BULKTHI NË PUSHTET*

grilloFitorja e papritur e Beppe Grillos (dhe e Lëvizjes së tij Pesë Yjet) në zgjedhjet e kësaj jave në Itali do të komentohet edhe për shumë kohë akoma; sidomos ngaqë shumë vetë, brenda dhe jashtë Italisë, vetëm tani u kujtuan ta marrin Grillo-n seriozisht.

Kështu nga larg, duket sikur kjo lëvizje grass-roots, ideologjikisht, është ajo që i përgjigjet më mirë, me programin e vet, situatës politike, ekonomike dhe sociale në Italinë e shekullit XXI.

E megjithatë, ka shumë frikë dhe dyshime, në Itali dhe në Europë, nga kjo forcë e re, e cila po gatitet të marrë në pyetje krejt sistemin politik italian, ende të ngecur në gërmadhat e sundimit gjysmë-shekullor demokristian-mafioz të Pasluftës.

Ndërkohë, shumë profesionistë të politikës nuk arrijnë dot të lënë mënjanë, kur e konsiderojnë Grillo-n, të kaluarën e tij si artist.

Kloun e quajnë disa, ndoshta ngaqë Grillo e ka pasur për zanat e me siguri për pasion të bënte publikun për të qeshur.

Por duhet kurajo e madhe të quash “kloun” një profesionist të skenës si ai, në një kohë që Italia ka ç’të mburret me protagonistin absolut të trash-it të tabloidëve anembanë planetit – politikanin no. 1 të vendit, Silvio Berlusconi-n.

Në krahasim me humorin prej sarhoshi të Berlusconi-t, Grillo-ja vjen e përvijohet si më i mermertë edhe se vetë Papa Ratzinger!

Vërtet, Grillo-ja i ka folur publikut për hallet e përditshme: mjedisin, papunësinë, korrupsionin, shoqërinë e konsumit. I ka folur publikut, dhe publiku i ka folur.

Sikurse politikanët, por kushedi më mirë, e me siguri më troç.

Në fakt, kush e quan “kloun” kërkon ta poshtërojë; për kë jeton në ShBA, emërtimi i saktë i profesionit të Grillo-s në të kaluarën do të ishte “stand-up comedian.”

Emra si George Carlin dhe kushedi edhe Jerry Seinfeld të vijnë në mendje; sidomos i pari, shumë më i angazhuar politikisht se i dyti.

Një komedian, që përfshihet në bisedë të zgjatur me publikun, për t’i “ndëshkuar zakonet duke qeshur” është më afër politikanit se ç’kujtojmë.

Aq më tepër që jetojmë në kohë kur satira duket e vetmja mënyrë për t’u përballur me pisllëkun që grumbullon pushteti, pa i humbur mendtë e kresë.

Komediani që kërkon sukses, është i detyruar njëfarësoj të qajë hallet e njerëzve që i vijnë në shfaqje, duke bashkëtingëlluar me ta; aq më tepër në rrethanat kur nuk mund t’ia delegojë suksesin aparatit të një partie që e mbështet, ose të mafia-s me të cilën shkëmben favore.

Dua të them: në një kohë kur mass mediat e sidomos televizioni i ka shndërruar politikanët në aktorë 24-orë në ditë; dhe sa kohë që shumë politikanë mbeten aktorë të këqinj deri në neveri, atëherë një komedian i llojit të Grillo-s është më i përshtatshmi, si politikan që t’i flasë publikut haptazi.

Ndryshe nga politikanët, që me lojën e tyre skenike personifikojnë figurat ideale të babait të kombit, intelektualit të iluminuar ose rebelit të barikadave, patriotit syshkëndijë dhe malësorit kanunor, komedianit i mjafton të luajë vetveten dhe t’u thotë njerëzve: ky jam unë, le të qeshim… dhe pastaj të shkojmë t’ua marrim pushtetin atyre.

Në një shoqëri, në një sistem ku punët shkojnë mirë, politika është e mërzitshme; dhe të duash të bësh shaka me kryetarin e Parlamentit ose Kryeministrin atje, e aq më pak me ministrin e Ndërtimit është punë e kotë, nuk qesh njeri, ndoshta me përjashtim të viktimës së shakasë, që i bëhet qejfi se ia përmendën emrin.

Përkundrazi, atje ku shakatë dhe thumbat dhe qesënditë dhe batutat për politikanët kanë sukses absolut, komediani përbën rrezik po aq absolut për pushtetin.

Grillo-ja nuk ka qenë loloja i tragjedive shekspiriane, ose personi që, me padënueshmëri të garantuar prej vetë sovranit, thotë të vërteta që të tjerët nuk do të guxonin; e ka kultivuar satirën e vet në rrugë, jo në studiot mediatike të pushtetit.

Ironia e madhe e situatës së tanishme është se, kjo figurë groteske në disa pikëpamje, por gjeniale në disa të tjera, dhe që ia detyron suksesin e vet politik pikërisht faktit që ka përfaqësuar, për italianët, antipolitikën, ose kundërvënien radikale, viscerale, ndaj strukturave dhe institucioneve të pushtetit në Romë, e sheh veten të ngarkuar, pothuajse aksidentalisht, pikërisht me përgjegjësinë e përfaqësimit në politikë.

A do të qeshin më tani italianët, kur t’u flasë Grillo-ja nga podiumet e pushtetit në Romë? A do të qeshë dot vetë Grillo-ja?

* grillo në italishte i thonë bulkthit (angl. cricket), për ata që nuk e dinë.

Nuk ka komente

  1. Cfare me ka rene ne sy eshte qe mediat gjermane Grillos ja japin ish-profesionin si “Kloun” ndersa ato amerikane duken me korrekte dhe e quajne “comedian”. Aq te frikesuar duken gjermanet nga kjo levizje sa edhe toni ndaj Berluskonit eshte zbutur. Kjo ka te beje me faktin mendoj une qe grillinit duken kunder shtrengimit te rrypit financiarisht qe e ve Gjermanine ne pozite te veshtire prandaj konotacioni negativ kur flasin per ta.

    Por me shume mua me terheq qe levizja e tij antiestablishment i ka anashkaluar krejtesisht mediat e etabluara dhe fushaten e ka bere kryesisht mes internetit me nje sukses kaq te madh. Levizjet ne Shqiperi duhet te mbajne shenim sepse fryma anti-establishment ne Shqiperi eshte e konsiderueshme dhe prezenca e internetit eshte rritur.

  2. Pavaresisht nga vlerat apo antivlerat politike te Grillos, fakti eshte se 4 milione italianet qe i kane dhene voten e kane votuar jo si politikan, por si klloun. Me fjale te tjera askush nga votuesit e tij nuk e do vertet Grillon ne krye te qeverise. Pra nuk ka qene nje vote per Grillon, por kunder partive te tjera; nje vote e llojit “per inat te sime vjehrre, shkoj te fle me mullixhine”. Qari ketu, kuptohet, do te ishte i mullixhiut, mirepo ne kete rast qederi eshte se Grillos nuk i punon guri i mullirit.

    1. Per fat te keq edhe niveli i artit ne Shqiperi ende le per te deshiruar. Sidomos ajo pjese e artit qe lidhet me gjinine e komedise eshte zevendesuar me klloune, palaco, medioker dhe njerez banale neper televizione. Tipa si Grillo jane vec forma teper te zbutura te personazheve populiste te politikes qe ka filluar te mbijne kudo ne Ballkan, por qe ne fund te fundit nuk ofrojne asnje alternative konkrete dhe praktike per te zgjidhur problemet e popullit.

  3. Rasti i Grillos te sjell ndermend D’Annunzion e famshem.
    Une shoh nje paralele midis dy personazheve, pse jo edhe epokave.
    Mais c`est pas plus mal que ça.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin