MISHI TRETET, KOCKA MBETET

Mes lajmeve shkencore të agjencive sot në mëngjes, më tërhoqi vëmendjen një sihariq: dy gishta dhe një dhëmb, të cilat i përkasin trupit të Galileo Galilei-t, u gjetën pasi ishin kujtuar si të humbura për një kohë të gjatë.

Me këtë rast, mësova se në 1737, admiruesit kishin vjedhur tre gishta, një vertebër dhe një dhëmb nga trupi tashmë i dekompozuar i astronomit, matematikanit dhe fizikanit të madh italian, teksa eshtrat e Galileo-s po barteshin drejt varrit të tij monumental, përballë varrit të Michelangelo-s, në Bazilikën Santa Croce, në Firenze.

Për fat të mirë, një prej gishtave u gjet menjëherë më pas dhe sot është pjesë e vyer e koleksionit të Muzeut të Historisë së Shkencës, në Firence; ndërsa vertebra është ruajtur në Universitetin e Padovas, ku Galileo pat dhënë mësim për shumë vite.

Ndërkohë, dhëmbi dhe dy gishta nga dora e djathtë e shkencëtarit – pikërisht pëlqyeri dhe gishti i mesit – i mbetën një markezi italian, i cili ua la pastaj trashëgim pasardhësve të vet, por me kalimin e viteve, familja e markezit e paskësh harruar se çfarë fshihej në vazon prej qelqi, të mbyllur në një kuti të drunjtë, me një bust të Galileo-s përsipër.

Që këtej edhe sihariqi: tash e tutje Galileo-ja virtual i kitsch-it euro-historik mund ta lëvizë përsëri gishtin që i dihej i humbur, e të kafshojë sërish me dhëmbin e rigjetur.

Zakonisht, gishtat dhe vertebrat u ruhen dhe u admirohen shenjtorëve; së bashku me relike të tjera, copa të kryqit, enë kuzhine ose edhe objekte më misterioze, si qefini i Torinos.

Prandaj më tingëllon ironike që i njëjti fat t’i jetë ruajtur pikërisht Galileo-s, i cili sa ishte gjallë nuk i pat kurrë punët mirë me Vatikanin dhe dogmën katolike; edhe pse, siç dihet, le vie del Signore sono infinite

Tek e fundit, edhe muzeu si praktikë dhe institucion e ka origjinën në mjediset e kishave e të katedraleve, ku kontakti me hyjnoren ndërmjetësohej edhe nga objekte të natyrës vizuale – relike, varre të zbukuruara, afreske, statuja.

Këtë origjinë muzeu e riprodhon jo vetëm sa herë ekspozohen atje vepra arti të kohëve të shkuara – zakonisht të nxjerra nga konteksti i tyre i natyrshëm; por edhe në pavijonet me gjithfarë armësh, zbukurimesh, veglash muzikore, vazosh, kapitelesh dhe të tjerash objekte në muzetë historikë, që përfaqësojnë aty kohën kur përdoreshin rëndom.

Por erë temjan veçanërisht mbajnë stendat ku ekspozohen eshtra – të dinosaurve e të peshkaqenëve, në muzetë e historisë natyrore; të stërgjyshëve tanë, në muzetë arkeologjikë; të gjithfarë të sëmurësh dhe fetusesh të deformuar, në muzetë e mjekësisë.

Eshtrat bartin aty, të transpozuar, praktikën në thelb rituale të ringjalljes nëpërmjet vdekjes.

Nuk e kisha ditur që Galileo-s ia kishin plaçkitur pak rekuizitën e eshtrave, pas vdekjes; por gjithsesi, fati i tij nuk mund të krahasohet me të Skënderbeut tonë, të cilit, po t’i besosh Barletit, osmanët ia hapën varrin dhe eshtrat i shpërndanë mes tyre për t’i përdorur si hajmali.

E meqë ra fjala për Skënderbeun, nuk mund të mos të të shkojë mendja, ndërkohë, te eshtrat e një tjetër figure të shquar të shqiptarisë – Nënë Terezës, të cilën politika nuk arriti dot ta zhvarrosë, për t’ia bartur skeletin nga India në brigjet e Adriatikut; por që, po t’i dalë fjala dom Lush Gjergjit, ende mund të zhvendoset drejt Europës, së paku pjesërisht (një gollgane, kafazi i krahërorit, një klavikul, qoftë edhe një metatars i vetëm do të bënin punë).

Po ç’punë ka gishti i Galileo-s, vallë, në Muzeun e Shkencës?

Gjahtarët e relikeve nuk kanë munguar kurrë, sikurse nuk kanë munguar të tjerët, që besojnë me ngulm se copëra të mbetura të trupit të një njeriu të madh ruajnë në vete diçka nga shkëlqimi i të zotit, ose një aura nga e cila ende mund të përfitohet. Mes indianëve të Amerikës që mbanin në brez skalpet e armiqve të vrarë, osmanëve që varën në qafë fragmente të tibias ose të metakarpeve të Gjergjit tonë, dhe adhuruesve fiorentinë të Galileo-s distanca nuk duhet të jetë dhe aq e madhe se ç’kujtojmë.

Mirëpo që një muze i shkencës, në epokën moderne, t’ia shpallë botës se po gatitet të ekspozojë gishtin dhe dhëmbin e një shkencëtari të Rilindjes Europiane, diçka tjetër duhet të ketë ndodhur – dhe jo me muzeun, as me shkencën vetë, por më tepër me mënyrën si shkenca është duke komunikuar me publikun, në një kontekst të sunduar nga imazhi, kultura e celebrity-ve dhe irracionalizmi i maskuar si spontaneitet.

Mes turmave që nesër do të dynden të admirojnë dhëmbin e këtij italiani të shquar, me siguri do të ketë një shumicë të madhe që Galileo-n do ta njohin dhe identifikojnë nëpërmjet relikes, ose edhe ndonjë portreti në emisionet e History Channel; por që nuk do ta dinë se çfarë ka qenë kontributi i tij, pikërisht, në astronomi, në fizikë dhe në matematikë. Të tjerë, do të mjaftohen me historinë, ose më mirë dramën e konfliktit të tij me Vatikanin, dhe do të sforcohen për të shqiptuar, me diksion prej këngëtarësh të operave komike, frazën e famshme Eppur si muove, ndoshta edhe duke e lidhur, mjegullisht, me Kodin e Da Vinci-it; ose të tjerë më tej, me artifaktet e Milo Rambaldi-t, për të cilat përlesheshin heronjtë (dhe sidomos heroinat) e serialit televiziv Alias; mundësisht të përcjella nga ndonjë arie e Rossini-t e kënduar nga Pavarotti.

Për këtë arsye, kam frikë se ekspozimi që do t’i bëhet sot gishtit dhe dhëmbit të Galileo-s nuk është aq vijim i pandërprerë i traditës së adhurimit të relikeve në një mjedis të shenjtëruar; sesa vijim vërtet i asaj tradite, por i ndërmjetësuar nga praktika hollywood-iane e përvetësimit të dijes nëpërmjet një kurioziteti infantil, që i ka rrënjët në përjetimin irracional të botës.

Gishti dhe dhëmbi i Galileo-s nuk janë, kështu, veçse projektimi i imazhit arketipal të një Lady D. ose Paris Hilton-i në rrafshin diakronik; meqë një shenjtor i historisë së shkencës nuk mund të përvetësohet i plotë nga kultura e celebrity-ve, pa një ankorim të fortë material – një objekt, një imazh, ose një mit të objektifikuar.

Reliket e shenjtorëve, zakonisht, u përshoqërohen mrekullive. Njerëzit duan t’i shohin, t’u marrin erë, t’i prekin e madje t’i puthin, për të marrë pjesë – nëpërmjet kontaktit material – në një lloj komunioni me gjithçka u mungon në përditshmërinë e tyre; të sëmurët për t’u shëruar, ulokët për t’u ngritur në këmbë, mëkatarët për t’u dëlirur nga faji.

Për kishat që i zotërojnë, reliket funksionojnë edhe si një reaktor energjie hyjnore, i tillë që t’ia mbajë institucionit flakët të ndezura, dyert të hapura dhe arkat e llogaritë bankare plot.

Po çfarë roli e funksioni mund t’u shpresohet mbetjeve kockore të Galileo-s? Vallë do të turren nxënësit e turistët të (ri)lexojnë Discorsi e dimostrazioni matematiche, intorno a due nuove scienze; të këqyrin satelitët e Jupiterit me teleskop; apo të hedhin telefonat celularë dhe kamerat numerike nga kulla e Pisa-s, për t’ia përsëritur maestros eksperimentet?

No Comments

  1. “Mes turmave që nesër do të dynden të admirojnë dhëmbin e këtij italiani të shquar, me siguri do të ketë një shumicë të madhe që Galileo-n do ta njohin dhe identifikojnë nëpërmjet relikes”

    E vërtetë… bile sot ka shumë njerëz që, sa përmëndet emri i Skënderbeut, gjëja e parë që ju vjen ndërmënd janë emrat e Lubonjës dhe të Klosit.

    P.s: Ndoshta më intrigante se sa ky lajm, ishte ai tjetri: Në e-bay, këto ditë, në një nga ankandet është shitur material cerebral nga truri i Musolinit…

  2. Nje nga kritikat qe i eshte bere shkences se sotme eshte kthimi i saj ne ideologji apo thuajse dogme fetare. Ka parimet e saj, ligjet, metodologjine, ithtaret dhe …… shenjtoret!

    Studimi i fundit mbi ndikimin e mbareshtimit te bagetise ne ngrohjen e botes, qe e coi nga 18% te Fao-s ne 51%, deshmon edhe sa rende nderhyjne interesat e tjera ne shkence.

    Nje lloj interesi i magjepsur eshte edhe adhurimi i dhembit apo gishtave te Galileut e besoj se po te ishte per Galileun do linte amanet per kete kult vetem njerin nga gishtat.

    ””’diçka tjetër duhet të ketë ndodhur – dhe jo me muzeun, as me shkencën vetë, por më tepër me mënyrën si shkenca është duke komunikuar me publikun””

    Besoj se ka nevoje per zgjerim, sepse duket sikur ky proces hyjnirues nuk vjen nga poshte lart, por nga lart-poshte.
    Mos valle shume nga shkencat kane arritur pika ngopjeje per shumicen e teorive te tyre e ndersa jane ne pritje te ‘gjeniut te radhes’, merren me ceshtjen e dukjes ne syte e publikut.

    Fizika eshte nje nga shkencat ku kokat e saj i vertiten prej kohesh zanafilles se gjithesise, duke prodhuar teori te njepasnjeshme, me shume filozofike sesa tipike te fizikes.
    Nje nga kriteret e asaj cfare quhet shkence eshte perparimi drejt te panjohurave.
    Kriter mese i dobishem, meqe ndalon ngurtesimin e teorive.

    Ne rastin e procesit nga lart-poshte, menyra sesi shkenca komunikon me publikun, mos valle kemi te bejme me ndalimin ne vend te disa shkencave, te cilat ngurtesojne teorite e pjellin shenjtore mbrojtes?

  3. “Po çfarë roli e funksioni mund t’u shpresohet mbetjeve kockore të Galileo-s?”- Xha Xhai

    Ndoshta pak a shume per te njejtin rol qe reliket kane ne kisha;
    “.. që t’ia mbajë institucionit flakët të ndezura, dyert të hapura dhe arkat e llogaritë bankare plot.” -Xha xhai.

    Besoj se nuk duhet te na cudise kthimi i shkences ne nje lloj krishterimi qe kerkon ta mbaj publikun gjithmone ne korrent, mundesisht ta frymezoj dhe patjeter prej tij te fitoj. Persa kohe qe edhe shkenca, ashtu si edhe feja do te operoje me konceptin e gjithperfshirjes. Ne funksion te kesaj behet perpjekje per ta sjelle te kuptueshem thelbin nepermjet ilustrimit dhe konkretizimit. Te njejten gje bejne disa prej kishave me ikonat.

    Tani, kjo gje mund te niset me nje deshire te mire. Mirepo pervoja njerezore ka treguar se nje ilustrim i tille i shfrenuar ka sjelle gjithmone ne banalizim te thelbit. Jo se njerezit e zgjuar te fese apo te shkences nuk e kane kuptuar kete por besoj se ajo qe e mban gjalle kete tradite eshte pikerisht perfitimi material qe vjen prej saj (psh sa miliona ne tregun turistik mund t’i kete sjelle Gjermanise perkujtimi i Murit te Berlinit?) . Dhe njerezit e zgjuar bejne nje vesh shurdh sepse me parate e fituara nga ky marifet mund te behen edhe gjera te mira per fene apo shkencen. Pastaj i mban edhe ndonje shprese e vagullt se ndonje naiv qe aq kupton, fundja fundit, mund te vije ne rruge te perendise/shkences nga kjo menyre.

    Besoj se eshte nje rreth shume i veshtire per t’u thyer, te pakten sot per sot.

  4. Unè nuk shoh kètè revansh tè njèjtè midis tè kishès dhe shkencès dhe e them kètè si banor nè njè vènd si Italia, kur Vaticani bèri “Mea culpa” ndaj Galileut vetèm nè fillim tè viteve 90. Shkenca si ideologji apo fe mè vete kètu konsiderohet vetèm si minorancè, me pèrfaqsimin tek tuk tè ndonjè çmimi Nobel apo tè ndonjè transmetimi televiziv tradicional, …… ndèrkohè diku nè njè informacion lexoj se Galileu nuk e ka thènè kurrè shprehjen mitike “Eppur si muove”.