ZOTI I MADH DHE I VËRTETË

Fjalën e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kushtuar çështjeve të censusit e kanë komentuar tashmë nga shumë anë.

Meqë një nga pikat nevralgjike të censusit ka të bëjë me deklarimin vullnetar të besimit fetar, ka interes të shihet më me kujdes pozicionimi i vetë kryeministrit për këtë çështje.

Natyrisht, z. Berisha është tërësisht në favor të deklarimit të besimit. Madje jo vetëm – ai edhe distancohet haptazi nga “ateizmi”, jo vetëm duke e stigmatizuar si dukuri negative, por edhe duke e lidhur, njëfarësoj, me nacionalizmin.

Citoj nga teksti i fjalimit:

Këta, të cilët na thonë ne, në virtytin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi se të shënosh fenë është diçka negative, këta janë njerëz të pazotë, këta janë mjeranë, ateistë që kanë frikë zotin, sepse ai që e beson zotin e di se pavarësisht besimit bashkohet tek zoti me vëllezërit e tij, me motrat e tij. Mund ti bëj unë me zot ata? Jo këtë s’mund ta bëj. A është e drejtë kjo që pse ata nuk kanë zot, të tjerët të druhen për fenë e tyre, të mikut të tyre, të shokut të tyre, të bashkëshortes? Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mundet që ateistët që kanë tmerr zotin, të diktojnë. Cila qenka ana negative se dikush shkruan besimin e tij për të cilin është krenar, pasi çdo shqiptar është krenar për besimin e tij.

Ky paragraf është konfuz dhe kërkon pak mundim për t’u ftilluar. Kryeministri shqiptar jo vetëm i quan kundërshtarët e censusit “mjeranë”, por edhe “ateistë që kanë frikë zotin” dhe “ateistë që e kanë tmerr zotin” (çfarë është, në fakt, oksimoron); ai bën gjithashtu dallim të qartë mes ateistëve dhe atyre që besojnë, pavarësisht nga besimi që kanë, sepse ata që besojnë “bashkohen te zoti me vëllezërit dhe motrat e tyre.”

Pra, nga njëra anë kemi ateistët, ose njerëzit që nuk besojnë se Zoti ekziston, që kanë frikë nga Zoti megjithatë; nga ana tjetër, njerëzit e besimeve të ndryshme, që bashkohen në Zotin që është një, ose shpalljen e monoteizmit si fe të përbashkët të shqiptarëve (të krishterë dhe myslimanë).

Z. Berisha shkon edhe më tej, kur pohon se “çdo shqiptar është krenar për besimin e tij,” dhe se edhe ai vetë është “krenar me besimin [e vet] fetar.”

Po cili është besimi fetar i kryeministrit shqiptar? Unë kësaj pyetjeje nuk i jap dot përgjigje, meqë nuk di që z. Berisha të ketë dalë ndonjëherë publikisht si besimtar mysliman ose i krishterë. Duke paragjykuar nisur nga emri i tij, Sali Berisha, do të mendoja se ai është mysliman së paku nga origjina; por në Shqipëri kanë ndodhur edhe gjëra më të çuditshme me emrat dhe konvertimet në mosha të thyera.

Prandaj dua të pyes sërish: cilës fe i përket kryeministri Berisha? Cilit zot i falet? Në ç’tempull i kryen ritet e shenjta, në kishë apo në xhami (apo në sinagogë)?

Në fjalimet e veta, kryeministri e përmend shpesh zotin – por jo Krishtin, as Muhametin. E shpallur në këtë mënyrë, feja e tij publike përftohet si një lloj monoteizmi i përciptë, në kufi të supersticionit; një pranim i pakushtëzuar madje servil i zotit të plotfuqishëm; një fe e frymëzuar më tepër nga nevoja për të qenë politikisht korrekt dhe për t’u konformuar me denoncimin e ateizmit si “fe” zyrtare të komunistëve, sesa nga ndonjë nevojë e brendshme spirituale për amshim.

Natyrisht, mund ta kem gabim. Nëse dikush më konfirmon këtu se z. Berisha është besimtar i devotshëm, çka nënkupton, ndër të tjera, edhe përmbushjen e riteve të caktuara, atëherë jam gati t’i rishikoj përsiatjet e mia.

Feja, mund të më thonë, është çështje private; dhe askush nuk mund të merret në pyetje për spiritualitetin e vet. Kjo është e drejtë, sa kohë që dikush e trajton fenë e vet si çështje të vetën private; por që nga momenti që një person publik, për më tepër kryeministër, e shpall hapur se është krenar me besimin e vet fetar, atëherë disa pyetje vijnë e bëhen legjitime.

Për shembull: si e ushtron këtë besim kryeministri shqiptar? A i kryen ritet fetare, si mysliman ose i krishterë ose Bahai ose të cilësdo feje tjetër? Nëse është besimtar, por nuk shkon në kishë as në xhami, nuk mban ramazan as rrëfehet te prifti e kështu me radhë, vallë ka ende të drejtën morale të thotë se është krenar me fenë e vet megjithatë? Apo vallë është e kundërta: përpiqet ta maskojë fenë e vet pas një monoteizmi sa deklarativ edhe abstrakt, ngaqë e kupton se, në sytë e autoritetit imagjinar të cilit i bindet, është mirë që të paraqitet në publik si besimtar por nuk është mirë që të paraqitet në publik si mysliman?

Dhe më në fund: nëse është besimtar dhe krenar për besimin e vet fetar, a nuk e kërkon kjo krenari edhe që ai ta quajë fenë e vet me emrin që ajo ka?

Mua ndonjëherë më duket, kur e dëgjoj t’i referohet vend e pa vend zotit në fjalën e vet, por pa shkuar më tej, pa e artikuluar mendimin, pa ia zbatuar këtij zoti autoritetin, bie fjala, në politikën që ndjek ose në qëndrimet që mban, sikur opsioni më i mirë për kryeministrin e Shqipërisë, edhe pse i pazbatueshëm për censusin, do të ishte që të identifikohej njëkohësisht si i krishterë dhe mysliman, unitet i brishtë i të kundërtave, shpërthim i mbetur pezull në pritje të eksplozivit.

Ambiguitetin fetar dhe spiritual të kryeministrit e shoh të tejduket edhe në mënyrën si u drejtohet kundërshtarëve të censusit:

[K]ëta janë mjeranë, ateistë që kanë frikë zotin, sepse ai që e beson zotin e di se pavarësisht besimit bashkohet tek zoti me vëllezërit e tij, me motrat e tij.

Nuk e kam fjalën te sulmi, krejt i papërligjur dhe i pahijshëm, ndaj ateistëve; as te cilësimi i tyre kaq falas si “mjeranë”; por tek ideja tjetër se besimtari, pavarësisht nga feja që i përket, u bashkoka te zoti me vëllezërit dhe motrat e tij. Të jetë kjo një orvatje për të “rehabilituar” fenë myslimane në sytë e Europës, por sidomos të myslimanëve dhe të kryeministrit vetë, duke përfytyruar një nivel të vetëdijes ose edhe të qenies ku diferencat mes feve vijnë e zbehen, në krahasim me diferencat mes fetarëve dhe jofetarëve, meqë rëndësi ka të pranohet pushteti absolut i zotit ndaj njeriut, ose nënshtrimi; i cili është primar, në raport me mënyrën e nënshtrimit?

Një psikanalist këtu ndoshta do të shkonte më tej, për ta parë imazhin e “zotit” në ligjërimin e z. Berisha si projektim të konceptit që ka ai për veten dhe rolin e tij në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, unë e kam të vështirë të përligj edhe vetë idenë këmbëngulëse për ta lidhur me çdo kusht identitetin fetar me identitetin etnik, për t’i trajtuar këto dy çështje së bashku, për t’i sulmuar kundërshtarët e identifikimit etnik vullnetar si “ateistë” dhe për ta lidhur identitetin shqiptar me besimin në zot (në zotin abstrakt, algjebrik në mos laraman të monoteizmit, që bashkon në vetvete myslimanët dhe të krishterët).

Deri më sot, sociologët, historianët, antropologët dhe punonjësit socialë që janë marrë me këtë çështje i kanë trajtuar shqiptarët si popull jo shumë të përshpirtshëm; ose më mirë, si popull që e përdor fenë për t’u identifikuar e për t’u mburrur, njëlloj siç do të përdorte dikush krahinën ose fshatin nga ku e kanë origjinën të parët e tij, por jo për ta adoptuar si përmasë ose kusht ekzistencial të përjetimit të vetvetes dhe të sendeve.

Deri edhe kryeministri Berisha, në daljet e veta publike, është paraqitur, të paktën mua më është paraqitur, si një (ish) intelektual me prejardhje myslimane që e pranon fenë si faktor social të domosdoshëm dhe ia njeh rëndësinë spirituale dhe sidomos etike në jetën e një shoqërie që kërkon të jetë moderne si e jona; por pa qenë vetë besimtar i devotshëm, në kuptimin tradicional të fjalës.

Ky ka qenë, besoj, edhe qëndrimi i drejtë për t’u mbajtur, nga një burrë shteti në një vend si Shqipëria, me shumë fe dhe sekte, me një të kaluar totalitare ku ateizmi ishte sanksionuar me kushtetutë, me një shumicë myslimane të cilën kundërshtarët duan ta bëjnë të ndihet fajtore për prapambetjen e vendit, me një bashkësi të madhe të krishterë ortodokse të cilën qarqe të caktuara agresive dhe shqiptarofobe në Greqi rreken ta kontrollojnë nëpërmjet përkatësisë fetare dhe një bashkësi, ndoshta po aq të madhe, katolike që, me pak përjashtime, përjeton një skizofreni të çuditshme midis prapambetjes së saj ekonomike e kulturore (të shkaktuar pjesërisht nga persekutimi totalitar), dhe iluzioneve për t’iu imponuar të tjerëve si ndërfaqe (interface) në raportet me Europën.

Në mënyrën si u imponua nga totalitarizmi, ateizmi nuk ishte veçse sëpata e ndërkryer që preu lisat shekullorë të historisë, të traditës, dhe të identitetit të homo albanicus; por një farë distancimi nga feja, i politikanëve shqiptarë, në aktet dhe gjestet e tyre publike, mbetet i nevojshëm, në kushtet e Shqipërisë, e cila nuk ka, as mund të ketë një fe të vetën të bashkëlidhur me identitetin kombëtar, siç ka Greqia fenë ortodokse, Izraeli judaizmin, ose Spanja, Italia dhe Polonia katolicizmin. Formula e Pashko Vasës, “feja e shqyptarit asht shqyptaria”, merr sot më shumë vlerë se ç’kishte dje; në qoftë se kuptohet dhe interpretohet si ftesë për ta mbajtur fenë larg institucioneve publike dhe jetës politike të vendit. Nuk shoh ndonjë arsye, që një formulë e tillë të zëvendësohet, siç po bën z. Berisha, me një nënshtrim simplist dhe sipërfaqësor ndaj një zoti kinse monoteist, të tredhur ideologjikisht dhe mitologjikisht deri në atë shkallë, sa të jetë i pranueshëm edhe për të krishterët edhe për myslimanët e Shqipërisë, madje edhe sikur, në emër të kësaj pseudo-feje, të sakrifikohen tani papritur ateistët në altarin e korrektesës politike.

Nuk ka komente

  1. : « Qëkurse u besojmë Zotave, jemi bindur edhe se këta rregullojnë punët njerëzore dhe se këto dy aspekte të fesë janë të lidhura mes tyre… Feja ka lindur nga konstatimi, i përsëritur mijëra herë, se shumica e akteve tona nuk e arrijnë synimin, dhe mbetet doemos një distancë, një hapësirë e zbrazët mes synimeve tona sado mirë të planifikuara dhe arritjes së tyre, prandaj edhe na kap pasiguria, nëna e shpresës dhe e frikës. » cit. A.-J. Festugière, Epicure et ses dieux, PUF,Paris 1946, in J. Lacan, Le séminaire, Livre III, Seuil, Paris 1981, p.227.

  2. Nqs e keni pare ndonjehere Berishen duke ngrene mish derri apo pire alkohol atehere mbetet qe ai te jete i Krishtere

  3. Berisha i përkiste në periudhën evropianolindore shqiptare asaj pjese të elitës intelektuale, e cila për arsye të ambicieve karrieriste i ndërprenë lidhjet jo vetëm me Zotin, por edhe me të gjithë të kaluarën e tyre biografike. Berisha ishte “njeriu i ri socialist”, i cili beson vetëm tek forcat e veta.
    Referimi në çështje feje është thjeshtë shpërdorimi i radhës i vlerave morale që ai gjen tek të tjerë rrotull vetes, për t’u profilizuar si i virtytshëm e nga ana etike i përfaqësueshëm. Fatkeqësisht e bën sipas stilit të tij radikal (komunist) antagonist; o me Zotin (me mua) o kundër tij.

    Ngaqë modeli i tij i artikulimit publik është ai i Enver Hoxhës, nuk e çan kryet as për për këshilltarë, se ma merr mendja, që ndonjëri nga këta do t’ia kishte çuar në mendje, që në fjalinë e parë të preambulës së Kushtetutës së Republikës thuhet:

    “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, ”

    apo në nenin 10, paragrafi 2:

    “Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.”

    apo në nenin 18 parag. 2:

    “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.”
    (që unë nuk e kuptoj, se çfarë do të thotë “diskriminohet padrejtësisht”)

    (që e gjeta një rresht më poshtë: “Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.”; që një Dreq e kupton, se pse paska një kufizim të të drejtës universale të paragrafit 2; që do të thotë, se paska një arsye të përligjshme dhe objektive për t’i thënë dikujt: “ik mor antropozof!”, apo “ik mor fytyrzbehtë”)

    apo neni 24:

    1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.

    2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

    3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

    apo neni 18 i Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së

    Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.

    apo që liria e besimit fetar parashikon si të barasvlershme si si të “drejtën aktive” për t’i përkitur një feje, ashtu edhe “të drejtën pasive”, për të mos i përkitur asnjë feje.

  4. Berisha ka zgjedhur nje stil retorik te bazuar tek emotiviteti dhe abstraktja, duke anashkaluar krejt argumentin.
    Te njejten fryme e perdor edhe kur flet per krenarine e te qenit shqiptar, se shqiptaret keshtu e ashtu.
    Per kete te dyten, dokrrat e para ne kete linje i tha Pollo.

    Me pak fjale, i kundervihet atyre qe sipas tij kane krize identitare si ne aspektin fetar ashtu edhe etnik, te paret ‘ateiste’, te dytet ‘apolide’.

    Ceshtja eshte fare e thjeshte, nuk ka pike rendesie ne shqiptaret deklarojne apo jo fene dhe etnine e tyre, rendesi ka qe Himara do kete mundesi ta deklaroje duke kerkuar pastaj statusin e zones minoritare dhe te gjithe ata qe marrin pensione a privilegje nga greku do e deklarojne veten edhe ortodokse edhe greke, sepse u hyn parja ne xhep.

    Te fituar ne kete mes dalin padyshim greket ( rreth 100 milione euro ne vit hedhin vetem per pensionet e famshme) dhe ndoshta katoliket te cilet kane nje deshire te papermbajtshme qe te dalin mbi 11% , qe sipas tyre eshte shifer e shume e cunguar nga regjistrimi zogist.
    Nje nga arsyet pse s’kemi pare ne qarkullim ‘katolike’ haptazi kunder regjistrimit.

    Te goditur do dalin myslymanet numerikisht dhe ortodokset cilesisht, sepse sa me shume shtohet numri i grekeve aq me shume pakesohet forca shqiptare brenda ortodoksise, biles nuk eshte ndonje çudi qe nese del ndonje shifer qe kemi frike, te propozohet edhe heqja e autoqefalise shqiptare dhe rikalimi ne duart e Patriarkut grek te Kostandinopojes. Kjo do ishte katastrofe politike ne aspektin strategjik .

    Te shpresosh se shqiptaret ne tetor do kene ndonje thirrje te ndergjegjes e nuk do deklarohen greke dhe ortodokse, duket utopike, prandaj e vetmja mundesi sipas meje eshte qe Presidenti te mos miratoje ligjin e ta hedhe per rishqyrtim ne parlament, pastaj nese parlamenti e voton serisht, te çohet ne Gjykaten Kushtetuese me shprese se kjo do arrije te mbroje interesin kombetar.
    Tashme vetem Gjykata Kushtetuese dhe Ushtria, mund te quhen te vetmet institucione te shpreses per mbrojtjen e interesit kombetar. Sikur te kishim ndonje ‘Pentagon’ edhe ne, s’do ishte keq .

    Berisha duhet ndalur me çdo kusht, perndryshe do na hape probleme shume me te medha sesa prishja e Piramides.

  5. ”’çfarë do të thotë “diskriminohet padrejtësisht””

    Ketu supozohet ekzistenca e nje diskriminimi te drejte, ne fakt ekziston diskriminimi pozitiv si ta zeme ‘kuotat roze’. Diskriminimi pozitiv eshte edhe me i gjere sepse taksa progresive eshte diskriminim pozitiv, biles vete koncepti i shtetit social bazohet tek diskriminimi pozitiv.

    Diskriminimi i drejte supozon ne thelb nje privilegj, nepermjet te cilit shpresohet te arrihet barazia, dmth buron nga parimi i barazise, prandaj eshte demokratik.
    Diskriminimi i padrejte, krijon apo thellon pabarazine prandaj eshte antidemokratik e rrjedhimisht i denueshem.

    Nderkaq pika 3 e nenit 24:

    3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet ……………………………………… të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

    E nxirrte ligjin e meparshem automatikisht antikushtetues, sepse ”askush nuk mund te detyrohet te beje publike bindjet e besimin e tij”’.

    Meqe ishte lehtesisht i nxjerrshem antikushtetues, dolen me keto rregullimet keta, dmth me pyetjet fakultative, po deshe pergjigju nuk te detyrojme, mirepo kjo tregon sa te devotshem ishin keta miqte e Greqise, gati te shkelnin Kushtetuten haptazi vetem e vetem per xyz interes.

    Nderkaq me formulimin e ri, u dhane derrmen gjithe mbrojtjes se vjeter, dmth se shteti ka nevoje per te dhena , meqe nje pyetesor fakultativ eshte si tip sondazhi dhe nuk ka ndonje arsye pse shteti te ndermarre ndonje sondazh.

    Tani meqe eshte qesharake te thuash se shteti do beje sondazh e jo regjistrim apo ‘census’, mbrojtja si tek Pollo si tek Berisha eshte bazuar tek futjakotizmi tipik i fushates elektorale.
    Futja t’ja fusim se do gjejme hajvanet tane qe do te na mbeshtesin.

    1. Në fakt, termi “diskriminim” e nënkupton padrejtësinë, duan apo nuk duan etimologët. Që këtej edhe specifikimi eksplicit në termin “diskriminim pozitiv” (askush nuk thotë “diskriminim negativ”, prandaj edhe askush nuk duhet të thotë “diskriminim i padrejtë”). Diskriminimi është negativ par défaut. Kur bëhet në mënyrë pozitive, specifikohet.

  6. Diskriminimi ne kete kontekst nenkupton ate qe pak a shume ka shpjeguar Hyllin. Me shume se sa me padrejtesine, ka te beje me pabarazine, pra me trajtimin e pabarabarte kur ky imponohet nga rrethanat me qellim qe te realizohet barazia thelbesore mes shtetasve. Keshtu shembull i mire eshte ai i kuotave roze, apo i krijimit te lehtesirave per punesimin e te rinjve, apo i lejeve nga puna per neo-nenat, etj. Flitet per “diskriminim te perligjur” pasi te tilla raste duhet te rregullohen sidoqofte nga ligji.

  7. Problemi xha xha eshte se nuk mund te thuash vetem ‘ndalohet diskriminimi’, e meqe nuk mund te thuash ndalohet diskriminimi negativ, legjislatori ka futur konceptin e padrejtesise.
    Po te mos i jepet nje specifikim, formalisht kushtetuta do ndalonte edhe diskriminimin pozitiv, meqe do ndalonte çdo lloj diskriminimi.

    Ne thelb diskriminimi eshte i kudogjendur, ta zeme edhe ne blog kur i kundervihesh ne grup njerit qe ka bindje te tjera, ne fakt po e diskriminon.
    Une per vete e shoh normale qe ti te diskriminosh dike duke favorizuar ate qe i perket ‘grupit’ tend.

    Meqe diskriminimi eshte shume i gjere, i perhapur si dukuri, e mira kerkon qe te renditen se cilat diskriminime ndalohen, keshtu qe mund te lejohen gjithe te tjerat dhe legjilatori eshte perkujdesur t’i rendite sipas shembullit nderkombetar .

    Nga kjo nevoje per renditje kuptohet edhe parehatia gjuhesore per ti dhene kuptim te plote negativ.

  8. Berisha të paktën mua më është paraqitur si një (ish) intelektual me prejardhje myslimane që e pranon fenë si faktor social të domosdoshëm dhe ia njeh rëndësinë spirituale dhe sidomos etike në jetën e një shoqërie që kërkon të jetë moderne si e jona; por pa qenë vetë besimtar i devotshëm, në kuptimin tradicional të fjalës.

    Mund te mos jete i devotshem..po sic thashe jepi nje sahan mish derri e shihe a e han. Ka pas qene nje shkrimtar kosovar me emrin Sulejman Krasniqi. Ne nje epike per Mic Sokolin pershkruante nje rast kur maloket muslimane desh u vrane me ata katolike per pune nje koke derri qe u gjet ne xhami (te vene kuptohet nga anmiku). Tani a eshte Berisha maloku, apo koka e derrit une kete s’e kam percaktuar ende. Por besoj me ndihmen tuaj…

  9. Edhe vet Berisha s’i merr seriozisht budalliqet qe nxjerr nga goja, e jo me te tjeret. Çfare kuptimi ka te marresh e te analizosh fjalen e tij? Atehere i bie te analizosh edhe ato ku flet per thika me helm e çadra automatik, dhe te argumentosh me pas se si, e se ku, ia ka futur kot.

    Vertet eshte Kryeminister dhe s’ke ç’ben, do ia degjosh fjalen, por vetem per te kuptuar se ç’mendje ka – te mire apo te keqe.
    Zakonisht per te bere nje gje te tille, mjafton te degjosh edhe vetem fjaline e pare dhe e kupton p.sh. qe e ka ndare mendjen ta nxjerri Lulin fitues, dhe e di qe pas kesaj shpallje te qellimeve, do e vazhdoje me pas ligjerimin me marrezira nga me te ndryshmet, pa piken e lidhjes dhe pa piken e llogjikes.
    Madje shpesh here s’eshte fare e nevojshme ta degjosh te flasi, se qe pa filluar e kupton nga menyra se si lepihet apo se si kercenon me gishta, se nuk ka ndermend te hapi rruge e qe perkundrazi do vazhdoj me absurditete te tilla, saqe ti te bindesh per te njeqinden here se ky njeri nuk eshte ne rregull nga trute e kokes.
    Nje gje ama duhet ta pranoje qe e sjellin fjalimet e tij – pasurojne gjuhen shqipe; dhe si ndodhi edhe ne kete rast… tashme, prej ketij fjalimi, Lulin e njohin te gjithe si nje Kanakar Kongjenital.

    Nuk dua te jem aspak grrices por mendoj se eshte gabim te marresh e te analizosh fjalet e tij sepse percjell padashur idene qe Berisha eshte nje njeri normal, kur nderkohe eshte fare e qarte qe eshte nje i dale jashte kontrollit, i cili pasi ka vrare, ka manipuluar zgjedhjet, ka shkaterruar e permbytur e hedhur ne ere çdo gje, e prape vazhdon te kete ne mendje vetem shkaterrimin – te Piramides, por deri-deri edhe te gjithçkaje tjeter.

    Nuk e shihni ju qe kemi ne pushtet dike qe si ka lene gje manget Esat Pashe Toptanit. (qe madje se ka per turp as te mbeshtetet publikisht nga pinjollet e tij)
    Çfare doni qe te bej akoma ky njeri qe t’i therrisni gjerat me emrin qe kane?
    Nejse, ju me duket se kompleksoheni nga fakti qe keto gjera mund t’i thote çdonjeri dhe prandaj nuk ben t’i thoni edhe ju; por a mund te vazhdohet me poza intelektuali – siç ben Lubonja e te tjere – kur perpara ke nje vrasje e nje vrases. Nuk e di se si arsyetoni.
    __________

    Presidenti jo vetem t’i rrezoje keto ligje, por edhe te japi doreheqjen nese i miratojne perseri.

    Perveçse do hynte personalisht ne histori, do bente te mundur edhe ngritjen e nje institucioni te vertete – atij te Presidentit – dhe do jepte edhe shembullin se si ne te vertet ngrihet nje institucion, pa shpenzuar as edhe nje lek e jo me 100 milion euro siç po duan te na rrejne tani me Parlamentin.

    Te japi doreheqjen edhe per nje arsye tjeter, sepse AKZ-ja vetem me Spahiun – qe eshte nje kal karroce – nuk ben dot perpara. I duhen figura te tjera qe vetem Topi (dhe sidomos Topi pas nje veprimi te tille) mund t’i mbledhi; nga pd-ja ka plot te ikur apo qe do e ndjejne se me Berishen s’kane ku shkojne – dhe le t’i japin jete nje partie vertete te djathte.

  10. Oligark,

    Me Berishen patjeter qe duhet marre. Duhen analizuar ato qe thote dhe ben. Sepse, duam apo s’duam ne, ai eshte kryeminister i vendit, i votuar nga rreth 50% e popullsise, dhe qeveris ne koalicion me parti te tjera. Pra, formalisht, ai eshte ne rregull me ligjin. Sic ishte ne rregull me ligjet e veta Enveri, Hitleri, Stalini, Bushi, e keshtu me rradhe.

    Eshte detyre e intelektualeve, si Xhaxhai e te tjere ne media e ne blogje, qe te merren me Berishen ne kete forme, se pastaj biem ne parrulla e epitete populiste te tipit “vrases” “i cmendur” qe ne fakt nuk thone asgje me vlere, pervecse kerkojne ti bejne thirrje emocioneve dhe jo mendjes se njerzve.

  11. Ah moj LG. Qe kur thua se sali berisha eshte i votuar nga rreth 50% e popullsise, kuptohet se sa mund te duhet per te mbushur ato mend qe ke.

    Keshtu qe vazhdo e analizo ato qe thote perderisa akoma nuk e ke kuptuar qe ai i vjedh votat! Madje me zgjedhjet e fundit ne tirane arriti nje rekord te ri dhe e beri si ata mafiozet qe pasi i shtijne dhe zbrasin gjithe karikatorin mbi dike, i shkojne me mbrapa edhe ne spital e i shtijne edhe njehere tjeter aty nese ndodh qe ai dikush, per nje fat te pashpjegueshem, akoma nuk ka vdekur.

    Nese ti akoma nuk e ke kuptuar qe kemi te bejme me nje vrases te cmendur qe perpiqet t’ia hedhi duke budallalliqe pa lidhje – po ta them edhe njehere – vazhdo analizen se te duhet. Madje mezi po e pres analizen e atij fjalimit te fundit qe beri dje apo pardje, dhe qe nderkohe kur ne Kosove vriteshin ushtaret e uck-se, ky fliste per perparesite qe na paskan boronicat ndaj sheges ne luften kunder radikaleve te lire qe na plakin perpara kohes.

    p.s. ish oligarku k. se kam ndryshuar emrin tani. Jam njeri i lire.

  12. Kryeministri (Saliu) as vete nuk e di se cfare feje ka, madje ai as gjinine e tij ndoshta nuk e di-por ai di se eshte i gjinise “kryeminister”.
    Me tej, po qe se do tja propozonin qe qytetaret lirisht te deklarojne se te cfare seksi jane, edhe kete do ta mbeshteste.
    Lete jete e plote liria e popullit, burrat mund te deklarohen gra e anasjelltas, rendesi ka qe ai te mbetet kryeminister.
    Me fjalimet e Berishes nuk duhet te merremi seriozisht, por per argetim, kete funksion ato e plotesojne ne masen maksimale.
    Nuk eshte e rastit qe kur merr fjalen ne parlament, ne salle plas gallata. Por megjithate me vjen keq qe ne krye te qeversie shqiptare eshte nje karakter i tille.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin