MOSHA NË POLITIKË

pleqNuk u shpëtoi të gjithëve, por as pati ndonjë reflektim të posaçëm për urimet e batutat e bëra me rastin e datëlindjes së Kryeministrit shqiptar. Vetë Edi Rama, i cili mbushi këtë vit 50 vjeç, i falënderoi uruesit duke botuar një bluzë të zezë me mbishkrimin: “Nuk jam 50 vjeç, jam 18 vjeçar me 32 vite eksperiencë”.

E këndshme si batutë, po ashtu sinqeriteti me të cilin falënderoi, megjithatë problemi i moshës në politikë nuk doli në pah vetëm nga fjalët e tij në Twitter: “Flm me zemër për urimet e panumërta dhe pse më kujtoni papushim se s’jam më i ri. Po mbase mund të jetë edhe kështu”.

Që mosha në politikë e ka një rol, për sa kohë përdoret në betejën politike, e treguan më së miri urimet që i bëri lideri i opozitës Lulzim Basha, i cili e uroi në mënyrë origjinale, gjatë një takimi që kishte në Kukës: “Meqë ka ditëlindjen, le t’i urojmë gëzuar nga Kukësi sipas zakoneve tona fisnike. Dikush kishte vënë re se është më i moshuari mes presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe shefit të opozitës. Këtë që është i vjetër, e më i vjetri, kush nuk e di, por kilometrazhin s’e kishte treguar deri tani, e paska dhe kilometrazhin“. Urimet janë natyrisht të sinqerta, por duhet ndarë ana njerëzore, nga ajo politike. E para, e përgëzon për datëlindjen, e dyta i kujton se tashmë është më plaku i posteve kryesore të Republikës. Me fjalë të tjera? U bëre plak, nuk i përgjigjesh kohës.

Mos është vallë shembulli i vetëm i përplasjes së brezave, ose i përdorimit të moshës si çomangë në Shqipëri? Absolutisht jo. Të rinjtë që përmbysën regjimin totalitar nuk harronin të kujtonin se në krye të vendit kishte mumie të hirta, që ishin balsamosur prej vitesh në byro, sikurse vetë Edi Rama, kohë më vonë, e përdori moshën e re për t’i bërë për vete të rinjtë tiranas. Imazhi rinor që ai përçoi gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës ishte vendimtar. Ndoshta batuta thumbore e Lulzim Bashës nuk duhet keqkuptuar, për sa kohë ai vetë e vlerëson dhe e mban afër përvojën e paraardhësit të tij, Sali Berisha. Por duhet thënë se fenomeni i rinorizmit, nëse mund ta quajmë kështu, i ka rrënjët edhe më thella, sepse herët a vonë i paraqitet publikut me veshje të ndryshme.

Nuk është natyrisht dukuri tipike shqiptare, në kuptimin që edhe në vendet fqinjë, sikurse në të gjithë botën, të rinjtë përdorin shpeshherë kartën e moshës, duke kërkuar mbështetje, shpeshherë me të drejtë, për faktin se janë të rinj. Në politikë, ose brenda partive, përplasja midis brezave është pothuajse fiziologjike, megjithëse jo rrallë shndërrohet në konflikt për marrjen e pushtetit.

Le t’i kthehemi rinorizmit në politikë. A ka kuptim e të ardhme përdorimi i tij? Kuptim ka, sepse synon objektiva të qarta; të ardhme me siguri jo, sepse përdorimi i moshës nuk e ka të gjatë. Qui gladio ferit gladio perit. Kjo do të thotë se tik-taku i orës ecën për të gjithë dhe herët a vonë qirinjtë mbi tortë do të bëhen shumë për t’i fikur me një frymë.

Por nuk është vetëm kalimi i kohës ai që e boshatis përdorimin e moshës në politikë. Argumenti nuk qëndron sepse bazohet në premisa të gabuara. Njëra prej tyre është se të rinjtë kanë energji, kurse të moshuarit janë gjyle në këmbë. “Të rinjtë sjellin elementin e energjisë – thotë politologu Giovanni Sartori – që të moshuarit nuk kanë më, ndërsa të moshuarit sjellin elementin që të rinjtë nuk e kanë: diturinë”. E përvojën do të shtonim ne, duke kujtuar batutën tek bluza e datëlindjes.

Zakonisht revolucionet i bëjnë të rinjtë, por janë ata vetë që nuk shkulen më pas nga kolltukët. “Të gjitha revolucionet fillojnë në rrugë e përfundojnë në tryezë”, shkruante G. Bufalino, çka nënkupton se përreth tryezës ka edhe karrige. Me fjalë të tjera, vjen një moment e dikush të kërkon të çohesh nga karrigia sepse je i moshuar. E kundërta e asaj që ndodh në autobus, sipas librit të vjetër të edukatës morale.

Nuk mund të mohohet në përgjithësi se të rinjtë kanë më energji se të moshuarit. Është çështje biologjike. Mirëpo secili prej nesh, po të rrëmojë në kujtesë e në njohje, do të gjejë të moshuar me energji të jashtëzakonshme, që zbeh çfarëdo të riu përreth. Pastaj në politikë nuk është se duhet bërë llaç e zhavorr, as duhen mbajtur thasë me çimento. Lipsen ide e programe serioze.

Sjellja si i ri, ose përdorimi i rinisë, merr vota ngaqë protagonisti perceptohet si i aftë për të interpretuar kohët moderne. Një i moshuar, ta zëmë, që nuk di të përdorë rrjetet sociale mund të konsiderohet si i paaftë për ta çuar më tej shoqërinë; çka edhe mund të qëndrojë, anipse nuk është conditio sine qua non. Megjithatë, fakti që dikush nuk di (ose nuk do) të shkrepë ose të postojë një selfie, nuk mund ta paragjykojë punën e tij si politikan. Pavarësisht nga kjo, mund të thuhet se i riu duhet të mendojë për të ardhmen e vet, pra duhet të bëjë një sërë kompromisesh me karakter personal, kurse i moshuari nuk mendon për karrierë, përderisa nuk ka nevojë për arsye moshe.

Në qoftë se do t’i referoheshim trurit të njerëzve, pra cilësisë së mendimit, do të thoshim se ka të moshuar të rinj e të rinj të moshuar. Varet nga personi, ose më mirë nga truri. A mund ta interpretosh mirë të renë pa njohur rrënjët? A mund ta lexosh mirë të tashmen pa njohur historinë? A të duhet përvoja pa pasionin? A mund ta transmetosh diturinë pa dashurinë për tjetrin e bashkësinë?

Çështja e moshës është fiktive, instrumentale, kalimtare. Lojërat me rinizmin, risizmin, e të tjera neologjizma si këto, kanë qëllime praktike, pushtetore, që nuk i bëjnë mirë vendit. Historia na e shpjegon shumë mirë. Brezat janë thjesht plotësuese, sikurse ndihma që japin në ndërtimin e shoqërisë. Sa për personat, duhet folur për aftësitë personale. Nga ana tjetër, nuk mund të shtiremi sikur perceptimi i moshës është ai i dikurshmi. Umberto Eco, në shkrimin e vet me titull “Kur 50 vjeçarët ishin të moshuar” (Espresso, 30 maj 2014) na kujton se dikur, dikush që i kishte mbushur të pesëdhjetat i dukej plak, ndërsa tani është krejt ndryshe. Ai vetë filloi një jetë të dytë në atë moshë, ngaqë u bë i famshëm si romancier. “Sot – thotë Eco – 50 vjeçarët e konsiderojnë veten si të rinj të rritur. Prej kohësh kolegët e mi gjerontologë të universitetit më kishin thënë se për ta pleqëria fillonte në moshën 70 vjeçare, e sot më ndodh të kem miq mbi 90 vjeç, energjia e të cilëve nuk më habit…”.

Përvoja është e domosdoshme sikundër energjia. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur kohë në debatet për moshën. E jo vetëm në politikë.

2 Comments

  1. Ne Shqiperi, kjo puna e pervojes qe ka mosha eshte teper relative, sepse rendom vihet veterineri aty ku duhet juristi e juristi aty ku duhet veterineri. Politika ka vetine t’i vendose njerezit aty ku nuk duhet te jene. Prandaj pervoja eshte argument teper i diskutueshem per te mbrojtur apo sulmuar. Nga ana tjeter ne nje vend ku per 23 vjet s’ke fare ke te shpetosh, pervoja si nepunes administrate, drejtor apo minister, eshte ne fakt nje akuze paaftesie e korrupsioni e jo nje mjet mbrojtjeje apo sulmi.
    Pergjithesisht, per te mos thene absolutisht, ata me pervoje jane pjese e nje rrethi mafioz korrupsioni, qe do te thote se krimbi eshte brenda, sado e kuqe, e madhe dhe e bukur te duket molla.

    Integrimi i te rinjve, ne vendet e duhura. duhet te jete sa me masiv, i shoqeruar me presion te vazhdueshem nga lart, ne menyre qe te kemi njerez sa me pak te korruptuar e rrjete te reja sa me te dobeta mafioze korrupsioni. Nderkaq ata me pervoje, vijne bashke me rrjetin e tyre mafioz dhe vazhdojne punen si me pare.
    Nga ana tjeter, ne politike e administrate, ashtu si edhe ne shkence apo art, kush ka aftesi e tregon ne te ri, jo pasi ka mbledhur ndonje pervoje 20-30 vjeçare. Adil Carçanet jane produkt i sistemi te konsoliduar, me pak vitalitet, qe s’ka ndermend te hece shpejt.

    Pastaj hecen edhe cik me brez kjo pune, se helbete s’ke ç’i thua nje 25 vjeçari kur te thote, e ça dreqin beri brezi yt, nje verre ne uje, ça kerkon me, te beje edhe verren ne ajer ? Mund t’i thuash, gjys i fyer, ja do ju shohim juve. Ne kete diskutim imagjinar, i riu arrogant do thote, epo nqs do te me shohesh atehere hap krahun, çme rri si matuf e me bllokon rrugen.
    Dreq o pune ky diskutimi mbi moshen aty ku asgje s’hecen mbare.

Comments are closed.