MË PARË QYTET, PASTAJ SMART

Kohët e fundit po flitet shpesh për Tirana Smart City, kryesisht për shkak se kryebashkiaku i tanishëm Veliaj e ka përfshirë këtë objektiv si prioritar në programin e vet.

Po çfarë është pikërisht Tirana Smart City? Këtë e sqaron një faqe e sajtit të Bashkisë së Tiranës, të cilën ju ftoj ta shfletoni (versioni anglisht këtu).

Sipas këtij informacioni, bëhet fjalë për pesë koncepte kryesore: lëvizshmëria lirisht e qytetarëve në qytet, kanalizimi i energjisë dhe i talentit të qytetarëve, qyteti i jetueshëm, zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i jetës rurale.

Në lidhje me këtë, është organizuar edhe një konferencë e titulluar “Go Tirana Smart City 2016-2026”, në bashkëpunim me UNDP Albania, materialet e së cilës gjithashtu mund të shfletohen që nga kjo faqe.

Këto plane dhe vizione për të ardhmen nuk mund të mos jenë të ngazëllyese, frymëzuese dhe shpresëdhënëse.

E megjithatë, unë do të kthehem në pyetjen që bëra në hapje: çfarë është pikërisht Tirana Smart City?

Për smart cities flitet jo vetëm në Tiranë, por kudo gjetiu; dhe nuk është e lehtë të gjesh një përkufizim të pranuar nga të gjithë.

Megjithatë, duket se ka një konsensus, mes atyre që e kanë shtjelluar konceptin, për ta bashkëlidhur smart city-n me teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit (ICT në anglishte), në mënyrë të tillë që ICT të vihet në shëbim të administrimit të aseteve të qytetit; çka do të thotë përdorimi i teknologjisë për të përmirësuar cilësinë e të jetuarit, nëpërmjet rritjes së eficiencës së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.

Përtej këtij përkufizimi të përgjithshëm, smart city-n e kanë lidhur me përdorimin eficient të energjisë, përdorimin e energjisë nga burime të mbajtshme (sustainable) dhe të ripërtërishme (renewable), adoptimin e rrjeteve inteligjente të shpërndarjes së energjisë elektrike (smart grids), shtimin e automjeteve eletrike në qarkullim, uljen e emisioneve të CO2, administrimin smart të trafikut dhe të parkimit dhe përdorimin e rrjeteve të informacionit për të rritur dhe përmirësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në adminsitrimin e qytetit.

Të gjitha këto zhvillime varen nga një rrjet kapilar për transmetimin dhe përpunimin e të dhënave.

Gjithsesi, vetë koncepti i smart city është aq elastik sa të përdoret në të gjitha ato raste, kur do të mjaftonte të flitej për zhvillim urban.

smart cityNëse plani për Tirana Smart City ka ndonjë gjasë për t’u realizuar, kjo varet sa nga vullneti i palëve dhe disponueshmëria e burimeve financiare dhe njerëzore, aq edhe nga përshtatja që duam dhe duhet t’ia bëjmë këtij koncepti me Tiranën – e cila, objektivisht, nuk i plotëson shumë nga parametrat e përmendura në përkufizimet për smart city: duke filluar nga teknologjia, dhe duke vazhduar me eficiencën në shpërndarjen dhe përdorimin e energjisë elektrike, shtrirjen e rrjetit broadband dhe lëvizshmërinë. Këto mangësi infrastrukturore elementare nuk ka nevojë të jesh specialist, për t’i marrë vesh.

Para se të synojë për t’u bërë smart city, Tirana duhet të përpiqet të bëhet qytet normal, duke dalë gradualisht nga gjendja e emergjencës në furnizimin me ujë të pishëm dhe energji elektrike, shërbimin shëndetësor, transportin publik, punësimin, trafikun, mirëmbajtjen e hapësirave publike, sipërfaqet e gjelbra (parqet), shërbimin arsimor, ndotjen dhe zgjidhjen afatgjatë të problemit të amortizimit të mijëra pallateve të banimit.

Kur dikush përfundon në spital, për shkak të një gangrene në këmbë, sikur nuk shkon që t’i thuhet se ne duam dhe zotohemi që ti nesër do të thyesh rekordin kombëtar në 400 m me pengesa.

Për fat të keq, smart city është nga ato fjalë të modës që rrezikojnë ta humbin kuptimin funksional, për të shënjuar thjesht dëshirën e përdoruesve për të treguar përkatësinë e tyre në elitat hiper-teknologjike globale; pa çka se bëhet fjalë për diçka që, dashur pa dashur, synon të bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve. Dhe nuk më duket se diskursi për Tirana Smart City po arrin të bashkëtingëllojë me shqetësimet dhe nevojat e sotme të tiranasve – veçanërisht kur e sheh të artikuluar në fantazmagoritë e grupit të Stefano Boeri-t, për të cilat kemi folur tashmë këtu dhe gjetiu.

Prandaj ja një çështje që ndoshta meriton vëmendje: si të bëjmë, që Tirana Smart City të mos katandiset në fjalëkyçe për bullshitokratët? Çfarë mund të realizohet si smart në të ardhmen e afërt të kryeqytetit?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin