PROFESIONI: EPITAF

nga Idlir Azizaj

Më në fund qeveria jonë hoqi dorë. Për herë të parë shteti ynë hoqi dorë nga një vendim i formës së prerë. Pas protestimeve en masse kundër ndërtimit të një grataçeli gjigand. Që me vendim të prerë nisi të ndërtohej në gropën e hapur pas shembjes së teatrit kombëtar. Ishte vendim i formës së prerë, nisur nga madhësia e grataçelit që do të ngrinin aty. Direkt pas shembjes së teatrit kombëtar. Ose edhe para vetë prishjes së teatrit, siç thonin protestuesit. Dhe pikërisht këto informacione “të pabaza”, që kishin hedhur protestuesit – ankoheshin të fuqishmit e shtetit – kishin çuar në këtë vendim të formës së prerë. Duke u ndier në ankth lidhur me vendimin për këtë grataçel; pas rritjes së nivelit të protestës, shteti pati ndier nevojën të merrte vendim të formës sa më të prerë. Kështu ishte miratuar vendimi për ndërtimin e një grataçeli të stërmadh. Ai do “mishëronte” vërtet termin grataçel, se do ta gërrvishte qiellin, sikundër një qytetar i thjeshtë gërrvish një fletë lotarie. Me shumë mundim, shteti përballë protestës dhe “fjalorit të saj të rrugës” – vazhdonte shteti – kish gjetur vetëm një rrugë shpëtimi: ta ngrinte edhe më lart nivelin, domethënë lartësinë e grataçelit, që do ndërtohej mu në rrënojat e teatrit.

Objekti do të merrte përmasa të mëdha. Jo vetëm si godinë, por dhe si emër, e si shtatore shpirtërore. Në radhë të parë si mjet reklame për ta “jehonuar” – thotë fjalori i shtetit – shtetin tonë të vogël në arenën ndërkombëtare. Bazuar në një tokë me tri fe bashkë-ekzistuese, grataçeli do arrinte përmasat metaforike të Babelit. Kështu grataçeli ynë do ta çonte dhe rrënojën e teatrit në “qiell”; dhe do ta ndërkallte edhe protestën qytetare në tollovinë e madhe babeliane të gjuhëve.

Deri ditën kur protesta ra dhe u zvogëlua. Nuk u shua tamam, por u mpak ca efekti i saj. Gjë që ndodhi pas shembjes së teatrit, në orët e para të agimit. Atë mëngjes perëndia mbrojtëse e shtetit tonë, Venera jonë prej llaçi të ndenjur, pluskoi nëpër qytet e deri lart në qiell. Ky pluhur po e merrte të gjithë vendin “në qafë”. Një shtëllungë e vendit tonë po i avitej botës së madhe përtej. Protesta atëherë u plak disi. Porse protesta, dikur jashtë mureve të teatrit, tashmë pas shkatërrimit të tij qe brendësuar nëpër fytyrat e banorëve. Një lloj ngërçi dhe mërdhezje kundërshtimi cingëronte nëpër gjymtyrët e banorëve. Protesta i kishte bërë banorët marionetat e saj. Zorrët e barkut iu shfaqeshin banorëve në sy. Retinat e banorëve ishin tashmë pasqyra e plaçkave të tyre të barkut, e rropullive të tyre, të cytura keq.

Përpara kësaj gjendjeje, shteti nuhati nevojën e ndryshimit. Sepse zorrët në sy i pengonin banorët të perceptonin spektaklin e shtetit. Dhe ashtu të perceptonin dhe veten si rrjedhim. Për herë të parë ky arriti ta lërë përgjysmë një vendim të formës aq të prerë. Projekti për ndërtim të grataçelit u braktis njëherë e mirë. Sepse dukshëm shteti po u valëvinte banorëve një seks vigan para njerëzve që s’kanë fuqi as të flenë. Për herë të parë nevoja kombëtare për publicitet ndërkombëtar u la mënjanë. Për herë të parë “nevojat” qytetare morën prioritet. Dhe për ta ulur nivelin e vuajtjes qytetare, shteti ynë mori një tjetër vendim të formës së prerë: Hapjen e Arenës së parë gladiatore në vend!

Me qëllim për t’u prerë rrënjën informacioneve pa bazë të popullsisë! Me qëllim normalizimin e jetës qytetare! Me qëllim uljen e nivelit të ngërçit kolektiv! Me qëllim fshirjen e imazhit të rropullive nga sytë e banorëve! Me qëllim kryerjen e ekzorcizmit të tërbimit vetjak e të përbashkët të popullit! Me qëllim kthimin në vendin e duhur të gjokseve femërore të shqitur në protestë! Me qëllim riatdhesimin e gjakut të hundëve të aktorëve të rrahur në miting! shteti vendosi prerazi hapjen e Arenës gladiatore. Pikërisht mu në gropën e mbetur nga shembja e teatrit.

Arena e parë gladiatore ishte e hapur për këdo e cilindo, që e shfaqte kundërshtimin e protestën me gërma të mëdha. Arena do mbetej e hapur për këdo që donte të shfryhej e të nxirrte dufin, si pasojë e ndonjë gabimi të punës pa skaj të shtetit. E hapur nga të dyja skajet, puna ditë-natë e shtetit s’kish si t’i njihte të gjitha format e gabimeve dhe padrejtësive që mund të shfaqeshin. (Aq sa Natyra s’mund të fajësohej për breshërin apo tërmetin. Sikundër dhe materja s’i ka shumë problem format). Arena e parë gladiatore në vend mbetej e hapur për këdo që donte me se s’bën të protestonte.

Që kjo protestë të mos u shkonte banorëve kot, si zakonisht, shteti vendosi prerë hapjen e kësaj Arene. Ku aktorë ftoheshin të ishin vetë banorët. Dhe mu aty në rrënojat e teatrit, i cili po ashtu s’i kish ftuar banorët kurrë si protagonistë. Deri ditën kur rrënoja-teatër i ftoi banorët vetvetiu. Arena do siguronte një shpëlarje masive të mërdhezjes qyetare. Jo pa qëllim, vendimi i formës së prerë për hapjen e Arenës u emërua: Katarsis i dytë!

Brenda kësaj fjalë të madhe nga bota e teatrit antik, shteti gjente vend të ftonte këdo që ndiente nevojë për kontestim. Madje dhe çdo lloj opozite, që mund të vinte nesër në pushtet. Çdo lloj opozite që do dilte në krye sajë logjikës: E hoqëm dhe një qelbësirë! Çdo lloj opozite që mund të merrte nesër drejtimin e menaxhimin e Arenës në fjalë.

Për këtë arësye shteti aktual bëri kujdes deri në detaje. U caktua t’u hapen vend barabar spektatorëve. Të sigurohej një barazi rigoroze mes Vajtojcave dhe Qeshësve[1]. Këta të fundit rrezikonin përherë të bëheshin maxhoritarë. Qeshësit kishin prirjen të shtoheshin në numër vetiu. Sidomos pas vendimit për hapjen e teatrit të ri. Por në Arenën gladiatore – e para në vendin tonë – çdo spektator do kish mundësinë të zbriste nga shkallët e të hynte në Arenë. Sidomos duke llogaritur pikun e dyndjes në kohë zgjedhore. Spektatorët mandej rezervonin të drejtën të brohorisnin deri në qiell. Ose të paktën deri atje ku do shkonte maja e grataçelit që u anulua. Kështu thuhej në vendimin e formës së prerë.

I njëjti vendim përcaktonte dhe modulet e ceremonisë së hapjes së Arenës gladiatore. Jo thjesht për hipokrizi, por, meqë Arena ndërtohej mbi rrënojat e teatrit, kurora i takonte prerazi teatrit. Kështu vendimi caktonte që Robert Ndrenika[2] të hapte e të inauguronte Arenën. Dhe jo kaq thjesht. Me qëllimin për t’i dhënë sado ngjyrë false një madhorie kombëtare – antidot i pashmangshëm i mjerimit tonë ekonomik – aktori i njohur do dilte prerazi me togë të lashtë. E me pelerinë të stisur, në ngjyrë mavi të shkëlqyer prej plage të malcuar. Si ajo që përshkruan me detaj poeti i Çezarëve, Suetoni. Babai i të cilit kish qenë dikur dhe Prefekt i Ilirisë. Ky Prefekt ishte mëse krenar që i biri kish zhvarrosur nga greqishtja epitafin: -Edhe ti, o Brut-o-bir!

 

(c) Idlir Azizaj, 2021. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi, qoftë edhe i pjesshëm, pa lejen e autorit.


[1] aludim për tregimin e shkurtër, “Profesioni: qeshës”, të Heinrich Böll-it. Gjatë krizës ekonomike fill pas Luftës II, një aktor gjerman fiton bukën vetëm duke bërë rolin episodik të “qeshësit” herë pas here në skenë.

[2] Shumë qytetarë janë zhgënjyer nga pjesëmarrja e aktorit të mirënjohur R. Ndrenika në spotin elektoral të k/ministrit shqiptar, pas vitesh rezistence ndaj shembjes së TK.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin