VEÇANËSIA AMERIKANE SOT

Shtetet e Bashkuara janë, siç dihet, në kulmin e fazës primare të fushatës së sivjetme presidenciale, dhe një nga rrymat e nëndheshme më të fuqishme të debatit është ajo e  veçanësisë (exceptionalism) amerikane. Kjo nuk është pjesë e debatit në vetvete, por implikohet thuajse kudo, si p.sh. në ankimet e kandidatit republikan Trump se ”s’po fitojmë më”, që për mbështetësit e tij përkthehet në ”Amerika s’është më ajo e para, krejt e veçantë për nga fuqia e pasuria e saj”, apo në akuzat, kryesisht konservatore, ndaj presidentit Obama se ka ndërmarrë një transformim rrënjësor për ta bërë Amerikën si gjithë të tjerët. Ajo është e pranishme edhe në thirrjet e shpeshta të kandidatit demokrat Sanders që Amerika të jetë më e hapur, e të adoptojë disa tipare të shoqërive europiane, sidomos atyre nordike, pra të bëhet si të tjerët. Dhe pavarësisht nga kuptimet e ndryshme që i janë dhënë nocionit të veçanësisë amerikane përgjatë historisë, tipare të saj kanë qenë kurdoherë besimi fetar, patriotizmi dhe sistemi i sipërmarrjes së lirë, ose në mënyrë të përmbledhur ”Zoti, flamuri dhe tregu i lirë”. Por këtu duam të ndalemi fillimisht në një vështrim historik të kësaj veçanësie, që vjen nga baza të thella besimtare, dhe që mishërohet në disa aspekte themelore të kuptimit të vetvetes nga amerikanët, një nga më kryesoret e të cilave është ideja e Amerikës si vendi i destinuar të sjellë mbi tokë epokën e lumtur mijëvjeçare.

Ideja e vendit, apo kombit, të mileniumit është në fakt një nga idetë themelore më të fuqishme të ndërgjegjes kombëtare amerikane, me implikime të thella përgjatë gjithë historisë së tyre, dhe e cila në thelb nënkupton që Shtetet e Bashkuara do të ndriçonin botën me idealet e lirisë, drejtësisë, vullnetit të mire e vetëqeverisjes demokratike, duke udhëhequr gjithë njerëzimin drejt epokës së artë të fundit të historisë.

Koncepti i mijëvjeçarit e ka origjinën në përfytyrimet e hebrejve dhe më vonë, të kristianëve, për fundin e historisë, e sidomos në shpresën e ushqyer në vazhdimësi nga judaizmi i lashtë për Shpëtimtarin (Mesinë) që do të vinte një ditë për të inauguruar një epokë të paqes, drejtësisë e virtytit. Ky përshkrim i mbretërise së Zotit në Tokë, apo i epokës së lumtur njëmijëvjeçare, shprehet në mënyrën më të detajuar në kapitullin 11 të librit biblik të profetit Isaia, si edhe në kapitullin 20 të librit të Zbulesës.

Këto dy pasazhe ishin baza kryesore e vizionit të epokës mijëvjeçare, të cilin disa e kuptonin si një periudhë po aq të gjatë, ndërsa të tjerë si një simbol të një epoke të artë pa ndonjë gjatësi të përcaktuar. Në çdo rast, shpresa për një epokë të lumtur në fund të historisë ka qenë një leitmotiv i fuqishëm gjatë gjithë historisë së kristianizmit, pavarësisht se mënyrat se si mendohej realizimi i saj në praktikë kanë ndryshuar gjatë asaj historie. Deri në shekujt XVII-XVIII njerëzit mendonin se fillimi i mileniumit varej tërësisht nga sovraniteti hyjnor dhe njeriu vetë s’mund të kishte asnjë ndikim mbi të, por pastaj filozofia iluministe hapi perspektiva të reja në mënyrën se si njerëzit e shihnin të ardhmen, dhe zhvillimi i shkencës dukej sikur po e rriste në mënyrë të vazhdueshme ndikimin e njeriut mbi fatin e vet, në një masë të paimagjinuar kurrë më parë. Shumë shpresa filluan të përvijohen se ndoshta një ditë do të mund të mposhtej sëmundja, apo edhe të ndaloheshin luftrat, e nëse kjo arrihej, atëhere s’do të ishte veçse vetë epoka e artë e ëndërruar prej paraardhësve.

Tashti e veçanta e Amerikës në këtë aspekt ishte se kolonistët e Anglisë së Re filluan të shpresonin në fillimin e epokës së lumtur për arësye që kishin të bënin më tepër me besimin e teologjinë se sa me shkencën, edukimin apo teknologjinë. Dhe ndikimin më të ndjeshëm e pati këtu dukuria e quajtur Zgjimi i Madh në vitet ’30 – ’40 të shekullit XVIII, që ishte një ringjallje e besimit kristian në të gjitha kolonitë amerikane. Nën drejtimin e predikuesve si Whitefield dhe Edwards, lëvizja përftoi një zell masiv e të ethshëm besimtar, të paparë deri atëherë, i cili me kohë u bë aq impresiv, saqë shumë mendonin se mos pikërisht kjo ishte fillimi i asaj çka thuhej në Shkrimin e Shenjtë për epokën mijëvjeçare. Vetë Jonathan Edwards, teologu më i famshëm i kolonive, hodhi më 1742 idenë e guximshme se ”nuk është e pamundur që kjo vepër e Shpirtit të Shenjtë, kaq e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme, të jetë agimi, ose të pakten preludi i asaj vepre të lavdishme të Zotit, për të cilën flitet shpesh në Shkrimet, dhe avancimi e kurorëzimi i së cilës do të ripërtërijë gjithë njerëzimin. Arësyeja s’na lejon të mendojmë ndryshe”.

Për Edwards e për bashkëkohësit e tij, Zgjimi i Madh s’ishte veçse një aspekt i betejës kozmike përfundimtare të Armageddon-it, përshkruar në kapitullin 16 të Zbulesës, që do të thoshte se nëpërmjet rigjallërimit të zellit besimtar, kolonistët po punonin krah për krah me Zotin për t’i shkaktuar disfatë Satanit. Mbështetur në pasazhet biblike që përmendëm, si edhe në disa të tjera, kolonistët besonin me Edwards se lëvizja e zgjimit do të ishte pikënisja e epokës së artë, dhe ajo do të ndodhte pikërisht në ”botën e re”, e ashtu shpresat e tyre arritën kulmin në fillim të viteve ’40, kur edhe rigjallërimi arriti një intensifikim të paparë. Por pastaj, më 1743, e disi papritur, lëvizja e humbi dinamikën e saj dhe shpejt u shua krejt. Në kundërshtim me të gjitha shpresat, bota s’kishte ndryshuar, e keqja dhe padrejtësia ishin përsëri të pranishme kudo, dhe dukej se mijëvjeçari i lumtur ishte bërë përsëri një ëndërr e largët.

Më vonë, shpërthimi i luftës ndërmjet Anglisë dhe Francës ringjalli ndjeshëm shpresat e kolonistëve për betejën finale dhe fillimin e mileniumit. Lufta ishte për kontrollin mbi hapësirën e virgjër të Amerikës Veriore, mirëpo kolonistët e lidhën atë me mileniumin, sepse si protestantë, ata e shikonin veten në anën e Krishtit, ndërsa Francën katolike në anën e Antikrishtit. Kështu lufta në fjalë u dukej atyre si front i dytë i betejës së madhe kozmike, por përsëri, me mbarimin e luftës më 1763 rezultati ishte zhgënjyes, sepse epoka e artë ende s’dukej të kishte aguar gjëkundi. Megjithatë kolonistet vazhduan të shpresonin, dhe kjo ështe e kuptueshme po të mos harrojmë sa shumë kohë dhe energji i ishte kushtuar një shprese të tillë prej fillimit të shekullit XVIII.

Më në fund, më 1776, Amerika shpalli pavarësinë nga Perandoria Britanike, Revolucioni Amerikan u kurorëzua me sukses dhe pas pak vjetësh Kushtetuta zyrtarizoi lindjen e Shteteve të Bashkuara. Në lidhje me temën që po trajtojmë duhet shënuar se Revolucioni dhe lindja e republikës së re i dha vizionit milenialist një gjallërim të pakrahasueshëm me asgjë tjetër më parë, e këtë rradhë ai nuk u fashit, siç kish ndodhur në të kaluarën, por vazhdoi të forcohej gjithnjë e më shumë. Një masë e madhe amerikanësh ishin të bindur se krijimi i Shteteve të Bashkuara ishte në mos lançimi i epokës së artë, të paktën pragu i saj iminent, dhe kjo për disa arësye që dukeshin fare të qarta e të padiskutueshme.

Së pari, vetë natyra dhe toka e kontinentit të ri i linin gojëhapur të ardhurit e shumtë, ajo dukej aq e pastër dhe e virgjër në krahasim me Europën e ndotur e të mbipopulluar, si kopshti i Edenit i sapokrijuar nga dora e Perëndisë. Edhe filozofi anglez John Locke vërejti se “në fillim e gjithë bota ishte Amerikë”.

Por një arësye tjetër më e rëndësishme ishte se shteti i sapoformuar u garantonte qytetarëve liri aq të mëdha sa s’mund të ëndërroheshin kurrë në Europën e lënë pas. Liria e plotë e mendimit, e fjalës dhe e shtypit, e besimit dhe e organizimit kishtar, e kombinuar edhe me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur presidentin e vendit dhe funksionarët e niveleve të ndryshme u dukeshin me të drejtë amerikanëve tipare absolutisht revolucionare e të padëgjuara. Prej këtej edhe bindja e patundur në fillimin e epokës mijëvjeçare, e pasqyruar po ashtu edhe në simbolet e shtetit të ri, sidomos në Vulën e Madhe të Shteteve të Bashkuara, që shihet në anën e pasme të kartmonedhës njëdollarëshe. Aty paraqitet një piramidë e pambaruar, ngritur në mes të shkretëtirës, me vitin famëmadh të shpërthimit të Revolucionit, 1776, gdhendur në bazamentin e saj. Piramida përfaqëson projektin amerikan dhe arësyeja që ajo është e pambaruar është sepse i tillë konsiderohej edhe projekti në fjalë, pra një proces në vazhdim. Dhe aspekti më interesant është se toka përreth paraqitet si një shkretëtirë e zveshur, që do të thotë as më shumë e as më pak, por vetëm që qytetërimet e kaluara, megjithë arritjet e lavdinë e tyre nuk ishin asgjë në krahasim me arritjet që prisnin qytetërimin e ri amerikan. Skena vëzhgohet nga syri i Zotit dhe pëlqimi i tij për tërë projektin shprehet me frazën latinisht ”annuit coeptis” dmth ”ai (Zoti) mbështet punën tonë”. Ndërsa në pjesën e poshtme është fraza ende më intriguese ”novus ordo seclorum” dmth ”një rend i ri i kohërave”.

Që vendi i tyre të ishte vërtet i tillë besohej me gjithë shpirt nga shumë amerikanë në kapërcyell të shekujve XVIII – XIX. Bile jehona të këtij vizioni ndesheshin edhe para Revolucionit, siç dëshmohet nga fjalët e John Adams, njërit prej drejtuesve të tij, më 1765, kur ai shkruante se ”gjithmonë mahnitem me tërë procesin e kolonizimit dhe popullimit të Amerikës, dhe e shoh atë si fillimin e një plani të përsosur të Providencës për ndriçimin e të paditurve dhe çlirimin e të skllavëruarve anë e mbanë botës”. Ndërsa pas Revolucionit vizioni milenialist u bë i kudogjendur, me oratorët e predikuesit që shpallnin se ”profecia e [librit biblik të] Danielit po realizohet përpara syve tanë”, apo se ”drita po lind në Perëndim e po përhapet kudo, për të ndriçuar gjithmonë e më fort deri në ditën e lumtur”. Amerika nuk shihej kësisoj si një vend si gjithë të tjerët, i korruptuar nga koha e nga historia njerëzore, por si një vend tërësisht i ri dhe i ndryshëm, e pra ”i veçantë”, që do të drejtonte e do të bekonte të gjithë të tjerët me shkëlqimin dhe lavdinë e epokës së shumëpritur mijëvjeçare.

Duket nga të gjitha këto se besimi i amerikanëve në qenien e vendit të tyre si ”i veçantë” dhe ”unik” në historinë njerëzore vjen nga thellësitë e kohës, qysh nga fillimet e eksperimentit amerikan. Dhe është gjithashtu mjaft interesante të vërehet edhe transformimi i konceptit të realizimit praktik të këtij vizioni, i cili në kohën e Zgjimit të Madh varej vetëm nga sovraniteti i Zotit. Pastaj më vonë, gjatë luftës me Francën, lançimi i epokës së lumtur varej nga sovraniteti i njërës rrymë të besimit kristian, protestantizmit, ndërsa gjatë Revolucionit dhe fillimeve të republikës amerikane, vizioni milenialist kishte marrë një kuptim krejt të ri, atë të ”të drejtave të patjetërsueshme”. Sovraniteti kishte kaluar kështu tërësisht në anën e popullit, me të drejtat e barabarta dhe demokracinë. Kjo tregon midis të tjerash se vizioni i vjetër i kolonistëve puritanë për një sistem teokratik të mbështetur vetëm tek Bibla, ishte zëvendësuar me vizionin e republikës iluministe, të mbështetur tek liria dhe vetëqeverisja demokratike.

Këto shpresa e përfytyrime të epokës së lumtur mijëvjeçare nuk ishin karakteristike vetëm për fillimin e shekullit XIX, sepse ato janë rigjallëruar herë pas here gjatë historisë së mëvonshme të Shteteve të Bashkuara. Kjo ndodhi p.sh. edhe me angazhimin e tyre në Luftën I botërore, kur një masë e madhe besonin, sëbashku me presidentin Wilson, se ajo do të ishte ”lufta që do t’u jepte fund luftrave”, e ashtu një hap i madh vendimtar drejt fundit të historisë. Por më afër ditëve tona kjo ndodhi edhe në fillim të viteve ’90 kur rënia e komunizmit shkaktoi një eufori të padëgjuar. Vërtet që Lufta e Ftohtë kishte mbaruar plotësisht me fitore për Amerikën dhe Perëndimin, dhe komunizmi sovjetik nuk ishte më një kërcënim i përhershëm për ta, por amerikanët nuk festonin vetëm këto aspekte si të thuash ‘‘praktike‘‘ të fitores. Ata festonin në një masë të madhe edhe atë që ata e shihnin si triumfin e pashmangshëm të vlerave themelore amerikane në ato vende, përndryshe të largëta. Politikanë e komentatorë të shumtë parashikonin me plot besim se vendet e sapoçliruara nga komunizmi do të perqafonin menjëherë demokracinë, kapitalizmin dhe aspekte të tjera të mënyrës amerikane të jetesës. Edhe presidenti George H.W. Bush shpalli në këtë kuadër se ishte fjala për daljen e ”një rendi të ri botëror”, një rend në të cilin fuqitë e mëdha do të punonin sëbashku për të siguruar paqen, për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me bashkëpunim e jo me konfrontim. Ishte gjithashtu fjala për një botë të frymëzuar tej e ndanë nga idealet demokratike, dhe kryesisht nga shembulli amerikan. ”Europa e transformuar, tha presidenti, i është afruar sot si kurrë më parë qëllimit të saj historik të lirisë e demokracisë”. Ky rend i ri do të kishte si tipare themelore ”jo vetëm bashkësinë e interesave, por bashkësinë e idealeve…Idealet që kanë bërë të mundur lulëzimin e lirisë kudo në botë kanë pasur mishërimin e tyre më të qartë e më të vendosur në vendin tonë të lavdishëm, Shtetet e Bashkuara… Askurrë më parë bota s’ka qenë kaq e përqëndruar tek shembulli amerikan. Askurrë më parë ideja amerikane s’ka mbushur me shpresë miliona kaq të shumtë”.

Në këto fjalë të presidentit Bush pasqyrohen me plot qartësi forca dhe jetëgjatësia e vizionit milenialist, shkrirë njëherazi edhe me veçanësinë amerikane. Përndryshe, pa një këndvështrim të tille, nuk duket fort e kuptueshme se përse presidenti mendonte se vlerat amerikane do të mbushnin boshllëkun e lënë nga komunizmi, apo përse ai fliste në fund të fundit për një rend të ri botëror. Ndërsa duke i vendosur këto fjalë në kontekstin historik të idesë themelore amerikane të vendit milenial, bëhet e qartë se përse në imagjinatën popullore Amerika është mishërimi i rendit të ri botëror. Nga njëra anë ajo pasqyron vlera natyrore, të vendosura nga vetë Zoti, dhe nga ana tjetër ajo është lajmëtarja e mileniumit të lumtur, pikërisht sepse vlerat e saj janë në thelb vlera të natyrshme, të panjollosura e të pakorruptuara nga historia apo tradita njerëzore. Rendi i ri botëror i presidentit Bush ishte kësisoj një ide e vjetër sa edhe vetë Amerika, dhe të gjitha vlerat që përmendëm bëjnë që kjo e fundit të jetë vërtet ”e veçantë” në historinë botërore.   Ndërkaq në kontekstin e fushatës së sotme elektorale po bie në sy dalja e dy kandidatëve të cilët vënë në pikëpyetje tipare themelore të veçanësisë amerikane, sidoqë nga drejtime të ndryshme. Këta janë Trump për republikanët e Sanders për demokratët, që të dy kandidatë jokonvencionalë, gati-gati ”rebelë”, pra jashtë aparateve politike egzistuese të të dy partive kryesore. Nëse e shohim debatin nga këndvështrimi i veçanësisë amerikane, duket se Sanders mëton ta bëjë Amerikën më të ngjashme me vendet e tjera, ndërsa Trump kërkon ta izolojë, e ta mbajë kësisoj jo vetëm të veçantë, por edhe ta bëjë vërtet të veçuar nga bota. Në lidhje me tre aspektet që përmendëm në krye, Sanders duket se i sfidon të treja sepse në rradhë të parë ai ka përqafuar hapur termin ”socialist” duke nënkuptuar me këtë një qasje socialdemokrate europerëndimore, sidomos të tipit nordik, ndaj sistemit të sipërmarrjes së lirë. Nuk është vendi këtu të shqyrtojmë me hollësi se sa e mundur është një qasje e tillë në Amerikën e sotme, por ajo që duam të theksojmë është se përkrahësit e tij nuk duket të kenë ndonjë neveri të madhe ndaj vetë termit, dhe nuk e lidhin atë detyrimisht me diktaturat komuniste të Lindjes. Ata parapëlqejnë kështu një Amerikë më të ngjashme me Europën, pra në një farë kuptimi, jo të veçantë.

Edhe qëndrimi i Sanders ndaj besimit fetar është një sfidë po aq e madhe ndaj veçanësisë amerikane sa edhe pikëpamjet e tij ekonomike. Vështirë se mund të përfytyrohej, deri vetëm pak vite më pare, një kandidat kryesor për president që të mos ishte besimtar e të mos e ushtronte hapur besimin e tij. Kjo sepse pikërisht popullariteti i besimit është një nga karakteristikat themelore të Amerikës e që e dallon atë nga vendet e  tjera të zhvilluara perëndimore. Por edhe në këtë aspekt socialisti i vjetër Sanders pasqyron prirjen e pasuesve të tij të rinj, të cilët në një masë shumë më të theksuar se brezi i prindërve të tyre apo i vetë Sanders, refuzojnë identifikimin me një besim të caktuar, prirje që është në rritje të vazhdueshme e që po e largon Amerikën nga veçanësia e saj.

Dhe më në fund Sanders ka sfiduar edhe nacionalizmin e hapur, që është një tjetër karakteristikë dalluese e kulturës amerikane, por edhe këtu ai shpreh prirjet e te njejtit grup te entuziasteve te tij, moshave të reja, për të qenë të ndryshëm nga brezat e mëparshëm, duke u mjaftuar të jenë patriotë, por jo doemos nacionalistë.

Ndërkaq në anën tjetër të spektrit politik, peizazhi është i ndryshëm, sepse për konservatorët në përgjithësi, e sidomos për pasuesit e Trump, veçanësia e Shteteve të Bashkuara është një gur themeltar i botëkuptimit të tyre, dhe pikërisht të kjo veçanësi qëndron lavdia e Amerikës. Megjithatë duhet theksuar se Trump e ka çuar tepër larg idenë tij të veçanësise, pothuaj deri në vetmi e izolim, në një farë mendësie të kështjellës së fortifikuar. Në fakt e gjithë fushata e tij mbështetet në premisën se Shtetet e Bashkuara po infektohen nga ndikimet e jashtme, ai mëton të ndërtojë një mur në kufirin jugor për të penguar hyrjen masive të imigrantëve latinoamerikanë, e po ashtu kërkon të mbyllë përkohësisht kufijtë e Amerikës për të gjithë myslimanët. Pjesë e kësaj mendësie ishte edhe përfshirja e tij si një zë kryesor në korin e atyre që shpallnin se Obama s’kishte lindur në Shtetet e Bashkuara, e prandaj s’përmbushte kushtet për të qenë president, si edhe deklaratat në adresë të rivalit të tij Ted Cruz se s’mund të mëtojë të bëhet president, për shkak se ka lindur në Kanada. Kështu premtimet e Trump për ta mbajtur Amerikën sa më larg botës, dhe këtë të fundit sa më larg Amerikës janë pjesë thelbësore e gjithë karizmës së tij.

Edhe qëndrimet e këtyre dy kandidatëve rebelë ndaj tregtisë ndërkombëtare dëshmojnë për ndryshimet ndërmjet qasjeve të tyre ndaj veçanësisë amerikane. Në pamje të parë duket sikur të dy janë të një mendjeje, sepse të dy deklarohen kundër statukuosë egzistuese. Por në të vërtetë kundërshtimet e Trump vijne nga pozita izolacioniste, sepse ai flet për vendosje barrierash doganore ndaj vendeve si Kina apo Japonia, të cilat sipas tij “po e rrjepin Amerikën”. Ndërsa Sanders nga ana e vet e kritikon statukuonë, kryesisht sepse e sheh si të padrejtë ndaj vendeve të varfra. Ai nuk është kundër marrëdhënieve tregtare ndërkombëtare, por vetëm se mëton që ato të jenë të bazuara në disa parime socialiste klasike, siç janë të drejtat e punonjësve në shkallë globale, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i qendrueshëm etj. Pasuesit e Sanders s’kanë ndonjë problem me integrimin e bashkëpunimin e shtuar të Amerikës me pjesën tjetër të botës për sa kohë që ky proces shoqërohet me zgjerimin e mundësive për shtresat e paprivilegjuara dhe me më shumë drejtësi për të gjithë.

Mund të themi si përfundim se megjithë fitoret e tyre të deritanishme, s’ka shumë gjasa që dy partitë të lejojnë këta kandidatë ”të revoltës” të fitojne garat përkatëse primare, e ashtu të përfaqësojnë ngjyrat e partive në fjalë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Mirëpo suksesi i tyre është kuptimplotë përsa u perket ndryshimeve të thella në identitetet e të dy partive, edhe të republikanëve, edhe të demokratëve. Vërtet që ato kanë diferenca të mëdha në lidhje me rolin e madhësinë e qeverisë federale (megjithëse asnjëra nga palët s’merr mundimin të japë ndonjë kriter të qartë për këtë), si dhe për një mori çështjesh të tjera, por duket se ajo çka i ndan ato sot më fort se kurrë është pikërisht qëndrimi ndaj veçanësisë amerikane. Me fjalë të tjera ndarja është për atë nëse Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten ai vend i veçantë e unik në fytyrë të dheut, ai ”rend i ri i kohërave” që përshkruam më lart. Por në këtë epokë të globalizmit duket se ndarja ndërmjet identitetit amerikan, të bazuar fort tek veçanësia, dhe atij jo-amerikan, po shkërmoqet në rrugë e mënyra të reja, gati të paimagjinueshme vetëm disa dekada më parë. Dhe është numri i madh i të rinjve amerikanë, përndryshe simpatizues të Sanders, të cilët me sekularizmin e kozmopolitanizmin e tyre po i shtyjnë demokratët të përqafojnë nje amerikanizëm që është gjithmonë e më pak i dallueshëm nga pjesa tjetër e botës. Nëse demokratët do të pajtohen në vazhdimësi me një prirje të tillë, aq më shumë rritet edhe mundësia daljes së kandidatëve, apo më gjerë të politikanëve, të modelit Trump në të ardhmen.


 

  • Materiali i këtij shkrimi është nxjerrë nga libri i këtij autori me titull “Një komb nën Zotin – besimi fetar dhe politika në Shtetet e Bashkuara” që do të botohet së shpejti, e ku shtjellohet roli i besimit kristian së pari në mbrujtjen e ideve historike më themelore të ndërgjegjes kombëtare amerikane, e po ashtu edhe në politikat konkrete të kohës moderne nga ana e Shteteve të Bashkuara.

1 Koment

  1. Ne diskutimet mbi ‘vecanesine’ e Amerikes me duket se kolonia Plymouth Rock merr pjesen e luanit, duke lene pas dore ate te Virginia’s dhe aspektin e saj komercial. Vertet erdhen zelote fetare, por erdhen edhe pirate e mercenare. Nga kjo mpiksje filozofish kontradiktore per jeten del amalgami Amerikan qe ishte nje shprese e shpetimit nga mizerja e nje Evrope te rrahur keq nga konflikte fetare.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin