DEGË ELINËSH ME RRËNJË PELLAZGËSH

Përimtime dhe saktësime të teorisë pellazgjike

nga Dhori Q. Qirjazi
kyrdoris@lit.auth.gr

 

Hyrje

Në këtë punim rimerren disa nga çështjet që lidhen kryesisht me rrugën që ndoqi dhe përdorimet që njohu teoria pellazgjike në truall ballkanik, pas publikimit të trajtesës së arbëreshit T. Pace në gazetën “Athiná” të Athinës, më 24 mars 1846. Paralelisht, përpiqemi të tregojmë se, tej teorisë pellazgjike, lindur dhe përpunuar në truallin arbëresh apo edhe tjetërkund, ideja e lidhjeve të shqiptarëve me helenët ka qenë e pranishme në Ballkan qysh më herët, madje e pashoqëruar domosdoshmërisht nga miti a tisi pellazgjik.

Rrënjë Pellazgësh

“Kronikën e Muzakajve”, Gjon Muzaka u thotë të bijve se ata rrjedhin nga Mollosët e se fisi i tyre quheshin qëmoti Mollosaku[1]. Gjithkush e kupton se ky barazim etimologjik është jobindës, por kupton edhe nevojën e Gjon Muzakës për të patur rrënjë paraardhësish zulmëmëdhenj.

Me të njëjtën logjikë, dhe në kushte të ngjashme, lindi ndër arbëreshë miti për origjinën pellazgjike të shqiptarëve. Po përse pikërisht tek arbëreshët? Sepse aty qe më e madhe nevoja për diferencim identitar nga ltirët dhe nga grekët, si edhe e dëshmimit të rrënjëve të lashta të farës së Arbërit.

Nuk po zgjatem me procesin e lindjes së mitit pellazgjik ndër arbëreshë, sepse është trajtuar kënaqshëm nga kolegu M. Mandalà[2], dhe së fundi nga studiuesi F. Scalora[3]. Ky mit fillon e përvijohet në Seminarin grekoalbanez të Palermos (themeluar më 1734). Guzzetta, Parino, Chetta, Crispi, dhe pastaj Bidera, që e bart në Napoli, dhe ia përçon De Radës, e prej këtu, me anë të Tommaso Paces, në Athinë, 24 mars 1846.

 

Faqja e parë e dorëshkrimit të Th. Mitkos, kopje e artikullit të gazetës “Amalthia” të Izmirit.

Me këtë trajtesë[4] zë fill itinerari ballkanik i mitit pellazgjik, dhe pikërisht këtu kanë dalë në dritë të dhëna të reja, që krijojnë nevojën e përimtimeve dhe saktësimeve. Dy javë më pas, shkrimin e gazetës “Athiná” e riboton gazeta greqisht “Amálthia” e Izmirit, dhe aty e gjen Thimi Mitkoja, i cili edhe e kopjon[5].

Shënojmë, gjithashtu, edhe faktin jo pa rëndësi, se në Izmir shkonin për t’u shkolluar të rinj nga anët e Korçës, të cilët mbase janë njohur me teorinë pellazgjike aty dhe kanë ndihmuar në përhapjen e saj.

Është interesant fakti që edhe Hahn-i e përmend këtë trajtesë diku në margjinat e veprës së tij të njohur, por nuk jep kurrsesi përshtypjen se ajo ka qenë fillesa apo themeli i gjykimeve dhe i hamendësimeve të veta për pellazgët, pellazgjishten dhe lidhjet e tyre përkatësisht me ilirët, ilirishten dhe shqiptarët, shqipen[6].

Kalojmë tani tek bredhi shtatlartë e rrënjëthellë i shqipes, Naum Veqilharxhi. Në Qarkoren greqisht, me titull “Letër enciklike dërguar gjithë ortodoksëve shqiptarë të pasur e të shkolluar”, që Naum Veqilharxhi u drejtonte shqiptarëve më 1846, fjalët το έθνος μας (kombi ynë) dhe η εθνική μας γλώσσα (gjuha jonë kombëtare) përmendeshin më se një herë[7], shoqëruar me shpresën se kombi i shqiptarëve do të radhitej mes kombeve të përparuar të Europës.

Po të vëmë re me kujdes Eparthënmen e botimit të dytë të Ëvetarit të Veqilharxhit, të vitit 1845, nuk ka dyshim se ai i konsideronte shqiptarët komb më vete dhe pa ndonjë lidhje specifike me të tjerë. Prej njëzet vjetësh, thotë, përpiqet të ngrejë vegjën me të cilën shqiptarët do të endin pëlhurën e shqipes dhe do t’i tregojnë botës se janë komb i mëvetësishëm.

Ndërkaq, në të njëjtën Qarkore, Naumi nuk harron, qysh në paragrafin e parë, të sjellë

në vëmendje të bashkëkombësve trajtesën filologjike të botuar së fundi nga gazetat greke, si diçka që meriton vëmendje maksimale, aq më tepër që ka të bëjë me vetë ne shqiptarët”.

Për ta bërë më të plotë itinerarin ballkanik të trajtesës së Pace-s, shtojmë që Dh. S. Shuteriqi na njofton se ajo u përkthye dhe u botua rumanisht nga miku i N. Veqilharxhit, iluministi rumun Ion Eliade Radulesku, në organin e tij “Curierul românesc” të 4 qershorit 1846[8].

Viti 1848 çelet e pasuron bukur rrugëtimin e mitit pellazgjik, sepse shkrimi i Paces rishfaqet si shtojcë e një Historie të Skënderbeut, botuar më parë italisht dhe pastaj përkthyer greqisht nga Andreas Papadopoulos Vretos[9]. Nga listat e abonentëve të këtij libri shohim se ai është porositur edhe nga zona që ndodhen nën pushtimin turk dhe është shumë domethënëse që me të njëjtin libër u bëhet jehonë historisë së afërt të shqiptarëve, por edhe parahistorisë së tyre.

Përkthimi greqisht i Historisë së Gjergj Kastriotit, nga A. P. Vretos, Athinë 1848.

Gjerdani i fjalëve të greqishtes që shoqëron trajtesën e Pace-s, rrënjët e të cilave kërkohen dhe gjenden, siç besohej, në fjalë të shqipes, do të shfaqet e rishfaqet, i pasuruar me lëndë të re, në shkrimet e savantëve të asaj kohe që merren me shqipen. Më i shquari ndër ta është Dhimitër Kamarda. Thimi Mitkoja do të botojë një sprovë të tillë në shtyllat e revistës “Pandora” (1.1.1860), kurse në Parthënmen e “Bletës” së vitit 1875 u ka lënë hapësirë të gjerë këtyre barazimeve leksikore, të cilat mungojnë nga botimi i Aleksandrisë (1878). Megjithatë, edhe aty Mitkoja nuk mënon të shtojë fjalën -pellazgjike- në titullin greqisht që i paraprin përkthimit të esesë La Nationalité albanaise d’après les chants populaires” të Dora d’ Istrias për këngët popullore të shqiptarëve: H ΑΛΒΑΝΙΚΗ -ΠΕΛΑΣΓΙΚΗ- ΦΥΛΗ EK ΤΩΝ ΔΗΜΟΤΙΚΩΝ ΑΣΜΑΤΩΝ (Fylia Shqypëtare –Pellazgjike- nga kënkat e llauzit)[10].

Teoria pellazgjike, me zanafillë në komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut e të Sicilisë dhe e saposhfaqur në truall ballkanik, u vinte për shtat shqiptarëve dhe u shërbente synimeve të tyre kombëtare në përvijim e sipër. U siguronte thellësinë e kohës historike (më saktë prehistorike) por edhe një aleat me të shkuar të ndritur, i cili kish krijuar shtet të vetin.

U vinte për shtat edhe vetë grekëve, sepse, siç shkruan historiania E. Skopetea, në ndryshim nga sllavët,

“Shqiptarët qenë të pranishëm brenda Greqisë, dhe të munguar jashtë saj –përderisa lëvizja kombëtare e tyre filloi në thelb vetëm rreth viteve 1880. Askush nuk e vinte në dyshim prezencën e shqiptarëve në territorin grek, as edhe faktin që vetë kryeqyteti [grek] rrethohej prej popullatash mirëfilli shqiptare. Por shqiptarët etnikisht të pastrehë u pranuan në mënyrë panegjirike në historinë greke, dhe për hir të tyre u formuluan teori specifike etnoracore, që e paraqitnin botën shqiptare ose si etnikisht inekzistente ose si “filiz” të kombit a të racës greke, domethënë si një lloj grekësh, të cilët i ndante prej grekëve të mirëfilltë e njëjta distancë që ndante pellazgët prej grekëve të vjetër. […] Por ndjenja e lidhjes së ngushtë të të dy popujve buronte para së gjithash nga prania e gjithkundme e shqiptarëve gjatë Kryengritjes [greke], prani e cila u identifikua me mjaft prej çasteve sublime të saj, dhe që diktoi trajtimin e veçantë të shqiptarëve nga ana e savantëve grekë, kur për më tepër ekzistonte siguria se shqiptarët shpejt a vonë nuk do t’i bënin dot ballë mësymjes intelektuale të helenizmit.”[11]

Por ky filiacion i shqiptarëve dhe referimet e tyre në rrënjët e përbashkëta me grekët helenë krijonin kushte asimilimi gradual prej simotrës së madhe e të lavdishme pellazgjike dhe prej “Megali Idhesë” së saj, që -çfarë rastësie!- qe shfaqur thuajse në të njëjtën kohë (1844) me teorinë pellazgjike.

Le të shtojmë se edhe në radhët e savantëve grekë, gjatë po kësaj periudhe, për arsye që u shtjelluan më sipër, përshfaqet një klimë e ngjashme, por me pikënisje tjetër. Shqiptarët qenë për grekët njerëz “të shtëpisë”. Nuk ka gjasa të jetë “lajthitje e çastit” apo “thjesht rastësi”, fakti që një figurë qendrore e historiografisë greke të shek. XIX, ati i saj, Konstantinos Paparigopulos, shumë herët, qysh në korrik 1850, shkruante se

“Dy raca banojnë në Greqi, grekja dhe shqiptarja. Por a përbën raca shqiptare një komb më vete? Ka ndjenja të vetat, interesa të vetat, që bien ndesh apo janë thjesht të ndryshme nga ato greke?Dikur, sigurisht, ka patur; por sot nuk ka (…). Këtë gjë e quaj shkrirje të racës shqiptare në gji të racës greke, mbizotërim të frymës greke, njëherazi fuqizim të kombit grek përmes atyre forcave materiale që ajo racë [shqiptarja] barti me vete.”[12]

Lexuesit mund t’i lindë pyetja përse i duhet me patjetër kjo “shkrirje” historianit grek dhe cili është kuadri historik i krijimit të kësaj teorie. Mund të përgjigjemi shkurt se aty kemi një përpjekje konkrete për të hedhur poshtë teorinë e njohur të Fallmerayer-it, që shkaktoi “tërmet” në botën e atëhershme greke.

Shembulli i shqiptarëve të Greqisë, pjesëmarrja aktive e tyre në Kryengritjen greke dhe prania e tyre e hershme, qysh në mesjetë, në territorin e shtetit të sapokrijuar grek, përdoreshin si provë e vazhdimësisë së helenizmit që, pavarësisht valëve të herëpashershme emigruese të elementit të huaj, kishte arritur t’i përballonte ato e madje qe fuqizuar e rinovuar prej integrimit të tyre në indin e vet. Dy lumenj, dikur me shtrat të ndryshëm, qenë bashkuar e shkrirë tani në një shtrat më të madh.

Shkrimi i Paparigopulos-it botohej në revistën autoritare “Pandora” dhe mund të merret me mend sa ndikonte në botën shkencore dhe në opinionin publik grek, por edhe në savantët shqiptarë të kohës. Më 1851 historiani Paparigopulos do të fillonte karrierën e gjatë si profesor në Universitetin e Athinës. Pak më vonë, në një shkrim kritik për veprën “Studime Shqiptare” të Hahn-it, nga sa dimë të pavënë re deri më sot, ai do të pohojë për filinë shqiptare se

“Parëndësia e saj si nacionalitet i mëvetësishëm dhe roli i veçantë që shpesh ka lojtur nën shtytjen e nacionaliteteve të tjerë; larmia impresionuese e karaktereve që përshfaq, në varësi të llojit të ndikimeve që i ushtrohen; më në fund, paplotëria e së folmes së saj, që është më tepër një grumbull amorf dhe konfuz fjalësh të huaja, sesa një gjuhë e aftë për zhvillim e përmirësim. Kësisoj, në mungesë absolute të njësisë nacionale, pa patur ndjenjë nacionale, me mangësinë e një gjuhe të denjë për t’u quajtur nacionale, nuk ekziston sigurisht asgjë që mund të mëtojë seriozisht pavarësinë.”[13]

Kuadri historik bëhet edhe më i plotë po të marrim parasysh edhe një pohim tjetër, shkruar nga e njëjta dorë, sipas të cilit

“Banorët e tij [të Epirit], prej të cilëve më shumë se një e gjashta deklarohen muhamedanë, dhe që u përkasin tri racave të ndryshme, racës greke, racës shqiptare, dhe racës vllahe apo çobane, për nga qytetërimi dhe zakonet e tyre bëjnë pjesë pakontestueshëm të gjithë në nacionalitetin e madh grek.”[14]

Paparigopulos-i nuk njihte, sigurisht, ngjizjen ideore dhe përpjekjet e savantëve me rrënjë shqiptare dhe shqetësime vetënjohjeje. Historia vërtet nxjerr mësime nga përvoja e së shkuarës, por nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të ndodhin ngjarje deri atëherë të papara dhe të shfaqen zhvillime të reja. Thënë ndryshe, nëse diçka nuk pat ekzistuar, kjo nuk do të thotë medoemos që nuk ka për të ekzistuar.

Ndërkaq, në harkun kohor 1850-1860, prej savantëve grekë të kohës shfaqen edhe vlerësime të tjera, pa “tehun” asimilues të paraqitur më sipër. Shquan ndër ta P. Aravantinos-i, autori i “Kronografisë së Epirit” (1856), ku shqipja konsiderohet “përzierje e Greqishtes së stërlashtë apo Pellazgjishtes me shumë fjalë të mëvonshme të Greqishtes, si dhe të Sllavishtes, Latinishtes, Keltishtes dhe Turqishtes”[15]. Dhjetë vjet më pas (1866), në një libër të tij me titull “Përshkrim i Epirit”, që u botua më 1984, pra nuk u bë i njohur qysh ahere, ai merret gjerësisht me shqipen dhe shqiptarët, madje radhit përmbledhtazi gjithë teoritë rreth origjinës së tyre, dhe shkruan ndër të tjera se ata

“janë pasardhës të Epirotëve dhe të Ilirëve të lashtë, ose të Pellazgëve, ngaqë edhe fjalët edhe trajtat e veçanta gramatikore të gjuhës së tyre [të shqiptarëve] kanë lidhje afrie me gjuhën e Pellazgëve, të Grekëve, të Maqedonëve dhe të Dardanëve të qëmotshëm, të atyre që banonin në Europë në të njëjtën kohë me Keltët, dhe se banonin para kohëve historike në viset e tanishme shqiptare të Epirit të Ri, nën drejtimin e prijësve të fiseve, dhe se kohë pas kohe, atëherë kur Ilirët dhe Maqedonët dhe bashkë me ta edhe pushtuesit romakë, sllavë dhe italianë gëzonin pushtet të plotë, shqiptarët e ndodhur në qytete u përzien dhe u bënë thuajse një me pushtuesit, ndërsa ata të zonave fushore dhe malore, të mësuar një jetë me punët e blegtorisë, ia dolën të ruanin edhe mëvetësinë edhe zakonet edhe gjuhën e kryehershme të tyre (që qe eolodorike), por për shkak të marrëdhënieve me pushtuesit morën edhe jo pak fjalë greke e latine, e më pas sllave, italiane dhe turke, prandaj edhe gjuha e tyre u bë një aliazh gjuhësor i larmë (Malte – Brun, Ami Boué, Hahn)”[16].

dhe shton më poshtë që

“Duke e konsideruar më të përshtatshme qasjen e mësipërme, vërejmë se Ilirët e periudhës së para pushtimit romak, të organizuar në mbretëri, nuk kanë qenë gjë tjetër përveçse vetë Shqiptarët, dhe kjo sepse asnjë historian nuk vëren dhe nuk bën fjalë që në Iliri kishte kombe të tjerë veç Ilirëve (të ndarë në kombthe të ndryshëm) dhe Grekëve (që zotëronin zonat rreth Durrësit dhe Apollonisë), ndërsa Tukididi, teksa përshkruan, siç thuhet, fushatën kundër Maqedonisë, nuk përmend veçse luftëtarët e mbretit Bardhyl të Ilirisë (380 para Kr.) që sulmojnë dhe i japin dërrmën Amindës.

Për sa i takon gjuhës së Ilirëve, në motet e Pirros së Madh, që domethënë se ajo, si gjuhë eolodorike, kish afri të ngushtë me gjuhën e Molosëve, duket nga dëshmia e Plutarkut (Jeta e Pirros), i cili i paraqet Ilirët dhe Molosët tek merren vesh me gjuhë, dhe veç kësaj dinë të përdorin alfabetin grek, sikurse ndodh sot me shumë shqiptarë, që lexojnë dhe flasin pak a shumë greqishten e përditshme; duke folur për aleancën e Perseut të Maqedonisë dhe të Gentit, mbretit të Ilirisë, Polibi thotë se bashkë me të dërguarit e Maqedonëve qe edhe një Ilir që shërbente si përkthyes i dërgatës në takimet me Ilirët, prej nga duket se gjuha e Maqedonëve dallonte thelbësisht nga gjuha e Ilirëve, ndërsa, siç thuhet, Molosët merreshin vesh kollaj me Ilirët, për sa kohë pat mbetur e pastër gjuha e kryehershme e këtyre të fundit, që autorët e lashtë Grekë i konsideronin barbarë, ngaqë dallonin nga kultura dhe gjuha e pakuptueshme.”[17].

Gjithnjë në linjën e Pellazgjishtes dhe të teorisë pellazgjike, ai vëren se

 “Duke qenë më afër gjuhës Pellazgjike, e folmja e fisit të Lebërve, në dallim nga e folmja e Toskëve dhe e fiseve të tjera të një trungu, është më pak e përzier me fjalë të huaja, dhe kështu, nëpërmjet saj, gjuhëtari mundet të gjejë shumë prej dëshmive dhe qasjeve tashmë të njohura, të cilat e ndihmojnë të provojë lidhjet e ngushta dhe indin e përbashkët të Pellazgjishtes dhe të Greqishtes”[18].

Një tjetër savant me origjinë nga Epiri, mjeku janinjot Aleksios Pallis (1809-1885), profesor në Universitetin e Athinës, duke shkruar me kompetencë të thellë për gjeografinë dhe historinë e lashtë të Epirit, pohonte më 1858 se

“…do të mund të thoshte dikush që, pas gjasash, gjuha që flasim ne Grekët, sa u përket ndërtimit gramatikor, futurit analitik dhe infinitivit, ka njëfarë ngjashmërie me Shqipen, që rrjedh prej Ilirishtes, e cila nga ana e saj, sikurse supozohet nga shumë vetë, është bijë e Pellazgjishtes.”[19].

Pohimi i mësipërm ka vlerë të veçantë për historianët e gjuhës, ngaqë bën fjalë për tiparet e përbashkëta ballkanike të shqipes e të greqishtes, të cilat u përftuan falë kontaktit shumëshekullor dhe, ndoshta, substratit të përbashkët të tyre.

Dhjetë mote pas shkrimit të parë të historianit Paparigopulos në “Pandora” (1850), nga faqet e së njëjtës revistë, më 1.1.1860, Th. Mitkoja do të distancohej në heshtje prej qasjeve të historianit grek. Ai bënte fjalë aty jo për “shkrirje të racës shqiptare në gji të racës greke”, por për shqiptarë helenë e grekë helenë, me rrënjë të përbashkëta pellazge. Disa muaj më vonë sesa Mitkoja, do të jetë Kristoforidhi, i cili, përsëri, më 15.3.1860, shkruan se

“Zakonet, doket dhe veshja e shqiptarëve, që janë pothuaj të ngjashme me ato të grekëve, ashtu siç ka qenë edhe gjendja e tyre për shumë shekuj, provojnë se ata kanë lidhje me grekët ose se janë pasardhës të atyre pellazgëve të vjetër, të cilët kanë qenë banorët e parë të Greqisë…”[20].

Në të vërtetë, kjo teori e Paparigopulos-it qe kundërshtuar qysh në kohën kur po ngjizej e pa u nyjëtuar akoma. Në një shkrim me titull “Rreth gjuhës shqipe dhe kombit shqiptar”, botuar më 9.3.1850 në gazetën greke “Athiná”, autori, që nënshkruan me emrin Athanásios P. Armódhios dhe me cilësinë e mësuesit të greqishtes së vjetër në Korçë (elinodhidháskalos)[21], shpreh bindjen se, “pas çdo gjase, kombi shqiptar është pasardhës i pellazgëve, dhe se gjuha e tij është vetë gjuha e lashtë dhe parake e grekëve”. Ai sheh te shqipja një “lastar të kryehershëm të dheut helen” dhe pohon se “rrënjët e shumë fjalëve të hasura te poetët e lashtë [grekë] gjenden me po atë kuptim në gjuhën shqipe”.

Mjaft interesante janë të dhënat që na jep Armodhi për punë të alfabetit të shqipes, në një periudhë kur nuk është botuar ende vepra “Studime shqiptare” e Hahn-it. Ai shkruan se

“… janë publikuar gjer më tash pesë a gjashtë motërzime të alfabetit shqip; së fundi botoi [një të tillë] edhe njëfarë Naum Veqilharxhi, më shumë pjellë të fantazisë së vet sesa alfabet; sepse ai njeri jo vetëm qe i parrahur me greqishten e vjetër, por as edhe greqishten e sotme bisedimore e njihte me themel, as edhe ndonjë gjuhë tjetër të huaj europiane. Por edhe po të supozohet se qe në gjendje t’ia dilte mbanë veprës së madhe që mori përsipër, ishte e mundur të merrte shkronjat latine me disa ndryshime, dhe të lehtësonte kështu edhe shtypjen edhe të mësuarit e të përhapurit e tyre; sepse veç të tjerash derdhja e gërmave të Veqilharxhit qe punë me harxhe të mëdha, dhe kombi nuk ka as takatin as oreksin të shpenzojë [aq] shumë për të përhapur gjuhën e vet kombëtare”.

Fjalët e mësipërme, pavarësisht qëndrimit kritik ndaj alfabetit të Veqilharxhit, na “çudisin” pakëz tek shohim se si një mësonjës i greqishtes parapëlqen një alfabet të shqipes bazuar “në shkronjat latine me pak ndryshime”. Dhe jo vetëm kaq. Në vazhdim, mësojmë se

“Tashmë, disa njerëz, të nxitur nga zelli mëmëdhetar, u rrekën të botonin një alfabet të ri me shkronja latine, të cilin alfabet e përdorin edhe tani shumë shqiptarë, sikurse shkodranët; së shpejti [alfabeti] del në dritë nëpërmjet të shtypit, dhe atëherë do të flasim më gjatë rreth tij”.

Mbetet për t’u ndriçuar më tej çështja nëse kemi këtu një tregues të kontakteve të hershme intelektuale mes Korçës e Shkodrës, dhe të ngjizjes qysh në ato mote të idesë me të cilën autori përmbyll shkrimin e vet:

“… një komb i ditur, një komb me sedër dhe punëdashës nuk duhet të mbesë ngahera i pashënuar në listën e kombeve, por i lartuar nëpërmjet të arsimit të kapë majat ku është i destinuar të arrijë për shkak të avantazheve natyrore të tij”[22].

Të një rëndësie të veçantë janë edhe çfarë i shkruan Kristoforidhi[23] Armodhit lidhur me shqipen:

“...së fundi [flitet] për një alfabet të qëmoçëm të shqipes që përdoret në Iliri (Gegëri) dhe që –mbështetur në vrojtime filologjike– buron prej shkronjave fenikase dhe prej shkrimit të lashtë të grekëve.”

dhepas çdo gjase për Dhaskal Todhrin, “mësuesin e shkëlqyer” Teodor Haxhi Jakovi, i cili “shkoi në mbarë viset e Ilirisë dhe të Shqipërisë”, ku “mblodhi lëndë fjalësh të çmuara”, “krijoi një gjuhë të përbashkët të shqipes”, dhe “përktheu Dhjatën e Vjetër dhe Dhjatën e Re në dialektin kryelartë e hijerëndë të ilirishtes [gegërishtes]”, “duke ngjallur admirim për begatinë e fjalëve, për hirshmërinë e stilit dhe dhuntinë natyrore të autorit si krijues fjalësh që nuk ekzistonin në dialektet”. Letra mbyllet me fjalët “…duket se kur erdhën Pellazgët në Shqipëri sollën edhe shkronjat e mëposhtme … dhe kështu provohet që fara shqiptare për nga shkronjat dhe gjuha është pellazgjike.”[24]

Duket se teoria për origjinën pellazgjike të shqipes, por edhe diskutimet për alfabet-in/-et e saj janë në rend të ditës, shpesh me ndryshime nga njëri tek tjetri[25] (tek Armodhi, p.sh., gjejmë jehonën e shkrimit të Th. Paqit për filiacionin e shqipes dhe greqishtes, ndërsa te Kristoforidhi pasqyrohen idetë e Hahn-it për mëvetësinë pellazgjike të shqipe-ilirishtes).

Me të dhënat e parashtruara më lart shihet qartë se në kapërcyellin e viteve 1840 ekziston një bërthamë savantësh të cilët besojnë në mëvetësinë e kombit të shqiptarëve dhe kanë dijeni të përpjekjeve që janë bërë e po bëhen për daljen në dritë të tij. Në këtë kuptim, pohimi i cituar më sipër i historianes Skopetea, se shqiptarët zgjohen kombëtarisht rreth viteve 1880, duhet marrë me rezerva ose duhet lidhur me shtrirjen sasiore të asaj lëvizjeje dhe me shfaqjen e ngjarjeve kulmore të saj. Qysh nga krijimi i elitave tregtare dhe intelektuale, që ndërmarrin rolin e katalizatorit social, dhe deri në masivizimin e kërkesave dhe të lëvizjes për zgjim kombëtar, pra deri në krijimin e “masës kritike” për “shpërthimin” shoqëror, ndërmjetëson një kohë, që do ta quanim koha e maturimit. Ardhja dhe arritja e të cilit te shqiptarët lidhet, ndër të tjera, edhe me mënyrën si u trajtua teoria pellazgjike.

“Degë Elinësh”

Duhet shtuar se, megjithatë, duke lënë mënjanë teorinë pellazgjike, ideja për një lidhje të hershme a farefisni të ngushtë të shqiptarëve me grekët qe rrënjosur ndër “shqipot” prej kohësh dhe bazohej mbase në ambivalencën e termit “epirot”. Nuk është e rastit, besojmë, që në Fjalorin italisht-shqip të arbëreshit Nikollë Keta, të vitit 1763, fjalët Epiro dhe Epirota jepen përkatësisht me Arbri, Arbria dhe Arbreshi, Arbrori, Arbri.

Kësaj lidhjeje i bën jehonë më 1785 edhe savanti vezullues dhe pak i njohur gjirokastrit dhe dropullit Jeorjios Dhimitriu:

“Gjindjet janë dy, e grekëve dhe e shqiptarëve, dhe kjo duket ngaqë aq e aq farë të huajsh iu vërsulën atyre, e disa syresh qëndruan jo pak në këto vise, e megjithatë nuk ia dolën mbanë të ndryshonin jetën dhe zakonet prej epirotësh të vendasve, ose, që ta themi ndryshe, ata vetë ndërruan zakone dhe u bënë si vendasit; kemi sakaq shqiptarët që mbetën po ata. Ngaqë njohim jetën e zakonet e tyre të qëmoçme, dhe pa lënë mënjanë ato çka bënin së lashti molosët dhe epirotët, fare thjesht, duke u nisur nga veprat, dhe nga fushatat ushtarake, e sidomos nga emrat e prijësve, si dhe nga kujtimi i mbretërve të hershëm të Epirit, shtjellimin e të cilave s’do të desha ta bëja tani, dalim në përfundimin se shqiptarët u lindën epirotë, dhe jo epirotët shqiptarë. Të dyja këto gjindje ndjekin besimet e përmendura më sipër dhe njëra flet gjuhën e tjetrës, pra shqiptarët greqishten popullore, dhe grekët shqipen (nënvizimi yni, Dh.Q.). Lidhur me këtë vend [Molosinë] dhe ndarjet e tashme të tij do të flasim sërish, kur të qëllojë të bëjmë fjalë rreth Shqipërisë në përgjithësi, në pikën dhe në kohën e volitshme”.”[26].

dhe i “vë vulën” në mesin e shek. XIX (1866) kronikani dhe historiani i Epirit P. Aravantinos:

“[Labi] ushqen simpati të flaktë ndaj racës helene, dhe bën shoqëri e lidhet me pjesëtarët e saj plot dëshirë e kënaqësi, që buron nga thellësitë e zemrës, si t’i përkiste së njëjtës farë, kudo që takohet dhe bëhet bashkudhëtar [i tyre]. Me bindjen e rrënjosur se paraardhësit e tij jetuan mote lavdie, luftuan krah për krah dhe treguan trimëri të pashoqe së bashku me luftëtarët e Pirros dhe të Aleksandrit të Madh, ndihet krenar dhe lëvdohet për rrënjët e veta dhe për afrinë me Maqedonët dhe Epirotët, me të cilët beson se është thuajse i një gjaku, duke përdorur ‘ne’-në sa herë flitet për diçka që lidhet me Greqinë e lashtë, dhe tek sjell ndërmend udhën plot zigzage të gjindjes së vet dhe betejat e stërgjyshërve, i pëlqen të mburret çdo herë që bie fjala për heroin e Shqipërisë dhe të Epirit, Gjergj Kastriotin.”[27].

Edhe më sipër patëm rastin t’i rikthehemi veprës së Aravantinos-it, të cilën gjetiu e kemi krahasuar me një enciklopedi të botës greko-shqiptare, të hartuar në mesin e shek. XIX[28], por këtu na tërheq vëmendjen posaçërisht fakti që, siç shkruan kronikani epirot, labi i pashkollë ka ndjenjën e rrënjosur të “NE”-së “sa herë flitet për diçka që lidhet me Greqinë e lashtë, dhe … i pëlqen të mburret … për heroin e Shqipërisë dhe të Epirit, Gjergj Kastriotin”.

Të njëjtën ndjenjë e gjejmë edhe në savantë të sërës e të klasit të Thimi Mitkos, i cili, më 1843, me shkas riçeljen e shkollës greqisht në Korçë, shkruan dy epigrame që i kemi gjetur në dorëshkrimet e tij. Meqenëse këtë çështje e kemi rrahur hollësisht tjetërkund[29], për nevojat e këtij shkrimi po citojmë tekstet e tyre, së bashku me përkthimin shqip

A.

Λαμπρός παιδείας έλαμψεν ήλιος,
ηχούν οι πόλοι, κ’ όλη η υφήλιος.
Ανάστα, κι ίδε, Μήτερ φιλτάτη μου,
τον νέον Κόσμον, γηραιοτάτη μου. […] Ελλήνων κλάδοι, συμπροθυμήθητε,
εις την παιδείαν κείνους μιμήθητε.
Ιδού σχολείον σας ανεγείρουμε.
Μουσών τα φώτα να επισύρωμε.

[I ndritshmi diell i diturisë shkëlqeu,
jehojnë polet, dhe gjithë dheu.
Ngrehu e shih, mëmëz’ e dashur,
Botën e re, e lashta ime. […] Degë helenësh, zell të dëftoni,
në dituri t’i imitoni.
Për ju, këtu, shkollë po ngremë,
Dritat e Muzave këtu t’i bjemë.]

B

Θαρρήτε, τέκνα Κορυτσάς, απόγον’ είσθ’ Ελλήνων,
ανδρών, σοφίαν θαυμαστών, λαμπρών και περιφήμων.
Σας κράζει στάδιον λαμπρόν, κ’ ομού προθυμηθήτε,
εις την παιδείαν Έλληνας προγόνους μιμηθήτε.
Παράδειγμα προγονικόν, τον ζήλον προς παιδείαν,
ομού και την λαμπράν αυτών τιμήν και ευτυχίαν.
Με πόσον ζήλον η πατρίς, εις παν προσηλωμένη,
τα φώτα της μητρός αυτής Ελλάδος αναμένει;
Ημείς δε σας εγείρομεν σχολείον, και τον θρόνον
να στησ’ η Μούσα είθ’ εδώ, αιώνας των αιώνων.

[Përpara, bij të Korçës, ju far’ helenësh jeni,
burrash dijelëvduar, të ndritur e me famë.
Vepër e ndritshme ju thërret, dhe zell të gjithtregoni,
stërgjyshërit helenë në dije imitoni.
Shembullin e të parëve, dhe etjen për arsim,
e bashk’ me to të ndritshmin nder, të tyren lumturinë.
Me ç’zell atdheu, përkushtim,
prej Heladës mëmë pret ndriçim?
Për ju e ngritëm shkollën, edhe urojm’ që fronë
të stisë Muza po këtu, për sot e gjithë monë.]

Epigramet e mësipërm të Mitkos tregojnë se ai, më 1843, i konsideron bashkëqytetarët e vet degë e farë helenësh. Është më se e sigurt po ashtu se, duke ndjekur edhe terminologjinë e kohës, kur flet për helenë dhe Heladë, ai ka në mend grekët dhe Greqinë e lashtë, prej të cilëve rrjedhin si shqiptarët ashtu edhe grekët helenë. Përndryshe ç’kuptim do të kishin fjalët “farë helenësh jeni” dhe “stërgjyshërit helenë”. Të mbahet parasysh se, në ato kohë, teoria e afinitetit të shqipes/shqiptarëve me greqishten/grekët dhe e filiacionit pellazgjik të tyre kanë qenë mjaft të përhapura e madje ecin krah për krah dhe gjejnë jehonë në qasjet e savantëve shqiptarë apo arbëreshë-arvanitas.

Qysh më 1861, Dhimitër Kamarda, nga faqet e gazetës greke «Η Ελπίς» [Shpresa] (21 mars), pasi fliste së pari për “atdheun e përbashkët të stërlavdishëm të këtyre dy popujve [shqiptarëve dhe grekëve], dm.th. të mbarë Heladës”, i prezantohej lexuesit si më poshtë:

“… jam prej ngulimeve epirote të Siçilisë e të Italisë së jugut, themeluar para pothuajse katër shekujsh nga trimat e lavdishëm të të madhit Gjergj Kastrioti e të aleatëve të tij bashkëkohës; nga të fundmit ushtarë që asokohe, në emër të besës e të lirisë, luftuan kundër barbarëve, dhe të cilët u vendosën e vazhdojnë të jenë deri më sot aty, duke përbërë një popullsi prej më se tetëdhjetë mijë frymësh, që, falë providencës hyjnore, ruajnë mrekullisht besimin, gjuhën, zakonet dhe mallin për Heladën.”

Kjo frymë haset edhe në shkrimet e savantit arvanit Tasos Nerucos, i cili vërente më 1860 se:

“Origjina dhe besimi i njëjtë, dhe jo etimologjitë fluturake, do të ishin çështje me më shumë vlerë për të sjellë bashkimin e dëshiruar mes dy degëve të racës Helene, Grekëve dhe Shqiptarëve, sikurse qëmoti mes Akejve dhe fiseve Dorike.”[30]

Νë vitin 1861, botohet në Athinë një libër me titull «Ιστορία Γεωργίου Καστριώτου του επιλεγομένου Σκεντέρμπεη. Επεξεργασθείσα κατά Παγανέλ υπό Ν. Δραγούμη / Histori e Gjergj Kastriotit të mbiquajtur Skënderbe. Përpunuar sipas Paganelit nga N. Dragoumi». Përgatitësi i botimit greqisht shkruan ndër të tjera se

Μegjithëqë shqiptarët njihen si racë më vete, pranohet ndërkaq se ata kanë lidhje shumë të ngushta farefisnore me grekët. Dhe është më se e qartë që grekët dhe shqiptarët kanë për të qenë dikur një popull i vetëm.” (f. 13).

Shprehjen “degë elinëve” e gjejmë edhe në parathënien e një gramatike të greqishtes që Jani Vretoja e përkthen shqip më 1866[31], ngaqë beson asokohe se

“Që të psonemi neve dhe djemtë tanë, gjuha jonë s’ishtë gjuh’ e diturisë, as qitapë nukë ka. (f. 10) dhe i nxit bashkatdhetarët të mësojnë greqishten, sepse … ndë atë ishtë rrënj’ e diturisë, dhe e kollajshime për ne më të folë, dhe më të psuarë. […] (Q)uhemi degë Elinëve, edhe ndë ishtë soj ynë tjatrë, edhe ndë gjuhët tënë flasmë, ndë gjuhët të atyre shkruajmë, dhe psonemi diturinë.” 

Dy dekada më pas, edhe pse mbetet ithtar i gjuhës dhe i kulturës helene, Vretoja bëhet strumbullar i përpjekjeve për botimin e librave shqip në shtypëtoren e kolonisë shqiptare të Bukureshtit dhe shndërrohet në një “Gutenberg” të letrave shqip të fundit të shekullit të 19-të. Siç shkruan një studiues i njohur i kësaj problematike,

“Rritja e nacionalizmit grek, që tërhoqi rreth vetes shumë folës të gjuhëve të tjera, solli përfundimisht lindjen e nacionalizmave rivalë në Ballkan, të cilët u shfaqën njëheri si rezultat i ndikimit të nacionalizmit grek por edhe si reagim ndaj tij. Nga njëri dhjetëvjeçar në tjetrin të shek. XIX, po bëhej gjithnjë e më e qartë se shumë të krishterë ortodoksë në Ballkan nuk e ndienin veten për grekë. […]. Intelektualët zunë të ‘zbulojnë’ se ata vërtet nuk qenë aspak grekë […] dhe me një zell thuajse fetar filluan ta përhapnin këtë ‘zbulim’ të ri në radhët e gjera të atyre që i konsideronin popull të vetin.”[32].

Pohimi i mësipërm vërtetohet, veç të tjerash, edhe nga “përplasja” thuajse e njëkohshme e dy opinioneve, të shprehura në fund të viteve 1870 nga Th. Mitkoja dhe savanti e gazetari grek Th. Paskidis, i cili përpiqej për bashkëpunimin e grekëve me fqinjët ballkanikë.

Mitkoja, adhurues i gjuhës dhe i kulturës helene, ithtar i teorisë pellazgjike, nuk duket të ndodhet në asnjë lloj dileme dhe qëndrimi i tij në Prologun e “Bletës” është i llagartë:

“Kërkimi i cave të mbytin gjuhën shqipe edhe me përdorimin e shtrënguar të greqishtes t’a thëthinë fjesht rasën shqiptare ose t’a shuajnë edhe t’a bëjnë sikur ska qënë, është një gabim i tmerruar, shpikje e një mendje të shkurtër, politik’ e kalbur edhe i çdo “idhee të madhe” mosmeritonjës.”[33].

Një vit më pas, Paskidis, me një logjikë tjetër, shkruan sa më poshtë, me sfond përsëri teorinë pellazgjike:

“Shkenca etnologjike ka treguar prej shumë kohësh se Shqiptarët, ashtu si edhe Grekët janë të racës Pellazgjike, ndërsa Shqipja është bija e parë e Pellazgjishtes së lashtë dhe se lidhja e saj me motrën e vet më të re Greqishten i ngjan le të themi raportit të dialektit Eolik me atë Atik apo lidhjeve të Italishtes me Frëngjishten më të re në moshë.

Krijimi i një gjuhe Shqipe të shkruar do të çonte në humbjen e lezetit arkaik të saj, ndërsa plejada e të mençurve të Europës nuk do t’i shihte kurrë me sy të mirë ato shkronja të përçudnuara, shkaktare të çarash të thella në bllokun gjuhësor homerik prej graniti, themel i të cilit konsiderohet Shqipja.”[34]

Fjalët e mësipërme pasqyrojnë ndoshta edhe shqetësimin që kish krijuar në qarqe të caktuara themelimi më 1879 i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” në Kostandinopojë. Në të njëjtën periudhë, aspak rastësisht, pati qarkulluar edhe Qarkorja e mitropolitit të Gjirokastrës, i cili anatemonte gjith’ ata që përpiqeshin për selitjen e shqipes.

Ndërkaq, “blloku gjuhësor homerik prej graniti, themel i të cilit konsiderohej Shqipja”, do të pësonte çarjen e parë të thellë qysh më 1880, me vjershën “Shqipëria” të Naim Frashërit, që i përmbyste raportet e simotrave pellazgjike:

 “Gjuh’ që flisnin Perënditë, / Atë flisnin pellasgjitë;/ Atë kanë shqipëtarët,/ Siç e kishin dhe të parët./ Greqishten ajo e polli,/ Llatinishtja andej dolli./ Bijtë tanë jan’ elinët,/ Sindëkur edhe llatinët.”[35]

Brenda suazës kundërthënëse që u përvijua më lart do të shtjelloheshin ngjarjet e dekadave që pasuan dhe idealizmi i fillimit do t’ia linte vendin ca e nga ca realizmit politik, derisa të kalohej prej “Ankimeve shqiptare”[36] tek “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”[37]. Patën ndërmjetësuar plot katër dekada, me pikënisje Qarkoren e Naumit (1846) dhe pikëmbërritje “Keni ju gjuhën tuaj, dhe ne tonën kemi” të Naimit (1886), jehona e të cilave vazhdon edhe më pas, dhe të cilat nuk mund t’i interpretojmë e t’i kuptojmë vetëm me sytë e së sotmes![38]

Edhe pas së ashtuquajturës prishje të “vëllazërisë” pellazgjike së grekëve me shqiptarët, shumë syresh, nga të dy palët, mbase për inerci historike, por ndoshta edhe për hir dëshirash burimore, vazhdonin të besonin se ekzistonin kushte dhe duhej punuar për sigurimin e një lloji “vëllamërie” mes tyre, e cila, përsëri, do të lëshonte filiza mbi trungun pellazgjik.

Fjala vjen, prej mbi njëmijë etimologjive të Fjalorit të Kristoforidhit, botuar në 1904, por hartuar në vitet 1880 e më pas, pak prej tyre u kanë rezistuar kohës dhe kritereve të rrepta të shkencës së etimologjisë. Ky “përkushtim” etimologjik i Kristoforidhit nuk duket edhe aq i rastit po të mbajmë parasysh bindjen e tij se «η Σκιπεκή ή Σκιπεταρική γλώσσα ουδέν άλλο εστίν, ή τα λείψανα της Αρχαίας Πελασγικής / Shqipja apo gjuha Shqiptare nuk është gjë tjetër veçse reliket e Pellazgjishtes së lashtë»[39], e cila gjen shprehje në të dhënat e larmishme etimologjike, pragmatologjike dhe etnografike që na jep ai vetë në shumë zëra të Fjalorit[40]. Prandaj edhe, shpesh, kur shfleton Fjalorin e Kristoforidhit ke përshtypjen se nuk lexon një fjalor shpjegues por një fjalor enciklopedik «της αλβανικής γλώσσης». Është pra e kuptueshme, përse qir-Kostandini vëren që «οι ιμάντες των σανδαλίων των Αλβανών ομοιότατοι [εισί] προς τους επί των αρχαίων αγαλμάτων / drethcat’ e opingavet të Shqipëtarëvet u ngjajnë shumë atyreve të statujavet të vjetëra» (shih fj. drethca –të) dhe të vërejë se kemi një «αρχαιότατον ελληνικόν έθιμον / zakon të stërlashtë grek», kur «επί τη εμφανίσει των χελιδόνων οι παίδες εν Αλβανία εξάγουσιν εκ του τραχήλου και των χειρών κλωστήν ερυθρόλευκον ην περιβάλλονται από της πρώτης Μαρτίου, και κρεμώσιν αυτήν εις δένδρον… / sapo duken dallëndyshet, fëmijt’ e vegjël në Shqipëri nxjerrin nga qafa dhe nga duart fijen e bardhë dhe të kuqe, që e kanë varë që në ditën e parë të marsit, dhe e varin në një dru…» (fj. dellandyshe –ja). Po ashtu, tek folja plak – mblak ai shënon se “Το μεν εθνικόν όνομα των Αλβανών ήτο Plak, [Πελασγ-ός, Πελαγ-ός, Πλαγ-ός], το δε θρησκευτικόν Shqipëtar [shqipe –ja = αετός], ως οπαδοί του αετού του συμβόλου του Διός / Emëri kombëtar i Shqiptarëvet ishte Plak (krhs. Πελασγ-ός, Πελαγ-ός, Πλαγ-ός), emëri fetar ishte Shqiptar (shqipe –ja = αετός), si t’ishin ithëtarët’ e shqipes, simbolit të Zeusit”.

Në të njëjtën hulli ndodhet edhe savanti korçar Ilia Desareti, i cili, nga mesi i viteve 1890, shkruan se

“Në gjithë luginën e Korçës, të banuar prej më se 40.000 banorësh, flitet gjuha e stërlashtë shqipe (e trungut iliropellazgjik), e familjes indoeuropiane të gjuhëve, sikurse në shumë vise të Epirit, ku edhe sipas Strabonit “gjindja e Epirotëve [ka qenë] përherë dygjuhëshe”; kjo gjuhë ka lidhje farefisnie mjaft të ngushtë me dialektin eolodorik, ngaqë Ilirët patën qenë rrënjës dhe jo ardhës, dhe asnjë historian nuk thotë të kundërtën, por të gjithë autorët, të lashtë, bizantinë dhe më të rinj, ndajnë të njëjtin mendim, përderisa edhe Homeri e nis Iliadën me fjalën e parë eolike “μῆνιν”, e cila është ruajtur po ajo në shqipen, me të njëjtin kuptim të zemërimit të pacak (mëní – mërí).[41].

Duke ndjekur rendin kronologjik, vërejmë se më 1897, vjersha “Shqipëria” e Naimit, që u zu ngoje më lart, do të botohej në revistën “Albania”[42], çka do të thotë se “çarja e granitit pellazgjik” do t’i përcillej fazës së mëvonë të lëvizjes kombëtare të shqiptarëve, në agimet e shekullit XX. Në ballinën e revistës, nuk dimë a është vënë re, F. Konica ka shkruar disa vargje të poetit Asius prej ishullit Samos:

Ἀντίθεον δὲ Πελασγὸν ἐν ὑψικόμοισιν ὄρεσσι Γαῖα μέλαιν’ ἀνέδωκεν, ἴνα θνητῶν γένος εἴῃ.

Malesh me lisa gjatoshë, dheu murrash jet’ i dha si-hyjnorit Pellazg, që të mbij’ e vdek’tarëve far’.

Edhe Sami Frashëri, që na ka lënë një sërë paretimologjish, duket se i njihte në vija të përgjithshme idetë rreth lidhjeve të afrisë dhe zhvillimit të gjuhëve indoeuropiane.

Shqipja, thotë, është shoqe me greqishten e vjetër, me llatinishtenë, me …sanskritishtenë, gjuhën e Indis’ së vjetërë, me sendishten, gjuhën e Persisë së vjëtërë, me qeltishtenë, me tevtonishtenë, etj.”. Sa i përket evolucionit të tyre: “Gjuhëratë, që kanë qenë shoqet e motërat e shqipesë, kanë mijëra vjet që kanë humburë e s’flitenë në nonjë vënt të dheut; po në vendit t’atyre përdoren mbesat e stërmbesat e tyre.”[43]

Por, shton Samiu, “… Shqipja është një gjuhë fort e vjetërë, e mbeturë që nga kohërat e qëmoçime e të përallta e e ruajturë sindëkur qe, pa prishur e pa ndryshuarë[44], kurse lënda gjuhësore që gjejmë në gjuhë të tjera (emra hyjnish, toponime, etj.) dhe një numër fjalësh të tyre“dukenë që janë fjalë fjeshtë shqip edhe na tregojnë që pelasgëtë kanë folurë kaqë mijë vjet më parë këtë gjuhë që flasimë na sot, pothua pa ndryshime a me aqë pakë ndryshim, sa të muntte të delte sot një pelasg, do të muntimë të flasimë me të si fletë një gegë me një toskë”!!![45] (nënvizimet tonat, Dh.Q.Q.).

Viti 1899, kur shpallen këto mendime të Samiut, është edhe viti që, në kapërcyell të të dy shekujve XIX dhe XX, teoria pellazgjike merr ndoshta një impuls të ri me Proklamatën e Lidhjes Arvanitase të Athinës drejtuar Vëllezërve Shqiptarë të Shqipërisë (shih ballinën).

Me anë të saj, pasardhësit e familjeve të shquara suliote, Shehu, Boçari, Xhavella, bëjnë thirrjen “Ejani të bëhemi një Mbretëri Grekoshqiptare, dhe duhet të bëhemi, sepse kemi një gjak, një Atdhe dhe një Zot!”, sepse “Greku, para se të bëhej Grek, pat qenë Shqiptar, domethënë Pellazg. Grek do të thotë shqiptar i selitur. Gjuha jonë, shqipja, është më e moçme se greqishtja e lashtë, që e quajnë gjuhë homerike. Gjuhëtarët e mençur të Europës e konsiderojnë greqishten përsosje të shqipes.”[46]

Samiu është e njohur se shkroi edhe për nevojën e krijimit të gjithëmësimes, pra të universitetit, në Shqipërinë që vinte e që erdhi, dhe e cila, sot, për fat të mirë, ka jo një, por shumë gjithëmësime, por ka edhe shumë “pellazgologë” të gjysmëmësuar, dhe ky është një paradoks që duhet përballuar nga shkenca dhe shoqëria shqiptare.

© 2023 Dhori Qirjazi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim i autorit: Botuar së pari në vëllimin “Gjendja Aktuale e Studimeve për Arbëreshët – Aktet e Kuvendit I të Studimeve Arbëreshe [27-28 shtator 2021]”, QSPA, Tiranë 2022, f. 69-87. Falënderoj Peizazhe të Fjalës për ribotimin e këtij shkrimi, i cili, edhe pse shqyrton joshterueshëm lindjen dhe rrugëtimin e teorisë pellazgjike deri në fund të shek. XIX, jep dorë për të kuptuar shkaqet e rimarrjes apo “lulëzimit/vegjetimit” të saj në kohë të mëvona e deri sot, sidomos ndër shqiptarë.


 

[1] “… mbiemri ynë vjen nga vendi i Molosëve … dhe na kanë quajtur gjithnjë Molosaku, që i shtrembëruar është bërë Muzaka”. Tekti italisht dhe përkthimi shqip i Kronikës, sipas P. Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, Berati dhe Vlora shekujt XII – XV, Tiranë 2009, f. 364 – 456. Pjesa e cituar ndodhet në f. 423.
[2] Μ. Mandalà, Alle origini del mito pelasgico: Girolamo De Rada e Giovanni Emanuele Bidera, studim hyrës në: Girolamo De Rada, Opera Omnia XI. Opere filologiche e storico-culturali. Fjamuri i Arbërit (1883-1887), Comune di San Demetrio Corone, 2009.
[3] F. Scalora, Sicilia e Grecia. La presenza della Grecia moderna nella cultura siciliana del XIX secolo, Istituto Siciliano di Studi Bizantini e Neoellenici “B. Lavagnini”, Palermo 2018 (Quaderni 19). Shih sidomos kreun IV: La cultura albanologica (XVIII-XIX secolo) e il Seminario Greco-Albanese di Palermo.
[4] Shih edhe Thimi Mitko, Bleta Shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente. Përkujdesja dhe studimi hyrës i botimit, Dh. Q. Qirjazi. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2020, vëll. B, f. 31-51.
[5] Shih Th. Mitko, ibidem.
[6] “Nji broshurë e vogël mbi gjuhën shqipe, botue në [gazetën] Amaltea të Izmirit më 12 prill 1846, prej pjesores së toskënishtes nxjerr emrin “Athiná”, e cila si logos “e thëna” ka dalë nga kryet e Zeusit, mbasi hangër Metisin.” J. G. von Hahn, Studime Shqiptare, IDK, Tiranë [pa vit botimi], 342.
[7] P. Pepo, S. Maslev,1961. “Fletë nga historia e marrëdhënieve miqësore bullgare-shqiptare gjatë shek. XIX”. Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore 2, 196-217.
[8] Dh. S. Shuteriqi, Gjurmime letrare, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1974, 243.
[9] Shih f. 180-191 të vëllimit II të veprës Ιστορία Γεωργίου Καστριώτου του μετωνομασθέντος Σκεντέρμπεη Ηγεμόνος της Αλβανίας. Μεταφρασθείσα εκ του Ιταλικού. Με πολλάς σημειώσεις. Προσετέθη δε και η έκθεσις των συμβάντων μετά τον θάνατον του Σκεντέρμπεη και των εν τω Βασιλείω των δύο Σικελιών Αλβανικών Αποικειών. Εκδοθείσα δαπάνη Α. Γκαρπολά. [Athinë] 1848.
[10] Përkthimi i Kamardës mbante titullin Fyletia e Arbënore prej Kanëkatë Laoshima dhe u botua në Livorno më 1867.
[11] Ε. Σκοπετέα, Το «πρότυπο βασίλειο» και η Μεγάλη Ιδέα. Όψεις του εθνικού προβλήματος στην Ελλάδα (1830 – 1880). [“Mbretëria model” dhe Megali Idhea. Aspekte të problemit etnik në Greqi (1830 – 1880)], Athinë, 1988,187-189.
[12] «Δύο φυλαί κατοικούσι την Ελλάδα, η ελληνική και η αλβανική. Αλλ’ η αλβανική φυλή, αποτελεί άραγε έθνος ίδιον; Έχει ίδια αισθήματα, ίδια συμφέροντα, πολέμια ή απλώς διάφορα της ελληνικής; Άλλωστε είχε, μάλισταˑ σήμερον όμως όχι (…). Τούτο ονομάζω συγχώνευσιν της αλβανικής φυλής εντός της ελληνικής, τούτο υπερίσχυσιν του ελληνικού πνεύματος, άμα δε ενίσχυσιν του ελληνικού έθνους διά των υλικών δυνάjμεων όσας η φυλή εκείνη εισεκόμισε μεθ’ εαυτής.» Cituar sipas Ε. Σκοπετέα. Το «πρότυπο βασίλειο»… 188.
[13] “…son insignifiance historique comme nationalité distincte, et l’importance du role qu’ elle a souvent joué sous l’impulsion d’autres nationalités; l’étonnante diversité des caractères qu’ elle revèt, suivant la qualité des influences qu’ elle subit; enfin l’imperfection de son idiome, qui est plutôt un ramassis informe et confus de termes étrangers, qu’ une langue susceptible de dévelopement et d’ amélioration. Ainsi, manque absolu d’union nationale, absence de sentiment national, défaut de dialecte national tant soit peu digne de ce nom, il n’y a certes là rien qui puissse pretender serieusement à l’indépendance.” C. Paparigopoulos, “Les Albanais”, Le Spectateur de l’Orient, livr. 37, 23.2. (7.3.) 1855, 13.
[14] “Ses habitans [de l’Epire], dont un sixième au plus professe le Mahométisme, issus de trois races différentes, la race grecque, la race albanaise, et la race vlaque ou zinzare, appartiennent incontestablement tous, par leur civilization et par leurs moeurs, à la grande nationalité greqcque.” C. Paparigopoulos, “De l’Epire”, Le Spectateur de l’Orient, livr. 4, 10 (22). 10. 1853, 125.
[15] Π. Αραβαντινός, Χρονογραφία της Ηπείρου…, vëll. II, Athinë 1856, 11.
[16] Π. Αραβαντινός, Περιγραφή της Ηπείρου, vëll. III, Janinë 1984 [1866], 358.
[17] Π. Αραβαντινός, ibidem 359.
[18] Π. Αραβαντινός, ibidem 365.
[19] Α. Παλλη, Μελέται επί της αρχαίας χωρογραφίας και ιστορίας της Ηπείρου, “Πανδώρα”, τόμος Θ΄, φυλλάδιον 200, 15.07.1858, 179-185.
[20] Shënime mbi Shqipërinë. Gjuha dhe përkthimi i Shkrimeve të Shenjta. Maltë, mars 1860. Sipas Xh. Lloshi, Kristoforidhi përmes dokumentimit, Tiranë, 2005, 223.
[21] Nuk disponojmë të dhëna të tjera lidhur me të, por është për t’u shënuar fakti se në pjesën II të veprës së P. Pepos, “Materiale dokumentare për Shqipërinë juglindore të shekullit XVIII – fillimi i shekullit XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit)”, Tiranë, 1981, e pikërisht në treguesin e emrave, përmendet Anastas Armodhi, “me origjinë nga krahina e Oparit, i vendosur në Korçë, [që] ka qenë i njohur me emrin Dhaskal Oparaku. Ky arsimtar, mik i Peti e Thimi Mitkos, ka bashkëpunuar me ta për ngritjen e një shkolle më 1843, në Korçë. Duke qenë i përzier në punët e Varoshit, u zgjodh dhimojerond dhe si i tillë, në mbledhjet e përgjithshme të burrave të komunitetit ortodoks të Korçës, fjalimet i mbante në gjuhën amtare”. Nuk ka dyshim se bëhet fjalë për të njëjtin person dhe kësisoj emri Anastas është një lapsus calami. Gjithsesi, në dokumentet e Kodikut të lartpërmendur, brenda harkut kohor 1860-1870, shfaqet herë pas here një A. P. Armodhios, emri i të cilit nuk del i plotë në asnjë rast. Interesante është se, së paku në dy dokumente (nr. 114, i v. 1862, nr. 125, i v. 1864), gjenden pranë e pranë emrat e Thimi Mitkos dhe të A. P. Armodhit.
[22] Shih më hollësisht, Dh.Q. Qirjazi, “Tri dokumente për shqipen dhe shqiptarët, të viteve 1850”, në B. Demiraj, M. Mandalà, Sh. Sinani (ed.) Studime në nderim të prof. Francesco Altimarit me rastin e 60-vjetorit të lindjes, Tiranë, 2015, 560-562.
[23] Kristoforidhi bën fjalë për kohën kur është bashkëpunëtor i Hahn-it në Janinë, pra letra duhet të jetë shkruar para v. 1850, kur Hahn-i lë Janinën për t’u vendosur në ishullin Siros.
[24] Dh.Q. Qirjazi, “Tri dokumente…”, 568.
[25] Ndryshimet në qasjen e “rrënjëve” pellazgjike të shqipes vijnë, siç e thamë, nga pikënisja e autorëve dhe nga pikat e referimit që ata zgjedhin. Fjala vjen, Hahn-i nuk duket të jetë ndikuar nga Trajtesa e Pace-s, pas gjasash as edhe nga gjurmimet pellazgjike të savantëve arbëreshë, sikurse duket qartë nga leximi i kujdesshëm i veprës së tij, “Studime Shqiptare”. Ai, përkundrazi, sa i përket tezës për origjinën ilire të shqipes e të shqiptarëve, ka gjasa të jetë ndikuar prej veprës “Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker” të Thunmann-it (Leipzig, 1774), sepse emri i këtij haset shpesh në citimet e “Albanesische Studien” të Hahn-it. Mbetet për t’u sqaruar nëse “krahu” pellazgjik i qasjeve të Hahn-it ka lidhje me të tjerë autorë apo është kryekrejet pjesë e kontributit të tij albanologjik.

Duhet shtuar këtu se edhe K. Reinhold-i, në hyrjen e shkurtër latinisht të librit “Noctes Pelasgicae vel Symbolae ad cognoscendas Dialectos Graeciae Pelasgicas” (Athenis, 1855), në ballinën e të cilit gjejmë shprehjen homerike «δῖοι Πελασγοί» (Pellazgët hyjnorë), rrëfen ndriçimin e tij pellazgjik prej Hahn-it: Terrestres vero litterarum Pelasgicarum amatores opus clarissimi Dr. J. G. de Hahn legisse et possidere suppono; sin minus, “abeant a Noctibus his procul atque alia sibi oblectamenta quaerant.” Sunt enim Symbolae hac quasi ostrea ad sumptuosam illam cenam Hahnianam apposita, cum illa blando maris sapore grata, sine illa infesta stomacho et δύσπεπτα. § Pro scribenda lingua Albanica, Graecae pariter ac Latinae consanguinea, litteris uti malui Latinis, ut molestam illam spirituum accentuumque farraginem evitem; explicanda vero censui Pelasgica Graeco sermone, ut intima ingenii Graeci atque Albanici affinitas ipsa vocabulorum locutionumque juxtapositione agnosci queat. [Supozoj se gjithkush mbi dhé, që është i dhënë pas shkrimeve për Pellazgët, do të ketë lexuar dhe mban në duar veprën e të shquarit Dr. J. G. von Hahn; megjithatë “do të udhëtojë larg me këto Netë [pellazgjike] dhe të tjera kënaqësi ka për të provuar”. Këto Kontribute [të miat] ngjajnë me një lloj guaskash, të shijshme e flladitëse me aromë deti, që i shtron dikush në tryezën mbushur citë të [veprës së] Hahn-it; pa këtë tryezë janë paksa të rënda për stomakun dhe nuk honepsen lehtë. § Në vend që të shkruaja [hyrjen time] në gjuhën shqipe, që është farefis me greqishten dhe nga i njëjti damar me latinishten, i dhashë dum të përdor latinishten, për t’i bishtnuar mishmashit kotnasikoti të thekseve e shenjave të tjera; mendova ndërkaq se në punë të pellazgjishtes [për të ftilluar fjalët dhe shprehjet shqip] duhej të përdorja greqishten, që të dalë në shesh lidhja e ngushtë e saj me shqipen, lidhje që duket paq në fjalë e në shprehje.] Le të shtojmë më në fund se titulli Noctes Pelasgicae i veprës së Reinhold-it u zgjodh prej tij sipas veprës Noctes Atticae të shkrimtarit latin Aulus Gellius (125-180 pas K.), një fragment të të cilit autori e riprodhon në mbyllje të parathënies latinisht, shkruar më 13 gusht 1855.Te Reinhold-i shohim se si, për herë të parë, në hyrjen latinisht të Noctes mbiemri Pelasgicus ka kuptimin Albanicus: Amabili Pelasgorum, erga me comitate motus suavi eorum linguae animum adverti tantumque divitiarum ejus desiderium concepi, ut, quod mihi esset a rebus medicis otium, eleganti sociorum idiomati ediscendo impenderem jamque ipsum Albanici sermonis sonum delicias habeam. [I prekur nga mirësia fisnike që treguan ndaj meje miqtë e mi Pellazgë të flotës mbretërore [=Arvanitët], e ktheva vëmendjen kah gjuha e tyre e ëmbël dhe aq shumë m’u ngjall dëshira për ta bërë timen pasurinë e saj, saqë kohën që më mbetej nga puna e mjekut ia kushtova të mësuarit të një të folmeje aq të këndshme sa ajo e Arvanitëve.]

Stafetën prej Hahn-it dhe Reinhold-it do ta marrë më pas Dh. Kamarda, i cili e përmend shpesh Hahn-in (edhe Reinhold-in) në veprën e vet “Saggio di Grammatologia Comparata sulla Lingua Albanese” (Livorno, 1864), ku përqafon tezën për lidhjet e ngushta të shqipes me greqishten dhe latinishten, çiftin e gjuhëve pellazgjike, siç i quante formuluesi i saj, A. Shlajheri, e madje për afrinë më të madhe të shqipes me greqishten (S. Mansaku, Probleme të historisë së gjuhës shqipe në dritën e marrëdhënieve të saj me greqishten, në Përmbledhjen e materialeve të Seminarit XVIII për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, Tiranë, 1996, 110-111).

Kamarda na njofton gjithashtu (Saggio… 25) se teza pellazgjike, para Hahn-it dhe Reinhold-it, qe mbështetur nga P. Kupitori, student i Universitetit Otonian të Athinës në fillim të viteve 1850, i cili, nga ana e vet, ka gjasë ta ketë hasur së pari në trajtesën e T. Pace-s, të vitit 1846. Eruditi arbëresh e kishte marrë të dhënën për Kupitorin nga shkrimi “Pelasgisch – Albanisch – Griechisch” i Theod. Kind-it, botuar më 1863 në revistën e njohur “Zeitschrift für vergleichende Sprachforschung auf dem Gebiete des Deutschen, Griechischen und Lateinischen”, 12. Bd., 3. H., pp. 207-211 (https://www.jstor.org/stable/40844821). Kupitori do ta shtjellojë më tej këtë teori në “Trajtesë për gjuhën dhe kombin e shqiptarëve”, botuar për herë të parë më 1867 dhe ribotuar me plotësime më 1879.

[26] Γραμματική Ελληνολατινίς εκ διαφόρων συλλεχθείσα, / παρά Γεωργίου, του Δημητρίου του Προσκ. Κυρ. Ευπατρίδους του εξ Αργυροκάστρου της Ευρωπαίας Αλβανίας, παρ’ ου ιδίοις παρατηρήσεσι, και σημειώσεσιν, Επιστολαίς, Αποφθέγμασι, Ελληνο-λατινικοίς, Ενδόξων τινων Ανδρών βίοις, και Επιστημών Ορισμοίς πλουτισθείσα. Νυν πρώτον οικείοις αυτού αναλώμασιν εκδοθείσα, και σεβασμίως προσφωνηθείσα τω γαληνοτάτω, και εκλαμπροτάτω ηγεμόνι πάσης Μολδοβλαχίας, κυρίω κυρίω Αλεξάνδρω Ιωάννου τω Μαυροκορδάτω. Εν Βιέννη της Αουστρίας: παρά Ιωσήπω του Βαουμαϋστέρου, 1785. [Gramatikë Grekolatine e kompiluar me lëndë të autorëve të ndryshëm, hartuar nga Jeorjios Dhimitriu, fisnik nga Gjirokastra e Shqipërisë Europiane, me vërejtje të tijat, dhe e pasuruar me shënime, letra, thënie greko-latine, jetë burrash të shquar dhe përkufizime të shkencave. Botuar së pari tani me shpenzime të vetat, dhe drejtuar me respekt princit fort të paqëm dhe të shkëlqyer të mbarë Moldovllahisë, zotit Aleksandros Joanis Mavrokordhatos. Në Vjenë të Austrisë, Shtypshkronja Baumayster, 1785, 14-15, shën. 6.
[27] Π. Αραβαντινός, Περιγραφή της Ηπείρου, vëll. III, Janinë, 1984, 368.
[28] Dh. Q. Qirjazi, Vepra në gjuhën greke për Shqipërinë dhe shqiptarët, shkruar prej grekësh dhe shqiptarësh. Vështrim i përgjithshëm, në F. Dado et al. (ed.) Letrat shqipe dhe gjuhët e tjera të letërsisë shqiptare. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2016, 198-253.
[29] Th. Mitko, Bleta Shqiptare, shkrime tjera dhe dokumente. Përkujdesja dhe studimi hyrës i botimit, Dh. Q. Qirjazi. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2020.
[30] Letër e Nerucos-it për Mitkon, 03.05.1860, botuar në gazetën «Η Ελπίς» më 21.06.1860. Të njëjtat ide shohim të përsëriten edhe në letrën tjetër të 3 prillit 1860:“Njëri prej klerikëve më autoritarë Shqiptarë më pat thënë shumë herë se, «nëse Grekët Helenë e përndjekin alfabetizimin e gjuhës së Shqiptarëve Helenë, dhe në vend që të inkurajojnë shkronjat Shqipe, kërkojnë t’iu vënë bërrylin dhe t’i lënë në harresë, si të mos kenë pasë qenë kurrë, atëhere gënjejnë veten, dhe do të sjellin përplasje e përçarje në vend të unitetit të dëshiruar, sikurse bënë edhe në Bullgari.»” («Η Ελπίς», 21.06.1860).
[31] [Γ. Βρέτος]. Γραμματική της ομιλουμένης ελληνικής γλώσσης εις την αλβανικήν, εν Κωνσταντινουπόλει, 1866.
[32] “… the rise of Greek nationalism, which carried along with it many speakers of other languages, eventually led to rival nationalisms in the Balkans, which emerged both under the influence of Greek nationalism and in reaction against it. As the nineteenth century progressed, it became increasingly obvious that many Orthodox Christians in the Balkans did not feel themselves to be Greek. […]. Intellectuals began to ‘discover’ that they were not really Greeks at all […] and they began to spread this new ‘discovery’ with quasi-religious zeal among large masses of those they considered to be their people.” P. Mackridge, Language and national identity in Greece, 1766-1976, Oxford, 2009, 188.
[33] Nga Prologu i “Bletës” së Aleksandrisë, sipas përkthimit të Dr. J. Bashos, në botimin e “Bletës Shqiptare” nga Gj. Pekmezi, Vjenë, 1924.
[34] Θ. Πασχίδης, Οι Αλβανοί και το μέλλον αυτών εν τωι Ελληνισμώι [Shqiptarët dhe e ardhmja e tyre në Helenizëm], Athinë, 1879, 21. Ky autor i vitit 1879, i cili në përkthimin shqip të tekstit që përfshihet në libër mban emrin Thoma Pasko, nuk duhet ngatërruar me Thoma Paçen, hartuesin e trajtesës për origjinën pellazgjike të greqishtes e të shqipes, botuar në gazetën “Athina”, më 24.3.1846. Shih Dh. S. Shuteriqi, Një rilindës e botues i parë i folklorit arbëresh në shek. XIX, Thoma Paçe, në Dh. S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, Tiranë, 1987, 174, shën. 1.
[35] N. Frashëri, Vepra letrare, Tiranë, 1995, vëll. I, 131.
[36] Ε. Στ. Πράντη, Αλβανικά Παράπονα, εν Αθήναις, 1880.
[37] Ν. Φράσσαρης, Ο αληθής πόθος των Σκυπετάρων, Βουκουρέστι, 1886.
[38]As a rule, traditional historiography of the national revival period in the Balkans accepts in theory the predominance of religion over ethnicity as a source of values in the pre-national(ist) era. In practice it continues to deal with the past from an ethnocentric point of view, focusing on ethnic communities gradually developing into national ones. However, projecting the nation into the past and referring to that projection in order to explain the emergence of the nation is a deceptive approach. The root of the issue is to elucidate how the shift in loyalty from a religious to a national community, from a religious to a national(ist) value system, from God to the nation actually occured.” R. Detrez, Pre-national identities in the Balkans, në: R. Daskalov & Tch. Marinov (ed.) Entangled Histories of the Balkans. Vol. One: National Ideologies and Language Policies, Leiden – Boston, 2013, 64-65.
[39] K. Χριστοφορίδης, Γραμματική της Αλβανικής Γλώσσης κατά την τοσκικήν διάλεκτον, Κωνσταντινούπολη, 1872.
[40] K. Χριστοφορίδης, Λεξικόν της Αλβανικής Γλώσσης, Αθήνα, 1904.
[41] Η. Δασσαρήτου, Περί της Κοριτσάς, «Δελτίον ‘Ιστορικής καί Έθνολογικής Εταιρείας» 5 (1896 – 1900) 123-158.
[42] “Albania”, vit i par, numër III, 25 të Mait.
[43] S. Frashëri, Shqipërija ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë, Bukuresht 1899, në Sami Frashëri, Vepra (I+II), Tiranë, 1988, 31.
[44] S. Frashëri, ibidem 32.
[45] S. Frashëri, ibidem 31-32.
[46] A.Κόλλια (ed.) Η προκήρυξη του Αρβανίτικου Συνδέσμου, Αθήνα 1996, f. 70 dhe 66 përkatësisht.

Rreth Autorit

Dhori Q. Qirjazi (Δώρης Κ. Κυριαζής) u lind në Delvinë dhe vitet e fëmijërisë e të rinisë i kaloi në Sarandë. Pas përfundimit të studimeve për filologji greke dhe gjuhësi në Universitetin Aristotelian të Selanikut (1986), punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë (1987-1991) dhe më pas u vendos në Selanik, ku doktoroi me temë “Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe” (2001) dhe punoi si ndihmës dhe hartues i Fjalorit shumëvëllimësh të Greqishtes Popullore Mesjetare, nën drejtimin e prof. Emanuil Kriaras (1992-1999). Ka qenë lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin e Studimeve Ballkanologjike të Selanikut (1991-1999) dhe prej vitit 2000 në Universitetin ku punon edhe sot. Më 2006 filloi punën si lektor e më pas si assoc. prof. i gjuhësisë historike në Fakultetin Filozofik të Universitetit Aristotelian të Selanikut, me objekt studimi marrëdhëniet e greqishtes me gjuhët e tjera ballkanike.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin