VDIQ MBRETI, RROFTË MBRETI

nga Xhabyni

Tashmë është e vendosur që Piramida do të shkatërrohet, në vend të saj do të ndërtohet një Parlament i cili do të ketë kostot e tij. Ndoshta është çudi që të shkruhet sërishmi për këtë godinë, duke qenë se as firmat e qytetarëve, as mendimet e atyre intelektualëve që ishin kundër prishjes por as vetë vullneti i qytetarëve nuk u morr parasysh. Ne vazhdojmë të trashëgojmë maninë për të shkatërruar atë që e ka ndërtuar tjetri, vazhdojmë të trashëgojmë dëshirën për të ushtruar me dhunë mendimin dhe pasionin e udhëheqësit (apo edhe udhëheqësve) dhe sikundër u shkatërrua Pazari i Vjetër, Bashkia e Vjetër, kisha Ortodokse, xhamia e Sulejman Pashës, ish kinema 17 Nëntori, ish Kinema Republika po të njëjtin fat do të ndjekë edhe Piramida. Në këtë shkrim do mundohem të shoh arsyet se përse ngrihen alternativat për prishjen e kësaj ndërtese.

Sa për të mos harruar

Godina e Piramidës u ndërtua nga fundi i viteve 80’ nga dhëndri i ish diktatorit Hoxha dhe fillimisht u përdor si vendi ku do të ekspozohej faraoni i Shqiptarëve, Enver Hoxha, dhe vepra e tij. Edhe pse forma e saj nuk ishte forma e një Piramide reale (madje po ta shohësh nga sipër nuk ka një formë gjeometrike të tillë), po ta vështrosh atë nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit ajo të duket si një Piramidë. Gjithsesi konotacioni që mori emri i kësaj godine (pra Piramida) ishte i lidhur jo vetëm me formën gjeometrike por edhe me vetë atë çka mbante në veten e saj.

Pas rënies së regjimit komunist kjo ndërtesë e humbi funksionin e saj, duke qenë se kishte një hapësirë të gjelbër akoma të pazaptuar nga kioskat ajo përdorej nga qytetarët si një vend pushimi dhe argëtimi, madje shumë prej fëmijëve por jo vetëm hipnin dhe zbrisnin nga faqet e saj. Në vitin 2000 kjo ndërtesë (sikundër edhe ndërtesat e tjera që ndodhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit) u shpall monument kulture edhe pse për të qenë të sinqertë ajo kurrë nuk u respektua si e tillë duke qenë se në ambientet e saj u vendosën një televizion edhe një radio të cilat muret e saj i shpuan për të ngulur antenat e tyre po kështu në katin përdheses të saj u ndërtua një nga lokalet e natës më të njohura në Tiranë, “Mumia”, i cili frekuentohej nga çdo i ri pa dallim të bindjes partiake.

Më pas mori emrin Qendra Kombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori” dhe në sallat e kësaj qendre kishte kohë që kryheshin aktivitete të ndryshme si “Rinfest” apo edhe Panairet e librit dhe punës, me ardhjen në pushtet të kryeministrit Berisha u shpall se atje do të ndërtohej Teatri i Ri por që më parë kjo godinë duhej të rikonstruktohej kështu që pasi u hodhën me miliona lekë dhe pasi u hoqën të gjitha pllakat e mermerit me të cilat qe veshur u morr vendimi që të prishej dhe të kthehej në parlament. E gjitha kjo ngjalli një reagim të gjerë publik, disa ishin pro qeverisë dhe argumenteve të saj ndërkohë që disa të tjerë ishin kundër.

Të shkatërrosh simbolikat

Një nga argumentet kryesore për prishjen e Piramidës është ai i shkatërrimit të simbolikës së diktaturës; çrrënjosjes së një çibani i cili e shëmton Tiranën, shkatërrimit të një mauzoleu i cili tregon epokën diktatoriale. Natyrshëm shtrohen disa pyetje në këtë moment; A është realisht një mauzolé? A ka luajtur gjithnjë këtë funksion? A është e vetmja simbolikë e diktaturës në Shqipëri?

Po t’u hedhim një sy të shpejtë ndërtesave që gjenden vetëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe Sheshin Skënderbej do të shohim se nuk është vetëm Piramida “simbolika e sistemit”, meqë, po të ecim akoma më në jug të Piramidës do të shohim ndërtesa si Komiteti Qendror, godina e Kryeministrisë, godina e Presidentit dhe pallati i Kongreseve dhe nëse për një moment do të vendosim të zbresim nga veriu i bulevardit, drejt Sheshit Skënderbej, atëherë do të shohim godina të regjimit komunist si Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit, Hotel Internacionali. Në një gamë kaq të madhe ndërtesash dhe objektesh të periudhës komuniste që shfaqin në një formë apo në një tjetër ideologjinë komuniste dhe diktatoriale të Hoxhës mundet fare lehtë të bëjmë një vlerësim se kush është apo nuk është simbolikë reale e diktaturës. Fjala vjen shtrohet pyetja: Cila është simbolikë reale e diktaturës: godina në të cilën ndodhen sot zyrat e kuvendit, pra ish Komitetit Qendror, apo Piramida e cila u përdor vetëm një vit si panair i veprës së Enver Hoxhës?

Por edhe sikur të supozojmë se po shkatërrohet simbolika e atij regjimi, sa vlerë ka ai shkatërrim ku në vetvete qeveritë e këtyre 20 viteve të demokracisë nuk kanë kryer asgjë ndaj ndëshkimit të kriminelëve të regjimit komunist? Simboli i vërtetë i komunizmit nuk është në pallate apo ndërtesa, edhe pse disa prej tyre realisht përfaqësojnë mentalitetin komunist, por edhe tek individët: mjafton të kujtojmë këtu se Nexhmije Hoxha u dënua në fillim të viteve 90’ jo për krimet ndaj Shqiptarëve por për abuzime me kafetë, Ramiz Alia po ashtu; apo kur personazhe si Hekuran Isai dhe të tjerë vazhdojnë të jenë të patrazuar dhe të jetojnë po në luksin ku kanë pas jetuar të parët e tyre.

Mjafton të kujtojmë se nuk kemi akoma një ligj për hapjen e dosjeve, që të përndjekurit politikë, po ata që në të shumtën e rasteve janë ndërtuesit e këtyre veprave të regjimit, sot e kësaj dite sorollaten nga zyra në zyrë për të marrë një dëmshpërblim të varfër dhe nuk kanë një ditë për të përkujtuar vuajtjet e tyre nën regjimin komunist. Mjafton të kujtojmë se qeveritë aktuale janë po aq diktatoriale në çështjen e pronës sa edhe regjimi i Enver Hoxhës, sa kohë që asnjëherë nuk kanë mbështetur pronarët e ligjshëm të tokave madje kanë shpikur një term të ri për ta: ish-Pronarët. Me pak fjalë, kjo luftë kundër simbolikës së komunizmit është sa sipërfaqësore aq edhe e pabesueshme, meqë realisht nuk ka pasur një luftë kundër frymës komuniste që qarkullon në vendin tonë dhe mes njerëzve në Shqipëri.

Por le t’i qëndrojmë arsyetimit të parë që u përmend në paragrafin e mësipërm, atij të shkatërrimit të simbolikës. Historia e Evropës ka pasur shumë tragjedi në brendësinë e saj, ka pasur shumë beteja dhe luftëra, mjafton të kujtojmë Luftën e Dytë Botërore dhe holokaustin ndaj çifutëve. Kur Lufta II Botërore përfundoi, në qytetin e Nurembergut u krye një gjyq i cili dënoi jo vetëm Nazizmin por edhe të gjithë krerët e mbijetuar të atij regjimi. Më pas, një nga kampet më të famshme të shfarosjes në masë, Aushvici, do të shndërrohej në një muze për të përkujtuar holokaustin dhe dhimbjen që fashizmi i solli botës.

Çuditërisht edhe pse qeveria aktuale e shpall me të madhe se po thyen dhe po shkatërron simbolikat e komunizmit, nuk ka organizuar ndonjë gjyq si ai i Nurembergut, madje as godina e Spaçit nuk është kthyer në një muze për të përkujtuar vuajtjet e të përndjekurve politikë. Gjithnjë në këtë kontekst, a nuk kemi të drejtë të pyesim si ka mundësi që asnjë nga këto qeveri nuk përmendi asnjëherë shndërrimin e një prej godinave të saj (pse jo dhe Piramidës) në një muze që të fliste për diktaturën dhe dhunën ndaj të përndjekurve?

Na duhet një parlament i ri

Demokracia është një fjalë që buron nga greqishtja e vjetër dhe që përbëhet nga dy fjalë δῆμος (dêmos) = njerëz dhe κράτος (kratos) = fuqi; kështu që bashkimi i këtyre fjalëve do të thotë fuqia e njerëzve ose e përkthyer në një formë qeverisëse quhet kur njerëzit vendosin pra populli është sovran. E sikundër e dimë forma e parë e demokracisë ishte ajo athinase e cila më pas u zhvillua gjithnjë e më shumë dhe arriti të vinte në stadin që sot quhet Demokraci Përfaqësuese. Pikërisht sistemi që ne sot zbatojmë në vendin tonë hyn tek demokracia përfaqësuese, ku populli zgjedh individë të caktuar (të një partie politike zakonisht) për ta përfaqësuar në Parlament.

Këto kohë është shtruar çështja, nga vetë deputetët, që Shqipërisë i duhet një Parlament i ri meqë po afron 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë dhe ndërtesa aktuale e parlamentit është ndërtesë e periudhës komuniste; ka edhe nga ata që mendojnë se kërkesa e për Parlamentin e ri i detyrohet “megalomanisë së Kryetares së Parlamentit, por jo vetëm, për të ndërtuar një godinë ku emri i saj të mbetet përjetë në histori” (kjo e fundit është vetëm një hipotezë që i jep shije situatës).

Pyetja që unë shtroj është: nëse realisht jetojmë në demokraci, pra aty ku populli vendos, përse qeveria aktuale nuk e shtron në referendum çështjen e ndërtimit të një parlamenti të ri? Pyes kështu sepse, duke parë maskaradat në parlament, ofendimet, dhunën, bojkotimet, mosrespektimin e kushtetutës dhe të ligjeve, nëpërkëmbjet e Shqipërisë dhe të integritetit të saj territorial, abuzimet me fondet që me pak fjalë tregojnë se deputetëve as nuk u bëhet vonë për demos-in, atëherë përse duhet të shpenzohen miliona euro për të përmbushur dëshirat e tyre për një parlament luksoz? E bukura është se këtë parlament luksoz nuk e kundërshton as opozita, që me kinse kundërshton prishjen e piramidës sa për të fituar disa vota më shumë dhe sa për tu gjendur pranë disa nostalgjikëve. Por realisht përse duhet? Për të na futur akoma më tej në batakun e borxheve?

Dikush mund të thotë se ky parlament duhet për të nderuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe mundin e të gjithë atyre burrave dhe grave që i shërbyen kombit. Përpos kësaj retorike më shumë patetike se sa patriotike, meqë zonja kryeparlamentare nuk ka denjuar të vendosë një pllakë përkujtimore pranë godinës së parë të Parlamentit Shqiptar, do të ishte më e udhës që të vendosim ne populli (pra sovrani) nëse duam apo jo një seli të re për këta deputetë. Të jemi ne populli që të vendosim nëse deputetët e kanë kaluar klasën për të merituar këtë luks apo jo, të jemi ne populli (pra sovrani) që të vendosim nëse elita politike shqiptare meriton të nderohet apo të ndëshkohet në këtë 100 vjetor.

Jetojmë në Demokraci dhe, me kushtetutë, jemi ne, populli, sovrani i cili vendos dhe jo ata (pra deputetët). Pra të na e lënë ne në dorë të gjykojmë nëse duhet apo nuk duhet të ndërtohet një Parlament i ri dhe të mos veprojnë si merhumi i cili ndërtoi pa pyetur popullin por në emër të tij. Përndryshe, ndoshta edhe ky Parlament i ri do të ngrihet para syve tanë si një Piramidë e re.

Mirë u takofshim

Shembjen e Piramidës unë e shoh si shembje të historisë, dyfaqësi dhe forcim të komunizmit, diktaturës brenda individit. Nuk do të doja të shkatërrohej sepse me kinse në vitin 2000 u bë monument kulture dhe kisha shpresë se aty mund të ndërtohej një muze ideal kundër komunizmit. Do ishte më e sinqertë sikur dëshira për ta prishur t’u lindte vetë qytetarëve, por kjo nuk ka ndodhur sepse qytetari gjithmonë ka ditur ti japë një simbolikë tjetër asaj piramide, edhe kur e ka quajtur “Piramida e Faraonit”.

Ndërkohë nostalgjikët dhe militantët i këshilloj të mos mërziten…në fund të fundit një trup gjeometrik që s’i ngjante Piramidës do t’ia lërë vendin një Piramidë të re të quajtur Parlament, që sërishmi s’do ti ngjasojë asaj. Po, po pikërisht ajo do të jetë Piramida e re, aty ku thuren ligjet kundër nesh, aty ku fyhet, ku vidhet, ku bojkotohet, vendi që ndonjëherë ti e sheh në TV dhe dëshiron ta shkatërrosh, sepse e ndien që nuk të përfaqëson… kjo është Piramida e re e cila u ndërtua pa u pyetur sovrani, për t’u shërbyer përfaqësuesve të sovranit.

Megjithatë, nëse nesër do të vijë ndonjë tjetër që të dëshirojë të shkatërrojë Parlamentin e ri (“Piramidën e re”) për të ndërtuar aty ndonjë Obelisk unë sërish do të kundërshtoj, jo se dua Piramidën e re por sepse dua të qëndrojë aty ajo godinë që përfaqëson pikërisht këtë etapë të politikëbërjes shqiptare, etapë që ende s’e ka marrë një emër. Kështu që të gjithë do brohorasim vdiq mbreti, rroftë mbreti!


Nuk ka komente

  1. Kjo ceshtja e piramides as mua nuk me dhimbet, sidomos qe kur F. Nano me nje skeme mashtrimi la arabet te ndertojne ato dy kullat e shemtuara, per t’ia marre pastaj ne bashkepunim me amerikanet dhe ShIK per te pasuara Sefgjinet me shoke.

    Por ka dicka, nga te dyja krahet ngjarja po keqperdoret. Kjo deshmon se ngjarja mund te perdoret si nje analize siptomatike e sistemit tone politik, sidomos ne lidhje me aktoret kryesore ne kete ngjarje.

    Klasa politike: Qofte PS edhe PD e kane lene kete ngrehine ne meshire te fatit dhe perdorimit te njeanshem te nje medie. PD kerkon te ngreje dicka per te lene gjurme, Sala do te largohet se shpejti nga skena politike dhe nje godine do t’i bente emer, se zullumi i tij nuk ka bere pak njerez te pakenaqur. Per me teper deshirojne te shperblejne edhe klientelen e tyre me para. Dhe guri vret zogun e trete, nje media te pajtuar prane PS. Nderkohe PS e perdor kete ngjarje per te mobilizuar sa me shume intelektual pas platformes se tyre, platforme politike inekzistente deri me tani (megjithe perpjekjet e ndonjerit per te shpalosur dic te tille neper gazeta).

    Media: Top Channel po i meshon perditazi faktit se po prishet… pak rendesi ka … ajo ka zyrat atje ne mes te Tiranes me qira shume te ulet. Mobilizon ambasadore per te mbrojtur interesat e saj, qe i fut ne kontesktin e mbrotjes se medias dhe fjales se lire. Ne fakt eshte nje nga partizanet e para te manipulimit te fjales se lire dhe nje kompani fitimprurese (cfare shume e harrojne) me nje marketing teper agresiv ne treg (reklamat kunder dekoderave TV). Edhe pse mendohet se kundershton sistemin politik aktual, ne fakt ka nje kapital social te hatashem, e forte per te angazhuar prokurore dhe aparatin gjyqesor ne favor te saj kur i cenohet interesi ekonomik (arrestimet e fundit te ca teknikeve satelitor amator deshmojne per kete). Mediat e tjera heshtin. Ato kerkojne te varrosin cdo lajm qe e shperfaq qeverine se ben politika jopopullore. Disa jane te blera, ca te shantazhuara nga Drejtoria e Tatimeve e ca te tjera ngase ekzistojne kryesisht per te mbrojtur investimet e sipermarresve nga politika ne biznese te tilla si shkolla te larta, ndertime etj.

    Shoqeria civile: ne llogore. Disa NGO e intelektuale jane pro a kunder, ei bashkohen PD apo PS perkatesisht, per te realizuar qellimet e tyre, jane te kooptuar ose thjeshte se i perkasin ketyre partive. Bizneset jane te cinteresuara, kane hallet e tyre dhe lakmojne te fitojne ndonje gje nga ato 100 milione investime per llogjtoren e re.

    Keshtu eshte ndare i gjithe vendi edhe per ceshtje te tjera. Interesante do te ishte nje analize mbi koherencen ne qendrimin e disa aktoreve per ceshtje te ngjashme ne forme siptomatike. Atehere hipoteza se kete vend e ka ngulfatur partitokracia do te deshmohej mire empirikisht.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: