Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

BURIMET KONCEPTUALE TË DEBATIT TONË HISTORIOGRAFIK

E kaluara-prani: një diskutim mbi hartat konceptuale të studimeve mbi shoqërinë dhe historinë dhe nevojën e rishikimit të tyre

Artan R. Hoxha, Ph.D.
(Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë)

Pra, pyetja themelore që kërkon përgjigje është kjo: pse studiuesit që punojnë në institucionet e quajtura të “Albanologjisë” duhet të paguhen me paratë e taksapaguesve? Cila është natyra e punës së tyre, cilat janë konceptet bazë që përdorin dhe cili është modus operandi i prodhimit të tyre shkencor? Jo rrallëherë, kjo punë tkurret në prodhim tekstesh që mbeten në nivelin formal të “letrës me shkronja”, pa arritur të përmbushin kriteret e një vepre me vlerë të mirëfilltë shkencore. Në raste të tilla kemi të bëjmë me një shpërdorim të lëndës drusore të nxjerrë nga peme të vëna kot nën sëpatë. Pak prej këtyre botimeve mund të quhen libra në kuptimin e plotë të fjalës. Puna, mendoj se duhet të nisë me vetë termat, duke nisur me “Albanologjinë,” koncept ky i ngjizur në shekullin XIX, në kohën kur zbulohet dhe shpiket “kombi” dhe riqarkullon termi “etnos”. Si terma të rinj, të mbushur me kuptim politik, etnosi dhe kombi u konceptuan si kategori të mbyllura që zhvilloheshin përmes ligjesh të brendshme që i bindeshin thelbit të secilit grupim etnik apo kombëtar. Institucionet akademike që merren me dijet shoqërore dhe humane në Shqipëri, dhe përgjithësisht ato në Ballkan, vijojnë të ecin nëpër të njëjtat shina të shtruara në një shekull që, përveç kombit dhe etnosit, shpiku edhe racizmin shkencor dhe darvinizmin social. Të gjitha këto nocione ishin të shkrira brenda epistemës së ideologjive nacionaliste dhe raciste që vendosnin hierarki ndërmjet “barbarëve” të pazhvilluar dhe klubit të privilegjuar të kombeve të “civilizuara”. Këto ideologji të legjitimuara nga pseudoshkenca e kohës i vendosën popujt e Ballkanit, përfshi këtu edhe shqiptarët, në fundin e piramidës zhvillimore të hapësirës europiane.

Studiuesit e vendeve të Ballkanit u përpoqën të hidhnin poshtë këto pretendime, veçse pa vënë pikëpyetje burimin konceptual vetë kësaj paradigme. Përkundrazi, ata shpesh e riprodhuan atë në trajtë të re, përmes një etnocentrizmi të skajshëm. Në këtë mënyrë, dijet shoqërore në rajon u ndërtuan mbi parime të ngjashme dhe funksionuan sipas një logjike përjashtuese, ku figura e “primitivit” projektohej te tjetri – zakonisht te fqinji – për të legjitimuar si pretendimet territoriale, ashtu edhe vetëidentifikimin si palë “e civilizuar”. Dija albanologjike u ngjiz dhe u rrit në këtë mjedis gjurmë të së cilës mbeten të dukshme edhe sot. Të ankoruara tej, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në Shqipëri, fushat studimore mbi shoqërinë dhe krijimtarinë e saj materiale dhe shpirtërore vijojnë të ecin në të njëjtin shtrat. Ato shprehin sintezën ndërmjet politikës dhe dijes. Në një kohë kur prodhimi i të ashtuquajturës “shkencë kombëtare” ishte e politizuar dhe përdorimi i saj kishte pasoja politike, ishte e natyrshme që nacionalizmi shqiptar, me natyrë mbrojtëse, do të përdorte gjithë repertorin e dijeve të fushave shoqërore dhe humane në shërbim të programit të tij politik, sidomos kur shqiptarët ballafaqoheshin me nacionalizma shoviniste dhe raciste, jo rrallë, me programe shfarosëse ndaj tyre. Problemi është se dijet shoqërore dhe humane vijuan të ngelin të politizuara edhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Pas vitit 1945, regjimi komunist e institucionalizoi kontrollin politik mbi akademinë. Institucionet Albanologjike ishin njësi shkencore shtetërore në funksion të politikës dhe thellësisht etnocentrike, qëllimi i të cilave ishte krijimi i fabulave që legjitimonin pushtetin. Korniza institucionale e ngjizur me paradigmën nacionaliste të shekullit XIX ka lënë gjurmë afatgjatë, deri në ditët tona.

Për të qenë i sinqertë unë personalisht nuk kam ndonjë dobësi për këtë emërtim; nuk e quaj veten albanolog. Por kjo ka pak rëndësi. Siç thashë më sipër, nuk synoj të mbroj idenë e heqjes së targës “Albanologji” nga institucionet tona akademike. Një nismë e tillë të kushton shtrenjtë. Kushdo guximtar që do e kërkojë një gjë të tillë, do të shohi se si gjithë “dashamirësit” e tij/saj do të bashkohen ne emër të patriotizmit dhe kërkojnë vënien e fajtorit në trekëmbësh. Kushdo që do ta propozonte, do të shihte se si shumë prej “dashamirësve” të tij do të bashkoheshin menjëherë në emër të patriotizmit për të kërkuar dënimin e fajtorit në trekëmbësh. Kjo e imja nuk është një tërheqje strategjike e diktuar nga frika. Mos o zot! Albanologjia e ka fituar të drejtën e qytetarisë në atë pikë sa nuk ka nevojë për legjitimim që të ekzistojë. Jo çdo gjë që trashëgohet nga e kaluara duhet mohuar ashtu sikundër ashtu siç nuk ka arsye që gjithçka të ruhet me pahir. Përzgjedhja i asaj që mbahet ose lihet pas është produkt i debatit mes të interesuarve në këtë fushë. Përpos kësaj, emrat nuk hiqen me dekrete. Përkundrazi, një veprim i tillë do të ishte i thellësisht i dënueshëm. Qëllimi im është të ftoj për reflektim mbi një sërë problemesh konceptuale që ky term mbart, si edhe mbi mënyrën se si ato ndikojnë në organizimin dhe prodhimin e dijes në institucionet akademike shqiptare. Pa një diskutim të hapur mbi ontologjinë e dijes do të ishte e kotë të flisnim për kapërcimin e kufizimeve të deritanishme. Nëse kjo ndodh, do të krijohen pikënisje të reja dhe do të hapen shtigje deri më tani të pashkelura për studiuesit shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në përfytyrimin e punës së tyre dhe kërkimit shkencor që bëjnë. Por cilat janë shtyllat e mënyrës si dija mbi kombin konceptohet, organizohet dhe shkruhet në mënyrë të institucionalizuar në Shqipëri? Cilët janë parametrat dhe kriteret që e përcaktojnë dhe e dallojnë atë? 

Përpara se t’u përgjigjem këtyre pyetjeve, dua të sqaroj se problemet e ngritura këtu nuk kufizohen vetëm te institutet e quajtura albanologjike. Ato vlejnë, me nuanca të ndryshme, edhe për dijet shoqërore në përgjithësi në Shqipëri. Një përjashtim relativ përbën arkeologjia, e cila gëzon një hapje më të madhe ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, pjesërisht për shkak të bashkëpunimeve më të shumta që studiuesit e kësaj fushe kanë me kolegë jashtë vendit. Megjithatë, në vijim do të përqendrohem te historia dhe shkrimi i saj. Kolegët nga fusha të tjera janë të ftuar ta vijojnë këtë diskutim me kontributet e tyre. Studimet historike ofrojnë një avantazh të veçantë për nisjen e një debati më të gjerë, pasi ato zënë një vend strategjik në lëmin e dijeve shoqërore dhe atyre humane. Si disiplinë akademike që merret njeriun dhe shoqërinë, historia shërben si hallkë lidhëse ndërmjet sociologjisë, antropologjisë, ekonomisë dhe shkencave politike e juridike (shkencave shoqërore), nga njëra anë dhe kritikës letrare, njohurive mbi gjuhësinë, kulturën dhe artin (humaniteteve), nga ana tjetër. Pikërisht kjo natyrë ndërlidhëse e bën historinë një pikënisje të rëndësishme për transformimin cilësor të këtyre fushave.

Së pari, kjo lloj dije mbi kombin e prodhuar në institucionet tona akademike karakterizohet nga disa tipare kryesore, ku kryefjala është paradoksalisht një folje: mbyllja. Ende sot kërkohet autentikja, esencialja, ajo që i bën shqiptarët të ndryshëm, të veçantë, një shoqëri që ruan në shekuj të paprekur thelbin e saj. Një shoqëri e rrethuar nga ndikime të huaja, ajo reziston, i kundërshton ato në mënyrë të vetëdijshme, në emër të asaj që Hegeli quante Geist-i kolektiv, shpirti kombëtar. E rrokur nga një perspektivë fenomenologjike, mbyllja është dukuria nënë, që pasqyrohet në të gjitha drejtimet e studimeve mbi shqiptarët dhe Shqipërinë. Flitet rëndom për izolimin e Shqipërisë nga Enver Hoxha. Në të vërtetë, kreu komunist i Shqipërisë së kohës së Luftës së Ftohtë shprehu në politika konkrete gjithë predikatin mbi të cilin shqiptarët përfytyronin veten e tyre përpara se sa ai të lindte. Metafora kryesore është fortesa e vetmuar dhe rrethuar nga forca armiqësore. A nuk mveshi Kadareja alegorinë e kështjellës së rrethuar me ngjyra pozitive ndërsa, atë të urës me pesimizëm trishtues? Mbyllja pas mureve të gurtë ishte më e sigurtë se gurët e ngrehinës që lejonte kapërcimin e hendeqeve. Po njëlloj, në institucionet tona akademike, studimi kryhet, me pak përjashtime, në izolim të plotë me literaturën bashkëkohore. Jo pa shkak. E gjithë përvoja historike e shqiptarëve vendoset brenda një kornize ku veprojnë ligjësi të caktuara që i vendosin ata në raport konfrontues më cilindo grup të përfytyruar si të ndryshëm.

Kjo mënyrë të konceptuari krijon një degëzim të dytë të madh: ndarjen ndërmjet të brendshmes dhe të jashtmes. Pasojat e këtij kategorizimi e copëzon studimin e historisë në dy përqendrime kryesore: nga njëra anë, ata që merren me historinë e shoqërisë, ekonomisë, kulturës dhe zhvillimeve politike të Shqipërisë, duke e kufizuar analizën e tyre brenda kufijve të shtetit apo hapësirës kombëtare; dhe nga ana tjetër, ata që trajtojnë marrëdhëniet më jashtë, duke u përqendruar kryesisht në historinë diplomatike dhe në një masë më të kufizuar, në marrëdhëniet ekonomike, veçanërisht për periudhën pas vitit 1920. Përpos të tjerave, kjo mënyrë e të shkruarit të historisë rrëgjohet në një shkrim të historisë së elitave, ndërsa shoqëria, shqiptarët e thjeshtë ngelin krejtësisht jashtë vëmendjes. Transformimet strukturore që ka kaluar shoqëria mbesin të papërfillura duke e bërë historishkrimin një gjini të ngjashme me kronikat mesjetare kushtuar bëmave të mbretërve. Historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me jashtë është një temë që përdoret edhe për kohën kur këta nuk kishin shtet të tyrin.

Ky konceptim krijon klasifikime që janë thellësisht asimetrike, madje deri në atë pikë sa bëhen qesharake, si p.sh. “Shqipëria dhe Europa” ose ndarja ndërmjet “historisë botërore” dhe “historisë shqiptare”. Kjo mënyrë të kuptuarit të realitetit e bën Shqipërinë kontinent, madje edhe planet të veçantë aq sa vihet përballë Europës dhe botës, të cilat rroken si monolite me një esencë po aq të ngjashme me atë të Shqipërisë. Shqiptarët kthehen në një popullsi të shkëputur e të veçuar nga gjeografia. Thjeshtëzimi i realitetit dhe i përvojave historike e shoqërore në kategori monolite të hartës politike prodhon përfytyrime që riprodhojnë kallëpe identitare. Shoqëritë paraqiten si trupa të ngurtë që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, por ruajnë identitete krejt të paprekura, sikur të mos ndikonin kurrë mbi njëra-tjetrën. Kjo mund të vlejë për sendet por jo për shoqëritë njerëzore. Në shekullin XIX, parimet e fizikes njutoniane dhe universi mekanik i Dekartit ushtruan ndikim të madh mbi formimin e shkencave shoqërore. Lidhja me shkencat natyrore ndihmoi në legjitimimin e disiplinave si historia, sociologjia dhe ekonomia si fusha të mirëfillta shkencore. Kjo ishte e kuptueshme kur studimet për shoqërinë ishin në fazën e tyre foshnjore. Veçse sot, në një kohë kur përdorimi i termit shkencë për një pjesë të këtyre fushave studimore është vënë më të drejtë në pikëpyetje, këto konceptime mund të quhen pa droje si fëminore.

Problemi tjetër thelbësor është periodizimi. Kriteret që përdoren për periodizimin janë të shumta dhe lëvizin nga formacionet socio-ekonomike, kahet gjeopolitike, orientimet kulturore e qytetërimore, tek organizimi politik që shprehet në ideologji, strukturat shtetërore dhe sistemit politik, si dhe njohuritë e nevojshme gjuhësore për të shfrytëzuar burimet arkivore. Por këto ndarje janë parametra për ndarjen e punës dhe jo domosdoshmërish shprehen në realitetet historike, të cilat përpos këputjeve kanë edhe vijimësi. Kjo logjikë e mbylljes shfaqet edhe në marrëdhëniet ndërmjet vetë departamenteve të Institutit të Historisë. Sipas organizimit të Institutit të Historisë, ndarja në departamente ndjek parimin e periudhave historike, kufijtë kohorë të të cilëve përputhen me skemën marksiste të progresionit historik. Më konkretisht, ndarja në Parahistori, Antikitet/Lashtësi, Mesjetë, Modernitet dhe Komunizëm. Secila prej këtyre epokave përkonte me një model të posaçëm ekonomik dhe marrëdhëniesh në prodhim, më saktësisht, bashkësia ekonomike e padiferencuar me pronë të përbashkët, skllavopronari, feudalizëm, kapitalizëm dhe komunizëm. Periudha ndarëse mes fazës kapitaliste dhe komunizmit ishte socializmi. Ky periodizim i shkrirë me rrëfenjën e determinizmit historik të nacionalizmit përvijon edhe strukturën e departamenteve të Instituti të Historisë. Kjo vlen edhe për Departamentin e Historisë në Universitetin e Tiranës, ku ka një seksion për histori shqiptare dhe një tjetër për histori botërore. Ky i fundit është një eufemizëm, pasi si edhe rëndom në Shqipëri, me “botë” kuptohet Perëndimi dhe ky seksion përqendrohet te Europa, një mënyrë e bukur kjo për të fshehur eurocentrizmin nën maska joeurocentrike – një trashëgimi nga dekadat para vitit 1991, që vijon të lulëzojë pasi është brendësuar në atë pikë sa është natyralizuar.

Për t’u kthyer të Instituti i Historisë, triada përbëhet nga Departamenti i Historisë së Mesjetës dhe Rilindjes, Departamenti i Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar dhe Departamenti i Historisë Bashkëkohore. Departamenti i parë mbulon të ashtuquajturën periudhë feudale që, sipas kësaj logjike mbyllet me fundin e Perandorisë Osmane. Departamenti i viteve ’20-’30 mbulon periudhën borgjeze; ndërsa i treti te periudha më e afërt moderne dhe bashkëkohore, ku peshë qendrore zë sistemi socialist. E parë brenda fabulës moderniste të nacionalizmit, kemi rrugëtimin nga sundimi shumëshekullor perandorak, që mbulon disa shekuj në një departament të vetëm dhe përqendrohet të ideja e qëndresës ndaj të huajve, te fitorja e pavarësisë dhe lufta për ta ruajtur atë, tek periudha e diktaturës së Hoxhës e parë sot si tradhti ndaj pavarësisë dhe modernizimit të vendit. Kjo që sapo parashtrova nuk është asgjë tjetër veçse nacional-komunizëm pas komunizmit, shenjë e trashëgimisë të së shkuarës dhe riprodhimit të saj edhe në kushte krejt të ndryshme nga ato që ngjizën si idenë ashtu edhe strukturën.

Këto ndarje themelore, që u atribuojnë periudhave historike natyra thelbësisht të ndryshme, i mbyllin departamentet në lëvozhga të veçuara që nuk komunikojnë aspak me njëra-tjetrën. Kur secila periudhë trajtohet si bartëse e një esence krejt të ndryshme nga tjetra, bëhet pothuajse e pamundur të ndërtohen këndvështrime që kapërcejnë kufijtë kohorë dhe institucionalë të secilit departament. Si thotë edhe një shprehje e urtë: njeriu krijon Zotin dhe më pas Zoti krijon njeriun. Caqet kohore dhe vetë periudhat janë kategori të krijuara nga studiuesit në shekullin XIX. Sot, këto artifice intelektuale kanë marrë një jetë të tyren dhe përcaktojnë e cungojnë punën dhe formimin e studiuesve. Kohët e fundit, ka pasur disa rrekje për konferenca të përbashkëta ndërmjet departamentit të Historisë Bashkëkohore dhe atij të Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar. Megjithatë, ato janë kryesisht konferenca me kumtesa që nuk e shpërthejnë sinorin e periodizimit të departamentit. Në përmbajtje kumtesat nuk kontribuojnë thelbësisht në kapërcimin e formës. “Koha” si nocion themelor i organizimit të punës vijon të mbetet një këmishë force që nënshtron përmbajtjen – dhe jo anasjelltas, sikundër thuhet se është përmbajtja që nënshtron formën.

Një tjetër formë mbylljeje është ajo tematike. Drejtimet kryesore ku është përqendruar puna e studiuesve shqiptarë kanë qenë historia ekonomike dhe ajo politike, me disa përjashtime në fushën e historisë së kulturës, ku përfshihet edhe arsimi. Edhe brenda këtyre nënndarjeve, studiuesit kanë vepruar shpesh në mënyrë të izoluar nga njëri-tjetri, me pak komunikim ndërdisiplinor. Ndarja midis historisë politike e kulturore, nga njëra anë, dhe historisë ekonomike, nga ana tjetër, i bindet në një masë të konsiderueshme skemës marksiste të marrëdhënieve asimetrike ndërmjet infrastrukturës dhe superstrukturës. Nga ana tjetër, të ashtuquajturit historianë politikë nuk ishin gjë tjetër veçse kronikanë ngjarjesh të bujshme, pra kronistë të pushtetit, që të kujtojnë atë dramën e Ibsenit, ku mbreti i thërret bardit që t’ia thojë këngës për bëmat e tij dhe vajtimet e armiqve të humbur. Asnjë diskutim për natyrën e shtetit apo politikës, asnjë analizë të sistemit qeverisës dhe karakterit të tij në raportet me shoqërinë. Deri para viteve ’90, historia ekonomike studionte tipin e ekonomisë dhe shfrytëzimin që ajo krijonte. Për periudhën osmane, vëmendja e historianëve përqendrohej te tipologjia e pronësisë, si për shembull timari i baravlerësuar me feudin ose çifligun, i cilësuar si shprehje e depërtimit të kapitalizmit në fshat; te llojet e tatimeve, të interpretuara si dhunë fiskale ndaj shqiptarëve; si edhe te shpërbërja e ekonomisë natyrore të mbyllur në fshat, zhvillimi i borgjezisë në qytet dhe formimi i tregut unik kombëtar. Për periudhën e Zogut, theksi vihej te shfrytëzimi i ashpër feudalo-borgjez dhe te zhvillimi i kapitalizmit, i cili, sipas kësaj skeme interpretimi, krijonte klasën punëtore dhe premisat për aleancën e saj me fshatarësinë në funksion të revolucionit shoqëror e kombëtar, të mishëruar më pas në qëndresën partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Objektivi kryesor ishte legjitimiteti i pushtetit, që financonte dhe mbante institucionet, si dhe të kombit si njësi natyrore historike me të drejtën e vetë të ekzistencës. Pas rënies së komunizmit, historia ekonomike përqendrohet kryesisht në periudhën e ndërtimit socialist dhe fjalët kyçe janë dështimi, dhuna dhe shkatërrimi i shkaktuar nga politika të quajtura si irracionale nga regjimi i drejtuar nga Enver Hoxha; ose, për të treguar se sa modern dhe perëndimor ishte Zogu. Ndryshon i keqi dhe i miri por përdorimi i historisë për legjitimimin ose delegjitimimin e “armikut” politik ngelin sine qua non i historishkrimit.

Pasoja është jo vetëm politizimi i dijes, por edhe një thatësi intelektuale dhe një parokializëm që kufizon horizontin e studiuesve. Të përqendruar në sektorë të ngushtë, puna e tyre komunikon pak me disiplinat e tjera dhe madje edhe me punën e kolegëve brenda të njëjtit departament. Rezultati i gjithçkaje të parashtruar më sipër është një provincializëm si diakronik, ashtu edhe sinkronik i historianëve: analiza mbetet e cunguar si në thellësi kohore, ashtu edhe në raport me dukuritë bashkëkohore. Tiparet kryesore janë: mbyllje, veçim, izolim, provincializëm, tkurrje, moskomunikim, vetëmjaftueshmëri, rrëgjim në një sistem vetë-referencial që esencializon shqiptarët. Në praktikë, si mund të ndahet në tre departamente jeta e qindra mijërave shqiptarëve që jetuan mes dhjetëvjeçarëve të fundit osmanë, Luftërave Ballanike, Luftës së Parë Botërore, viteve ’20-’30, Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës komuniste? Ose të lindur në kohën kur Shqipërinë e drejtonte Zogu, më pas Hoxha, dhe në fund pas vitit 1991? Kjo është jeta e gjyshërve dhe prindërve tanë, për të mos folur për ndonjë rast të skajshëm si ai i stërgjyshes time, Dafina Divijës, e lindur në dekadën e fundit të shekullit XIX dhe që vdiq me mendjen top mbi 100 vjeç në vitin 1999 – jeta e saj filloi si subjekt i Abdyl Hamitit dhe vazhdoi deri me Shqipërinë e Sali Berishës, ku ajo tha: “të shohim nëse kjo partia e re bënë ndonjë gjë të mirë” – e kishte fjalën për PD-në. Ajo që pa ishte viti 1997. Si mundet të vendosësh një njeri që flet e mendon kështu brenda kutive kohore të shpikura për të përmbushur ego shefash? Artificet kronologjike, nuk arrijnë dot të hetojnë jetët e njerëzve, që në fund të fundit, janë objekti kryesor i dijeve historike dhe atyre mbi shoqërinë e njeriun. Përpos kësaj, teksa kërkohet thelbi i lavdisë, hapet rruga që të kalohet në antitezën saj, atë të përbuzjes dhe përdorimit të stereotipave negativë dhe vetëpërçmues. Jo rrallë sheh këtë dukuri fatkeqe të nxjerri kokën rëndom nëpër bisedat e vetë “albanologëve”, që me një elitizëm të pajustifikuar flasin gjithë mllef për “popullin”, e nga ana tjetër shesin mend për nacionalizmin e tyre të shtirur. Dikur, lidhjet përmes periudhave bëheshin nga studiues të posaçëm, të cilët ndërtonin metanarrativat që lidhnin në një bosht të vetëm rrugëtimin historik të shqiptarëve nga gjeneza në ditët tona – detyrë që dikur kryhej nga Aleks Buda dhe sot nga të tjerë, të një rangu më të ulët formimi kulturor dhe intelektual por me një guxim shumë të madh, që lëvizin pa asnjë ngurrim nga Mesjeta e Hershme të lufta e Dytë Botërore, te kampet e përqendrimit dhe në post-socializëm. Gafat e hatashme janë pjesë e pandashme e kësaj menuje mijëravjeçare.

Cila mund të jetë zgjidhja për këtë gjendje të thellë anakronizmi që karakterizon jo vetëm historiografinë, por edhe disiplinat e tjera shoqërore dhe humane të përfshira në atë që quhet Albanologji? Kjo kërkon një rikonceptim epistemologjik të kategorive themelore. Mbi të gjitha, fjala çelës duhet të ndryshojë nga mbyllja, veçimi, izolimi, dhe provincializmi i dijes drejt hapjes, komunikimit, dialogut ndërdisiplinor. Historia, siç u theksua më sipër, përbën hallkën lidhëse ndërmjet dijeve shoqërore dhe atyre humane. Ajo ushqehet nga të gjitha këto fusha dhe njëkohësisht, i ushqen ato me rezultatet e saj. Për këtë arsye, formimi ndërdisiplinor është çelësi për të arritur ndryshimin e nevojshëm dhe të bëhet kalimi nga nocioni i fortesës tek ai i tregut, kryqëzimit, pikës së takimit të shumë rrugëve dhe gjithë potencialeve që një kazan i tillë ku përzjehen shumë qasje bashkëjetojnë dhe prodhojnë tension të vazhdueshëm.

Ndryshimi tjetër është kapërcimi i ndarjes ekonomi/politikë (kulturë). Ne duhet t’i mëshojmë ndërkomunikimit mes disiplinash të ndryshme, që do të vëri në dialog punët tona me kolegët e instituteve të arkeologjisë, gjuhës dhe letërsisë, antropologjisë, me departamentet e ekonomisë, juridikut, shkencat politike, sociologjisë dhe arteve. Një praktikë e tillë do të krijojë një mjedis pjellor që lëvron nga idetë dhe komunikimi dhe jo nga provincializimi sektorial i të ashtuquajturës histori politike apo ekonomike. Ekonomia, politika, kultura janë përbërës të një ekuacioni me shumë konstantë dhe ndryshore, që lëviz nëpër regjistra të ndryshëm socialë, ekonomikë, kulturorë, ideologjikë, gjeografikë, topografikë, etj. Po ashtu, duhet të vendoset një komunikim ndërmjet departamenteve, organizimi i të cilëve duhet të ndryshojë. Kjo kërkon një rikonceptim të mënyrës se si shikohet historia e Shqipërisë. Së pari, hapësira shqipfolëse ka qenë pjesë e perandorive për pjesën dërrmuese të historisë. Nën bizantinët, bullgarët, serbët, osmanët, venecianët, apo nën ndikimin fashist italian, sovjetik dhe së fundmi të BE-së, hapësira e banuar nga shqiptarët ka qenë periferi perandorish dhe pjesë kufitare ose përbërëse e tyre. Për rrjedhim, raportet mes qendrave dhe buzëve të formacioneve multientike ka dalluar historinë e shqiptarëve. Qenia pjesë e këtyre formacioneve nuk ka qenë e shënuar nga qëndresa, ruajtja e thelbit të veçorive etnike. Shqiptarët nuk mund të studiohen si një entitet sui generis por si pjesë e të tërës, ku ngjyrimet janë lokale. Shqiptarët kanë bashkëjetuar me popuj që kanë folur gjuhë të tjera, me të cilët kanë dhënë e kanë marrë. Për këtë arsye, studimet duhet të jetë transnacionale, ku ngërthimet të studiohen po aq sa edhe veçoritë, përfshi edhe ato mes shqiptarëve. Më tepër vlen postulati romak pluribus in unum se sa thjesht një unum që ekziston në mendjet e historianëve dhe që nuk gjen pasqyrim asgjëkund.

Rikonceptimi i përmasave hapësirëkohë duhet parë në mënyrë tërësore për zgjedhjen e konstantes së tretë të studimit historik, që është tema. Është e nevojshme që historia e shqiptarëve të vendoset brenda arealit të Adriatikut, Mesdheut, e më gjerë duke problematizuar ndarjet Lindje-Perëndim. Si hapësira kufitare, trojet shqiptare kanë qenë mbi të gjitha zona kontakti dhe studimet tona duhet ta mbajnë parasysh këtë fakt shumë të rëndësishëm gjeopolitik. Kjo nënkupton një vëmendje më të madhe drejt asaj që quhet histoire croisée, të eksplorohen lidhjet në hapësirë, si dhe të nxiten bashkëpunimet diakronike që lidhin fijet përgjatë dekadave dhe shekujve. Kjo episteme e re nuk i bindet kategorive marksiste dhe etnocentrizmit të shekullit XIX me teleologjitë përkatëse që përcaktojnë paraprakisht se si duhet shkruar historia. Nuk dua të them se duhet të nisë një kryqëzatë antimarksiste, por nga ana tjetër konceptimi marksist i historisë, e për atë punë cilado qasje ideologjike utopianiste, nuk mund të shërbejë si themeli konceptual i organizmit institucional të punës, pasi kjo mbyt zërat ndryshe.

Riorganizimi i Institutit të Historisë në departamente që i përgjigjen realisht nevojave studimore është themelor. Aktualisht, një departament mbulon periudhën 1912–1939, ndërsa një tjetër shtrihet mbi rreth dhjetë shekuj histori. Kjo është kundër çdo arsyeje të shëndoshë–me përjashtim të personit që është ose do të jetë përgjegjës i këtij departamenti. Deri më tani, ndarja është përcaktuar nga nevoja praktike. Një institut mund të ekzistojë vetëm nëse ka tre departamente. Kjo mund të zgjidhej me një organizim tjetër dhe rekrutime të sakta dhe jo me klientelizma dhe qoka. Si përfundim, pas goditjes që iu dha Akademisë së Shkencave nga qeveria e kohës, krijimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike, në vitin 2008, krijoi hapësira për të ashtuquajturin dekomunistizim të historisë. Krijimi i departamentit që mbulonte vitet 1912-1939 lejonte “rehabilitimin” e periudhës e Zogut sipas agjendave partiake. Këto qëllime që nuk ishin as të majta e as të djathta por thjesht puniste, gjetën lehtësisht mbështetës brenda institutit, këta të shpërblyer në mënyrë të majme me tituj dhe pushtet. Zelli i këtyre shkoi deri aty sa në një leksion publik të mbajtur në Romë, një nga ata theksoi se për Shqipërinë fashizmi ishte më i mirë se sa komunizmi — një pohim që tronditi audiencën.

Në vend të ndarjes së departamenteve mbi bazën e sistemit politik dhe ekonomik, ato duhet të grupohen sipas qendrave qeverisëse, kornizave perandorake dhe njohurive të nevojshme gjuhësore për to. Dy departamentet e shekullit XX duhet të shkrihen në një të vetëm, pasi ka vijimësi të theksuara, si edhe këputje, nga periudha e mesluftrave në atë të periudhës së regjimit komunist. Shekulli XX është edhe periudha e zbatimit të teorive të shekullit XIX. Puna lëviz ndërmjet shkallës makro dhe asaj mikro ku testohet vlefshmëria e skemave të mëdha teorike shpjegimore. Shekujt osmanë duhet të studiohen në një departament të veçantë, sikundër edhe periudha bizantine dhe ajo e mbretërive sllave. Kjo do të shmangë zhargonin marksist që flet për feudalizëm edhe atje ku nuk ka pasur, sikundër ka qenë Perandoria Bizantine dhe ajo Osmane. Feudalizmi është një dukuri e një pjese të caktuar të Europës dhe nomenklatura juridike e të cilës u përhap përtej kufijve të saj, duke e shtrënguar realitetin në darën e një terminologjie të pasaktë.

Theksi duhet të lëvizi te ndërdisplinariteti dhe jo te kutitë që ndajnë ekonominë nga politika, a thua ekonomia dhe politika nuk janë pjesë e të tërës, madje në simbiozë, ku pushteti dhe kontrolli mbi burimet dhe të ardhurat e shpenzimet janë pjesë e të njëjtës paketë. E parë nga ky prizëm, shtrohet nevoja e zgjerimit të rrezes së studimeve me vëmendje te ngërthimet, transferimit të modeleve politike dhe ekonomike, komunikimit qendër periferi, demografisë, transformimit urban dhe rural, krijimit dhe qarkullimit të elitave, formimit të klasës punëtore, transformimit të jetës së përditshme, ndërlidhjes me teknologjitë globale, prodhimit të dijes dhe marrëdhënies së saj me pushtetin, studimeve të historisë së mjedisit dhe burimeve natyrore, historisë fetare në nivelet e poshtme të shoqërisë, etj. Dija akademike është antikonformiste, është e paqetë dhe ne duhet të mësohemi me këtë. Kjo kërkon një rikonceptim të Institutit të Historisë dhe dijeve shoqërore në përgjithësi. Ndryshime të tilla, nuk janë të pamundura. Kanë dhimbje, por nuk janë dhimbje të papërballueshme për të merituar rrogën që merret nga paratë e taksapaguesve.

© 2026 Artan Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin