gezuar dhe jete te gjate Shytit! E them kete nisur nga fjalia e pazakonte “per ta mbajtur te gjalle personazhin ne rrjetet sociale”.

    Urime dhe suksese per librin!

    1. Nuk e kam parë, as e njoh si vend, por Arlinda Dudaj ma lavdëroi shumë. Unë ndoshta do të kisha preferuar ndonjë gjë përjashta, si ai ku u prezantua libri vjet.

  2. Urime per librin! Ndonese, si tek ai filmi shqiptar ku personazhi thote se nuk eshte kohe per dasma, edhe per librin sot duhet thene se nuk eshte kohe per libra! Cfar duhet kuptuar, posi tek filmi ku personazhi tjeter i pergjigjet se duhen dhe dasmat, keshtu dhe sot duhet pergjigjur: duhen posi edhe librat akoma me shume!

    1. Këta politikanë që kemi, përfitojnë edhe ngaqë njerëzit merren shumë me politikë dhe lexojnë shumë pak. Prandaj edhe unë them: është pikërisht kohë për libra, të vjetër dhe të rinj.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: