SOUTH PARK

nga Marson Korbi

Strategji urbane dhe luftë klasash në Shqipërinë kapitaliste

 

Ormai le piazze fanno rivoluzioni solo quando sono vuote
[Tashmë sheshet bëjnë revolucione vetëm kur janë bosh.] —The Zen Circus

Ndarja e pronës është një nga problemet më të pazgjidhura të shoqërisë së civilizuar. Edhe “çmenduria e ballkanasve”, siç e quajnë shumë historianë e studiues të luftërave të rajonit, nuk mund të mos shihet si një konflikt i përhershëm për kufijtë e pronës në shkallë territoriale. Në shekullin XIX, me rënien e Perandorisë Osmane dhe pas Luftës së Parë Botërore, në mënyrë kapilare, ajo që ndër shekuj verifikohej në rendin e konflikteve etnike të principatave e shteteve, u shpërnda gjatë kohës moderne në shkallën e territoreve vendore, duke penetruar deri brenda mureve të shtëpisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, përfshirë këtu edhe shekujt e fundit të sundimit osman, prona private në Shqipëri u kthye në një institucion edhe më të rëndësishëm se xhamia, kisha apo dhe vetë familja, këto të kthyera në aparate në shërbim të ligjeve të institucioneve të ndarjes së pronave çifligare dhe atyre të tregtarëve.

Sistemi komunist ishte vetëm një parantezë e shkurtër në historinë shekullore të pronës në Shqipëri. Për shumë arsye mund të thuhet se reformat socialiste, si ajo agrare me kooperativat bujqësore, kolektivizimi i banesës, shteti social dhe burokratizimi i administratës, pas rënies së sistemit, e nxori pronën private edhe më të fuqizuar, gati për t’u hedhur në lojë me forcë e arrogancë në rolin e saj të rinovuar në shoqërinë e re kapitaliste.

Fig. 1 Harte e Tiranës, 1953

Historikisht detyra e institucionit të pronës ka qenë ajo e ndarjes së shoqërisë në klasa të vënë kundër njëra-tjetrës: klasa sunduese dhe klasat e ulëta (përfshirë këtu të varfrit, punëtorët dhe klasën e mesme). Dhe, në fakt, mund të lexohet vetëm në këtë mënyrë nguti i madh dhe i pakujdesur i parlamentarëve dhe politikanëve në miratimin e ligjeve për ‘kthimin e pronës’ në fillim të viteve 1990. Më tepër sesa pakujdesje dhe mungesë përvoje ligjore dhe qeverisëse, rrëmuja e këtyre vendimeve, si Ligji 7501 i miratuar në 1991, ishte treguesi i nevojës së pronës për t’u stabilizuar si aparaturë sunduese e shtetit ligjor.

U desh një periudhë e gjatë për ta arritur këtë stabilizim dhe për ta bërë këtë, pronës private i duhej dëshpërimisht të mbështetej mbi ideologji të reja. Intelektualët, analistët mediatikë dhe ideologët e ekonomisë së tregut e quajtën si ideologjinë kryesore të aktivitetit të tyre publicistik dhe kulturor ideologjinë e ‘periudhës së tranzicionit’. Tranzicioni ishte veshja ideologjike që iu desh pronës për t’u strukturuar në kushtetutën dhe në ligjet e reja dhe arriti ta bëjë të mundur këtë duke i bindur të gjithë për tridhjetë vjet që nëse Shqipëria nuk ecte përpara në ekonomi dhe në shërbime sociale, ishte vetëm për shkak të periudhës së tranzicionit.

Fig. 2 Harta Topografike e Tiranës, situata e viteve 1980

Në vitin 2013, Rilindja Urbane e promovuar me bujë nga Edi Rama, ende pa u vendosur zyrtarisht kryeministër, ishte hapi i parë për të thyer ideologjinë e tranzicionit dhe për ta maskuar institucionin e pronës private me një veshje të re, që shihte këtë herë si protagonist kryesor arkitekturën dhe strategjitë urbane të ndërmarra nga Partia Socialiste. Ky ishte dhe ndryshimi kryesor nga qeveria e “djathtë” dhe nga politikat e mëparshme të Partisë Demokratike: ndërkohë që berishizmi e bazoi zhvillimin e territorit në mënyrë të rreptë mbi pronën private, duke u dhënë tokë të gjithëve (duke inkurajuar, me mbështetjen e shtetit, zbritjen nga zonat malore të shumë ish-fshatarëve për të zënë ish-parcelat e reformës agrare në zonat e ulëta), Rama e sofistikoi strategjinë, duke ia lënë në dorë zhvillimin cilësisë së arkitekturës dhe duke ftuar herë pas here arkitektë dhe urbanistë të huaj me firmë, të vetmit të aftë për të punuar në detyra si ato të planifikimit urban, disiplina gati inekzistente në akademinë e viteve të socializmit dhe atë të viteve të tranzicionit, pra e pamundur për arkitektët vendas. Prandaj Rilindja Urbane, që në vitin 2014, me konkurset e para dhe rehabilitimet e para konkrete, kryesisht në bregdet, u shndërrua në një aparaturë të fuqishme hartimesh planesh strategjike, duke përfshirë nga infrastrukturat rrugore, ato urbane e deri tek sheshet e qyteteve. Mes ndryshimeve thelbësore mes qeverisjeve të PS-së e PD-së në dekada, shitja e aseteve të shtetit, qoftë me koncesione të falura, qoftë me PPP-të famëkeqe, ishte elementi i përbashkët. Diçka e ngjashme me atë që ndodhi me rënien e BRSS-së në vitin 1991, ku asetet shtetërore, kryesisht ato industriale, iu falën ish-funksionarëve të shtetit, që më pas u bënë oligarkët e sotëm. Në Shqipëri, ku dominonte ekonomia bujqësore, ishin fshatarët ata të cilët ndërmorën të parët karrierën e pasurimit dhe të oligarkisë, me pak fjalë, shtresa që vinin me një sfond shkollimi më të ulët se ajo e kuadrove dhe teknikëve.

Sidoqoftë, ky kontekst kaq i ndërlikuar i historisë moderne të Shqipërisë, lidhet menjëherë me aspektet më konkrete kur vjen puna tek përditshmëria e jetës urbane dhe pasojat e këtyre politikave në to. Problemi i prishjes së parkut prapa Pallatit të Kulturës është një shembull interesant, sepse renditet i fundit në listën e gjatë të politikave të së “majtës”, e cila vetëm vitet e fundit, falë dhe një pjese të ngushtë të medias së paprekur nga pushteti, po tregon limitet e një politike qeverisëse të bazuar mbi një raport më se të nevojshëm mes harmonisë dhe konfliktit.

Ndërtimi i një kulle të re duhet parë në kontekstin e kësaj strategjie, e cila­ – dhe këtu mendoj se duhet bërë kujdes – nuk është rezultat i mirëfilltë i një plani të mirëpasqyruar në letër, por ama është i lexueshëm si pjesë e një serie praktikash që përsëriten me të njëjtin stil dhe me po të njëjtat faza që nga viti 2014, duke u bërë tashmë të parashikueshme për këdo. Ky artikull është një tentativë për të renditur këto faza, në mënyrë që të mësojmë t’i lexojmë këto projekte me shkathtësinë e një dhelpre, që i njeh mirë lëvizjet e ujkut që e shastis.

Përtej historisë së ndërlikuar të arkitekturës së Sheshit të Tiranës, një nyjë problematike shfaqej për herë të parë që me planin e miratuar nga kryeministri i Republikës Popullore në vitin 1990, Adil Çarçani. Plani i fundit socialist parashikonte kompletimin e Unazës së Vogël duke i shtuar qytetit aksin e munguar që duhet të lidhte vazhdimin e rrugës pas Muzeut Historik me rrugën përpara pallateve nëntëkatëshe. Rruga e harkuar pas Muzeut, përpara pallateve të Bar “Piazza”, duhej të vazhdonte me një aks të ri të drejtë, i cili kalonte pas Hotel Tiranës dhe puqej me zgjatimin e rrugës që anëson sot parkun e përfolur. Me rënien e regjimit, plani urbanistik nuk kishte më instrumentet e duhura për t’u zbatuar, sidomos në kushtet e mungesës së ligjit për shpërndarjen e pronës dhe në kushtet e shpronësimit të nevojitur për hapjen e rrugës së re. Kuptohet që jo vetëm një plan i hartuar gjatë socializmit, por çfarëdolloj plani i mëvonshëm do ta kishte të pamundur realizimin real të tij, sidomos në një kohë kur Bashkia e Tiranës në vitet 1990 vizionin më ideal në ndjekje të pronës private e shihte falë faljeve të lejeve të ndërtimit, që shpejt mbushën gropat, fushat dhe hapësirat publike në Tiranë.

Fig. 3 Plani Rregullues i Tiranës i miratuar në shkurt të vitit 1990 nga Adil Çarçani

Realizimi i aksit të fundit të Unazës së Vogël u konkretizua në vitin 2016 me një seri operacionesh shembjesh dhe zhvendosjesh. E para u prish ish-godina e Institutit të Sigurimeve, INSIG-u, më pas u shpërngul nënstacioni elektrik pas Hotel Tiranës, ndërkohë që u prishën një seri me biznese dhe vila historike të viteve 1910-20, që u shpronësuan. Siç dihet, këto të fundit ishin të diskutueshme, për shkak se banorët e dëbuar, një pjesë e mirë e tyre njerëz të moshuar, akuzonin Bashkinë për procedura të padrejta, me blerje të pronës nën koston e tregut, gati në limitet e grabitjes. Banesat e shembura preknin vetëm pjesërisht rrugën, por gjithsesi duheshin shembur për t’i hapur vend zhvendosjes së nënstacionit elektrik, që deri më parë kishte qëndruar në tokë private, prapa Hotel Tiranës, ndërsa në vitin 2016 Bashkia e vendosi në tokë publike, ajo që sapo kishte blerë nga familjet e larguara.

Ndërkohë që Sheshi Skënderbej ishte në ndërtim dhe gati në përfundim, të gjitha këto procese ishin duke u ekzekutuar gati paralelisht dhe me ngut. Mungesa e një vizatimi cilësor e hapësirave të rezultuara nga prishjet në krahët e rrugës mund të interpretohet si tregues i faktit që nuk ishte prioritare rruga si arkitekturë, por si infrastrukturë trafiku dhe si limit fizik. Hapja e menjëhershme e segmentit të mbetur të Unazës së Vogël u bë në funksion të kufizimit të zonës së Sheshit, e shndërruar kjo në hapësirë tërësisht pedonale — prandaj marrëzia e kandidatit të djathtë për një nënkalim poshtë Sheshit të ri ishte në limitet e naivitetit dhe absurdit: jo pak herë roli i opozitës aktuale është thelbësor për t’i hapur rrugë racionale zhvillimit të këtyre projekteve: absurdi i tyre kompensohet nga arsyeja e palës tjetër.

Vetëm falë Unazës së Vogël të kompletuar, Sheshi Skënderbej mund të kishte luksin për t’u kthyer në hapësirë të kushtuar apostafat për këmbësorët, një zonë e pastër dhe pa zhurma: këtë e tregon edhe përdorimi i masiv i gjelbërimit dhe kryesisht përreth perimetrit të Sheshit nëpërmjet pemëve të reja dhe shkurreve të dendura. Këto kanë jo vetëm funksion fizik, por edhe akustik ndaj trafikut të qendrës.

Pra, hapja e Sheshit, ndërtimi i rrugës së Unazës së Vogël, riprojektimi i trafikut të qendrës dhe përmbyllja në paralel e këtyre kantiereve formojnë një sistem në funksion të një shumëllojshmërie kullash, që në vitet 2016 ende nuk ishin kantieruar. Plani i vitit 2004 i parisienëve Architecture Studio, i cili parashikonte ndërtimin e një shumëllojshmërie kullash, aktualisht dy prej të cilave me funksionin e hoteleve (shtesa e Hotel Tiranës dhe kulla TID e studios belge “51N4E”), kishte nevojë jetësore për t’u realizuar brenda mandatit të parë të Erion Veliajt, për ta rrënjosur aparaturën përtej mandatit të parë dhe këto elemente “infrastrukture” ishin më se të domosdoshme. Sidomos për t’i hapur rrugë fazës së dytë: kantierimit të kullave. Dhe këtu nuk është koincidencë që arkitektët e Sheshit Skënderbej janë po të njëjtët autorë të kullave pas Bashkisë së Tiranës, të Hotel Plazas dhe arkitekti kryesor i kësaj zyre ishte ndër anëtarët e jurisë së konkursit për kullën Mount Tirana, objekti që do të ndërtohet pas Pallatit të Kulturës.

Pallati i Kulturës, Muzeu, Banka, ministritë dhe Hotel Tirana, të bashkuar për herë të parë nga arkitektura e re e Sheshit, krijonin një ansambël të kompletuar dhe gati për t’u dendësuar rreth e përqark me ndërtime e kulla, në linjë me po të njëjtën vizion që ishte paraqitur nga arkitektët belgë “51N4E” kur fituan projektin e Sheshit në vitin 2008, ku Sheshi paraqitej si një hapësirë boshe e përftuar nga një rrëmujë pjesësh të hedhura në tokë të lodrave Lego. Në këtë mënyrë, qendra e Tiranës nuk ishte më katrori me piramidën e ulët të Sheshit, por e gjithë zona e delimituar nga Unaza e Vogël e dendësuar nga ndërtime që do të kenë për klientë dhe banorë biznesmenët dhe investitorët me kapitale, kjo të paktën sipas vizionit neoliberal të së majtës shqiptare. Prandaj kjo strategji, njëlloj si ajo e familjeve Medici në Romë e Firence gjatë Rilindjes Italiane apo si prishjet dhe ndërtimet e bulevardeve në Paris nga Baroni Hausmann, nuk ishte gjë tjetër veçse një investim shtetëror, i nevojshëm për t’i hapur rrugë interesit të privatëve.

Fig. 4 ‘Bis i hapur mes Legove’, nga Freek Persyn (51N4E) Double or Nothing; Leksion mbi Projektin e Sheshit Skënderbej, 2015

Për të kompletuar projektin, nyja e fundit e vështirë mbetej zona pas Pallatit të Kulturës, më e vështira për t’u zgjidhur nga pikëpamja e arkitekturës dhe vlerës së ulët estetike të zonës përreth: një sfidë e vërtetë për arkitektët vendas dhe teknikët e administratës së shtetit, që e kanë parë përherë këtë zonë si hapësirë tranzitore shërbimi dhe transporti. Por, ndryshe nga administratat e mëparshme, ajo e Veliajt ka një përqindje të lartë nëpunësish të formuar jashtë, në perëndim, të cilët pa dyshim njohin mirë aspekte e terma, kryesisht të importuara nga shkolla italiane — më e pranishmja në Tiranë me aktivitete kërkimore — si riuso, rigenerazione urbana, restauro, valorizzazione, musealizzazione etj.etj.—jo më kot në gjuhën zyrtare u fut neologjizmi rijetëzim, e marrë me gjasa nga italishtja por jo nga disiplinat e arkitekturës….

Thelbi i këtyre termave është se me pak ndërhyrje dhe me kosto të ulët mund t’i jepet vlerë një objekti apo një interieri banese. Kështu, ajo që Karl Marx-i e ka quajtur ‘akumulim primitiv’, që ka të bëjë me heqjen e pronës dhe mjeteve të përballimit të jetesës nga njerëzit e thjeshtë, u materializua në fazën e parë të projektit; faza e dytë, kishte të bënte me injektimin e vlerës së zonës falë ndërhyrjeve të vogla. Përurimi i Shtëpisë-Studio të shkrimtarit Ismail Kadare — ku K-ja e madhe kujton vizatimin “I am a monument” e arkitekteve Denise Scott Brown dhe Robert Venturi-t, në tentativën e dëshpëruar për ta bërë një ndërtesë pa cilësi monument kulture – ndërhyrjet e toptanasve (pronarët e mëdhenj historikë të Tiranës) me Toptani Center, e projektuar nga studio holandeze shumë e famshme MVRDV, ndërtimi i dyqaneve brenda mureve të Kalasë — i propozuar në IMK si instalacion provizor që nga viti 2016 — restaurimi i ardhshëm i banesës historike të familjes Toptani, si dhe projekti për shpronësimin e Sarajeve, e ndodhur jo më kot buzë Unazës së Vogël, që pritet të kthehet muze, dhe restaurimi i Teatrit të Operas, mes shumë iniciativave të tjera kulturore dhe ndërtimeve me shkallë modeste, përbëjnë një sistem të vetëm në funksion të përhapjes si njollë vaji për zhvillimin ekonomik në zonën deri tani më të paqartë të Unazës: Parkun e ish-gropës së Ajdin Sejdisë.

Fig. 5 Robert Venturi and Denise Scott Brown, I am a Monument, 1972, ink on paper

Nuk është e qartë çfarë letrash dhe planesh qarkullonin në dosjet dhe tavolinat e zyrave të Bashkisë dhe të institucioneve qeverisëse në atë kohë, por në vitet 2015-2016 këto ishin në një rrjet të mirë lidhur me njëra-tjetrën mbi miratimet e lejeve të ndërtimit dhe organizmit të aktiviteteve kulturore dhe kërkimore: janë të pafundme tashmë ekspeditat e universiteteve të huaja mbi arkitekturën italiane në Tiranë dhe trashëgimisë kulturore. Vetëm kështu mund t’i jepej vlerë, qoftë ende jomateriale, një zone e cila duhej mbushur me ndërtime. Sheshi Skënderbej, i realizuar së bashku me këto projekte kulturore në sfondin e ri të ideologjisë së trashëgimisë kulturore, u ndërtua për t’i dhënë start dhe për të legjitimuar ndërtimin e kullave. Ndryshe nga boom-et ndërtimore të fqinjëve të Shqipërisë, gjatë viteve të tyre kulmore të ndërtimit, si Italia apo Greqia e viteve 1950-60, të dominuara nga kapitali i kompanive të sigurimit apo atyre imobiliare, Tirana e sotme, ashtu si edhe natyra e pronës private të saj, është e dominuar thjesht nga vullneti i hekurt dhe prej të forti i disa ndërtuesve dhe oligarkëve të përveçëm me interesa dhe përfitime të kufizuara në krahasim me kompanitë imobiliare të mëdha, që në Shqipëri janë gati inekzistente. Me pak fjalë, zhvillimi i truallit me kulla të larta të veçuara ishte që në gjenezë e vetmja formë që i përshtatej kapitalit të brishtë dhe të paqartë të investitorëve të mëdhenj në Tiranë: një pronë, një pallat.

Ajo ç’na mëson prishja e parkut dhe ndërtimi i kullës Mount Tirana, është se një projekt i Rilindjes Urbane mund të thjeshtëzohet në këtë mënyrë, sipas këtyre etapave: 1) shpronësimi dhe akumulimi origjinal i privatëve falë forcave të shtetit; 2) ndërtimi rreth e përqark zonës së ndërtimit të infrastrukturës, rrugëve dhe zbukurimet me lulishte apo sheshe; 3) investim në kulturë, muze dhe ndërtimi i një ideologjie të trashëgimisë kulturore; 4) publikimi i renderave të parë të projektit në media; 5) muaj qetësi; 6) ngritja e kantierit. Një skemë më e sofistikuar është ajo që po kafshon pjesën tjetër të Tiranës nëpër lagje: 1) shembja apo djegia e ndërtesave të vjetra; 2) disa familje që bëhen bashkë me një investitor të vogël apo të mesëm 3) hapja e një sheshi dhe shndërrimi i tij në parking për disa muaj (nuk mund të lihet toka në pritje pa i përthithur vlerë monetare); 4) ngritja e kantierit. Një variant i tretë mund të jetë hibridizimi i këtyre të dyjave, si në rastin e rrugës “Kont Urani”, pas Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku një sërë ndërhyrjesh të piketuara, si sheshi i ri i ndërtuar përpara bar “Hemingway”, restaurimi selektiv i ish-Radio Tiranës janë operacione në favor të rritjes së vlerës së tokës dhe të qerasë së apartamenteve. Këto të fundit, jo në favor të investitorëve të mesëm, por në strategjinë e zhvillimit të forcuar, e cila ka si epiqendër Unazën e Vogël. Në pamundësinë ligjore dhe morale për ta kthyer Unazën e Vogël në oborrin privat të Bashkisë, të rrethuar (siç është dhe pjesërisht tani) me bimësi, mure dhe porta, që të ketë vlerë dhe një nivel të selektuar përdoruesish, duhet mbajtur në nivele të larta jo vetëm toka brenda saj, por dhe zona përreth: kjo quhet që në lashtësi gentrification.

Ndërkohë që skema e parë merr përherë përmasa dhe interes mediatik të madh, është falë kësaj së dytës që kapitali penetron më dhunshëm brenda jetës së banorëve të Tiranës, në mënyrë të heshtur, pa u ndier apo pa parë as edhe një protestë apo revoltim. Madje ajo çfarë pushteti ka mësuar në këto vite, është se pikërisht duke bërë kështu, duke u dhënë zë konflikteve të projekteve të mëdha, mund të vërë në heshtje klasat e ulëta: shtresën e mesme, dyqanxhinjtë, pensionistët. Skema e pallateve nëpër lagje është ajo e cila riprodhohet në qytet falë një lufte klasash që vë mes njëri-tjetrit këta figura: mjafton të ecësh darkave nëpër lagjet e Tiranës për të dëgjuar britmat e konflikteve në familje dhe mes komshinjve.

Nga pikëpamja politike mbetet e hapur çështja se si të kanalizohen këto frustracione në dëm të aparaturave të shtetit dhe të institucionit më të egër qeverisës: prona private.

Parku i Liqenit që kafshohet përditë, parku Rinia i bërë enkas me pengesa dhe kodrina artificiale (si metaforë e qasjes së pushtetit ndaj hapësirës publike), parku që pret xhentrifikimin e radhës në Paskuqan janë vetëm treguesit alarmantë për të mbajtur vëth në vesh një ide, jo dhe aq e keqe kur u provua të zbatohej kohën e saj: në kushtet e një ekonomie mbi pronën si ajo shqiptare, vetëm anulimi i pronës private mund t’i japë frymë dhe shpresë formulimit të një demokracie tjetër.

(c) 2023 Marson Korbi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Rreth Autorit

Marson Korbi (Tiranë, 1990) është arkitekt dhe aktualisht po zhvillon kërkim shkencor si studiues postdoc në École Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL). Korbi u diplomua në Politeknikun e Barit ku edhe mbrojti doktoraturën (në vitin 2020) me vlerësim cum laude mbi historinë politike të banesës kolektive dhe historinë e punëtorit të dijes (knowledge worker). Kërkimi shkencor i Korbit lidhet me fushën e historisë dhe teorisë së arkitekturës, e eksploruar përmes teorisë së ekonomisë politike dhe kategorive të projektit arkitektonik. Puna e tij bazohet gjithashtu në kritikën e hapësirës shtëpiake, arkitekturës dhe urbanizmit, me një interes të veçantë për çështjet e tipologjisë dhe formës së arkitekturës.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Eleminimi i prones private eshte shkelje e te drejtave te njeriut .Gjithashtu fakti qe ke ne pronesi nje cope toke nuk do te thote se mund te ndertosh c’te duash .Qeveria ka te drejten e eminent domain gjithashtu qeveria harton edhe zonimin e qytetit duke marre parasysh interesin e pergjithshem te komunitetit .Qyteti ka zonat komerciale ,rezidenciale ,industriale te klasifikuara sipas llojeve te industrise ,zonat rekreative sportive etj.Degjesat per aprovimin e ketyre zonave duhen bere publike pasi grupe te fuqishme do perpiqen ta rizonojne qytetin sipas interesave te tyre financiare e jo ne te mire te komunitetit .me c’shikoj arkitektura e Tiranes perqendrohet laj thaj tek aksi i qendres ndertuar nga italianet dikur .nuk kam lexuar asnje oponence se si kullat e ndertuara ne qender te tiranes te cilat do te terheqin nje numer te madh njerezish do te ndikojne ne fluksin e trafikut dhe ndotjen e mjedist duke qene se rruget perreth mbeten po ato e ndoshta nuk jane projektuar per trafikun shtese qe sjellin keto ndertime .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin