Kur kundërshtari politik arrin të mbijetojë duke ia përcjellë tjetrit trajtat e ligjërimit të vet prej humbësi, atëherë kushedi mund të fillojmë të flasim për shpagim.
Në një deklaratë (që nuk po e marr vesh se ku e ka bërë), deputetja e P.S.-së Esmeralda Shkjau u drejtohet kolegëve të vet Lulëzim Basha dhe Sali Berisha, duke i quajtur, përkatësisht, “Luli” dhe “plaku”; dhe më pas, duke e quajtur kreun e opozitës “papagalli i katragjyshit.”
Këto stilema pijanecësh e gjetën njëfarësoj rrugën deri në gojën e një përfaqësueseje të popullit:
Ndërkohë që Policia e Shtetit bëri detyrën e saj dhe e arrestoi keqbërësin, Luli dhe plaku sulmuan policinë. Ndërkohë që Ministri i Brendshëm iu gjend pranë viktimës, Luli dhe plaku sulmuan ministrin e Brendshëm. Ndërkohë që zyra e deputetit e dënoi me forcë aktin e turpshëm të një punonjësi, Luli dhe plaku sulmuan deputetin,
deklaroi z. Shkjau.
Të poshtërosh tjetrin, kundërshtarin, duke e quajtur “ndryshe” – këtë e patën kthyer në art pikërisht eksponentët e opozitës, që nga vetë z. Berisha; çka edhe pastaj ua shkaktoi humbjen – së bashku me arrogancën, padijen dhe virtuozitetin në gënjeshtra.
Luli dhe plaku – këtu kemi dalë nga politika, për t’ia shkelur syrin rrugës, kafenesë dhe alabakërisë.
Pse askujt nuk i shijon më mirë përdhosja e emrit, sa atij që s’ka emër e që gjithnjë është ndier pjesë e turmës.
Në fakt, nga të zgjedhurit e vet, publiku nuk pret të bëjnë folklor, as estradë; por që të operojnë në pajtim me besimin që u është dhënë.
Luli dhe plaku – këto marka tregtare të lëvereve të medias dhe të anonimëve që shkruajnë atje me gishta – dashur pa dashur e rreshtojnë z. Shkjau në po atë turmë së cilës i përkasin edhe viktimat e retorikës së saj.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
“Luli dhe Plaku” eshte nje shprehje qe te jep idene se ka dale nga goja e Kryeministrit. Te pakten nga forma dhe permbajtja e batutes duket tipike “made by Edi Rama”. Gjithsesi mund edhe te gabohem, por me duhet ta pranoj qe shkakton nje doze te pranueshme humori tek degjuesit 🙂
Çdo gjë bën vaki. Nesër mund të dalë se e ka thënë Shvejku edhe këtë 🙂