CAQET E MUZEUT

Centaur_skeletonU ndodha në Tiranë, kur u festua 100-vjetori i Pavarësisë, dhe mes shumë ngjarjeve, pseudo-ngjarjeve dhe frymës mbytëse prej karnevali, mbaj mend turmat e njerëzve duke pritur në radhë para Muzeut Kombëtar, për të parë armët e Skënderbeut, që i kish sjellë qeveria me atë rast posaçërisht nga Viena.

Meqë i kisha parë armët në Vjenë para vitesh, me një qasje gati sikur të ishin relike të ndonjë shenjti të rëndësishëm dhe unë besimtar i përvuejtun, nuk kisha gjë ndërmend të kuturisesha për t’i parë sërish (të thuash se ka më rëndësi që t’i kesh parë, sesa që po i sheh); por arrita të pikas për së largu disa statuja ngjyrë myku te shkallët e Muzeut, që më ngjanë nuk di pse si objekte, jo për shitje, të ndonjë gift shop-i në provincë.

Më pas kristalizova një mendim tjetër, se ku e kishin vendin ato vepra të materializuara rishtas: në një kazino luksi, siç edhe i ka hije Shqipërisë të pas 1990-ës, ku kazinoja, si model i ndërveprimit me paranë, ka rindërtuar lavdishëm kapitalizmin (dhe e ka shkatërruar pastaj sërish). Lexova edhe, diku në një gazetë, replikën shumë të shqetësuar, të njërit prej autorëve të atyre lodrave të patriotizmit foshnjor; që nuk më la kurrfarë mbrese.

Armëve të Skënderbeut ua kanë kontestuar autenticitetin; mua vetë të paktën përkrenarja më është dukur shumë e vogël, si prej fëmije; por kush jam unë që të gjykoj gjeometrinë e kokës së heroit, dhe, gjithsesi, a lejohet më kjo, në këtë stinë shenjtërimesh të njëpasnjëshme?

E gjithsesi, ka diçka në ato armë, që u mungon statujave të ilirëve tek hyrja; të parat ftojnë për dinjitet dhe vëmendje, të dytat janë konceptuar thjesht për t’ua varur, te mëngët ose te cepat e shtizave, tabelën “FOR SALE”.

Por diferenca nuk rroket aq lehtë.

Le të përfytyrojmë një muze privat, nesër në Tiranë, ku të ekspozohen, ndër të tjera, plumbi që vrau Mehmet Shehun dhe plumbi që vrau Nako Spirun; motoçikleta e Alqi Kondit; bisturia që preu Hysni Kapon dhe ombrella e arnuar e të madhit fare – dhe dhjetëra në mos qindra relike të tjera, të varura pezull midis autenticitetit dhe artit ready made.

Do të shkoja ta shihja atë muzeum me dëshirë, madje me ëndje; dhe do të kaloja minuta para krehërit të Vasil Laçit dhe zhgunit të Pater Anton Harapit – pa u shqetësuar nëse janë apo jo “mirëfilli.”

Le të përfytyrojmë tani edhe një muze tjetër privat, ose më mirë një kundërmuze, ku të ekspozohen, ndër të tjera, trekëmbëshi ku varën Enver Hoxhën dhe fotot e martesës së Babë Myslimit me një prej motrave të Zogut: këtu shumëkush nuk do të durojë më, por do të ngrihet e do të më thotë “Gënjeshtër!”

Ka një hendek, pra, midis zëvendësimit të objekteve dhe zëvendësimit të historisë vetë – të cilin shumë prej nesh nuk janë gati për ta kapërcyer.

Umberto Eco-ja përmend diku një kishë, në Spanjë, ku ruhej trupi i mumifikuar i Niño Jesús-it; atëherë pse të mos kemi, edhe ne, të drejtën së paku estetike, që të shohim bombën, ende të pashpërthyer, që u hodh pastaj në Ambasadën Sovjetike?

Gjithnjë në Tiranë, duke u zhvendosur nga Panairi i Librit te Adrioni, mezi i bëja ballë tundimit për të blerë ndonjë prej gjithfarë titujve, edhe këta të ekspozuar, për të kaluarën e shqiptarit “të lashtë” – pellazgët, etruskët, ilirët, dardanët, trojanët; të qëndisur me kujdes e përkushtim nga gjithfarë arsimtarësh, herbalistësh dhe veteranësh; e të pasura me etimologji si ato të Isidorit të Seviljes dhe citate disa-faqesh nga historianë të Greqisë së Lashtë – ose intelektualë në fakt pellazgë, por me kujtesë historike të cunguar.

Më duhet të pranoj se, kur është shkruar mirë, një libër i tillë më tërheq më tepër se një vepër diturore për “Ilirët”, ose monografia e ngjeshur e Katiçiç-it, për gjuhët e lashta në Ballkan; sepse e vërteta, sado shpaguese të jetë për arsyen, nuk konkurron dot me artin e imagjinatës dhe fraktalet e paranojës historike.

E keqja, nëse mund të shprehem kështu, është se fantazitë ose ëndërrimet për lavdinë e lashtë këmbëngulin për t’u paraqitur si zgjatime të së vërtetës, jo si vepra arti sui generis, ose metafora që, përndryshe, do të kishin merituar respekt.

Distanca nga Adrioni te Muzeu Kombëtar vjen e bëhet kështu më e madhe, se distanca nga këto libra për Dardanët dhe Dodonën dhe shtatoret ngjyrë myku (faux steatite?) në shkallët e Muzeut Kombëtar; pa folur pastaj për distancën, njëlloj problematike, midis statujës së Gjergjit mbi kalin hiper-testikular, në mes të sheshit, dhe armëve të po këtij Gjergji, por me antropometri më të diskutueshme, në foyer-in me atmosferë të kontrolluar të Muzeut.

Ose distanca, jo dhe aq abstrakte, mes realitetit dhe rrenës.

Meqë jetojmë në një kohë kur vetë Kryeministri i shtetit kërkon të sjellë, seriozisht, nga Turqia kafkën e Ali Pashë Tepelenës, të cilën Perandoria Osmane ishte kujdesur ta ndante nga trupi përkatës dhe t’i mbante këto dy objekte larg njëri-tjetrit, atëherë unë them se do të kisha pasur më shumë interes dhe kuriozitet, që të vizitoja një muzeum ku të admiroja eshtrat e kalit të Skënderbeut (po atij që, sipas disa historianëve, e preu të ngrënët sapo i vdiq i zoti dhe pas pak ditësh ngordhi); ose – çka do të kish qenë vërtet formidabël – edhe skeletet e ruajtura mirë të Mujit dhe të Halilit.

Le të përfytyrojmë këtë sallë, të ndriçuar mirë dhe me shije, diçka të ngjashme me sallën ku janë ekspozuar dinosaurët në Muzeun e Shkencave të Natyrës në NYC; dhe në mes të kësaj salle, ose më mirë të kësaj ode burrash, mbi një platformë me motive kombëtare, dy skeletet e kreshnikëve, larger than life, të rrethuara nga stenda fotografish të kronikës së zbulimit të tyre, në një bokërrimë diku midis Dragobisë dhe Drenicës.

Kush nuk do të kish paguar 5 euro, për shansin e një eksperience të tillë të pashoqe?

U mbetet artistëve që, këtë zell, pasion dhe përkushtim të rizbuluar tonin për historinë dhe autenticitetin, ta kanalizojnë në mënyrë të tillë, që t’i vlejë shprehjes jo memecllëkut; dhe që muzeifikimi, edhe i së vërtetës dhe i rrenës, t’i shërbejë lirisë së mendimit, jo mumifikimit.

E çuditshme, që pengesë për këtë të bëhet kulti, pothuajse supersticioz, i së vërtetës.

Nuk ka komente

  1. aleanca kuq e zi premtoi se festimi i dydindvjetorit te pavaresise vitin tjeter do jete madheshtor

    “Le të përfytyrojmë një muze privat, nesër në Tiranë, ku të ekspozohen, ndër të tjera, plumbi që vrau Mehmet Shehun dhe plumbi që vrau Nako Spirun; motoçikleta e Alqi Kondit; bisturia që preu Hysni Kapon dhe ombrella e arnuar e të madhit fare – dhe dhjetëra në mos qindra relike të tjera, të varura pezull midis autenticitetit dhe artit ready made.”

    ose arma qe vrau musolinin. vertete c’u be me armen e moikomit? 😀

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: