Streha e fundit

Ndodhi çka pritej, madje këtë herë deri edhe Kasandrat tingëlluan të besueshme. Ndeshjet e futbollit Shqipëri-Greqi lëshuan nga zinxhiri rrugëve të Ballkanit qentë e urrejtjes ndëretnike. Këtë herë ishte pala greke që u mohoi sportdashësve shqiptarë biletat për “arsye sigurimi”; pastaj i ndërzeu ultras-ët e stadiumit në kontrapunkte të shëmtuara gjirizesh, derisa u gjend një anti-Manolis Glezos për të përdhosur flamurin kombëtar shqiptar dhe për t’ia vënë kapakun gjithë kësaj farse. Për fat të mirë, në të dy anët reagimet zyrtare dhe të shoqërisë civile ishin të tilla që ftonin për refleksion, maturi dhe distancim nga marrëzia e konfliktit. Të paktën kështu lufta e parë shqiptaro-greke në Ballkan u shmang, edhe pse në minutën e fundit.

Gjyqin kombëtarizmit grek ia bëjnë të vetët; dhe jashtë çdo dyshimi Greqia ka treguar edhe në të kaluarën se i mban kontradiktorisht në gji edhe primitivizmin shoven, edhe liberalizmin ndriçimtar evropian, ose respektimin e Tjetrit në tjetërsinë e vet. Shqiptarët, nga ana e tyre, nuk kanë aq qejf të vetanalizohen kur vjen fjala për histeri kombëtariste; madje ka edhe të ditur mes tyre që të sjellin menjëherë argumentin se “kombëtarizmi shqiptar nuk ka qenë kurrë agresiv, as është drejtuar kundër popujve të tjerë”. Në një argument të këtij lloji, kombëtarizmi ngatërrohet me atdhetarizmin, ose dashurinë për atdheun si realitet të njëmendtë.

Historinë kombëtarizmit në Ballkan ia kanë shkruar të tjerë, dhe mirë. Në kohët moderne, kjo dukuri është vënë re ta ketë zanafillën në poshtërimin – ose fyerjen e një simboli, përqeshjen e një gojëdhane, shkatërrimin e një monumenti, grisjen e një flamuri. Flamujt janë grisur qëkur kanë filluar të bëhen prej pëlhure; por në ditët tona, dhe për meritë të mediave, skandalin e përdhosjes me të shpejtë e merr vesh një komb i tërë brenda natës; madje një diasporë në të katër anët e planetit. Teknologjia e komunikimit ka sjellë në skenë turma të tipit të ri, që shalojnë pela pasionesh planetare; deri atje sa shqiptari dhe greku të shndërrohen në dy figura mitologjike ose mishërime të konfliktit të përjetshëm midis së mirës dhe së keqes.

Poshtërimi në Ballkan? Poshtërimi prodhon viktima, viktimat herët a vonë do të kërkojnë shpagim. Më e ndërlikuar është tabloja kur poshtërimi induktohet nga lart, duke ua kultivuar me kujdes indinjatën masave shumëmilionëshe. Ka gazeta në Tiranë që problemin grek të shqiptarëve – ose problemin e grekëve me shqiptarët – e kanë kthyer në armë efikase për shitje, ndikim, manipulim të mendjeve, mobilizim të zemrave. Ka edhe lista diskutimesh në Internet, gjithnjë e më të populluara, ku kombëtarizmi brutal vlen si një lloj pasaporte minimale për t’u pranuar në dhomë të pleqve. Të lexosh rubrikat e letrave të lexuesve në disa media, ose ndërhyrjet e disa zhurmëtarëve në forume në linjë, të krijohet përshtypja se shqiptarët janë gati për fashizëm. Çka edhe do të pritej, për ca si ne, që i kemi kokat ende të qethura nga berberët e burgut totalitar. Një situatë e tillë tregon dëshpërim, por edhe zbrazëti shpirtërore.

Në këtë kontekst të pritjes së fashizmit me lule, një motiv i përsëritur deri në torturë, sa herë që fjalën e merr në publik përfaqësuesi anonim i “popullit të thjeshtë”, është motivi që do ta quaja i “deri kur”: “Deri kur do të durojmë që grekët…”, “Deri kur qeveria shqiptare…”, “Deri kur do të vuajë shqiptari…”, “Deri kur administrata…” e kështu me radhë. Në mendësinë e një kategorie konsumatorësh të tabloidëve të Tiranës, shqiptari dhe greku tanimë janë stereotipizuar. Shqiptari poshtërohet, greku poshtëron; shqiptari rrihet, greku rreh; shqiptari vritet, greku vret. Deri kur kështu?

Shkruan Blerti Delija në Koha Jonë (dt. 30 mars 2005): “Jemi mësuar që flamuri dykrenor të njomet nga gjaku shqiptar. Kjo ka ndodhur të paktën që nga koha e Gjergj Kastriotit, kur simboli ynë kombëtar filloi të marrë një pamje të qëndrueshme. Ndërkohë, ky fat është destinuar t’i ndjekë shqiptarët edhe dy mijë vjet pas Krishtit, në kohën moderne, në fillim të mijëvjeçarit të tretë. E si për rastësi, ksenofobia greke është ajo që na godet më shpesh. I vendosur mbi supet e shqiptarëve, flamuri kuq e zi është shpuar shpesh nga thikat pas shpine dhe në pabesi të ‘ekstremistëve’ grekë. Ai është plagosur, por nuk ka rënë asnjëherë për tokë, edhe pse është lagur nga gjaku shqiptar.” Ky autor, prezantuar si “President i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Veriut dhe Kryeredaktor i TV Rozafa Shkodër”, e gjen tani flamurin dykrenar të njomur edhe me gjakun e tifozëve shqiptarë në Greqi. Nesër ndonjë koleg i tiji do të shquajë në puplinë të flamurit edhe ngjyrën e gjakut të qingjave shqiptarë që therin grekët për Pashkë. Deri kur do të na therin grekët, o vëllezër?

Kombëtarizmi, sado primitiv dhe obtuz, ka një logjikë të vetën. Në bazë të kësaj logjike, viktimizimi i shqiptarëve lejohet të ndodhë për shkak të qeveritarëve të korruptuar në Tiranë, të cilët i janë shitur grekut për 30 aspra. “A kemi Ministri të Jashtme?” pyet Virion Graçi retorikisht në gazetën “Tema” (30 mars 2005), duke vijuar: “Nëse kemi Ministri të Jashtme, më lind e drejta të pyes – cili flamur valëvitet në çatinë e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme?” Argumenti është pak grotesk, në mos qesharak; por e vërteta mbetet se, kur vjen fjala për mitin e korrupsionit qeveritar në Tiranë, kombëtaristët pas gjase kanë të drejtë. Historia, sidomos e vendeve amerikano-latine, tregon se korrupsioni i këtyre përpjesëtimeve krijon truall të përshtatshëm për pronunciamiento ushtarak, ose marrje të pushtetit nga një juntë fashiste, së cilës populli i ka kërkuar “të vërë rregull”. Nga ana tjetër, kombëtaristët do ta kishin sajuar korrupsionin në kokë të shtetit edhe sikur ky të mos ekzistonte; dhe sidomos korrupsionin në ato trajta ku të pushtetshmit e vendit i shiten një fuqie të huaj armike, dhe bashkëpunojnë me të për ta viktimizuar dyfish popullin. I njëjti gur vret në këtë rast një shishqebap me zogj – por kryesorja është që burimi i së keqes kombëtare të kërkohet dhe të gjendet jashtë kufijve të kombit.

Përsëri Blerti Delia: “E kam të qartë se për shumë nga shtetarët tanë, duke përfshirë këtu rangje të ndryshme nga qeveria, parlamenti por edhe Presidenca, vazhdojnë ta konsiderojnë shqipen tonë si një sorrë, duke e parë Athinën si kryeqytet shpirtëror. Por ata janë jo më shumë se 10 për qind e shqiptarëve, perfshi edhe klanet që i rrethojnë. Nëse ata janë vasalë, nëse ata nuk kanë ndjenjën e krenarisë së ligjshme kombëtare, kush duhet të na e mëkojë?” Keqtrajtimit të shqiptarëve në Greqi i përgjigjet gjeometrikisht keqtrajtimi i shqiptarëve në Shqipëri; dhe në të dy rastet, është e njëjta dorë që vringëllin hekurin e skuqur të të stigmës mbi foshnjen e pafajshme të Arbrit.

Kombëtaristët janë si ata mjekët që i kurojnë të gjitha sëmundjet me aspirinë. Shqipëria përjeton prapambetje të mëdha ekonomike dhe të infrastrukturës; me një klasë politike që refuzon të ripërtërihet dhe që ka mbetur peng e një logjike të sëmurë të konfrontimit; me një papunësi të frikshme, mjedis që çdo ditë e më tepër molepset, bujqësi që degradohet, sistem financiar të dominuar nga larja e parave të pista, kulturë të kolonizuar nga pornografia dhe banaliteti. Vallë mjafton tundja e flamurit dhe denoncimi i grekëve për të na yshtur tek dergjemi në shtrat me ethe? Për një numër demagogësh të pjacave reale dhe virtuale, shqiptaria po funksionon tani si një shkallë zero e identitetit, ose një tipar që e shndërron turmën – edhe të zgjedhësve – në një qenie vepruese të vullnetshme. Nëse muratori është krenar për shtëpitë që ka ndërtuar, babai për fëmijët që po rrit, polici për gjobën që i vë kundërvajtësit, qëndistarja e flamurit për shqiponjën që po qëndis dhe shkollari për vijën e kuqe në fletore, shqiptari u dashka të jetë krenar … që është shqiptar.

Kush flet me të madhe për atdhe e për popull, thoshte publicisti amerikan Mencken, pret që ta paguajnë për këtë. Kombëtaristët tanë, megjithatë dhe ndryshe nga ministrat dhe administratorët socialistë të pushtetit, nuk kanë vila në breg të detit e në breg të lumit; as llogari rrjedhëse në banka të Zyrihut e të ishujve Kajman. Asketizmi i tyre, provincializmi i shprehjes, zelli për t’iu strukur në gji kolosit “popull”, përgjërimi i përlotur për Barletin, Dora d’Istria-n Aleksandër Moisiun dhe Gonxhe Bojaxhiun, ushqehen nga një fillesë e zymtë priftërore ose liturgjike, që jo rrallë i kthen në tempullarë të Shqipërisë moderne ose në kavalierë të Urdhrit të Pashko Vasës (“feja e shqyptarit…”). Por në tempujt e këtyre fanatikëve të vonuar, qirinjtë e dashurisë për të vetët digjen sup më sup me flakadajtë e urrejtjes përçmuese për Tjetrin. Ishte kjo frymë e mykur errësire që bëri kërdinë në Bosnje dhe i bëri pastaj bombarduesit e NATO-s t’ia nxijnë qiellin Belgradit. Kur vjen puna për kombëtarizëm, Ballkani sillet sikur t’ia ketë një borxh të vjetër Mesjetës.

Edhe ndër shqiptarë, kombëtaristët kujtojnë se e kanë monopolin e së drejtës, si kujdestarë të tabusë kombëtare që janë. Shkrimtari Faruk Myrtaj rrëfen në një forum Interneti sesi një personalitet i kulturës shqiptare, i përfshirë nga një krizë sinqeriteti, i pat thënë: “Kur vjen puna për çështjen kombëtare, nuk ka pluralizëm.” Kjo nostalgji për atë mekanizëm tabush të përpunuar aq djallëzisht nën totalitarizëm është më e përhapur se ç’kujtohet; dhe pikërisht sepse shumë nga ata që bubullijnë në publicistikë dhe në kulturë nuk mund ta konceptojnë prestigjin – të tyrin personal ose të grupit që përfaqësojnë – përtej kontrollit të një tabuje. “Të vetmit tiranë që ka njohur përnjimend njerëzimi kanë qenë kujtimi i të vdekurve, ose iluzionet që ka sendërgjuar vetë,” shkruante që para një shekulli dijetari frëng Gustave Le Bon. Edhe sot e kësaj dite, pikërisht në këtë mënyrë kombëtarizmi i shkel me këmbë të drejtat e individit, duke i vënë në shërbim të interesit “të përgjithshëm”. Interpretuesit e këtij interesi të përgjithshëm janë, ipso facto, të destinuar nga historia të ulen në krye të vendit dhe të marrin në dorë frenat e pushtetit. Kjo mënyrë e legjitimimit të marrjes së pushtetit nëpërmjet ideologjisë kombëtariste ka shpënë gjetiu në fashizëm. Po ndër ne?

Ja si e shtjellon analisti Delia, bie fjala, çështjen aq delikate të pakicës etnike greke në trojet e Shqipërisë: “Në Shqipëri jeton një komunitet-minorancë i shqiptarëve që preferojnë për një arsye apo tjetër të quhen grekë në origjinë. Për të krijuar kushte për ta, tashmë preket edhe legjislacioni shqiptar, duke u lënë zona të pastra për të patur përfaqësuesit e tyre ne Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë, këto zona trajtohen nga qeveria greke, si pjesë e helenizmit.” Komunitet-minorancë i shqiptarëve që preferojnë… të quhen grekë në origjinë? Nëse konflikti me lumpen-tifozët athinjotë dhe ultras-it nacionalistë të turmave të nevojtoreve publike do t’i shtyjë publicistët shqiptarë drejt deklaratash të tilla të papërgjegjshme, atëherë kam të drejtë të besoj se kombëtaristët grekë kanë fituar, duke na e hedhur krahëve atë xhybe të lyrosur intolerance që na akuzojnë se mbajmë të veshur.

Është e vërtetë që Greqia mbetet fole gjithfarë grerash e kandrrash neofashiste, obskurantiste, shoviniste, antishqiptare dhe luftënxitëse; njëlloj sikurse është e vërtetë që forca të tilla nuk e penguan atë vend të futet në Evropë, për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe kulturorisht, dhe për t’u garantuar qytetarëve një nivel jetese të admirueshëm, sidomos në krahasim me shqiptarët dhe vonesëtarë të tjerë ballkanas. Shtresa të caktuara të shoqërisë civile greke, sidomos në provincë dhe në qarqe që janë në kontakt të ngushtë me segmente reaksionare të kishës, e shohin Evropën me armiqësi të madhe, madje vetë idenë e Bashkimit Evropian e mendojnë si një kurth papist për të injektuar toksinën katolike në damarët e helenizmit të kulluar. Janë po këto shtresa që kanë treguar dhe tregojnë armiqësi të madhe ndaj shqiptarëve; së bashku me llumin e tifozëve të futbollit, pijanecëve, rrugeçëve të periferive, dhe dështakëve të tjerë të të gjitha ngjyrave. Megjithë këtë bagazh gjenetik të rënduar; e megjithë hijen e keqe të diktaturës fashiste të kolonelëve, elitat greke progresiste dhe të moderuara ia arritën ta nxjerrin vendin nga zgjyra mesjetare-shoviniste, për ta orientuar pakthyeshëm drejt Evropës.

E keqja e kombëtaristëve shqiptarë është se këta refuzojnë t’u zënë besë elitave greke të interesuara për ta shlyer imazhin obskurantist nga fytyra e Greqisë. Dhe refuzojnë jo me argumente, por sepse kështu ua kërkon doktrina. Harrojnë, me fjalë të tjera, se shqiptarët dhe grekët janë të “dënuar” të jetojnë në gjitoni; dhe se komunikimi dhe marrëveshja janë për t’u preferuar ndaj provokimit, konfrontimit dhe konfliktit midis dy popujve. Historia, së cilës kombëtaristët i falen aq ethshëm në tempujt e tyre, nuk ka shumë ç’të na mësojë, kur vjen fjala për modalitete të bashkëjetesës; prandaj edhe pasionet i duan hapur rrugë arsyes. Por edhe asaj pjese të kulturës së popujve të Ballkanit të pashtjellueshme, as të interpretueshme në kronologji; sepse i referohet një uniteti strukturor pothuajse transhendent midis popujve të ndryshëm të gadishullit – i cili gjen shfaqje spontane në shprehje fytyrash, gjeste, gjellë, këngë, mënyra të ecuri, dhe një vështrim tripërmasor të botës që nuk e ka shokun në planet. Të shpresojmë se incidente si ato të futbollit në Athinë, do të ndihmojnë duke e çuar në skajin absurd indinjatën kombëtariste, për të lejuar pastaj të kuptohet se errësimi i kësaj përbashkësie interesash mes shqiptarëve dhe grekëve u intereson vetëm atyre që kombëtarizmin rreken ta përdorin për kapital politik. [2004]

 

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: